Kur nga ndërkombëtarët trumbetohej nevoja për Qeveri me duar të pastra, në një diskutim miqsh si në habi po peshonim modestinë e objektivave që na viheshin para. Një vend tranzitor me nevoja emergjente e sfida nga më të rëndat kishte një objektiv tejet normal. Nga ne nuk kërkohej vënia e njerëzve reformues, progresiv e të punës por thjeshtë disa që mund të përmbushin një objektiv të vetëm: mos-vjedhjen. Gjatë kësaj jave Banka Botërore doli me rangimin e saj më të famshëm “Doing Business 2011”. Për të keqën tonë, të vendit tonë, ky rangim Kosovën e vuri dukshëm më rëndë se vitin e kaluar, pra konstatoj regres. Stagnimi me të vërtetë na qenka arritje në Kosovë.
E në këtë frymë rënëse njeriu nuk ka si mos ta pyet vetën se si është e mundur që qindra miliona euro paga e shpenzime në vjet për Qeverinë e Parlamentin, e mbi 25.000 shërbyes civil të punësuar 40 orë në javë, miliona donacione dhe ndihma tjera prodhojnë ecje mbrapa. A nuk është ky argument i mjaftueshëm për predikuesit dhe mbrojtësit e fuqisë së Qeverisë, se me të vërtetë ajo na qenka problemi? I bëj thirrje politikëbërësve dhe gjithë atyre që thirren si pushtetarë, aman të mos bëjnë asgjë, as politika as vendime as edhe një hap të vetëm. Çdo vendim, çdo hap, çdo procedurë e juaja shndërrohet në barrierë për bizneset, frikë për investitorët, turp për vendin. Të paktën lëreni ashtu siç është; regresi është absurd.
***
Për ata që “Doing Business” është term i padëgjuar, fjala është për një analizë dhe rangim të Bankës Botërore mbi ambientin biznesor në 183 vende të botës. Është studimi më gjeneral, më serioz dhe më kredibil i bërë në vazhdimësi. Po i njëjti matë nivelin e zhvillimit të vendeve në 9 kategori biznesore: hapjen e biznesit, mbrojtjen e investitorëve, marrjen e lejeve të ndërtimit, regjistrimin e pronës, marrjen e kreditit, procedurat e pagesës së tatimeve, tregtinë, forcimin e kontratave dhe mbylljen e biznesit. Të nëntë kategoritë e raportit përmblidhen më pas në një tregues final, i nxjerrë nga peshimi i secilit prej tyre. Anëtarësimi i Kosovës në Bankën Botërore ka bërë vendin tonë subjekt të kësaj analize. Referimi i këtij raporti është i gjithmbarshëm nga pothuajse të gjithë akademikët në disiplinat biznesore, Qeveritë, agjencionet promovuese dhe më e rëndësishmja investitorët e huaj të interesuar për eksplorimin e tregjeve të reja; është gjëja e parë që ata shikojnë. Me një fjalë nëse ka ndonjë raport ku do na shkonte fytyra, mundi për imazh e ku thirrjet për investime shuhen, atëherë ky është ai.
Vitin e kaluar, treguesi final i Bankës Botërore kishte vendosur Kosovën në pozitën e 113. Për kohën u tha se ishte rangim alarmant, i dëmshëm dhe aspak ndihmues për nevojat zhvillimore të vendit. Ky tregues kishte vendosur vendin tonë prapa gjithë vendeve rajonale, po se po Evropiane, por për më tepër ne shoqëroheshim me vende që kishin probleme serioze të qëndrueshmërisë dhe demokracisë. Treguesi fatkeqësisht jepte pasqyrën e saktë të ambientit biznesor të rënduar në vend. Me theks të veçantë shihej dobësia për mbrojtjen e investitorëve të huaj, ku Kosova sërish turpshëm po zinte vendin e 172. Me fjalë të tjera investitorët nuk mbroheshin fare. Asokohe, Qeveria tha se do të reflektonte në rekomandimet e raportit dhe kështu do të fillonte përmirësimin e ambientit biznesor e me këtë edhe rangimin në “Doing Business”. Madje thanë se do të ndiqnin shembullin e Gjeorgjisë që për 3 vite kishte përmirësuar pozicionin e vet për 100 vende, për të hyrë në dhjetëshen e parë.
***
Çfarëdo që Qeveria të ketë bërë ose jo, këtë vit Kosova largohet edhe më tepër si vend për të bërë biznes. Rangimi i botuar javën e kaluar vendos vendin tonë hiç më pak se në 6 vende më poshtë, në vendin e 119. Një vështrim i shpejtë në rajon të bën të kuptosh sa larg jemi. Mali i Zi rangohet në pozitën e 66-të, Serbia në të 89-tën, Shqipëria në të 82-të, ndërkaq Maqedonia që merr lavadata të shumta këtë vit merr pozitën e 38-të. Shtroj pyetjen se pse do të duhej të vinte tek ne një investitor i huaj kur ka gjithë këto vende fqinje tona që i japin më pak barriera dhe për më tepër kosto zero pasuese në Kosovë të garantuar me CEFTA-n. Kosova thjeshtë është një vrimë e zezë. Për të mos mjaftuar kjo, mbrojtja e investitorëve pëson edhe një rënie duke u ranguar nga vendi i 172 në 173; jemi në fund të pusit. Këtë pozitë e ndajmë me Palau, Mikronezinë, Gambinë, dhe Guinenë. Vetëm 5 vende në mbarë botën i mbrojnë më keq se ne investitorët, ndër të cilat dalloj Venezuelën e Hugo Chavez-it dhe Afganistanin e talibanëve i cili përmbyll listën në vendin e fundit. Me fjalë të tjera, një investitor potencial në Kosovë është i tmerruar nga vendi ynë dhe po i njëjti nuk duhet të ketë as më të paktën arsye që të shikojë drejt nesh. Kjo po se po është dëshpëruese. Po në të njëjtin stad jemi edhe sa i përket marrjes së lejeve ndërtimore e që në Kosovë marrin hiç më pak se një vit të plotë. Paramendoni, një investim i huaj duhet të presë një vit të tërë për të ndërtuar një objekt të tij. Si duket edhe pushteti lokal ecën në hapat e atij qendror.
Këtë vit kemi humbur 5 vende në fillimin e bizneseve, 3 në mbylljen e tyre, 2 në qasjen për kredi, 1 në regjistrimin e pasurisë dhe kemi mbetur në stadin e njëjtë sa i përket fuqizimit të kontratave, në atë të 155-të. Sipas Bankës Botërore një biznes duhet të kalojë në hiq më pak se 53 procedura në plot 420 ditë për të fuqizuar një kontratë të vetme. Sa siguri u japim! Madje në raport Banka Botërore e nënvizon Kosovën si vend ku rreziku për kontrata është si më i larti, bashkë me Sudanin, Timorin Lindor, Iranin dhe Sirinë. E dikush, i huaji apo i brendshëm, që ka ndarë mendjen për të hapë një biznes duhet të presë plot 56 ditë, apo 5 herë më shumë se në vendet e rajonit. Raporti thotë se “vendosja e numrit fiskal ka rënduar procedurat e hapjes së biznesit meqë dhënia e tij merr kohë”. Hiç më mirë nuk i kemi punët as me procedurat për eksport. Ne kërkojmë përafërsisht dyfish procedura më shumë për gjithë ata që synojnë eksportin, e dyfish më pak për ata që importojnë. Paradoksale kur kihet parasysh bilanci tregtar i vendit. Në gjithë këtë raport, notën më të mirë e marrim kur kemi të bëjmë për mbylljen e bizneseve. Aty jemi të ranguar në vendin e 31; punë e madhe. Për ti mos mbetur borxh as administratës tatimore pagesa e tatimeve duket se ka një stad më të mirë në këtë rangim total. Të paktën këtu kemi shënuar një progres të lehtë.
***
Vendosja në një familje me Venzuelën e Afganistanin si duket nuk i ka brengosë fare vendimmarrësit tanë. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë si përgjegjëse e drejtpërdrejtë për një ambient të tillë nuk e pa të udhës as të komentojë rëniet e Kosovës, as të kundërshtojë rangimin, pse jo metodologjinë ose të paktën të tregojë gatishmëri për të ndryshuar diçka. As edhe në fjalë e vetme nuk u tha.
Them se është imperative fillimi i reformave procedurale, shuarja e burokracisë dhe marrje me seriozitetin më të plotë të rekomandimeve të Bankës Botërore. Nuk na hynë në punë investimet dhjetëra milionëshe të “evropianëve të rinj” apo reklamat televizive në CNN e BBC. Janë këto rangime rrëqethëse që largojnë çdo kapital të huaj që është shpresa jonë e vetme për rimëkëmbje. Kosova nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë kapacitete të brendshme gjeneruese. Sytë dhe mundi ynë duhet të orientohet drejt krijimit të një ambienti të mëndafshtë biznesor për çdo të huaj që sheh vendin tonë si potencial investues. E nëse rëndësia e tyre dhe interesi ynë përputhën në një ekuilibër të dhënë atëherë them se dhe angazhimi ynë duhet të jetë shumë më i lartë se i Iranit, Venezuelës e Afganistanit.
Koha Ditore, 11 Mars 2011
LETRA NGA LIMBO
No comments:
Post a Comment