Saturday, 19 February 2011

FLUTUROJNË, FLUTUROJNË ÇMIMET

Në më pak se një muaj besoj se xhepat tuaj janë lehtësuar nga ngritja e shpejtë e çmimeve në produktet dhe shërbimet më bazike; tek ato që përbëjnë themelin e shportës suaj javore; dhe jo vetëm aq.  E mu atëherë kur besuat se ngritja kishte një fund ndodhi e ajo çfarë ju më së paku kishit pritur, ato u ri-rritën. Lajmi i keq është se kjo ri-rritje është vetëm fillimi i një inflacioni zinxhiror dhe nën optikën ekonomike asgjë nuk është e panatyrshme, madje ka një shpjegim sa të thjeshtë edhe aq neveritës. Për të mos mjaftuar me kaq, rritjet do të vazhdojnë. Ne tashmë jemi brenda një labirinti ekonomik i krijuar nga eksperimentet dhe pamaturitë e shumta ekonomike dhe politike në vend. Kështu ndodh kur krijon më shumë probleme se zgjidhje.
***
Për të ju rifreskuar memorien, avullimi i parasë nga xhepat tuaj ka filluar qysh në vitin 2007. Që nga atëherë treguesit e Entit Statistikor thonë se çmimet e produkteve mesatare, të një familje mesatare me të ardhura mesatare janë rritur për 20%. Nëse të hyrat tuaja dhe të familjes tuaj për këtë kohë do të kenë mbetur të pandryshueshme, e mesiguri se po, atëherë në tre vite ju jeni më të varfër për një të pestën e pasurisë suaj. Shkurt e shqip, 100 euro në kuletën tuaj në 2007 bëjnë hiç më shumë e 80 euro sot. Madje me një parashikim (para ngritjes së pagave) të një inflacioni prej 5% në 2011, ato nuk do të vlejnë më shumë se 75 euro këtë vit. Në natyrën ekonomike nuk ka as edhe një dallim të vetëm në mes të rritjes së çmimeve dhe uljes së të hyrave; të dyja ju bëjnë më të varfër. Rrjedhimisht ju mund të bëheni më të pasur nëse çmimet kanë ulje, ose nëse të hyrat tuaja rriten.
Arsyetimet e mbrojtëseve zhurmues të politikave publike ishin se këto rritje reflektonin vetëm mbi importet, pra çmimet po rriteshin nga prurësit. Në radhë të parë, gjej vështirësi ekonomike të balancoj një opinion të tillë. Në një skenario lehtë të menduar një rritje e importuar do të reflektohej tërësisht në të hyra buxhetore që do të rriteshin me po të njëjtën margjinë, pra 20%. E vërtetë se të hyrat kanë pasur rritje, por çfarë ti bëjmë tash deklarimeve të Doganës qe këtë rritje i atribuojnë solo efikasitetit të tyre?!  Në një fotografi optimale, një vlerë e shtuar të çmimeve natyrshëm krijohet brenda. Them se pohimi importues është i pjesshëm dhe për më tepër tendencioz me qëllim të shfajësimit. Kujtoj se ne kemi Qeveri dhe fatkeqësisht kemi barriera ekonomike nga politikat tona.
***
Vet varësia nga importi është problem i prodhuar nga barrierat institucionale. Ka vite të tëra që po ngremë zërin për përmirësimin e ambientit biznesor me qëllim të përmirësimit të konkurrueshmërisë së bizneseve tona. Sot një prodhues, një shërbyes, apo edhe një importues, koekziston me anomalitë më moderne të shpikura nga një grumbull institucionesh tranzitore. Jo që janë engjëj këto biznese, në fund të fundit evazioni fiskal prodhohet nga to, por në këtë nivel moral shtetndërtues them se janë të barabartë, në mos shumë më të mirë me moralin patriotik të institucioneve tona.
Së pari, këto anomali fillojnë nga financimi prej 14% i burimeve të tyre. Kjo kosto financuese domosdo bartet tek ju, dhe këtu fillon burimi i parë i rritjes së çmimeve. Unë nuk përkrah ndërhyrjen e institucioneve në përcaktimet e normave të interesit, megjithatë nuk ka asnjë pengesë ligjore e logjike që mos të funkcionalizohen gjygje më efikase e që merren enkas me rastet bankare. Kujtoni se një rast ekonomik merr mesatarisht rreth 200 ditë kohë për të zgjidhur. Kjo pritshëm rritë riskun dhe me të edhe normën e interesit. Nuk ka asnjë pengesë as në fillimin e procesit kadastral që do të lehtësonte hipotekimin dhe marrjen e kredive; e aq më pak në hartimin e Ligjit të Letrave me Vlerë që domosdo do të sillte jo vetëm freski në burimet e financimit, por njëkohësisht edhe konkurrencë në sektorin financiar e me këtë ulje të normave të interesit.
Së dyti, aspak më korrekt nuk është trajtimi fiskal për këto biznese. Ndonëse normat tatimore mund të shihen si të ulëta, incidenca apo ngarkesa fiskale e që lidhet me mënyrën e kryerjes së obligimeve fiskale është tmerrësisht e rëndë. Për të rigjeneruar fuqinë blerëse bizneset o do i ikin tatimeve, kur të munden, o do i rrisin çmimet; ato bëjnë të dyjat. Ulja e ngarkesave tatimore ul natyrshëm edhe çmimet. Së treti, për ta bërë këtë më të vështirë vitin e kaluar dikujt i shkoi në mendje të rriste edhe më shumë akcizën në naftë me arsyetimin e rritjes në produkte luksi. Sa absurde! Nuk besoj se duhet dije ku me ditë sa për të kuptuar se nafta është produkti më bazik dhe më i përdorshëm nga çdo biznes. Rritja e akcizës në naftë u ndjek me rritje në çmime meqë e tëra çfarë bizneset bënë ishte përcjellja e barrës së saj tek tjetri në rend.
***
Sa për të mos mjaftuar inflacioni i krijuar nga këto politika, Qeveria jonë bëri dhe një hap tjetër inflator, e që sot është çelësi i rritjeve masive. Rritja e pagave disproporcionalisht me rritjen e GDP-së,  pra 35% me 4.5% prodhon një efekt të vetëm: inflacionin zingjiror; më të rëndin të mundshëm. Askush nuk do të brengosej nga një inflacion i kërkesës kur si rezultat i produktivitetit të lartë në vend do të rritej vlera e fuqisë punëtore, do të rriteshin pagat e me këtë edhe çmimet. Inflacioni ynë është rritje e drejtpërdrejtë e pagave pa ndonjë rrjedhë ekonomike. Si i tillë ka bërë të rriten pritjet e bizneseve e jo produkti i tyre, meqë në fund të fundit tregu zhvillohet dhe ko-jeton me pritje. Por këtu, fatkeqësisht, nuk ndalon cikli destruktiv ekonomik. Rritja e çmimeve jo vetëm se është më i shpejtë, por njëkohësisht edhe krijon nevojë për rritje të mëtutjeshme të pagave për të rikuperuar fuqinë blerëse, e kjo rritje e pagave prapë ndiqet me rritje të pritjeve të çmimeve deri sa të kuptojmë se jemi të ngecur në një cikël natyror pagë-çmim-inflacion të pafund.
Në fotografinë e re, ato 75 euro tuaja do të vlejnë edhe më pak. Shumë më pak. Dikush ka fatin të ketë punëdhënës Qeverinë, për të rikuperuar humbjen dhe për të ripasur një fuqi blerëse të 100 eurove prapë, ndonëse janë humbur 4 vite; por ja që mbi 70% e familjeve tonë janë o të papunë o të punësuar në sektor privat që nuk përgjigjet dot me rritje të pagave (meqë nuk rritë produktivitetin). E deri sa askush nuk gjen kohën për të shkrirë mendje në zgjidhje ekonomike, koha në anën tuaj ju bën më të varfër.

Koha Ditore, 19.02.2011 - Letra nga limbo

No comments: