Friday, 4 March 2011

SA PESHOJMË?




Derisa nga komfortet e zyrave të ngrohta qeveritare prodhohen arritje e perspektiva mbresëlënëse, në këtë dimër Kosova “evropiane” vazhdon të ketë plot 700 mijë banorë që jetojnë në varfëri

Nga prononcimet e mbrojtësve dhe ithtarëve qeveritar shpeshherë kam vënë në dyshim se kemi barometër të njëjtë suksesi. Besoj se është koha që me Qeverinë e re të bëhet një skanim i numrave ekonomik, matësve kryesor të standardit të jetesës sonë dhe që sa herë që dikush diku merr guximin të shpreh përparim le të bëjë fillimisht matjen e termeve si të papunë o të varfër. Sot nuk do të jap alternativa. Sot do të paraqes pasqyrën e vendit tonë të zhveshur nga zbukurimet e përqindjeve e lojërave tjera numerike. Çdo rezultati final i progresit tonë ekonomik duhet nisur nga një bazë alarmante, ku 43% e kosovarëve janë të papunë, ku 34% janë në varfëri dhe jetojnë me më pak se 1.42 euro në ditë, dhe ku 18% janë në varfëri të skajshme me vetëm 93 cent në ditë... vetëm 93 cent! Kjo është tabloja finale e suksesit ose jo e çdo politike ekonomike, çdo privatizimi, çdo rruge, çdo shkolle dhe e çdo spitali. Këto janë kilogramët e kosovarëve, kjo është pesha jonë. 

***
Ku jemi sot? Mbi 20 vjet tranzicion, ekonomia kosovare vazhdon të varet kryesisht nga burime të paqëndrueshme zhvillimore. Shpenzimet qeveritare, remitancat dhe ndihmat vazhdojnë të jenë shtytësit kryesor eko-gjenerues. Qartazi, themelet zhvillimore janë të ndërtuar mbi një bazë afatshkurte meqë në fund të fundit ato një ditë to të zbehen. Do të zbehen remitancat meqë janë në korrelacion negativ me zhvillimin ekonomik, sa më shumë zhvillohemi më tepër dobësohen lidhjet me emigrantët tanë; do të zbehen ndihmat financiare meqë po përfundojmë tranzicionin dhe do të kalojmë në huamarrje – tashmë këtë praktikë veçse e ka filluar Britania e Madhe; dhe do të zbehen investimet qeveritare se në fund të fundit nevojat për asfalt e shkolla natyrshëm janë dhe do të jenë në rënie. Dhe çka më pas? Kjo na sjell te sektori privat, i padukshëm, i ngarkuar e i mbytur nga një ambient i çuditshëm ekonomik që kalon çdo shpjegim logjik të vetëmbajtësimit dhe funksionalizimit. Ky sektor nuk po merr dot veten për tu bërë i zhurmshëm në kohën kur dritat janë të drejtuar nga ai. E kur investimet qeveritare, remitancat e ndihmat do të veniten, lokomotiva jonë gjeneruese do të jetë e papjekur për të shtyrë trenin e zhvillimit. Ai nuk do e merr vetën përderisa bizneset punojnë për banka me fitim më të ulët se normat e interesit, përderisa korrupsioni dhe burokracia nuk çrrënjosen, përderisa gjykatat nuk u krijojnë një ambient të besueshëm kontraktual, përderisa politikat fiskale mbysin çdo start-up dhe përderisa nuk prodhojmë!

Në një ambient të tillë ekonomik, Kosova vazhdon të ketë një GDP (për jo ekonomistët: vlera në euro e gjithë produkteve dhe shërbimeve të krijuara brenda një viti) jo më të madhe se 4 miliard euro. Kaq krijojmë! E kjo vlerë është dy herë më e pakët se e Malit të Zi, tri herë se e Maqedonisë e Shqipërisë, e katër herë se e Serbisë. Produkti ynë kombëtar është indiferent ndaj zhvillimeve rajonale, dhe një vend me një produkt të tillë ka pak gjasa të impresionojë edhe me parametra të tjerë.  Për më tepër, rritja ekonomike (e GDP-së)  prej 4.6%, nuk ka arrit ti përmbushë kërkesat dhe nevojat zhvillimore të vendit. I konfirmuar edhe nga Raporti i Progresit, ky numër vazhdon të mbetet një statistikë që nuk përkthehet dot në standardin e jetesës, meqë as papunësia e as varfëria në vend nuk kanë lëvizur nga pozicionet e tyre them dramatike. Pse kështu? Në një nomenklaturë të pastër, çdo euro publike e dhënë tek bizneset   normale do të përfundonte në një vend të ri pune. Kjo nuk ndodh me eurot tona. Ato nëpërmjet prokurimit publik dhe fenomeneve korruptive brenda tij, favorizojnë bizneset fantome, inekzistente e të lidhura ngushtë me grupe të interesit gjithmonë në kurriz të reproduktimit logjik ekonomik. Ajo euro fshehët, shpërlahet dhe largohet nga vendi pa lënë gjurmë në punësim dhe zbutje të varfërisë.

***
Nën optikën e të ardhurave, vendi ynë është i humbur. Derisa banorët e Bosnjës kanë të ardhura për kapita rreth 5000 euro në vit, të Shqipërisë rreth 6000, të Maqedonisë rreth 7000, e të Serbisë rreth 8000 , kosovarët vazhdojnë të jenë më të varfrit në Evropë me një të ardhur për kokë banori prej vetëm 1800 euro. Sipas FMN-së  sot ne vendosemi po se po prapa të gjitha vendeve rajonale, por edhe prapa Afrikës Veriore, prapa gjithë Amerikës Latine, për tu rehatuar diku në vendin e 141. Këto parametra të rënduar ekonomik inkurajojnë migrimin dhe ekonominë e zezë në vend që llogaritet të jetë rreth 1 miliard euro dhe me një evazion fiskal në vlerë prej 300-400 milion euro, vlerë kjo vjetore që humbë buxheti i vendit. Në rast të një lufte kuptimplote mbi informalitetin, ne do të mund ti dyfishonim pagat e financonim autostradën pa nevojë për shitje të PTK-së ose rrezikim të qëndrueshmërisë buxhetore. Rangime aspak më pozitive nuk i bëhen Kosovës as për ambientin biznesor dhe mbrojtjen e investitorëve nga Banka Botërore. Deri sa për të parën mbajmë vendin e 113, për të fundit jemi në vendin e 174. Për të dy treguesit në 2010-tën Kosova ka humbur një vend. Kjo nuk është e habitshme meqë në vitin 2010 ne kishim rënie të investimeve të huaja.

Aspak më mirë nuk janë relacionet tregtare që prodhojnë një disbalanc enorm. Vlera totale e eksporteve në vitin 2010 ishte rreth 320 milion euro; me 90% të tregjeve në BE. Në anën tjetër Kosova importon rreth 2.3 miliard euro kryesisht nga tregjet e Maqedonisë, Serbisë dhe Gjermanisë. Vetëm Serbia dhe Bosnja në çdo vit importojnë në Kosovë hiç më pak se 500 milion euro në forma të rregullta dhe mbi 300 milion euro nëpërmjet ekonomisë së zezë nga Veriu i vendit. E gjitha kjo ndodh deri sa bizneset tona as nuk kanë guximin të mendojnë të përdorin korridoret transportuese të këtyre vendeve e lërë më të synojnë tregjet e tyre. Dëm edhe më i madh eksporteve i bëhet nga heqja e preferencave evropiane tregtare nga 2011, duke mbetur kështu të vetmit në rajon pa to. Liberalizimi i lëvizjes së njerëzve është “ mendim luksoz” në këtë kohë.
***
Tenderët njëburimorë vazhdojnë të rriten. Në vitin 2007 ne kishim vetëm 20 milion euro të dhëna pa konkurrencë, në 2008 jo më shumë se 60 milionë, në 2009 ato morën hov e u bënë 200 milionë,  për tu “zvogëluar” më pas në 170 milionë në vitin 2010. Në një vend modern, tenderi njëburimor jepet në rast të katastrofave natyrore, kur procedurat e prokurimit potencialisht marrin kohë e emergjenca e vendit nuk pret. Tek ne, tenderë njëburimorë jepen edhe për letër tualeti. Këta tregues pasqyrojnë një mungesë të qartë të menaxhimit së parasë publike qoftë nga buxheti i vendit qoftë nga ndërmarrjet publike. Se s’kemi menaxhim të mirëfilltë financiar na përkujton edhe rezerva buxhetore që është hiç më pak se 360 milionë euro. Sa shpesh kemi dëgjuar zërat për kthimin e parave të privatizimit në vend. Ne kemi po aq të bllokuara nga buxheti i vendit për shkak se nuk dimë të menaxhojmë me para dhe rrezikojmë me deficit enorm. Për vetëm një vit ne kemi kaluar nga një tepricë prej 110 milionëve në një mungesë prej 90.

Për ti vënë qershi tortës, sipas Bankës Botërore, për tu barazuar në 2020-tën me vendin e parafundit në Evropë, Shqipërinë, neve na duhet një rritje ekonomike vjetore prej 8-10%. Vetëm 2 vende në historinë ekonomike globale kanë pasur një rritje kaq të lartë për një dekadë rresht. Thënë shkurt, mund të kalojnë më së paku edhe 10 vite të tjera e ne prapë do të jemi të fundit me punësim, të parët me varfëri. Nuk besoj se meritojmë një trajtim të tillë.


Koha Ditore, 4 Mars 2011
Letra nga limbo

No comments: