Friday, 25 February 2011

NJË NOTË PËR PADËGJUESHMËRINË

Katër muajt e shkuar na dhanë mjaft, ndoshta më shumë se çfarë një vend i tërë mund dhe duhet të pranojë. Na dhanë krizë politike të ndjekur me anarki institucionale, degjenerim ekonomik e varfërim të të tanëve, vjedhje të vullnetit e shtrembërim të zërit, akuza tmerruese e thumbime të imazhit, presione politike e shformësim të vlerave. Nëse asgjë tjetër, këta muaj na dhanë një grusht padëgjueshmërishë; ky një standard i ri i vendosur në demokracinë më të brishtë evropiane. Padëgjueshmëri ndaj interesave nacionale me tërheqjen e ministrave, padëgjueshmëri ndaj nevojave ekonomike me vendime jolegjitime, padëgjueshmëri ndaj votës së lirë me vjedhje masive, padëgjueshmëri ndaj vërejtjeve për pak më tepër demokraci me rivjedhje, padëgjueshmëri ndaj vullnetit të shumicës me koalicion të pakicës, padëgjueshmëri edhe ndaj vullnetit të pakicës brenda pakicës me presione e shantazhe, padëgjueshmëri ndaj kryeparlamentarit me dalje pa aprovim e futje të të paftuarve me gjoks, padëgjueshmëri ndaj procedurave, ligjeve dhe kushtetutës me thyerje absurde; na dhanë padëgjueshmëri ndaj perspektivës politike dhe ekonomike të vendit. Në këtë fabrikë padëgjushmërishë, më së paku na u dha ajo për çfarë liderët thirren, institucione të denja dhe një program politik dhe ekonomik po aq të denjë.
***
Kryeministri i rizgjedhur në fjalën e parë tha se “po i jepet fund problemeve në vend”; fatkeqësisht ky është fillimi i një perspektive me plot probleme. Forca e pakët mbrapa Presidentit dhe vet Qeverisë është e frikshme. Në kohë kur thuhet se jemi pranë sfidave të papara nacionale, ekonomike e politike, sfida këto që lidhen me vet ekzistencën ose jo të shtetit kosovar, ne vendosim ti japim fuqi një pakice, të injorojmë nevojën për koncenzus politik dhe bashkim të mendjeve, zgjedhim jokredibilet dhe prodhojmë krizë e përçarje, gjithmonë për hir të akomodimit të interesave më ekstreme individuale.
Prodhojmë paqëndrueshmëri meqë Qeveria e Presidenca e re nuk jep zërin e kosovarëve. Jo më shumë se 38 vota shqiptare janë pakicë e mjaftueshme për jolegjitimitet të paktën moral. Edhe më shumë thellojmë jolegjitimitetin me shantazhe, blerje dhe kërcënime si ato të 22 Shkurtit. Prodhojmë jokoncenzus për proceset urgjente ekonomike e politike me përçarjet e nxitura nga padëgjueshmëria e institucioneve ndaj vullnetit, kushtetutës dhe opozitës. Ku do ta gjejmë pajtueshmërinë për negociata tregtare ekonomike, për miratim të buxhetit, për shitje të aseteve e për integrim ekonomik evropian nëse këto institucione të reja shikojnë jo më larg se vetja? Çfarë garancish ekonomike dhe prosperuese mund ti japim një investimi të huaj, jo se jo me kredibilitet, por me një Qeveri dhe Presidencë të pakicës? Ku do të gjejmë forcën për kohezion nacional për sfidat më të papara në vend në fushën e infrastrukturës, energjetikës, telekomunikacionit e tregtisë pa një pëlqim dominues? Në vend se sot të kishim një Qeveri kredibile, gjithëpërfshirëse, me një President që siguron jo 62 vota të lodhura, por një shumicë absolute, unitet dhe mbështetje të paparë, e tëra çfarë ne bëjmë është kornizimi i fatit të gjithë vendit në hiç më shumë se dy mendje që orë e çast edhe mund të ndërrojnë, e me këtë dhe vet fatin e një vendi të tërë.
***
As më e hapur nuk duket perspektiva e mbështetur me një program serioz. Absurditetet e mungesës së programit filluan në kohën kur u bënë bisedat për bashkim qeverisës. Po që ishin të pakta këto biseda, po që ishin papërmbajtësore e të shpejta, po që nuk ishin të drejtuara kah problemet dhe qëndrimet polaristike të palëve për proceset ekonomike, por ato edhe u kurorëzuan me një dokument të vetëm:  një faqe. Gjithë ato dallime ekonomike në kohë të fushatës mbi rritjen e pagave, qëndrueshmërinë e buxhetit, privatizimin e PTK-së, financimin e autostradës, shitjen e aseteve tjera publike u rrumbullakuan me një dokument më pak kuantitativ (dhe patjetër kualitativ) se një kontratë pune nga më të thjeshtat. Dhe këtu fillon dekompozimi i vlerave dhe qëndrimeve ekonomike e politike, meqë dallimet shuhen kur në tall vihet kolltuku, se interesat e kosovarëve mbulohen nga ata që punë, objektiv dhe jetë kanë amorfitetin politik. Le të jetë si të jetë, në fund të fundit nuk është hera e parë e as që do të jetë fundit kur kolltuku bën magji; por të paktën një copë komforti do të ofrohej sikur Qeveria e re të tregonte një fije respekti me një program të denjë ndaj atyre që sot  jetojnë me varfërinë më të thellë në historinë tonë moderne, me papunësinë e çdo të dytit në krah, me të ardhurat për kokë në fund të pusit botëror, me një regres ekonomik si asnjëherë më parë, rritje të korrupsionit e tenderëve njëburimor nga viti në vit, prezencë të informalitetit e evazionit, me imazh frikësues në sy të çdo investitori që ka sytë nga Ballkani.
E tëra çfarë dëgjuam nga programi i dhënë (dhe fatkeqësisht i aprovuar) ishin politika vlerësuese kualitative, se objektiv i Qeverisë është “përmirësimi i gjendjes ekonomike”, “ulje e papunësisë”, “vendosje e rendit dhe ligjit”, “luftim i korrupsionit, informalitetit dhe evazionit” e deri te “përmirësim i jetës”. Kjo edhe mund të ishte një punim eseje nga një student mesatar që ka percepcion gjeneral se çfarë dhe ku duhet të shkojë një vend, madje aq gjenerale sa të njëjtin mund ta riprodhosh në çdo vend të pazhvilluar e në zhvillim; por të paraqitet një program të tillë Qeveritar për Kosovën e sodit është mungesë e qartë e vullnetit konstruktiv dhe për më tepër vizionit ekonomik.  Mungesa e parametrave sasior ekonomik bëhet me një qëllim të vetëm, që e tërë puna të lihet në amulli dhe ad-hock-izëm si gjithnjë deri më tani. Madje as në tre vitet e shkuara ne nuk kishim një qeverisje të planifikuar. Fati i një vendi varej nga disponimet e mëngjesit të udhëheqësve tanë e asnjëherë në një program qeverisës. Por kjo këtë herë nuk bën punë.  I njëjti kryeministër, i njëjti President së bashku kanë premtuar, janë marrë vesh dhe kanë marrë të drejtën e krijimit të hiç më pak se 35.000 vendeve të reja pune në çdo vit, rritje ekonomike prej 8-10%, ulje të korrupsionit në parametra zero, dyfishim të buxhetit në vitin e dytë qeverisës, dyfishim të pagave dhe mbajtje të qëndrueshmëri buxhetore në vitin e parë, norma të interesit prej 7% po në vitin e parë, ulje të mëtutjeshme të tatimeve, përmirësim të rangimeve katastrofale, dhe përfundimisht, më të rëndësishmen, zbutje të varfërisë në numra njëshifror. Kaq dimë të mbajmë në mend dhe për kaq do të japin llogari.
***
Dhe çfarë tash? E para, duhet verifikuar legjitimitetin dhe pikënisja për këtë është te njeriu më koncensual i zgjedhur ndonjëherë në Parlamentin e Kosovës, kryetari i saj. Nëse ai kishte të drejtë për thyerje të Kushtetutës në rastin e ndërhyrjes atëherë është imperative interpretimi i Kushtetueses për të vlerësuar ose jo thyerjen e aktit më të lartë të vendit. Nëse kjo kalohet atëherë qëndrueshmërinë dhe legjitimitetin e kalojmë në stadin e moralit personal, që dukshëm mungon. Por nëse thyerja e kushtetutshmërisë, qoftë me thyerje të rregullave apo shantazhim të vullnetit mbetet në fuqi, atëherë ne kurrë nuk do të jemi të sigurt për një stabilitet dhe kredibilitet në një president ashtu pak kredibil. Kjo po se po edhe mund të jetë një pjesë e dytë e krizës së Tetorit meqë sa herë që Kryeministri të dojë zgjedhje të reja e tëra çfarë i duhet të bëjë është thirrja për respektimin e Kushtetutës. Më së paku vendit tonë i nevojitet një president në sqetullat e Kryeministrit. E dyta, nëse padëgjueshmëria është bërë standard i prodhuar nga çdokush që ka ndonjë të drejtë vendimmarrëse atëherë është po aq korrekte “t’i  jepet Cezarit atë çfarë i takon” një padëgjueshmëri qytetare. Nëse kosovarëve u ofrohet kryeneçësi, shtyrje me gjoks, dhunim i demokracisë, mosrespektim i vullnetit përtej çdo marre, them se shoqëria jonë duhet të ngre zërin dhe tu thotë po të njëjtëve se ne kemi një vijë të cilën nuk e kalojmë dot; dhe se aty ku mbaron klandestinizmi institucional fillon padëgjueshmëria dhe refuzimi i sistemeve shtetërore nga të gjithë. Le të refuzojmë çdo institucion, çdo vendim, çdo ligj, çdo rregull, e çdo perspektivë në këtë format. Në fund të fundit kjo është vlera që po na promovohet dhe servohet edhe nga miqtë tanë të huaj, të huaj me plot kuptimin e fjalës.
E treta, objektivat zhvillimore që tentohen të kamuflohen me një program të mbështetur në parametra cilësor e jo sasior janë të kota, jokorrekte dhe të paqëndrueshme. Me kaq nuk do të maten. E katërta, nëse çdo vendim politik, ekonomik dhe ligjor i prodhuar nga këto institucione është zë i pakicës shqiptare atëherë ne, sistemi ynë, përkrahja e pamatur e miqve të huaj (me apo pa kërcënime), e çdo hap i vogël e i madh në këtë anarki, kanë prodhuar një monstrum demokratik, mundësi për jostabilitet shtetndërtues dhe pasiguri në çdo vendim të nxjerrë për aq sa ka jetë. Çdo ligj, çdo vendim, çdo licencë, çdo shitje mund të jetë pronë e kontestueshmërisë nga një strukturë Qeverisëse tjetër, mund të jetë nxitje e pakënaqësive sociale të artikuluara nga zërat opozitar, mund të jetë barrierë serioze e mundësisë për rimëkëmbje ekonomike. Çfarë kemi bërë kështu?!

Saturday, 19 February 2011

FLUTUROJNË, FLUTUROJNË ÇMIMET

Në më pak se një muaj besoj se xhepat tuaj janë lehtësuar nga ngritja e shpejtë e çmimeve në produktet dhe shërbimet më bazike; tek ato që përbëjnë themelin e shportës suaj javore; dhe jo vetëm aq.  E mu atëherë kur besuat se ngritja kishte një fund ndodhi e ajo çfarë ju më së paku kishit pritur, ato u ri-rritën. Lajmi i keq është se kjo ri-rritje është vetëm fillimi i një inflacioni zinxhiror dhe nën optikën ekonomike asgjë nuk është e panatyrshme, madje ka një shpjegim sa të thjeshtë edhe aq neveritës. Për të mos mjaftuar me kaq, rritjet do të vazhdojnë. Ne tashmë jemi brenda një labirinti ekonomik i krijuar nga eksperimentet dhe pamaturitë e shumta ekonomike dhe politike në vend. Kështu ndodh kur krijon më shumë probleme se zgjidhje.
***
Për të ju rifreskuar memorien, avullimi i parasë nga xhepat tuaj ka filluar qysh në vitin 2007. Që nga atëherë treguesit e Entit Statistikor thonë se çmimet e produkteve mesatare, të një familje mesatare me të ardhura mesatare janë rritur për 20%. Nëse të hyrat tuaja dhe të familjes tuaj për këtë kohë do të kenë mbetur të pandryshueshme, e mesiguri se po, atëherë në tre vite ju jeni më të varfër për një të pestën e pasurisë suaj. Shkurt e shqip, 100 euro në kuletën tuaj në 2007 bëjnë hiç më shumë e 80 euro sot. Madje me një parashikim (para ngritjes së pagave) të një inflacioni prej 5% në 2011, ato nuk do të vlejnë më shumë se 75 euro këtë vit. Në natyrën ekonomike nuk ka as edhe një dallim të vetëm në mes të rritjes së çmimeve dhe uljes së të hyrave; të dyja ju bëjnë më të varfër. Rrjedhimisht ju mund të bëheni më të pasur nëse çmimet kanë ulje, ose nëse të hyrat tuaja rriten.
Arsyetimet e mbrojtëseve zhurmues të politikave publike ishin se këto rritje reflektonin vetëm mbi importet, pra çmimet po rriteshin nga prurësit. Në radhë të parë, gjej vështirësi ekonomike të balancoj një opinion të tillë. Në një skenario lehtë të menduar një rritje e importuar do të reflektohej tërësisht në të hyra buxhetore që do të rriteshin me po të njëjtën margjinë, pra 20%. E vërtetë se të hyrat kanë pasur rritje, por çfarë ti bëjmë tash deklarimeve të Doganës qe këtë rritje i atribuojnë solo efikasitetit të tyre?!  Në një fotografi optimale, një vlerë e shtuar të çmimeve natyrshëm krijohet brenda. Them se pohimi importues është i pjesshëm dhe për më tepër tendencioz me qëllim të shfajësimit. Kujtoj se ne kemi Qeveri dhe fatkeqësisht kemi barriera ekonomike nga politikat tona.
***
Vet varësia nga importi është problem i prodhuar nga barrierat institucionale. Ka vite të tëra që po ngremë zërin për përmirësimin e ambientit biznesor me qëllim të përmirësimit të konkurrueshmërisë së bizneseve tona. Sot një prodhues, një shërbyes, apo edhe një importues, koekziston me anomalitë më moderne të shpikura nga një grumbull institucionesh tranzitore. Jo që janë engjëj këto biznese, në fund të fundit evazioni fiskal prodhohet nga to, por në këtë nivel moral shtetndërtues them se janë të barabartë, në mos shumë më të mirë me moralin patriotik të institucioneve tona.
Së pari, këto anomali fillojnë nga financimi prej 14% i burimeve të tyre. Kjo kosto financuese domosdo bartet tek ju, dhe këtu fillon burimi i parë i rritjes së çmimeve. Unë nuk përkrah ndërhyrjen e institucioneve në përcaktimet e normave të interesit, megjithatë nuk ka asnjë pengesë ligjore e logjike që mos të funkcionalizohen gjygje më efikase e që merren enkas me rastet bankare. Kujtoni se një rast ekonomik merr mesatarisht rreth 200 ditë kohë për të zgjidhur. Kjo pritshëm rritë riskun dhe me të edhe normën e interesit. Nuk ka asnjë pengesë as në fillimin e procesit kadastral që do të lehtësonte hipotekimin dhe marrjen e kredive; e aq më pak në hartimin e Ligjit të Letrave me Vlerë që domosdo do të sillte jo vetëm freski në burimet e financimit, por njëkohësisht edhe konkurrencë në sektorin financiar e me këtë ulje të normave të interesit.
Së dyti, aspak më korrekt nuk është trajtimi fiskal për këto biznese. Ndonëse normat tatimore mund të shihen si të ulëta, incidenca apo ngarkesa fiskale e që lidhet me mënyrën e kryerjes së obligimeve fiskale është tmerrësisht e rëndë. Për të rigjeneruar fuqinë blerëse bizneset o do i ikin tatimeve, kur të munden, o do i rrisin çmimet; ato bëjnë të dyjat. Ulja e ngarkesave tatimore ul natyrshëm edhe çmimet. Së treti, për ta bërë këtë më të vështirë vitin e kaluar dikujt i shkoi në mendje të rriste edhe më shumë akcizën në naftë me arsyetimin e rritjes në produkte luksi. Sa absurde! Nuk besoj se duhet dije ku me ditë sa për të kuptuar se nafta është produkti më bazik dhe më i përdorshëm nga çdo biznes. Rritja e akcizës në naftë u ndjek me rritje në çmime meqë e tëra çfarë bizneset bënë ishte përcjellja e barrës së saj tek tjetri në rend.
***
Sa për të mos mjaftuar inflacioni i krijuar nga këto politika, Qeveria jonë bëri dhe një hap tjetër inflator, e që sot është çelësi i rritjeve masive. Rritja e pagave disproporcionalisht me rritjen e GDP-së,  pra 35% me 4.5% prodhon një efekt të vetëm: inflacionin zingjiror; më të rëndin të mundshëm. Askush nuk do të brengosej nga një inflacion i kërkesës kur si rezultat i produktivitetit të lartë në vend do të rritej vlera e fuqisë punëtore, do të rriteshin pagat e me këtë edhe çmimet. Inflacioni ynë është rritje e drejtpërdrejtë e pagave pa ndonjë rrjedhë ekonomike. Si i tillë ka bërë të rriten pritjet e bizneseve e jo produkti i tyre, meqë në fund të fundit tregu zhvillohet dhe ko-jeton me pritje. Por këtu, fatkeqësisht, nuk ndalon cikli destruktiv ekonomik. Rritja e çmimeve jo vetëm se është më i shpejtë, por njëkohësisht edhe krijon nevojë për rritje të mëtutjeshme të pagave për të rikuperuar fuqinë blerëse, e kjo rritje e pagave prapë ndiqet me rritje të pritjeve të çmimeve deri sa të kuptojmë se jemi të ngecur në një cikël natyror pagë-çmim-inflacion të pafund.
Në fotografinë e re, ato 75 euro tuaja do të vlejnë edhe më pak. Shumë më pak. Dikush ka fatin të ketë punëdhënës Qeverinë, për të rikuperuar humbjen dhe për të ripasur një fuqi blerëse të 100 eurove prapë, ndonëse janë humbur 4 vite; por ja që mbi 70% e familjeve tonë janë o të papunë o të punësuar në sektor privat që nuk përgjigjet dot me rritje të pagave (meqë nuk rritë produktivitetin). E deri sa askush nuk gjen kohën për të shkrirë mendje në zgjidhje ekonomike, koha në anën tuaj ju bën më të varfër.

Koha Ditore, 19.02.2011 - Letra nga limbo

Friday, 11 February 2011

VEND PA VIZION

Kur u dhashë miqve të mi idenë për këtë kolumnë, një mikeshë më tha se në rast të nevojës për depresion do ti lexojë shkrimet e mia. Ndoshta edhe kam humbur sensin e optimizmit kohëve të fundit, ndoshta edhe nga mllefi mbi hipokrizinë kam filluar të jem subjektiv. Ama, nuk ka ditë që unë dhe ju mund të zgjohemi pa mallkuar çdo rast të humbur në dhjetë vitet e fundit nga po të njëjtit që sot kërkojnë edhe dhjetë të tjerë; dhe kjo në vete po se po është depresive. E quajta vendin tim Limbo. Limbo është një realm ëndërror, një zgjerim në infinit i ndërdijes. Është vendi më i thellë i anktheve nga ku dalje s’ka. Vendi ynë, i vuajtur e i shkretë, i harruar e i vonuar, i shtypur e i dhunuar nga të huaj e të tanët, nuk është asgjë tjetër veçse një Limbo, nga ku, ne të fundit e Evropës dalje nuk gjejmë.
Objektivizmin e huqi edhe kur gjithë shpresën për rimëkëmbje shoqërore, morale dhe materiale e shoh kryesisht në zhvillim ekonomik. Ndoshta pse ekonomizmi është pjesë thelbësore e punës sime; ndoshta pse për këtë di të flas më shumë. Besoj në frymë ekonomike libertariane, ku roli i shtetit është i kufizuar, ku tregu dhe iniciativa private dërgojnë potencialet zhvillimore në kufijtë më ultim të mundshëm. Dhe kjo ndoshta është arsyeja kryesore prapa indifierencës sime ndaj mbiprezencës së Qeverisë dhe çdo hiperstrukture tjetër institucionale.
“Qeveria nuk është zgjidhje, është vet problemi” janë fjalët e Ronald Reagan, që këtë javë pati 100 vjetorin e lindjes. Një lider e president i papërsëritshëm. Theu jo vetëm një perandori të tërë sovjetikësh, por në vend vendosi themelet e një rimëkëmbje puro libertariane. Reagan kishte kuptuar tërësisht idetë e Friedman, dhe jo vetëm kaq, me qasjen e tij konzervative dhe patriotike ndaj jashtë kishte ndërtuar një filozofi të re të njohur botërisht si Reganomiks: qeveri e vogël, treg i lirë, mbrojtje e fuqishme nacionale. Dobësoj sindikatat, uli taksat, subvencionoj ndërmarrësinë, mbrojti vendin. Krijoj paqe nëpërmjet forcës.
***
Kosovës i duhet më shumë se asnjëherë më parë një Reaganomiks. Po ja që tek ne idealet dhe vlerat janë amorfe e me to edhe vizioni mbarë shtetëror. Aspak më ndryshe nuk janë as tendencat e fundit për rritje të prezencës së Qeverisë në treg, për rritje të një monstrumi institucional, që jo vetëm se i kushton vendit tonë me para të majme buxhetore, por prezenca e saj prodhon 3 barrierat kryesore të bizneseve nga viti 2003 deri më sot: korrupsionin, konkurrencën jo fer dhe burokracinë. Administrata publike ka qenë dhe vazhdon të jetë një strehimore sociale e që për një dekadë të tërë përpiu miliona e miliona donacione në emër të trajnimeve, po ja që asnjëherë nuk arritëm ti trajnojmë kushërinjtë e politikanëve tanë. Për të mos mjaftuar me kaq, këtë javë, të thirrur në emër të interesave të kosovarëve u paralajmërua rritja e Qeverisë me Ministri të reja. Për të bërë këtë gjë edhe më patetike, akterët e këtij filmi ishin parti që thirreshin si të djathta, ndonëse asnjëherë deri më tani nuk kanë treguar as edhe një akt të vetëm të djathtë. Lidhje nuk kanë me orientim filozofik.
Në vend se të reduktojmë adminsitratën publike ne e rrisim atë. Sa logjike do të jetë ti kemi nesër tre ministri për  marrëdhënie me jashtë (e punëve të jashtme, integrimit evropian dhe diasporës) ose pse duhet pasur ministri për çdo sektor ekonomik, kur ekonomia, tregtia, industria dhe energjetika janë të gjitha pjesë e një arti qeverisës eko-politik?! Le ta vëmë rekordin drejtë. Nuk ka asnjë arsye ekonomike, logjike ose filozofike mbi zgjerimin e Qeverisë. E vetmja arsye është akomodimi i pazareve e interesave partiake nën mbulojën e interesave qytetare; dhe këtu bien nga provimi të gjithë shtytësit dhe pjesëmarrësit e kësaj ideje. Andej kufirit i thonë “broçkulla” dhe kjo po se po ishte e para e javës.
***
Broçkulla e dytë, lidhet me 1 Prillin e hershëm: pagat. Nuk kam ndërmend të merrem me pasojat ekonomike, kostot e thyerjeve të ligjeve, potencialet gjeneruese të të hyrave apo me shitjen e aseteve nacionale, tema këto që besoj se janë mbuluar mjaft. Institucionalisht unë kam problem të definoj se kush ktheu vendimin prapa. Nuk e bëri Qeveria jonë meqë ajo vetëm se i kishte nxitur punëtorët civil dhe publik të nënshkruajnë lista me paga ngritse dhe për mos ti mjaftuar kjo mu një ditë para anulimit me hipermburrje shpërndau lajmin se ka dhënë urdhrin e ekzekutimit të pagesave. Por ja që të nesërmen në portat e thesarit kombëtar vendimi merret si jo valid, anti-ligjor e anti-kushtetues meqë ishte lëshuar nga një institucion jokompetent. Të ndodhur para një akti të kryer Qeveria kuptoi se sharra i kishte hasur në gozhdë, e të gjendur në panik nga shpërthimi potencial i pakënaqësive mblodhi me nguti Sindikatat që për gjithë kohën i mbante partner në këtë shkelje.
Në mbrëmje u dha lajmi se vendimi ishte tërhequr mbrapa “për hir të shtetit ligjor” dhe se pagat do të jepeshin retrokaktivishit meqë “vendimi është ende në fuqi”. Sa për të mos mjaftuar kjo “të huajt” thanë se “Qeveria mbrojti shtetin ligjor”. Them se këtu humbet arsyeja dhe unë kam problem me interpretime të tilla. E para, ka dallim esencial në mes të tërheqjes dhe kthimit të vendimit mbrapa. Deri sa i parë tregon fuqinë e Qeverisë, i fundit jep mu të kundërtën. E dyta, nuk kuptoj as se si mund të mbetet ende në fuqi një vendim kur pranohet se është antiligjor.  Paradoksale. E treta, edhe më pak e kuptoj se si kthimi i tij mbrapa qenka gjest demokratik i Qeverisë. A tu japim çmimin Nobel për këtë o zotërinj? Nëse ky pozicion është ligjor atëherë të mëparshmin e bën domosdo antiligjor. E nëse është kështu prej kur shpërblejmë shkelësit kur detyrohen të kthejnë shkeljen mbrapa?!
***
E veçanta e pagave është se ligjshmëria është vetëm një pjesë, madje e vogël, e problemit. Është qëndrueshmëria buxhetore dhe kapacitetet ekonomike çfarë kanë për të na çarë kokën në muajt në vijim, në mos më shumë. Po aq shqetësuese është mungesa e një qasje strategjike ekonomike në vend, jo financiare, jo buxhetore, jo ad-hock, aspak si kjo çfarë kemi parë deri më tani; por një qasje puro ekonomike, një vlerë Reganiane, të paktën për nga përkushtimi e jo domosdoshmërisht ideja. Ne nuk kemi as idenë më të vogël të bërit ekonomi. Madje shpesh për shkak të inferioritetit që politikbërësit kanë në dijen ekonomike me plot ironi e qeshje në buzë i kemi dëgjuar të thonë “lere se kjo është vetëm teori, praktika na thotë më ndryshe”. Dhe po, kjo është broçkulla e tretë. Mbi 300 vjet shkencë ekonomike, shkrirje mendsh e mundi nga ndërtuesit e vendeve që sot janë mijëra vite drite larg nesh hidhen e përulën nga politikanët tanë që na paskan një praktikë të bërë me probleme ekonomike në një gjysmë-vendi si ky i yni. Dhe kjo indiferencë mbi teorinë ekonomike, gjithmonë për shkak të mosdijes dhe amatorëllukut, është burimi dhe brumi i stagnimit mbarëkombëtar.

I gjithë koncepti ekonomik i vendit sillet vetëm rreth buxhetit të shtetit. Politikëbërësit shpresojnë tek Doganat dhe ATK vizitat tek të cilat ishin të shpejta e të shpeshta dhe me instruksione jashtëzakonisht të qarta: ska rëndësi ku e si por vetëm sa! E këto të fundit menjëherë filluan ngufatjen e bizneseve më të rregullta në një vend të mbytur me informalitet; deri sa një mëngjes të zgjohemi e kuptojmë se s’na ka mbetur asnjë biznes në këmbë për shkak të konkurencës jo fer dhe trajtimit më të pabarabartë fiskal që e prodhuam vet ne. Kjo me plot të drejtë u quajt “haraç institucional” nga vetë bizneset.
Për ta rrumbullakuar, për gjithë ata që presin se themelimi i institucioneve të reja bën zgjidhje them se zgjidhja bëhet për ta. Asnjëherë ndryshe.

Koha Ditore 11.02.11
LETRA NGA LIMBO

Wednesday, 2 February 2011

NJË TOP BORE NË FERR

Sinqerisht, këta 300 burra e gra tatimorë edhe po të priheshin nga Mbreti Leonidas i Spartës do të duken të pashpresë më një laps e një fletore fiskale në dorë. E Dogana që informalitetin e importuar nga fqinji ynë verior e pret 25 km në brendi të vendit ka gjasat e një topi bore në ferr të shtrijë autoritetin administrativ gjatë vitit 2011.

Nuk ka betejë më të vështirë opinionesh se të ngresh argumente kundër popullistëve. Janë të paparë, të pamundur, të padëgjueshëm, janë tmerrësisht të papërshtatshëm. Edhe pse të thirrur në masë, jo rrallëherë e kaluara i ka apostrofuar si individualistë që nën petkun e masës shtynë egon, nevojat dhe lakmitë personale pa hesapuar fare koston dhe konsekuencat e akomodimeve të tilla. E veçanta e popullizmit kosovar është se euforitë e masës burojnë nga dëshpërimi , nga ngufatja ekonomike dhe nga skepticizmi kritik për një jetë disi më ndryshe, një jetë them të quar posht’ nga injoranca e atyre që thirren në vlera kombëtare, patriotike, prosperuese e së fundi edhe demokratike. Madje kjo e fundit gjen vend në çdo rresht të çdo “popullisti individual” që në një formë ose tjetër linkohet me shërbyes publik, e që preferojnë ta quajnë veten pushtetarë.

Po këta pushtetarë, në ndjekje të pushtetizmit, me ose pa vetëdijen e tyre, hynë në garë premtimesh dy muaj më parë. Premtimet ishin valuata e vetme që fitonte respektin, që jepte atë fuqi pushtetimi, e kostoja e ofrimit të tyre ishte një fjalë goje. Një ujdi tërësisht profitabile për çdokënd. Po ja që fjalët e dhëna dalin se janë disi të pamenduara mirë dhe ja që dy muaj më pas premtimet e bëra në vendime bartin një kosto dhe konsekuence ekonomike çfarë ne, të fundit e Evropës, nuk kemi parë deri më tani. Në trevjetorin e ndërtimit të shtetit, kriza buxhetore po na troket në derë me ritme çdo herë e më të larta; e çuditërisht boll, askush nuk mërzitet për të.

Premtimi është bërë vendim, e në fund të muajve të parë do të jepen dhe pagat pa kurrfarë mëdyshje. Urime. Ani pse kemi shkelur marrëveshjen, ani pse s’kemi para por shpresojmë ti mbledhim disi, ani pse duhet shitur aty këtu “disa” asete nacionale ose se ndoshta duhet ti rrisim tatimet se s’bëhet ndryshe; kush brengoset, me rëndësi pagat u rritën! Tash çka?

Tash le të mendojmë si të rritur

E para, ky vendim ka marrë mbrapsht relacionin funksional dhe mezi të themeluar me FMN-në dhe ka kthyer atë në sfond zero. Rangimi i besueshmërisë për Kosovën ka marrë teposhtën dhe kushërinjtë financiar të FMN-së, si Banka Botërore e në veçanti EBRD anëtarësimin të cilin e presim me çdo kusht, domosdoshmërisht na shohin me sy neveritës, si një vend që ndërron fjalët e marrëveshjet në mitingje partiake. Paqëndrueshmëria vendimarrëse e vendit tonë thellon edhe më shumë koston e kreditorëve e investitorëve potencial të vendit që do të preferonin çmime më të larta për kreditë dhe investimet që potencialisht do ti kërkonim a bënin. Një Qeveri jo stabile në marrëveshje ndërkombëtare askund nuk pritet mirë.

E dyta, ky vendim ka rritë pritjet e qytetarëve prandaj kthimi mbrapa “kosto-zero” është realisht i pamundur. Edhe po të vendosnim një precedent të ndërhyrjes nga ICO për të kthyer këtë vendim mbrapa, protestat dhe pakënaqësitë tjera janë të pashmangshme. Për këtë kemi sindikatat që shikojnë solo-dimensionalisht dhe nuk mërziten për asnjë konsekuencë ekonomike të vendit. E tërë që ato mërziten janë pagat, pagat dhe vetëm pagat. Po ti dëgjonim ato të gjithë buxhetin do ta shpërndanim në paga. Prandaj efekti i kësaj mase të pamatur qeveritare tanimë ka bërë vendin e tij, i ka dhënë fuqi sindikatave dhe masës, e rrjedhimisht shpërthimi diku do të duhet të ndodhë.

E treta, deficiti potencial i shkaktuar nga aspiratat tejet optimiste të vendit tonë përkundër një kaçiku të plogësht financiar, mund të financohet domosdoshmërisht ose nga shitja e aseteve nacionale ose nga rritja e tatimeve. Ne kemi targetuar edhe ndërtimin e autostradës edhe rritjen e pagave, prandaj thirrjet dhimbshmërie për asetet nacionale ose për rritje të çmimeve nuk kanë vend as nga dhënësit e tyre, as nga përfituesit e tyre e aq më pak nga sindikatat e paarsyeshme. Paratë prej diku duhet të vijnë.

Pavarësisht efekteve të deritanishme, FMN do të ri-ulë në tavolinën e njëjtë, njerëzit e njëjtë që disa muaj më parë kishin shtrënguar duart e njëjta për një marrëveshje, që atëkohë ishte parë me plot seriozitet, ashtu siç edhe do të duhej të shihej. Të paktën miqtë tanë financiar kishin përshtypjen se ishin kuptuar seriozisht. Çfarë do të ngjajë tani është se FMN, Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian pasi kanë parë shkeljen e marrëveshjes me plot habi do të kushtëzojë së bashku hiq më pak se 450 milion euro, të gjitha për vitin 2011. Qeveria ka tre alternativa, o të garantojë stabilitet financiar, pra të mbulojë shpenzimet me burime të definuara të të hyrave; o të thirret në sovranitet financiar e të vazhdoj me avazin e vet për ti implementuar hesapet e veta, ashtu siç bëhen hesapet tek ne; o të tërheq paratë e dhëna prapa nëpërmjet rritjes së taksave.

Skenario 1: ATK dhe 300 Spartanët e saj

Në skenarin e parë, gjithmonë nëse FMN “e han foren”, bindja bëhet se disi, diku, në ekonominë më të varfër evropiane, me performancën më të dobët të bizneseve, mekanizmat më të dobët mbledhës do të grumbullojnë së bashku 250 milion euro më shumë se një vit më parë (1 miliard në 2010), dhe jo vetëm kaq. Për të mbuluar koston shtesë të autostradës duhet gjeneruar së paku 300 milion euro nga shitja e PTK-së, një aset ky i zhvleftësuar në vite. Gjenerimi kështu i 550 milion eurove shtesë do të mjaftonte që vendi ynë me mrekulli të njeriut e ndihmë të Zotit jo vetëm se të vazhdojë ndërtimin e një hiperinvestimi kapital por njëkohësisht do të përmirësojë standardin e jetesës së mijëra familjeve kosovare të prekura nga sektori publik me bruto 400 milion euro nga buxheti i vendit. Për të mos mjaftuar me kaq, paratë nuk do të kenë të ndalur meqë një pako tjetër po aq e madhe vjen nga miqtë tanë financiar.

Kjo duket një tregim tepër i mirë për të qenë i vërtetë. Dhe shpresa e vetme, besoni ose jo, për të mbledhë këto 250 milion mbështetet në 300 inspektorë tatimorë, me pagë mesatare 400 euro, dhe një doganë gjysmake që s’kontrollon dot veriun e vendit, së bashku këto që përballë kanë një ushtri evazionistësh potencial hiç më pak se 60.000 biznese, 300.000 familje, e që së bashku prodhojnë një ekonomi informale sa i gjithë buxheti i vendit. Sinqerisht, këta 300 burra e gra tatimorë edhe po të priheshin nga Mbreti Leonidas i Spartës do të duken të pashpresë më një laps e një fletore fiskale në dorë. E Dogana që informalitetin e importuar nga fqinji ynë verior e pret 25 km në brendi të vendit ka gjasat e një topi bore në ferr të shtrijë autoritetin administrativ gjatë vitit 2011. Në fund të fundit asgjë nuk varet nga ta.

Skenario 2: Harakiri Kosovar

Në një prononcim të fundit, ministri në shkarkim Shala tha se “në fund të fundit ne jemi një vend sovran dhe vendimet për mënyrën se si e ku i shpërndajmë parat tona i merr Qeveria jonë e askush tjetër”. Sa për ti dhënë zjarrit vaj kjo e drejtë ju rikonfirmua edhe nga ICO dhe FMN-në. E qartë, Qeveria ka çdo të drejtë të shpenzojë paratë e kosovarëve ashtu siç ajo ka takat e vullnet. Letrat e deklarimet e këtyre megjithatë kanë një fund më ndryshe, dhe po të marr të drejtën e vazhdimit të mendimit të ICO e FMN do të ishte “... megjithatë FMN, Banka Botërore dhe EBRD do ti japin ose jo 450 milion euro për Kosovën vetëm dhe vetëm atëherë kur Qeveria jonë bie në pajtueshmëri të plotë me to se si ti shpenzoj paratë e veta”. E nëse ne shitemi si kryeneç e sovran përball institucioneve financiare, nëse patjetër duam të tregojmë burrninë tonë të sovranitetit ndaj FMN-së (ndonëse kemi veriun për të bërë një gjë të tillë nëse bash na ka hatri), atëherë i themi lamtumirë ndihmave e i hapim derën harakirit (një gjest vetëvrasës japonez për hir të ruajtjes së nderit). Dëmet janë aq të pafund sa fjalët humbin arsyen përshkruese.           

Skenario 3: Jep me një dorë e merr me tjetrën

E nëse spartanët tanë nuk arrijnë objektivat superoptimiste, nëse harakiri s’na duket bash me mend, kush brengoset kemi TVSH-në. Rrisim atë për 4-5% dhe sa hap e mbyll sytë buxheti na mbushet. Vetëm se këtu, kemi një problem bazik. Jo vetëm se do të rriten çmimet në ditën e dytë pas vendimit, jo vetëm se do tu marrim pagat e dhëna me tatimet më gjithëpërfshirëse të mundshme, por do të rëndojmë bizneset, rrjedhën e parasë së tyre dhe përfundimisht i fundosim atë pikë drite të shpresave për investime të huaja meqë do të ndërtonim ngarkesë fiskale dy herë më të lartë se vendet fqinje. E si kthim, do të kishim fuqi blerëse të njëjtë tek kosovarët, inflacion, humbje të vendeve të punës dhe zvogëlim të bizneseve. Përveç kësaj, prapë për të mbuluar koston e autostradës, ne do të duhet të shesim PTK-në. Realisht, shitja e PTK-së tashmë nuk është alternative. Dëm!

Çfarë të bëhet?

Fillimisht, shitja e PTK-së për 2011 gjithmonë për të mbuluar këstin 270 milionësh të autostradës së famshme është punë e kryer, një kurban i lehtë për tu bërë (por shumë i kushtueshëm për hesapet ekonomike tona). Por ja që PTK-në çdo vit nuk kemi. Ku do i marrim paratë për 300 milion euro të 2012-ës? Mesiguri nga ATK dhe Doganat, prandaj them se këto të shkretat kanë mjaft për të bërë në edhe pa rritjen e pagave. Pritjet për më tepër vetëm sa e bastardizon gjithë kuptimin logjik të ndërtimit buxhetor. Hapi i parë që duhet bërë është të jemi sa më realist ndaj pritjeve mbledhëse. Nëse mekanizmat mbledhës nuk janë në gjendje ti shtojnë buxhetit edhe 250 milion euro, atëherë është e qartë se kthimi mbrapa nuk është akt qyqar, as i pamatur e as i rrezikshëm. E rrezikshme do të ishte vazhdimi i shpenzimeve me shpresë se paratë do të vijnë. Se po nuk erdhën, alternativat dalëse do të ishin inekzistente.

Them se Qeveria me përkrahjen më të plotë nga ICO dhe institucionet tjera financiare, për të mirën stabilizuese të këtij vendi duhet të kthejë vendimin mbrapa e të shpëtojë at pak pasuri që qytetarët tanë e kanë. Rritja e pagave kur nuk kemi para rrezikon ti humbim edhe ato paga që i kemi pasur deri më tani. Protestat do të ndodhnin por në masë shumë më të vogël se në rast të ndonjë krize financiare në fund të vitit. Them se ëndrra për ti pasur të gjitha në kohë të xhepave të tharë është një ëndërr që mund të bëhet ankth. Të korrurat vijnë vetëm pas mbjelljes. Fatëkeqësisht për ne, ne nuk kemi mbjellë për të korrë.

Koha Ditore 02.02.2011