Wednesday, 2 February 2011

NJË TOP BORE NË FERR

Sinqerisht, këta 300 burra e gra tatimorë edhe po të priheshin nga Mbreti Leonidas i Spartës do të duken të pashpresë më një laps e një fletore fiskale në dorë. E Dogana që informalitetin e importuar nga fqinji ynë verior e pret 25 km në brendi të vendit ka gjasat e një topi bore në ferr të shtrijë autoritetin administrativ gjatë vitit 2011.

Nuk ka betejë më të vështirë opinionesh se të ngresh argumente kundër popullistëve. Janë të paparë, të pamundur, të padëgjueshëm, janë tmerrësisht të papërshtatshëm. Edhe pse të thirrur në masë, jo rrallëherë e kaluara i ka apostrofuar si individualistë që nën petkun e masës shtynë egon, nevojat dhe lakmitë personale pa hesapuar fare koston dhe konsekuencat e akomodimeve të tilla. E veçanta e popullizmit kosovar është se euforitë e masës burojnë nga dëshpërimi , nga ngufatja ekonomike dhe nga skepticizmi kritik për një jetë disi më ndryshe, një jetë them të quar posht’ nga injoranca e atyre që thirren në vlera kombëtare, patriotike, prosperuese e së fundi edhe demokratike. Madje kjo e fundit gjen vend në çdo rresht të çdo “popullisti individual” që në një formë ose tjetër linkohet me shërbyes publik, e që preferojnë ta quajnë veten pushtetarë.

Po këta pushtetarë, në ndjekje të pushtetizmit, me ose pa vetëdijen e tyre, hynë në garë premtimesh dy muaj më parë. Premtimet ishin valuata e vetme që fitonte respektin, që jepte atë fuqi pushtetimi, e kostoja e ofrimit të tyre ishte një fjalë goje. Një ujdi tërësisht profitabile për çdokënd. Po ja që fjalët e dhëna dalin se janë disi të pamenduara mirë dhe ja që dy muaj më pas premtimet e bëra në vendime bartin një kosto dhe konsekuence ekonomike çfarë ne, të fundit e Evropës, nuk kemi parë deri më tani. Në trevjetorin e ndërtimit të shtetit, kriza buxhetore po na troket në derë me ritme çdo herë e më të larta; e çuditërisht boll, askush nuk mërzitet për të.

Premtimi është bërë vendim, e në fund të muajve të parë do të jepen dhe pagat pa kurrfarë mëdyshje. Urime. Ani pse kemi shkelur marrëveshjen, ani pse s’kemi para por shpresojmë ti mbledhim disi, ani pse duhet shitur aty këtu “disa” asete nacionale ose se ndoshta duhet ti rrisim tatimet se s’bëhet ndryshe; kush brengoset, me rëndësi pagat u rritën! Tash çka?

Tash le të mendojmë si të rritur

E para, ky vendim ka marrë mbrapsht relacionin funksional dhe mezi të themeluar me FMN-në dhe ka kthyer atë në sfond zero. Rangimi i besueshmërisë për Kosovën ka marrë teposhtën dhe kushërinjtë financiar të FMN-së, si Banka Botërore e në veçanti EBRD anëtarësimin të cilin e presim me çdo kusht, domosdoshmërisht na shohin me sy neveritës, si një vend që ndërron fjalët e marrëveshjet në mitingje partiake. Paqëndrueshmëria vendimarrëse e vendit tonë thellon edhe më shumë koston e kreditorëve e investitorëve potencial të vendit që do të preferonin çmime më të larta për kreditë dhe investimet që potencialisht do ti kërkonim a bënin. Një Qeveri jo stabile në marrëveshje ndërkombëtare askund nuk pritet mirë.

E dyta, ky vendim ka rritë pritjet e qytetarëve prandaj kthimi mbrapa “kosto-zero” është realisht i pamundur. Edhe po të vendosnim një precedent të ndërhyrjes nga ICO për të kthyer këtë vendim mbrapa, protestat dhe pakënaqësitë tjera janë të pashmangshme. Për këtë kemi sindikatat që shikojnë solo-dimensionalisht dhe nuk mërziten për asnjë konsekuencë ekonomike të vendit. E tërë që ato mërziten janë pagat, pagat dhe vetëm pagat. Po ti dëgjonim ato të gjithë buxhetin do ta shpërndanim në paga. Prandaj efekti i kësaj mase të pamatur qeveritare tanimë ka bërë vendin e tij, i ka dhënë fuqi sindikatave dhe masës, e rrjedhimisht shpërthimi diku do të duhet të ndodhë.

E treta, deficiti potencial i shkaktuar nga aspiratat tejet optimiste të vendit tonë përkundër një kaçiku të plogësht financiar, mund të financohet domosdoshmërisht ose nga shitja e aseteve nacionale ose nga rritja e tatimeve. Ne kemi targetuar edhe ndërtimin e autostradës edhe rritjen e pagave, prandaj thirrjet dhimbshmërie për asetet nacionale ose për rritje të çmimeve nuk kanë vend as nga dhënësit e tyre, as nga përfituesit e tyre e aq më pak nga sindikatat e paarsyeshme. Paratë prej diku duhet të vijnë.

Pavarësisht efekteve të deritanishme, FMN do të ri-ulë në tavolinën e njëjtë, njerëzit e njëjtë që disa muaj më parë kishin shtrënguar duart e njëjta për një marrëveshje, që atëkohë ishte parë me plot seriozitet, ashtu siç edhe do të duhej të shihej. Të paktën miqtë tanë financiar kishin përshtypjen se ishin kuptuar seriozisht. Çfarë do të ngjajë tani është se FMN, Banka Botërore dhe Bashkimi Evropian pasi kanë parë shkeljen e marrëveshjes me plot habi do të kushtëzojë së bashku hiq më pak se 450 milion euro, të gjitha për vitin 2011. Qeveria ka tre alternativa, o të garantojë stabilitet financiar, pra të mbulojë shpenzimet me burime të definuara të të hyrave; o të thirret në sovranitet financiar e të vazhdoj me avazin e vet për ti implementuar hesapet e veta, ashtu siç bëhen hesapet tek ne; o të tërheq paratë e dhëna prapa nëpërmjet rritjes së taksave.

Skenario 1: ATK dhe 300 Spartanët e saj

Në skenarin e parë, gjithmonë nëse FMN “e han foren”, bindja bëhet se disi, diku, në ekonominë më të varfër evropiane, me performancën më të dobët të bizneseve, mekanizmat më të dobët mbledhës do të grumbullojnë së bashku 250 milion euro më shumë se një vit më parë (1 miliard në 2010), dhe jo vetëm kaq. Për të mbuluar koston shtesë të autostradës duhet gjeneruar së paku 300 milion euro nga shitja e PTK-së, një aset ky i zhvleftësuar në vite. Gjenerimi kështu i 550 milion eurove shtesë do të mjaftonte që vendi ynë me mrekulli të njeriut e ndihmë të Zotit jo vetëm se të vazhdojë ndërtimin e një hiperinvestimi kapital por njëkohësisht do të përmirësojë standardin e jetesës së mijëra familjeve kosovare të prekura nga sektori publik me bruto 400 milion euro nga buxheti i vendit. Për të mos mjaftuar me kaq, paratë nuk do të kenë të ndalur meqë një pako tjetër po aq e madhe vjen nga miqtë tanë financiar.

Kjo duket një tregim tepër i mirë për të qenë i vërtetë. Dhe shpresa e vetme, besoni ose jo, për të mbledhë këto 250 milion mbështetet në 300 inspektorë tatimorë, me pagë mesatare 400 euro, dhe një doganë gjysmake që s’kontrollon dot veriun e vendit, së bashku këto që përballë kanë një ushtri evazionistësh potencial hiç më pak se 60.000 biznese, 300.000 familje, e që së bashku prodhojnë një ekonomi informale sa i gjithë buxheti i vendit. Sinqerisht, këta 300 burra e gra tatimorë edhe po të priheshin nga Mbreti Leonidas i Spartës do të duken të pashpresë më një laps e një fletore fiskale në dorë. E Dogana që informalitetin e importuar nga fqinji ynë verior e pret 25 km në brendi të vendit ka gjasat e një topi bore në ferr të shtrijë autoritetin administrativ gjatë vitit 2011. Në fund të fundit asgjë nuk varet nga ta.

Skenario 2: Harakiri Kosovar

Në një prononcim të fundit, ministri në shkarkim Shala tha se “në fund të fundit ne jemi një vend sovran dhe vendimet për mënyrën se si e ku i shpërndajmë parat tona i merr Qeveria jonë e askush tjetër”. Sa për ti dhënë zjarrit vaj kjo e drejtë ju rikonfirmua edhe nga ICO dhe FMN-në. E qartë, Qeveria ka çdo të drejtë të shpenzojë paratë e kosovarëve ashtu siç ajo ka takat e vullnet. Letrat e deklarimet e këtyre megjithatë kanë një fund më ndryshe, dhe po të marr të drejtën e vazhdimit të mendimit të ICO e FMN do të ishte “... megjithatë FMN, Banka Botërore dhe EBRD do ti japin ose jo 450 milion euro për Kosovën vetëm dhe vetëm atëherë kur Qeveria jonë bie në pajtueshmëri të plotë me to se si ti shpenzoj paratë e veta”. E nëse ne shitemi si kryeneç e sovran përball institucioneve financiare, nëse patjetër duam të tregojmë burrninë tonë të sovranitetit ndaj FMN-së (ndonëse kemi veriun për të bërë një gjë të tillë nëse bash na ka hatri), atëherë i themi lamtumirë ndihmave e i hapim derën harakirit (një gjest vetëvrasës japonez për hir të ruajtjes së nderit). Dëmet janë aq të pafund sa fjalët humbin arsyen përshkruese.           

Skenario 3: Jep me një dorë e merr me tjetrën

E nëse spartanët tanë nuk arrijnë objektivat superoptimiste, nëse harakiri s’na duket bash me mend, kush brengoset kemi TVSH-në. Rrisim atë për 4-5% dhe sa hap e mbyll sytë buxheti na mbushet. Vetëm se këtu, kemi një problem bazik. Jo vetëm se do të rriten çmimet në ditën e dytë pas vendimit, jo vetëm se do tu marrim pagat e dhëna me tatimet më gjithëpërfshirëse të mundshme, por do të rëndojmë bizneset, rrjedhën e parasë së tyre dhe përfundimisht i fundosim atë pikë drite të shpresave për investime të huaja meqë do të ndërtonim ngarkesë fiskale dy herë më të lartë se vendet fqinje. E si kthim, do të kishim fuqi blerëse të njëjtë tek kosovarët, inflacion, humbje të vendeve të punës dhe zvogëlim të bizneseve. Përveç kësaj, prapë për të mbuluar koston e autostradës, ne do të duhet të shesim PTK-në. Realisht, shitja e PTK-së tashmë nuk është alternative. Dëm!

Çfarë të bëhet?

Fillimisht, shitja e PTK-së për 2011 gjithmonë për të mbuluar këstin 270 milionësh të autostradës së famshme është punë e kryer, një kurban i lehtë për tu bërë (por shumë i kushtueshëm për hesapet ekonomike tona). Por ja që PTK-në çdo vit nuk kemi. Ku do i marrim paratë për 300 milion euro të 2012-ës? Mesiguri nga ATK dhe Doganat, prandaj them se këto të shkretat kanë mjaft për të bërë në edhe pa rritjen e pagave. Pritjet për më tepër vetëm sa e bastardizon gjithë kuptimin logjik të ndërtimit buxhetor. Hapi i parë që duhet bërë është të jemi sa më realist ndaj pritjeve mbledhëse. Nëse mekanizmat mbledhës nuk janë në gjendje ti shtojnë buxhetit edhe 250 milion euro, atëherë është e qartë se kthimi mbrapa nuk është akt qyqar, as i pamatur e as i rrezikshëm. E rrezikshme do të ishte vazhdimi i shpenzimeve me shpresë se paratë do të vijnë. Se po nuk erdhën, alternativat dalëse do të ishin inekzistente.

Them se Qeveria me përkrahjen më të plotë nga ICO dhe institucionet tjera financiare, për të mirën stabilizuese të këtij vendi duhet të kthejë vendimin mbrapa e të shpëtojë at pak pasuri që qytetarët tanë e kanë. Rritja e pagave kur nuk kemi para rrezikon ti humbim edhe ato paga që i kemi pasur deri më tani. Protestat do të ndodhnin por në masë shumë më të vogël se në rast të ndonjë krize financiare në fund të vitit. Them se ëndrra për ti pasur të gjitha në kohë të xhepave të tharë është një ëndërr që mund të bëhet ankth. Të korrurat vijnë vetëm pas mbjelljes. Fatëkeqësisht për ne, ne nuk kemi mbjellë për të korrë.

Koha Ditore 02.02.2011

No comments: