Monday, 27 December 2010

Në vend të kartolinës 2011: Ngecje në retrospektivë

Vitin e kaluar kisha shkruar se si fundvitet kosovare gjithnjë e më shumë po marrin një pamje të njëjtë. Para pushimeve të stërzgjatura qeveritare, ministrat dhe bashkëpunëtorët e tyre kostum blu e gri mblidheshin për të mbajtur konferenca e kokteje vjetore në sallat e zyret e posapromovuara me ngjyra ende të pa thara mirë. Qeshjet e tyre gojë më gojë dhe rrahjet e krahëve të njëri tjetrit shoqëronin sukseset që askush tjetër si kishte parë. Jepnin këta ministra tregues mahnitës, zhvillimorë, prosperues, e inkurajues.  Jashtë këtyre sallave shkëlqyese, çdo i  dyti bashkëkombës i tyre jetonte i papunë, çdo i treti në varfëri, çdo i katërti në varfëri të skajshme e çdo i pesti preferonte ikjen nga vendi.

Këtë vit them se vetëlavdërimet i ka marrë dheu. Ministrat dhe bashkëpunëtorët e tyre s’duken askund. Në retrospektivë viti 2010 duket ngujues në çdo tregues ekonomik. Në fillim të vitit me pompozitet u proklamua rritje ekonomike prej 7%, shitje e ndërmarrjeve publike, ndërtimi i termocentraleve të reja, rritje e investimeve kapitale, rritje e pagave, ulje e papunësisë, zbutje e varfërisë, luftim i informalitetit dhe evazionit fiskal, reciprocitet ndaj shkelësve të tregtisë së lirë dhe më e rëndësishmja luftë ndaj korrupsionit. Një vit më pas ne mbetemi në të njëjtin stad zhvillues, në të njëjtat parametra ekonomik, në mos më keq.

Një vit më pas rritja jonë ekonomike nuk kalon 4.6%, me një shpërndarje tmerrësisht destruktive për ambientin biznesor dhe rrjedhimisht krijimin e vendeve të reja të punës. Në vend të kësaj, stimulohen bizneset fantome të lidhura ngushtë me grupe të interesit në kurriz të reproduktimit logjik ekonomik. Pothuajse çdo euro e shpenzuar nga sektori publik humbet pa prodhuar ndonjë impakt multiplikatorial. Ajo euro fshehët, shpërlahet dhe largohet nga vendi duke tharë e rrënuar atë pak shpresë tonën për rimëkëmbje. Për më tepër, Raporti i Progresit me ashpërsi kritikon modelin ekonomik të mbështetur tërësisht në shpenzime publike, duke na kujtuar kështu se ne kemi një ekonomi steroidesh. Në momentin e parë që ne ndalim përdorimin e tyre neve do të na humben ato pak muskuj që kemi ndërtuar. Një rritje ekonomike e fryrë nga shpenzimet qeveritare është më tepër një iluzion për një arsye shumë të thjeshtë: ato eventualisht do të bien.
Koha Ditore 28.12.10

Një vit më pas ndërmarrjet publike kaluan nëpër një proces vetë-zhvlerësues pas skandaleve të njëpasnjëshme politike dhe anti-ekonomike. Në privatizimin e telekomit nacional ne trembën investitorët ashtu të pakët, i vumë hartës tonë një kryq të zi dhe kërkuam me plot mburrje vetëm një të shtatën e asaj se çfarë fqinji ynë verior kërkon për vetëm gjysmën e ndërmarrjes së tyre. Pritjet tona u shtynë nga nevoja për të larë borxhe të krijuara nga nisjet kapitale të pamenduara mirë. Në anën tjetër, termocentralet e reja nuk u përmendën asnjëherë pas ndjekjes së investitorëve mjaft serioz perëndimore dhe pritjes së disa anonimusëve nga Kina e Pakistani. E kur jemi tek investimet e huaja, ne u ranguam në vendin e 173 në mbrojtjen e tyre, nga vendi 172 sa ishim një vit më parë. Haiti me gjithë tërmetet, vërshimet, zjarret e krizat sociale kishte kaluar vendin tonë “evropian”.  

Një vit më pas investimet kapitale u sferuan me një autostradë që koston nuk ja di askush. Prej kur 30% e GDP-së vjetore të vendit tim bëhet subjekt i kontratave biznesore? Sa irracionale duket lidhja e obligimeve multivjetore nën petkun e sekreteve biznesore në kurriz të taksave dhe interesave të qytetarëve. Këtu s’mbaron paradoksi. Në marrëveshjen e shpejtë dhe të njëanshme (natyrisht jo nga ana jonë) me Fondin Monetar Ndërkombëtar u premtua nga nënshkruesit e saj, Qeveria jonë, se do të shiten asetet publike për të financuar këtë investim kapital. Kundërshtimet e një fakti të tillë duken patetike sidomos kur kjo marrëveshje është tërësisht publike në ueb-faqen e FMN-së. Kuptojë nevojën patriotike e ndoshta edhe ekonomike të konstruktimit të rrugës gjithë shqiptare. Një hap ëndërror për kombin tonë dhe nevojën e lidhshmërisë ekonomike më në fund me një vend mik tonin. Por nuk kuptoj rrezikshmërinë e të gjitha aseteve nacionale për një projekt të vetëm. Nuk kuptoj humbjen në një aset për të fituar në një tjetër. Ka pasur dhe ka ende alternativa shumë më atraktive financuese që nuk u përmendën e shqyrtuan asnjëherë nga projektuesit ekonomik tanë.  

Një vit më pas pagat u rritën dhe u premtuan të rriteshin në dy raste. E para pas protestave dhe skandaleve në administratë publike që rrjedhimisht një marrëveshje të rreptë me FMN. Aty treguam se zgjidhjet buxhetore bëhen pa asnjë planifikim të mirëfilltë, se përkundër mundësive për rritje të pagave ne nuk kishim bërë gjë pa një protestë dhe një kosto të kohës. Kjo natyrshëm kishte irrituar supervizorët e FMN-së që kushtëzuan kornizën shpenzuese të buxheteve, kërkuan stagnim në çdo rritje pa rritje fillimisht të të hyrave, dhe përfundimisht kishin prerë investimet kapitale në mbarë vendin. Rasti i dytë është gjatë fushatës zgjedhore. Në një stil të përzier vendim versus premtim, u shty, u kamuflua dhe u servua një rritje e pagave diku në zyre partiake, diku në rrugë e diku në mbledhje qeveritare, por asnjëherë në parlament, aty ku e ka vendin. Kjo sigurisht do të zgjojë “njerëzit në të zi” të FMN-së që me padurim presin institucionet e reja për ti dhënë lajmin e bllokimeve të ndihmave financiare aq të nevojshme për ekonominë tonë.

Një vit më pas, standardi i jetesës mbet ekzaktësisht i njëjtë, madje disa tregues vetëm sa u përkeqësuan. Papunësia u rrit me 40.000 vende të humbura të punës, varfëria preku më shumë familjet tona me rritje të njëpasnjëshme të çmimeve në produkte më bazike ndërkaq paga mesatare mbeti e pandryshuar. Kjo domosdoshmërisht ju dha kosovarëve fuqi më të ulët blerëse; i bëri më të varfër.

Një vit më pas lufta ndaj informalitetit dhe evazionit u përmbyll me një projekt të kontestueshëm, atë të arkave fiskale që përveç se pasuroj shpejtë dhe mirë dy kompani, krijoj edhe një treg duopolistik. Ekonomia më informale në Evropë vendosi të luftojë informalitetin dhe evazionin me disa makina të thjeshta e pa ndonjë supervisim nga mbledhësit tatimor. Ishte një nënçmim i qëllimshëm i sfidës së ekonomisë gri. Për të mos mjaftuar kjo, ne nuk mbajtëm as një mbledhje të vetme Qeveritare për të diskutuar të paktën vendosjen e rregullit dhe kontrollit ekonomik në 17% të territorit administrues e shtetëror, burim i pashtershëm i informalitetit.

E fundit, por shumë më e rëndësishme lufta ndaj korrupcionit i ngjau gjithëçkaje përves luftës. Tenderët njëburimorë ndonëse u zvogëluan ‘simbolikisht’ nga 190 milion në 160 milion vazhdojnë të jenë prodhues të fenomeneve korruptive. Krahas kësaj, aktivitetet qeveritare anti korruptuese zënin vend vetëm në media e asesi në trupin e tyre. Nuk dua të kursej as EULEX që u tregua mjaft politik sa herë që gjendej para presioneve stabilizuese. I gjithë ky bilanc i dha vendit një kroshe në garën rajonale për promovim ekonomik, ndërkaq vonesat e gjetjeve nuk prodhuan asnjë satisfakcion post-goditës. Mbetëm humbës në imazh, humbës në rezultat. Është tërësisht absurde se si çdo njëri jashtë Qeverisë, EULEX e hetuesisë di gjithçka për “20%” e askush brenda saj nuk ka dëgjuar e parë asgjë rreth saj.

Një vit më pas ne do të dëgjojmë premtimet e njëjta për ndërmarrjet publike të njëjta, për investimet e njëjta, për pagat e njëjta, për treguesit e njëjtë nga sallat e njejta. Gjithçka do të jetë e njëjtë, e me këtë fatkeqësisht edhe kualiteti i jetesës sonë. Një vit shkoi huq. Gëzuar 2011.

Wednesday, 1 December 2010

Mishmashi Ekonomik GLobal: Depresion apo Rimëkëmbje?



Përmbyllja e nëntorit për pjesën më të madhe të ekonomive globale do të jetë një ankth, jo për atë se çfarë kanë kaluar këto vende por për pritjet e tyre për muajt vijues. Nëse gjendja e tanishme e tyre financiare dhe ekonomike është ferr atëherë rimëkëmbja ekonomike domosdoshmërisht kërkon kalimin nëpër të si rrugën më të shkurtë dhe më të shpejtë të mundshme. Kriza seniore globale dhe një varg mini-krizash kanë bërë që fjalorët e politikanëve dhe poltikbërësve të përmbajnë fjalën reformë në çdo paraqitje të tyre. Derisa Britania reformon në baza të shëndosha konceptin e funksionalizimit dhe qëllimit të shtetit, SHBA-të mbeten të hendikepuar në marrjen e vetës dhe progresit drejt rimëkëmbjes. Në anën tjetër Evropa mbetet buzë një varg konsekuencash katastrofike për të gjitha arritjet e përbashkëta në sferën financiare që prej vitit 1999. Si duket, i vetmi vend që vazhdon të gjeneroj pozicione optimumi në gjithë këtë mishmash ekonomik është Kina, që përkundër thirrjeve nga pjesa tjetër e botës për sjellje konform rregullave të lojës, vazhdon të bëj të shurdhuarin. Nga e gjithë kjo dinamikë, vendi ynë i vogël mund të nxjerrë një sërë leksionesh mbi sjelljen ekonomike. Këto leksione paraqesin fondamentin e një vendi të qëndrueshëm financiar dhe ekonomik.
Ekzorcizmi Beveregian dhe Reforma Kamerunase
Lufta e Dytë Botërore kishte krijuar brenda Britanisë një unitet mbresëlënës, të paparë më herët. Britanezët besonin në bashkimin e forcave politike, akademike dhe sociale si mjet qenësor në mposhtjen e Gjermanisë Naziste, dhe ky unitet mbarënacional kërkonte në radhë të parë bashkimin e tri grupeve politike: konzervativëve, labouristëve dhe liberalëve. Pajtueshmëria e shquar për kohën kishte krijuar një ndjenjë të veçantë e që në fokus kishte shpërblimin e britanezëve për sakrificën dhe vendosmërinë e tyre. Për të inkurajuar luftën dhe qëndresën brenda vendit, Qeveria ishte e vendosur asokohe për krijimin e një shteti social e të barabartë për të gjithë. Ata i kishin kërkuar një socio-ekonomisti prodhimin e një raporti që do të jepte zgjidhje në këtë drejtim. “ The Beveridge Report” i shkruar nga Sir Uilliam Beveridge, rekomandonte që shteti duhej të gjente mënyra për të shëruar pesë demonë gjigantë, atë të Mungesës, Sëmundjes, Injorancës, Mjerimit dhe Përtacisë. Demoni i Mungesës ishte sinonim i cilësisë së ulët të jetesës; ai i Sëmundjes signifikonte rëndësinë e shëndetësisë; Injoranca atë të edukimit, Mjerimi të varfërisë ndërkaq Përtacia atë të papunësisë. Beveridge kishte rekomanduar se për të ushtruar ekzorcizëm ndaj këtyre demonëve, qeveria duhet të krijojë masa dhe politika që në esencë dhe masë të madhe mbështesin një shtet social apo shtet të mirëqenës. Raporti u bë filozofi shtetndërtuese britaneze dhe shumë vite shërbeu si argument mbrojtës për gjithë promovuesit utopik të shtetit mirëqenës. Vitin e kaluar, një studim i pavarur britanez gjatë një inspektimi në administratë publike, këshilla qendrore dhe lokale, polici, mjekë, e shërbyes të tjerë civil, kishte vërejtur një mbipunësim dhe rrjedhimisht humbje të efiçencës së punës, një proces ngarkues që kishte filluar qysh në vitin 2000. Ky studim kishte përfunduar me një rekomandim sa të vërtetë aq edhe të dhimbshëm: “në kërkim të një shteti mirëqenës, ne kemi krijuar një shtet sëmurëqenës”. Po ky investigim, ishte përshkruesi më i mirë i deevoluimit së idesë utopike mbi një shtet social nën observimin e njerëzve kryesisht destruktiv dhe që për interes kanë atë personal edhe pse thirren në një kauzë mirëqenëse.
Sot David Cameron ka vendosur barrën e një shoqërie te thyer në vanguard të agjendës së tij. Dhe kjo nuk është për të një preokupim i ri. Kur Cameron ishte zgjedhur lider i partisë konzervative vite më parë, presidenti i mëvonshëm francez Nicolas Sarkozy kishte takuar ex-ante liderin britanez duke i shprehur admirimin mbi reformën Thacheriane të vitit 1980. Cameron i kishte kthyer: “shpresoj se në vitin 2030 kandidati presidencial francez do ti thotë liderit tonë konzervativ se sa shumë ka admiruar reformën e vitit 2010”. Ai kishte një plan unik qysh atëherë. Përkundër shpenzimeve multibilioneshë, Britania para Cameron-ase kishte mbi 5 milion të papunë, e zhytur thellë në borxhe të huaja, dhe një rritje enorme të familjeve nën beneficionet sociale, gjithmonë me qëllim të përfitimeve të pakove “mirëqenëse”. Reforma Cameron sot po bën shkurtimin masiv të administratës publike, por në të njëjtën kohë është duke bërë inkurajimin e atyre që mbesin pa punë që të ndërtojnë një lloj “kooperative” private dhe të veprojnë si të tillë, dhe në fund fare kjo reformë u thotë bizneseve se është koha e juaj, ejani dhe ofroni shërbimet tuaja. Cameron po bart barrën e zhvillimit ekonomik nga shteti në sektor privat dhe këtë po e bën në një mënyrë mjaft brilante.
Obama vs Obama
Në krahun tjetër të atlantikut, një bum global i euforisë hollivudiane të vitit 2008 është në luftë të vërtetë me kuptimin e fjalës që kishin mbuluar kampanjën e tij “Ndryshim”. Ndërrimi në SHBA kishte ardhur me vet zgjedhjen e presidentit të parë afro-amerikan, për më tepër me një vullnet dhe unifikim amerikan që ndërtohej mbi një ekonomi të shterur nga një paraardhës që kishte lënë vendin në borxhe dhe jo për faj të tij në një krizë financiare të paparë më herët. Reformat e Obamës mbështetnin ndërtimin e një shteti mirëqenës. Ai kishte filluar me kalimin e reformës së famshme shëndetësore, për të cilën gjenerata me radhë do të ndjejnë kuptimin e ndryshimit. Megjithatë, kalimi nëpër Kongres i kësaj reforme dhe lufta 14 mujore për të kaluar atë, në sytë e publikut amerikan kishte konsumuar presidencën Obama. Sot demokratët merren me kundërplasjen e shpenzimeve të mëdha e të pamatura qeveritare, krizën e vazhdueshme ekonomike, rritjen e të papunëve përkundër rritjes së shpenzimeve qeveritare dhe me të keqen, rënien drastike të popullaritetit Obamanian. Madje një medium i fuqishëm amerikan kishte përshkruar gjendjen dëshpëruese të mandatit të tij si “shpresa është e tëra që i ka mbetë”; mjaft ironike kur “shpresa” ishte motoja që madhështonte dy vite më parë këtë lider të ri e karizmatik. Humbja e fundit në zgjedhje ndaj republikanëve i dha një goditje edhe më të rëndë politikave populliste të Obamas. Kritikat ndaj politikave ekonomike, sociale, të tij janë të shumta. George Sorros argumenton se “Obama kishte të drejtë të ndërhyjë në sistemin bankar, megjithatë mënyra e zgjedhur nga ai kishte të bënte më tepër me ofrimin e burimeve financiare pothuajse falas, derisa imbalancet konsum-prodhim mbeteshin të pandryshueshme”. E vërteta është se SHBA-të sot konsumojnë më tepër se janë në gjendje të prodhojnë deri sa sektori privat është i paaftë të qëndrojë në këmbë përkundër gjenerimit të profiteve. Këto profite akumulohen për të ndërtuar aftësi likuiduese tek bërësit të tyre, duke ndaluar kështu krijimin e investimeve potenciale aq të nevojshme për ekonominë; them një sjellje vetjake e bizneseve. Dhe kjo mungesë e investimeve nga sektori privat ka shërbyer mjaftueshëm për Obaman dhe administratën e tij si argument i fuqishëm për intervenim dhe rrjedhimisht futjen e pakontrolluar të parasë publike në ekonomi.
Dhe këtu, ne nuk mund të mos ndalojmë vetën për tu kthyer mbrapa tek Milton Friedman, që në mënyrë maestrale kishte parashikuar një cikël të tillë. Në një adresim për disa studentë amerikanë, Friedman shumë vite më parë kishte thënë “gabimin më të madh që bëjnë promovuesit e shtetit social është se sa herë që ka një dështim të tregut ata propozojmë një intervenim qeveritar e që më pas bëhet dështim qeveritar”. Nuk besoj se ka kohë më të mirë për të provuar një gjë të tillë. Kur tregu ka dështuar, intervenimet qeveritare bëhen edhe më dështuese. Në fund të fundit, nëse tregu nuk ka ditë ti rregullojë, qeveria është edhe më larg rregullimit. Intervenimet e SHBA-së kanë futur vendet në borxhe enorme dhe në rastin më optimist të tyre, kanë prodhuar një rezultat mjaft pesimist për krizën, duke e zgjatur atë. Ndoshta është koha kur urrejtja ndaj tregut dhe funksionimit të tij të zbutet pak nga promovuesit social, ndoshta është koha të rikthehemi në laissez-faire.
PIGS dhe Kina
Argumenti mbi rritjen e shpenzimeve qeveritare për të përmirësuar disbalancin tregtar prodhim - konsum është përdorur edhe nga vendet Evropiane, konsekuencat e të cilave për dallim nga të SHBA-ve janë të përmasave epike. Tashmë të futura në borxhe të thella (deri sa dyfishi i bruto produktit vendor) këto vende ballafaqohen si asnjëherë në historitë e tyre ekonomike dhe politike me kolaps të vet shtetit. Nga më të prekurat janë vendet “derra” (nga PIGS për Portugalia, Italia, Irlanda, Greqia dhe Spanja). Një krizë ekonomike unike, një sektor privat që nuk performon, dhe miliarda e miliarda të derdhura pa kujdes në ekonomi kanë bërë që kriza fillestare të rëndohet deri në greminën e rënies së shteteve të tëra. Rrjedhimisht, Evropa sot është në krizë të koncesualitetit në relacion me valutën e përbashkët për shkak të paaftësisë së këtyre vendeve për të rritur prodhimin nëpërmjet kontrollimit të parasë së tyre. Sikur këto vende të kishin valutat e tyre, pra të kontrollonin për politika monetare, atëherë ato fillimisht do të bënin uljen e normave të interesit, ulje e cila rrjedhimisht do të ulte kërkesën për valutën e tyre dhe si pasojë do të bënte atë më pak të vlefshme. Zhvlerësimi i tillë do ti shërbente pritjeve nacionale meqë prodhimet dhe shërbimet e këtyre vendeve do të bëheshin më të lira për tregjet e huaja, e që përfundimisht do të stimulonte eksportin dhe përmirësimin e disbalancit tregtar. Gjermania vazhdon të jetë promovuesi kryesor i idesë së unifikimit prapa euros, në një kohë kur ekonomia e saj së bashku me atë Britanike po rimëkëmben me një ritëm mjaft impresiv. Megjithatë, plani për “bail-out” apo ofrim të kredive nën kushte të mbikëqyrjeve rigoroze për Irlandën ka rrezikuar seriozisht stabilitetin e euros, qëndrueshmërinë e pjesëmarrësve të saj dhe në fund relacionin këmbyes ndaj dollarit. Hudson Institute këtë javë prodhoj një propozim mjaft interesant, të ndarjes së euros në qendrore dhe periferike (për shkak të lokalitetit gjeografik të këtyre vendeve), ku këta të fundit do të kenë të drejtën zhvleftësuese. Pavarësisht ngjarjeve të fundit dhe propozimeve të dhëna, njëri duhet të besojë në fuqinë dhe dijen ekonomike evropiane dhe mundësitë për daljen nga kjo krizë. Në të kundërtën, një histori e dhimbshme ekonomike pret Evropën.
Në gjithë këtë mes të turbulencave ekonomike, një vend duket se ka gjetur shumë mirë veten si ndjekës i proceseve. Ky vend është Kina dhe normalisht kjo gjeteje e vendit është bërë duke i shkelur rregullat e lojës, nëse ka të tilla. Në kohën kur fuqitë e mëdha ekonomike nuk arritën të prodhojnë, Kina mjeshtërisht shfrytëzoi përparësitë komperative në fuqinë punëtore dhe avancimin e shpejtë teknologjik të viteve të fundit, duke ofruar kështu të mira dhe produkte ndaj kërkuesve të shumtë. Formula e pritshme e peshës së Yuan-it Kinez në kohë të kërkesës së lartë për të, nuk prodhoj vlerësim. Qeveria kineze kur kishte kërkesë të lartë për valutën e saj blinte dollarë amerikan, duke mos lejuar kështu zhvleftësimin e dollarit (që do të rriste eksportet amerikane) dhe njëkohësisht duke ndaluar vlerësimin e Yuanit (që do të ulte eksportet kinezë). Në anën tjetër kur ballafaqohej me mungesë të ofertës monetare për Yuan ajo thjesht prodhonte para; pa ndonjë komplikim të shumtë, thjeshtë sikur një firmë prodhon letër. Kina bënte dhe vazhdon të bëjë një gjë të tillë vetëm pse është Kinë. Në një kontekst të gjerë, Kina ka fiksuar valutën e saj ndaj dollarit, dhe duke bërë një gjë këtillë ajo teknikisht tregton me dollar. Pritshëm, ndaj një qasje të tillë aspak komfort nuk ishin SHBA-të, madje konfronti i SHBA-së me Kinën në mbledhjen e Tetorit në FMN u përshkrua nga Ministri i Punëve të Jashtme të Brazilit si një “luftë virtuale”. Një gjë është e sigurt, politikat e tilla Kineze në asnjë mënyrë nuk mund dhe nuk duhet të merren si modele për ndërtim ekonomik. Ato janë afatshkurtra, të rrezikshme, ad-hoc dhe pa ndonjë vizion zhvillues. Për madhësinë dhe ritmin e zhvillimit ato një ditë do të gjuajnë mbrapshtë.
Ku jemi ne?
Askund. Jo që pritet nga një nano-treg ndonjë gjë në kontekst global, ose se ky treg prodhon ndonjë lajm relevant për ekonominë tërësore. Por ja që disi ne kemi tri gjëra të përbashkëta me trendët e tanishme globale nga të cilat, parimisht, ne mund ti nxjerrim tri paralele. E para, nga reformat britanike ne duhet te nxjerrim një mësim të thjeshtë por mjaft thelbësor. Vendi ynë në emër të kohezionit shoqëror ka ndërtuar një strukturë sociale publike e cila domosdoshmërisht do të bëhet barrë e zhvillimit ekonomik tonit. Ne duhet të kemi patjetër guximin të ndërpremë fillimisht e më pas zvogëlojmë një administratë publike kaq masive, me kaq kosto të lartë dhe me kaq joefikasitet të prodhuar. Vendi ynë duhet të bëjë thirrjen e njëjtë që Cameron i bën bizneseve.
Paralelja e dytë ka të bëjë me deficitin tregtar dhe rëndësinë e përmirësimit të këtij deficiti. Nëse rimëkëmbja ekonomike për vendet ultra-moderne mbështetet në përmirësim të bilancit tregtar, atëherë për ne një rimëkëmbje e tillë është mu në këtë bilanc. Edhe ne si amerikanët konsumojmë më tepër se që prodhojmë. Për fat të keq ne prodhojmë vetëm një të dhjetën e konsumit tonë. Për fat edhe më të keq (vetëm në këtë rast), ne nuk kemi politika monetare që nëpërmjet zhvlerësimit të valutës sonë do të bënin prodhimin tonë më atraktiv në tregjet e huaja. Megjithatë ne duhet të krijojmë një zgjidhje afatgjate, dhe kjo zgjidhje fillon nga bizneset. Për të bërë këtë rimëkëmbje aq të nevojshme tonën ne duhet patjetër të krijojmë një ambient stimulues për bizneset dhe të ndalojmë shpresuari dhe besuari se shteti dhe qeveria na bëjnë zgjidhjen. Ronald Regan, një nga liderët më influencial amerikan, në fjalimin e tij presidencial kishte thënë “qeveria nuk është zgjidhje e problemeve, qeveria është vet problemi”.
Paralelja e fundit ndërlidhet me rrezikun e borxheve të huaja dhe nevojën për stabilitet financiar. Shpenzimet e pamatura e viteve të fundit kanë rrezikuar në vazhdimësi qëndrueshmërinë buxhetore. Nëse ne shpenzojmë më tepër se që kemi atëherë futja në borxhe nuk është opsion por obligim. Futja e pamatur në borxhe është çmenduri. Nëse jemi të vogël për tu krahasuar me tregje të mëdha, duhet të sillemi si të mëdhenjtë për ti mos bërë gabimet e një të vogli.


Thursday, 25 November 2010

Jeni të ngecur në Limbo


Për socialistët popullistë artificial.
Nuk di për juve, por unë kam bërë betimin e pionierit. Ky betim më kujton shumë, por në radhë të parë më kujton për nevojën e unifikimit social drejt një kauze të prosperitetit të barabartë mbarëshoqëror. Më kujton kohën e zgjedhjeve të kufizuara, shijeve dhe preferencave modeste, të pritjeve të pakta dhe mundësive edhe më të pakta, kohën e shokut dhe shoqeve. Përveç kësaj këto kohë e vitet më pas me të njëjtin intensitet më kujtojnë edhe fjalët e mësuesve tanë për pasuritë natyrore të Kosovës që lakmi i kishin edhe Gjermanët e Italianët në luftën e dytë botërore, për rezervat e pafund të thëngjillit bash nën këmbët tona, për Trepçën me plot ari që ndërtoj shtete e shtete, për termocentralet tona që mund të prodhojnë rrymë sa fundi nuk i dihet, për fushat më pjellore që japin rendimente për një Evropë të tërë, për malet me plot dru bungu e ahu dhe për ujërat më të pastërta e të pashtershme që ndonjëherë njeriu i ka parë. Çfarë vendi përrallor. Çfarë përralle.  Mos më merrni për të keq, Kosova është një vend i bukur e me plot mundësi, me pasuri mbresëlënëse për hapësirën që ka, me njerëz me plot potencial, me një histori sa të dhimbshme aq edhe madhështore.
Por ja që njëzet vite pas këtij romantizmi përrallor, thëngjilli i lakmuar nga të gjithë doli të jetë një linjit, klasë e ulët, ndërkaq eksplorimi i tij mund të bëhej në kohë kur po avancohej furishëm drejt energjive alternative të pashtershme. Për më tepër, një thëngjill i paeksploruar e i humbur në thellësi është njëjtë si një mit për një qyp ari i fshehur nga të parët diku në një copë toke. Doli  që Trepça është një ndërmarrje e cila për dy dekada të plota ka humbur tregun deri sa kthimi i saj në tregun e vjetër është po aq i njëjtë sa edhe themelimi dhe funksionalizmi i një ndërmarrje të re. Nëse dikush ka llogaritur fuqinë punëtore si avantazh atëherë bën mirë ta kuptojë se njerëzimi për këto njëzet vite ka kaluar nëpër një zhvillim teknologjik sa e gjithë historia e tij modeste, ndërkaq ngrirja e kapaciteteve të një stafi që nuk ndalon moshimin e ka bërë këtë zhvillim eksponencial teknologjik të largët për ta me mijëra vjet drite. Nëse dikush ka llogaritur teknologjinë e Trepçës, lajmi i keq është se ajo tani më është shndërruar në një grumbull hekurash dhe përveç se ka rritur eksportin e Kosovës (në hekur) nuk ka bërë as një kontribut të vetëm nacional. Doli që termocentralet tona kaluan të gjitha parashikimet amortizuese dhe përveç se mund të shërbejnë si pamje impresive të një filmi horror ato konsumojnë me qindra miliona euro çdo vit nga xhepi i taksapaguesve më të varfër të Evropës. Më e dhimbshme bëhet pamja e hekurinave dhe ndërtesave betonike kur kuptojmë se edhe terminimi i tyre do të na kushtojë mjaft. Doli se fushat tona pjellore nuk hynin në punë shumë po nuk u punuan, se punimi i tyre nuk varej vetëm nga vullneti i përbashkët për ti mbjellë e ujitë ato, nga numri i kombajnave e traktorëve për hektar. Në realitet, na u deshtë dy dekada të plota të kuptojmë për rëndësinë e maksimizimit të profitit si insentiv për të bërë punë, për ekonomizimin e shkallës si domosdoshmëri e aftësive konkurenciale, për efiçencën dhe asgjë tjetër. Doli qe drunjtë dhe ujërat e pafund nuk i shërbyen askujt përveç atyre që i prenë për qejf e për nevojë, se ato pamje që ato jepnin nuk mund të  thërrisnin sytë e të tjerëve pa vendosur aty një ulëse, një dhomë fjetje, një kuzhinë me ushqim të mirë, disa njerëz që presin të tjerë. Pamjet e tyre ishin të vdekura përderisa nuk kishim një aftësi ndërmarrëse aty, përderisa nuk kishim një biznes.
Të besosh se je i pasur se ke thëngjill në kohë kur energjia solare dhe ajo nukleare po merr hove, se Trepça është shpëtimi revolucionar i Kosovës kur në rastin më optimist ajo mund ti punësojë vetëm një të tretën e  të papunëve që krijohen në vit, se termocentralet e hekruara janë shpresa jonë energjetike e vetme dhe e mjaftueshme, se fushat dhe ujërat natyrshëm sjellin vëmendje vetvetiu se janë më mbresëlënëse, për hesap timin është një romantizim utopik. Dhe për të pasur një romantizëm utopik duhesh të jesh domosdoshmërisht utopik. Këtë më së miri e bëjnë socialistët tanë, popullistët e pafund dhe promovuesit shumtë të pronës shoqërore të cilët me ngulm refuzojnë ti japin rastin iniciativës dhe motiveve private.
Limbo është një realm ëndërror, një zgjerim në infinit i ndërdijes. Është vendi më i thellë që dikush mund të udhëtoj në mendjen e tij. Kam përshtypjen se po këta promovues popullistë janë të zhytur në një limbo, si ajo ëndrra jonë përrallore e pasurive të pafunda në një vend 11 mijë kilometra katrorë.  Dalja nga ky kurth i mendjeve utopike është një sfidë që më së shumti ka nevojë për kohë. Çfarë ata nuk kuptojnë është se mësuesit tanë kishin një ideal. Atë të ndërtimit të mendjeve të reja që në kohë të represionit të ndërtonin një dashuri mitistike ndaj tokës së tyre. Ishte një romancë rilindëse e modifikuar në kohë nga më të çuditshmet. Absorbimi i fjalëve të tilla ishte një kënaqësi e veçantë dhe në të njëjtën kohë ngjallte një vullnet dhe dëshirë edhe më të veçantë për rimëkëmbje të sojit tënd. Sot ato kohë janë të shkuara dhe ne kemi nevojë për një romantizëm tjetër.  
Sot pasuria e Kosovës është biznesi dhe me këtë prona private duhet të shihet e promovohet si krijues dhe shtytës i çdo procesi inovativ. Sot për vendin tonë është imperative edukimi dhe aftësimi i njerëzve të saj, në të kundërtën, për deri sa nuk dimë e nuk mundemi ti përshtatemi kërkesave ekzluzive të biznesit do të mbesim bashkë me ju në Limbo; përjetësisht. Sot është imperative që mobilizimi mbarëshoqëror e pse jo edhe progresi i barabartë social të arrihet nëpërmjet bizneseve dhe motiveve të tyre që domosdoshmërisht bëhen interesa tona. Koha kur shteti ndërton fabrika, termocentrale, vetëshërbime është kohë e shkuar. Koha kur biznesi bën një gjë të tillë na ka ikur kaherë dhe bëjmë mirë që di jepemi pas. Koha është që krenaria e tepruar ndaj objekteve betonuese të një ere fatmirësisht të harruar, të transformohet në krenari për një biznes privat, për një shoqëri aksionare që krijon vende të reja të punën në vazhdimësi. Koha është të besojmë në të gjitha iniciativat private qofshin ato me vetëm një ndërmarrës apo me mijëra sosh. Është koha kur ju dhe ëndrrat tuaja utopike të hapen ndaj realiteti të ri, kur ju dhe popullizmi social të ndaheni përfundimisht. Jo që kjo bën ndonjë pengesë për pjesën tjetër të botës që ka gjetur progresin dhe me këtë kualitetin më të mirë të jetës. Në fund të fundit dallimi nga ne dhe ju është pikërisht në atë se ne besojmë në lirinë e zgjedhjes e shprehjes, lirinë e të pasurit dhe pronës dhe kjo liri ju jep juve të drejtë të mendoni e shprehni çfarëdo që ju bie në mend. Por mbetja në këtë Limbo merr në qafë ata të pashpresit e të pamësuarit mbi nevojën e një shteti që prosperitetin e tij e ndërton mbi themelet e pronës private, të cilët nga mjerimi ekstrem ju vihen pas. Është koha që zhvillimi të vendoset tek njerëzit dhe të bëhet nga njerëzit.
Në fund fare, nuk di sa e kuptoni patetizmin e dyshimeve tuaja ndaj pronës private. Kujtoni se këtë mendim timin po e lexoni nga një zbulim i shtyrë nga prona private, se mesiguri përgjigjja juaj do të vijë nga një mjet tjetër prapë i ofruar botës nga një pronë private, se vetura, shtëpia, zyra, e kafeneja ku ju pini kafen tuaj të preferuar janë të gjitha një pronë private, pjesë të një sistemi privat që ka avancuar sojin tonë në shkallët më të larta të ameniteti shoqëror. Dhe ju prapë keni dyshime mbi pronën private?! Jeni të ngecur në Limbo.

Botuar në Zëri, 26 Nëntor 2010

Wednesday, 17 November 2010

Lista






Harroni premtimet melankolike të thurura nën euforinë e brohoritjeve shkumuese nga militantët partiak. Harroni premtimet garuese me numra që historia jonë modeste ekonomike nuk ka ditë asnjëherë ti prodhojë. Harroni të gjitha. Partitë e sodit, qeveritë e së nesërmes, kanë një listë të plotë sfidash ekonomike që meritojnë më shumë respekt. Për hir të vlerave shtetndërtuese dhe nevojës për rimëkëmbje ekonomike, ofroni zgjidhje që kanë sens.







Harroni listat e deputetëve dhe luftën për renditje në to. Harroni koncertet, koston e tyre, vallet e pakuptimta e lavdërimet e stërterpëruara për njëri tjetrin. Provoni diçka më të kuptimtë. Vendi ynë ka një listë tjetër, atë të sfidave ekonomike që me padurim presin vëmendjen nga Qeveria 2011. Ballafaqimi me to përmirëson kualitetin e jetës të çdo kosovari dhe me këtë perspektivën e vendit tonë të ri. Një pjesë e këtyre sfidave janë ngurtësuar nëpër vite nga injorimet e vazhdueshme, deri sa të tjerat janë të krijuara së fundmi nga vendimet e ngutshme dhe të pamatura. Nga Autostrada e deri te Privatizimi, prej CEFTA-s e deri te pagat e shërbyesve civil, nga qëndrueshmëria buxhetore e deri te projektet energjetike, të gjitha këto do të jenë pjesë thelbësore e agjendës post-zgjedhore. Mos adresimi i tyre do të rëndojë edhe më tepër zhvillimin ekonomik tonin ndërkaq rimëkëmbja ekonomike do të duket e largët.


Autostrada

Nuk jam ndier asnjëherë komfort me numrat që jepeshin si kosto e ndërtimit të një autostrade që vishej me plot arsye të kuptimta pas petkut kombëtar, por jo atij fisibël në kushtet dhe kohën e formësimit të saj karshi nevojave zhvillimore të vendit. Kam qenë edhe më dubioz kur kufijtë e kësaj kostoje silleshin nga 700 milion deri në 1.5 miliardë euro. Një mosaftësi e tillë parashikuese për një projekt sa 35% e bruto produktit vendor natyrshëm lë të dyshosh për qëllimet dhe aftësinë implementuese të projektit. Kurora e dyshimeve u vu pas hetimeve për korrupsion ndaj nismëtarëve dhe promovuesve të këtyre numrave. Pavarësisht kësaj, autostrada është nisur dhe mirë shumë që është nisur. Megjithatë ajo ka një kosto të padefinuar. Për më tepër kontrata në mes palëve mbetet e mbyllur për publik dhe rrjedhimisht parashikimi i nevojave reale do të ishte shumë suspicioz. Çdo Qeveri e ardhshme duhet të ofrojë një burim financues për autostradën domosdoshmërisht, madje me rrjedhën e punëve nga Bektel Enka kjo ofertë më mirë të vijë sa më shpejtë në të kundërtën me proklamimet e këtyre të fundit ne duhet të paguajmë një kosto marramendëse (sa të ardhurat vjetore mesatare të 40 kosovarëve) për vetëm një ditë. Çfarë u ofrua si zgjidhje nga politikëbërësit e shkuar ishte transformimi i aseteve nacionale, pra shitja e një pjese për ndërtimin e një pjese tjetër. Një qasje e tillë është tepër kufizuese në mundësitë e krijimit të alternativave financuese dhe para së gjithash në vullnetin për të gjetur burime tjera. Ndërlidhshmëria e PTK-së me Autostradë është financim i lehtë, i shpejtë dhe teknikisht i pastër, por asesi i qëlluar. Financimi nëpërmjet kredive të huaja, apo financimi nëpërmjet partneritetit publiko privat do të kërkonte angazhim, do të kërkonte fizibilitet dhe arsyeshmëri të projektit. Cili fond financues kreditor do të financonte një projekt vlera e të cilit është tmerrësisht amorfike?

Qeveria e re, dhe rrjedhimisht partitë garuese, është mirë të japin dhe të vlerësohen mbi to, të gjitha alternativat e tyre në relacion me financimin e projektit të autostradës. Është esenciale për qëndrueshmërinë buxhetore të vendit dhe natyrshëm qëndrueshmërinë ekonomike tonën të dihet më tepër mbi potencialin e ofrimit të zgjidhjeve dhe pëlqyeshmërinë tonën mbi këto alternativa. A do të ndërtojmë partneritet me biznese? A do të huazojmë? Apo ndoshta do të shesim për të blerë?


Privatizimi i PTK-së

Ndoshta dallimi më i madh ideologjik në mes të pretenduesve për qeverisje zhvillohet pikërisht nën ombrellën e temës së privatizimit. Disa e mbështesin, të tjerët e kundërshtojnë. Disa nuk japin fare mendim mbi të meqë nuk dinë si. Janë të pakta ato partitë që ofrojnë një qasje ideologjike mbi subjektin e privatizimt. Të shumta janë ato që vendosen në pozicionin kundërshtues vetëm për të bërë  të kundërtin. Të tjerat ofrojnë zgjidhje ekstreme, prej shitjes së tërësishme e deri te rikthimi i pronësisë publike nga proceset e kaluara. Pavarësisht kësaj, nëse asgjë tjetër, në 100 ditëshin e parë qeverisës presionet do të jenë të padurueshme. Do të kemi një bashkësi ndërkombëtare që shtynë idenë e privatizimit fillimisht të PTK-së e më pas edhe të KEK-ut. Para së gjithash do të jetë Fondi Monetar që me ngulm do të kërkojnë procesin e privatizimit si parakusht i tranzicionit ekonomik dhe jam i bindur se këtë proces do ta kushtëzoj edhe me përfitimet e  fondeve mjaft atraktive që i ka në menynë e vet. Në fund të fundit, privatizimi është një ndër pesë kriteret e FMN-së për kalimin e procesit të tranzicionit ekonomik. Njëjtë do të bëjë edhe Banka Botërore dhe një sërë organizatash e përfaqësi të huaja. Nuk them se ne duhet të bëjmë dëgjuesin dhe ekzekutuesin e çdo mendimi apo sugjerimi miqësor të huajin. Megjithatë them se ne nuk duhet të bëjmë të shurdhrin dhe të paditurin as tani kur duhet matur alternativat e as nesër kur duhet pozicionuar alternativën e zgjedhur.  Pretenduesit e sodit duhet të jenë të qartë ndaj votuesve mbi praktikat që ata mbështesin në drejtim të aseteve publike të Kosovës, me theks të veçantë në telekomunikacion. Le të ofrojnë qasjen e tyre, le të japin alternativat qoftë në favor të mbajtjes apo shitjes së tyre. Le të japin storien e tyre të procesit vendimmarrës dhe rezonin prapa këtij tregimi.


CEFTA

Nuk mbaj mend të është mbajtur ndonjë mbledhje të Qeverisë për të diskutuar njërën nga shkeljet më të rënda ndërkombëtare në fushën e tregtisë, e që në mënyrë të drejtpërsëdrejtë prekë interesat tona, të bizneseve tona të qytetarëve tanë. Mbaj mend mbledhje të Qeverisë për dhënien e projekteve njëburimore për qëllime të marketingut, mbaj mend mbledhje për deklarimin e ministrave për pozita të deputetëve dhe pagat e tyre, mbaj mbledhje nga më të çuditshmet. Por që asnjëherë nuk u diskutua për një unilatiralitet agresiv nga dy vende që marrin një hise bukur të mirë të importeve tona, këtë kam vështirë ta kuptoj. Adresimi i këtij problemi është mbyllur gjithmonë prapa arsyetimit të pafuqisë politike në shtrimin e kontrollit ndaj marrëdhënieve ndërkombëtare. Jam i bindur se arsyetimi i tillë është më tepër lirim nga barra e marrjes së vendimeve dhe para së gjithash nga nevoja për të prodhuar punë.

Nuk besoj se ka autoritet mbi atë të pranuar ndërkombtarisht, nga 75% e fuqive ekonomikedhe poltike botërore, se sa Qeveria e Kosovës. Fatin se çka do të shitet, sa do të shitet dhe pse do të shitet në oborrin tonë e përcaktojmë ne, sidomos kur kemi të bëjmë me dy vende që në vazhdimësi cenojnë integritetin tonë ekonomik dhe fyejnë çdo përpjekje tonën për bashkëpunim bilateral.  Të gjithë ata që synojnë udhëheqjen e vendit le të rendisin hapat që duhet ndërmarrë ose për të zhbllokuar situatën e krijuar ose për të vendosur reciprocitetin.


Kosova e Re

Porjekti më kontrovers i dhënë deri më tani në Kosovë mban firmën e fillimisht Kosovës C e më pas Kosovës së Re. Për 6 vite me radhe e gjitha çfarë ne arritëm të bëjmë është ndërrimi nga “C” në “e Re”. Konsideroj se më brengosëse është fakti se Kosova nuk ka një koncept të qartë rreth zhvillimit energjetik në vend. Ne jemi dëshmitarë të ndërrimeve rapide në planifikimet e ndërtimeve të kapaciteteve energjetike. Janë përfolur fillimisht 2100 megavat, 600 megavat dhe kohëve të fundit ndërtimi i kapaciteteve jo më shumë se 300 megavat. Duke qenë me këso hamendje, nga të gjitha alternativat e përmendura ne vazhdojmë të zgjedhim atë më të pafavorshëm, të zero megavateve dhe në veti po mbajmë një kosto të kohës. Projekti energjetik i Kosovës është dashur të jetë tashmë i përfunduar. Kosova e Re në vazhdimësi ka qenë pjesë e diskutimeve nga më të ndryshmeve, nga teoritë e konspiracionit e deri te arsyet irracionale prapa vendimeve të tilla. Qasja ndaj saj ka qenë subjekt i një sërë akuzash dhe kundërakuzash korruptive nga dhe prej atyre që synuan ose morrin pushtetin.  

Pavarësisht kësaj, besoj se pretenduesit për pushtet duhet të definojnë qartë konceptet e tyre energjetike dhe qasjen që ata ofrojnë. Këtu, vendi ynë ballafaqohet me dy alternativa. Në të parën, Kosova e sheh energjetikën vetëm si përmbushës së nevojave esenciale për krijimin e një ambienti stabil energjetik për bizneset dhe qytetarët. Alternativa e dytë në vete mban idenë se energjetika duhet të jetë forcë motorike e zhvillimit ekonomik. Në të dyja rastet, energjetika duhet shihet si një fushë me plot potencial dhe me plot interes nga investitorë mjaft të fuqishëm. Të gjithë ata që pretendojnë qeverinë se së nesërmes duhet të na ofrojnë që tani alternativën e tyre ndaj kapaciteteve energjetike. Çfarë do të ndodhë me minierat tona dhe ato 14 miliard tonelata linjit? Çfarë do të ndodhë me termocentralet e stërvjetërura, dhe më e rëndësishmja çfarë do të ndodhë me kapacitetet e reja?


Prokurimi Publik

Është quajtur korrupsion, mitodhënie, keqpërdorim, hajni, vjedhje e më së shpeshti edhe 20 përqindësh. Të gjithë e kanë evidentuar, nga “Raporti i Progresit” i Komisionit Evropian e deri te “Doing Business” i Bankës Botërore. Ajo çfarë e bën të dallueshëm fenomenin korruptiv tonin është shpërndarja e tij. Deri sa në vendet tjera tërheqja korruptive është pjesë e shërbyesve civil të rangut të ulët, tek ne keqpërdorimet masive janë pjesë e një strukture mjaft mirë të organizuar e që në masë të madhe është e lidhur me prokurimin publik dhe rrjedhimisht paranë publike. Kostot monetare të mitodhonies për le të themi administratorë tatimor, punonjës dhe shërbyes civil lokal ose në fund të fundit për mjek e policë janë simbolike karshi milionave të pafund që ciklohen nga një sistem i korruptuar si ai i prokurimit publik. E gjithë paraja e buxhetit të vendit dhe e gjithë paraja e ndërmarrjeve publike kalon nëpër një rrjet të njëjtë keqpërdorues që përveç se nxjerr një output tmerrësisht të dobët e të shtyrë nga interesa të ngushta, jep gjithashtu destruktivitet dhe barriera të rënda për bizneset eficente.

Lufta ndaj korrupsionit do të thotë luftë ndaj prokurimit publik. Aty fillon dhe aty mbaron çdo tendencë për të shuar çfarëdo përfitimi personal në kurriz të interesave nacionale. Qeveria e ardhshme do të ketë sfidë të pashoq nevojën për reformim të sistemit prokurues dhe mbytjen e elementeve virusore në këtë sistem. Këto “ushunjëza” që nuk u ngopën asnjëherë, e që po tu jepet mundësia do të vazhdojnë të bëjnë një gjë të tillë në pafundësi, duhet adresuar pa humbur kohë meqë kostot e tyre janë shkatërruese për ekonominë tonë, bizneset tona dhe investitorët potencial. Dhe kjo shuarje në asnjë mënyrë nuk mund të bëhet në mënyrë deklarative. Do të isha shumë i lumtur sikur të gjithë pretenduesit të jepnin hapat e tyre të prekshëm dhe të matshëm në luftën kundër korrupsionit.


Pagat dhe Protestat

E fundit, por po aq e rëndësishme sa të tjerat, është edhe stabiliteti e kohezioni shoqëror. Një ekuilibër i tillë vështirë mund të arrihet nëse barra e tranzicionit vendoset disproporcionalisht me pjesëmarrësit e saj. Në dy vitet e fundit patëm një sërë pakënaqësish të shfaqura kryesisht nga grupet e shërbyesve civil. Zgjidhjet e ofruara ishin ad-hoc, të pamatura, dhe pa ndonjë mbështetje të qëndrueshme buxhetore. Nuk do të habitesha nëse durimit të mjekëve, mësuesve, policëve madje pse jo edhe zjarrfikësve, t’ju vjen fundi. Në të njëjtën kohë jam shumë kureshtarë të kuptoj alternativat e pretenduesve mbi zgjidhjet që këta do të ofronin në këtë drejtim. Çfarë do të ndodhë nëse 2011-ta do të jetë vit i protestave? Do të kemi rritje të njëjtë si në vitet paraprake, ad-hock dhe pa ndonjë planifikim të mirëfilltë? Ku do të merren paratë për këto rritje? Si do të shpërndahet buxheti dhe çfarë do të jenë prioritetet buxhetore?


Besoj se lista e sfidave dhe problemeve ekonomike që  na presin neve, partitë garuese dhe Qeverinë tonë të re janë të shumta dhe të pafunda. Fatkeqësisht nga praktikat e fushatave të deritanishme, nuk mund të them të njëjtën gjë për alternativat, idetë dhe kreativitetin e ofruar për ti zgjedhur ato. Në një vend normal, ofrimi i zgjidhjeve ndaj këtyre problemeve do të përcaktonte fituesin dhe humbësit. Dua të besoj se votuesit kosovar do të merren më seriozisht nga pretenduesit për pushtet dhe kërkuesit e votës. Nëse ka një besim në reciprocitet të mirëkuptimit dhe respektit atëherë partitë duhet të dinë më mirë se kushdo tjetër për nevojën e trajtimit më serioz të problemeve tona ekonomike. Kosova nuk ka nevojë për këngëtarë në podiumet partiake, as për valle as për brohoritje “rrnoftënuese”. Kosova ka nevojë për alternativa dhe zgjidhje, për shkrirje mendsh dhe idesh, për matje dhe peshim të tyre. Kosova ka një listë ndryshe dhe kjo listë pret vëmendjen tuaj. 



Botuar në Koha Ditore 19 Nëntor 2010
                                                                              

Tuesday, 16 November 2010

Kështu fliste Raporti i Progresit: Kriteret Ekonomike



E kuptoj që progresi kërkon angazhim, punë, sakrificë, shkrirje mendjesh e opinionesh e para së gjithash vullnet të mirë. Po çfarë nuk mund të kuptoj është se si është e mundur që në një ambient me plot mundësi ne bëjmë regres. Nëse progresi kërkon punë, dhe gjendja konstante prodhohet nga mospuna, atëherë regresi krijohet nga një punë në drejtim të kundërt. Çfarë na shtyu të bëjmë punë në drejtim të kundërt?

Komisioni Europian në vazhdën e vlerësimit të përmbushjes së kritereve ekonomike i ka bërë 19 diagnostifikime në formë të përmbledhjeve përfundimtare. Nga këto 16 shënojnë regres e 3 shënojnë përparim të lehtë.  Ja disa prej tyre:

1. Overall, the budget faces growing risks, as expenditure is growing much faster than tax revenue, and is increasingly financed by one-off revenue and reduction of accumulated deposits.
1. Buxheti ballafaqohet me një rrezik në rritje, si rezultat i rritjeve të shpenzimeve me ritëm shumë më të lartë se gjenerimi i të hyrave nga taksat, dhe në vazhdimësi financohet nga të hyrat e paqëndrueshme që vijnë kryesisht depozitimet e akumuluara paraprakisht.
Kur ke 1 euro shpenzon 1 e jo 2. Sa vështirë ka qenë kjo të kuptohet? Rreziku primar i Kosovës vjen nga një disbalancë buxhetore e thellë si rezultat i shpenzimeve të paplanifikuara. Rritjet ad-hoc të shpenzimeve në kurriz të shkurtimeve të depozitave të akumuluara më herët, si tepricat buxhetore nga vitet paraprake, profitet e ndërmarrjeve publike ose rezervat tjera buxhetore paraqet një risk në rritje. Nisja e autostradës pa një planifikim të mirëfilltë buxhetor, rritjet e pagave pa mbulesë pas çdo proteste, shpenzimet e paarsyeshme nëpër vite kanë bërë që qëndrueshmëria buxhetore e Kosovës të jetë në riskun më të lartë që kur kemi filluar konsolidimin e buxhetit. Ky risk buxhetor ka qenë arsyeja kryesore prapa ngutisë së privatizimit të PTK-së. Në mungesë të një zgjidhje të qëndrueshme në vitin 2011 ne ose do të zhytemi në një deficit enorm ose duhet ti ndërpremë të gjitha projektet madhore që i kemi nisë me eufori dhe pa ndonjë maturi ekonomike. Unë them të bëjmë të dytën meqë deficiti do të sillte një zinxhir problemesh. Sidoqoftë dikush duhet të na jep llogari për një menaxhim të tillë buxhetor.

2. Overall, Kosovo’s economic growth was mainly driven by increased government expenditure. There are growing risks to the sustainability of this growth profile.
 2. Rritja ekonomike e Kosovës është shtyrë kryesisht nga rritja e shpenzimeve qeveritare. Ekzistojne rreziqe në rritje lidhur me qëndrueshmërinë e këtij lloji të rritjes.
Ne kemi zhvillim ekonomik të mbështetur në steroide. Në momentin e parë që ne ndalim përdorimin e tyre neve do të na humben ato pak muskuj që kemi ndërtuar. Një rritja ekonomike e fryrë nga shpenzimet qeveritare është më tepër një iluzion se sa një kuptim ekonomik për një arsye shumë të thjeshtë: shpenzimet qeveritare eventualisht do të bien; dhe në momentin që ato bien ne do të mbesim me fotografinë e vërtetë të tregut dhe qëndrueshmërisë ekonomike reale tonën. Punditët ekonomik që kanë mbështetë këtë alternative të rritjes harrojnë të kuptojnë idenë e trade-off-it ose përjashtueshmërisë. Kur ke një sektor publik ekogjenerues (me motiv kontrolli) është shumë vështirë të kesh edhe një të tillë privat. Ose do të kesh sektorin privat ose do të kesh atë publik. Paramendoni se rritja ekonomike e Kosovës vjen si rezultat i rritjes së projekteve ultra të mëdha gjatë vitit të kaluar, sipas gjitha gjasave të shtyra nga motivet korruptive (projekte më të mëdha përfitime vetanake më të mëdha). Sa projekte të tilla do ti kemi në vitet në vijim?


3.  Overall, in spite of positive growth, the economy is not creating enough jobs to absorb the young new entrants and reduce pressures on the labour market. Unemployment remains very high.
3.Pavarësisht rritjes ekonomike, ekonomia nuk krijon vende të reja pune mjaftueshëm për të absorbuar hyrjet e reja dhe për të zbutur presionet në tregun e punës. Norma e papunësisë mbetet shumë e lartë.
Nëse një ekonomi ka rritje pozitive por nuk rezulton në krijimin e vendeve të punës atëherë është e qartë se problemi qëndron në nomenklaturën e kësaj rritje. Në një model real rritja ekonomike (qoftë nga sektori publik  apo ai privat) do të krijonte pasuri për një sërë agjentësh që janë në interaksion. Themi se Qeveria jep X milion euro për furnizim me produktin Y. Nëpërmjet një procesi fer dhe korrekt të konkurrencës ndërmarrja Z zgjidhet si më e kualifikuara për të prodhuar outputet më efiçente të mundshme. Kjo ndërmarrje ka një eksperiencë, ka ekonomi të shkallës, prodhon më lirë se të tjerët për shkak të specializimit të punës që e ka krijuar e ndërtuar nëpër vite dhe në fund fare krijon më tepër profit. Këtë profit e përdorë për të blerë pajisje të reja dhe me këto pajisje të reja hap një vend të ri të punës meqë dikush duhet ti përdor ato. Ky është modeli që nëpërmjet rritjes ekonomike krijon dhe vende të reja të punës.


Ti kthehemi rritjes ekonomike tonës që gjenerohet ekskluzivisht nga sektori publik (i korruptuar). Tash, Qeveria (potencialisht e prekur nga korrupcioni) jep X milion euro për furnizim me produktin Y. Nëpërmjet një procesi të manipuluar zgjidhet një ndërmarrje e re, fantome, pa ndonjë përvojë e shpeshëherë edhe pa asnjë të punësuar të vetëm; madje në raste më ekstreme kjo ndërmarrje e jep këtë punë tek një ndërmarrje tjetër meqë nuk di ta bëjë. Dhe meqë procesi është joformal atëherë edhe të hyrat mbesin joformale. Ndërmarrja nuk hap vende të reja pune por bën shpëlarje të parasë. Ajo nuk hap vende pune meqë nuk ka atë për objektiv. Objektiv ka përfitimin ad-hoc nga një situatë e krijuar një herë në njëmijë vjet për të. Ky është modeli që jep rritje ekonomike, por nuk nuk prodhon vende të reja punës. Me fjalë të tjera krijon vlerë të shtuar por për një grup të ngushtë dhe deefiçent.


4. Overall, macroeconomic vulnerabilities have increased and deep structural problems continue to hamper the economy. The weak rule of law, corruption, high level of informal activities, poor infrastructure, and a subsidised and unreliable electricity supply, impair the efficiency of market mechanisms.
4.Dobësitë makroekonomike janë rriturdhe problemet e thella strukturore vazhdojnë të dëmtojnë ekonominë. Mungesa e zbatimit të ligjeve, korrupsioni, niveli i lartë i informalitetit, infrastruktura e dobët, si dhe furnizimi i paqëndrueshëm (dhe i subvencionuar) me energji elektrike, dëmtojnë mekanizmat e eficencës së tregut.
Çfarë është roli i shtetit? Të krijojë rregulla fer të lojës, të ofrojë shërbime publike, ti mundësojë agjentëve interferenca të lehta. Çfarë kemi bërë vitin e kaluar? Administratë e paaftë, mungesë e zbatimit të ligjit, furnizim i paqëndrueshëm me energji, kufizime në qasje të financave, korrupsion dhe mungesë serioze e të drejtave autoriale. Ne kemi bërë pikërisht të kundërtën që një vend normal duhej të bënte. Tash, nëse pritjet tona janë që në këto kushte sektori privat të prodhojë rritje ekonomike, gjenerim të vendeve të punës dhe përmirësim të kualitetit të jetesës atëherë jemi në lule të adoleshencës. Po le të themi se për ne kjo nuk paraqet fare pengese, se disi një ndërmarrje e shkretë kosovare mund të mbijetojë administratën publike që i shkakton pritje disa mujore për një letër A4, një vulë dhe një nënshkrim nga një free-rider i të mirave të shoqërisë, se mbijeton disi mungesën e ligjeve sa herë që i është shkelë kontrata nga kushdo dhe kudo, se ka mbijetuar prodhimin në ndërprerje të energjisë elektrike nga një Korporatë që i jep 200 milion euro tenderë njëburimor atyre ndërmarrjeve joeficente që i përmendëm më lart (të cilat e vonojnë pajisjen se s’dinë cilën duhet me ble), se kjo ndërmarrje disi mbijeton kreditin e shtrenjtë (më të lartë se profitin) dhe të limituar vetëm në kredit bankar e asnjë formë tjetër më të avancuar, se mbijeton korrupsionin dhe mitodhënien për gjithkënd që ka një dokument identifikues qeveritar, se mbijeton disi shkeljen e të drejtave autoriale dhe disi në fund bën një profit. Me sa parë mend ne e thërrasim një investitor të huaj të kalojë nëpër këtë ferr?! Le të rritemi.


EPILOGUE

Konstatimet tjera janë të formës së njëjtë dhe për mendimin tim, shpjegimi i tyre lidhet  kryesisht me këto të shtruara më lartë. Fushat në të cilat shënohet konstatim negativ janë inflacioni (pas rritjes së akcizës në naftë nga Qeveria për të financuar deficitin buxhetor), financimi i shtrenjte bankar, mungesa e politikave adekuate qeveritare, transparenca, si dhe integrimi ekonomik evropian.

Kjo e fundit është vërtetë brengosëse meqë determinon aftësinë e bizneseve tona për tu rritur. Ne asnjëherë nuk do të jemi ekonomikisht të qëndrueshëm për deri sa bizneset tona nuk janë konkurrente në tregjet e huaja. Rritja e konkurrueshmërisë së bizneseve vjen vetëm pas përmirësimit të politikave ekonomike.


Për ata që janë kurioz të dinë se cilat janë progreset tona:

1. Progres në kornizën monetare dhe stabilitetit financiar.
    Shpjegim: Fjala është për valutën Euro dhe stabilitetin e saj në tregun kosovar.

2. Progres në sektorin bankar
     Shpjegim: Fjala është për qëndrueshmërinë e bankave komerciale dhe financat e tyre.***

3. Progres në procesin e privatizimit


***Sa ka gjasë që qëndrueshmëria a Euros dhe e Bankave Komerciale në Kosovë të jetë rezultat i politikave tona? Paramendoni, progresin e vetëm që kemi shënuar është ekskluzivisht si rezultat i mosndërhyrjes tonë.

Monday, 25 October 2010

Privatizimi Monarkik







Më lejoni ti vendos disa vija të trasha në fillim të këtij opinioni. Privatizimi i ndërmarrjeve publike është domosdoshmëri e reformës ekonomike, parakusht për ulje të korrupsionit, është proces natyral i tranzicionit ekonomik. Ne duhet të kalojmë nëpër tunelin e njëjtë tranzitor me vendet e rajonit që kanë pasur nomenklaturë të ngjashme me tonën, ekonomike dhe institucionale; jo pse dikush na thotë se duhet bërë kështu, por se përvojat e këtyre vendeve janë storie të suksesit dhe ne duhet domosdoshmërisht të reflektojmë mbi to. Privatizimi i Telekomunikacionit të Kosovës, i përcjellë më pas me një liberalizim të tregut të operatorëve, do të sillte ndërveprimin e agjentëve ekonomik në një ekuilibër optimal; ku Qeveria merr burime të financimit për projekte koncensuale të rëndësishme, operatori privatizues merr një treg një milionësh dhe incentivë për produktivitet, qytetarët dhe bizneset marrin shërbime shumë më kualitative ndërkaq për arsye ekonomike, logjike, dhe mbi të gjitha të trajtueshmërisë fer të gjithë shohin një fund të korrupsionit, nepotizmit dhe keqpërdorimeve ma të paskrupullta që një sistem i brishtë mund ti bëjë. Ky fakt, megjithatë, nuk bën të përdoret në asnjë mënyrë të mundshme si forcë e arsyes për privatizimin e proklamuar dhe shtyrë nga Qeveria jonë e aq më tepër me fotografinë e dhënë nga Parlamenti dhe akterët e tij..  Në mes të bardhës dhe të zezës është një zonë gri, dhe në ketë zonë është interesi nacional i Kosovës që thekson nevojën e patjetërsueshme të arritjes së situatës më profitabile ekonomike të çdo politike reformuese.

Kryeministri jonë ka keqkuptuar tërësisht kuptimin e privatizimit dhe mesazheve pro privatizuese të marra nga miqtë e tanë. Ndonëse në fjalimet e tij të përkthyera mundohet të japë një frymë filozofike qëndrimeve të proklamuara, veprat post palimit të letrës dhe futjes së saj në xhep janë tmerrësisht të kundërta. Në një prononcim jo më të largët se tre mujor, kryeministri jonë kujtoj të ketë thënë “...i përkas frymës së djathtë, besoj në tregun e lirë, dhe besoj në vendimmarrjen demokratike”. Kryeministëri jonë, i thirrur në mbështetjen e miqve nuk ka bërë asnjërën. Ngjarja e fundit në Parlament gjatë aprovimit të Strategjisë, hapat para saj, dhe një sërë aktesh më tepër tinëzare dhe kryeneçe janë dëshmi thelbësore për një sistem të rëndë vendimmarrës mbi cdo cështje ekonomike në Kosovës. Ngjarja tregon se ne nuk kemi udhëheqje demokratike, se nuk kemi as filozofi të djathtë, e lëre më të tregu të lirë. Ne kemi një monarki, një mbret, një grumbull servilësh dhe një tufë zhurmuesish që për shkak të prishjes së interesave të tyre partiake, vendosin të bëjnë asnjërësin por gabojnë tmerrësisht në aktrim.

Jam i trishtuar të mendoj se vendimi më madhor ekonomik i vendit tim merret në formë të një shtyrje sa individuale aq edhe artificiale. Jam i trishtuar të kuptoj nga një mbledhje parlamentare se e gjithë struktura institucionale, gjithë mekanizmi vendimmarrës varet nga një dhe vetëm një individ. Jam i trishtuar të kuptoj provincialitetin dhe logjikën anarkike të institucioneve tona, shkeljet e ligjeve pa u mërzitur shumë për konsekuencat e akteve të tilla. Por në të njëjtën kohë, jam shumë kureshtar të kuptoj arsyen prapa një ngutjeje kaq unike, sui generis.

Ngutja nuk vjen prej arsyeve ekonomike dhe të profitabilitetit që u paraqiten nga kryeministri. E para, sikur kryeministri të mendonte për rritjen e vlerës së PTK-së, do të bënte gjënë e parë të duhur, arritjen e konsensusit, jo vetëm politik, por gjithsesi në masë të gjerë me shoqërinë civile dhe akterët tjerë të interesit. Një pajtueshmëri e tillë do të dërgonte sinjale enorme tek çdo investitor serioz, sinjale që thonë se ky treg i vogël megjithatë është i interesuar të ju pranojë dhe se pavarësisht ngjarjeve politike në vend investimi i juaj është i sigurt; pra ka një mbështetje të gjerë. Çfarë ka ndodhë në të vërtetë është se për çdo investitor të mundshëm, një aprovim i shtyrë me stil monarkik, i aprovuar nga pakica është thjeshtë pasiguri e jashtëzakonshme, një risk i pastër. Në situatë risku, kryeministri duhet ta dijë se vlera e një subjekti bie e asesi nuk rritet. Çfarë nëse nesër Gjykata Kushtetuese vendos se procesi i aprovimit të Strategjisë është shkelje e ndonjë rregullative kushtetuese? Çfarë legjitimiteti ka ky aprovim kur jepet nga një Parlament në shpërbërje? A janë këto sinjalet që ne dëshirojmë t’i dërgojmë tek investitorët ashtu të frikësuar?

E dyta, po të donte kryeministri rritje të vlerës ai shumë lehtë do mund ti minimizonte ndikimet militante partiake që me vite i kanë ushtruar në këtë ndërmarrje, do të ndërpriste punësimin e paarsyeshëm të miqve të tij dhe shërbyesve të partisë së tij. Janë pikërisht këto intervenime absurde për interesa dhe përfitime vetanake që për më pak se 5 vite kanë përgjysmuar vlerën e ndërmarrjes më profitabile në vend.

E treta, dhe më e rëndësishmja, po të synohej arritja e optimumit profitabil, atëherë prapa një procesi kaq të rëndësishëm do të ishte një procedurë e mirëfilltë e konsultimeve, mbledhjes dhe shqyrtimit të alternativave, të diskutimeve dhe analizave me akterë të ndryshëm jashtë zyrave Qeveritare. Askush nuk humb në vlerë nëse merr më tepër mendime, shqyrton më gjatë. Krejt cfarë Qeveria jonë i ka ofruar Kosovës është një grumbull prezantimesh amatoreske mbi argumentet proprivatizuese që në një sistem vendimmarrës më tepër të ngjajnë në synim të fatit se arritjes së outputeve më profitabile.

Nëse arsyet ekonomike nuk paraqesin forcën shtytëse prapa privatizimit të ngutshëm atëherë çfarë është kuptimi i një mase monarkike në një parlament në shpërbërje për të prodhuar një akt shkel e shko? Me çfarë zori e nevoje neve na duhet të privatizojmë PTK-në me çdo kusht? Çfarë nëse e privatizojmë dhe marrim tallin e saj? Fatkeqësia më e madhe është se ne nuk kemi as idenë më të vogël se çfarë do të bëjmë me paratë e marra, pikërisht pse nuk kemi një proces analitik prapa privatizimit të ndërmarrjeve publike. Hamendja ime është se ne do të shohim një stil të replikuar monarkik, pa konsensus mbi destionacionin final të tyre; mesiguri për të financuar projektet madhore të vendit tonë e të nisura prapë pa pajtueshmëri meqë tanimë kjo është bërë një praktikë e zakonshme e vendimmarrjes, që çuditërisht edhe merr mbështetje ndërkombëtare. Dhe kur projektet madhore nisen dhe financohen pa konsensus, logjika e thjeshtë të thotë për praninë e keqpërdorimeve enorme nga nismëtarët dhe bartësit e këtyre projekteve, qëllimet e të cilëve nuk zgjedhin rrugë e çmim.

Me një arsenal të fuqishëm të argumenteve ekonomike pro-privatizuese, shumë lehtë njëri mund të mbështesë idenë e miqve tanë; për një vend me nevoja masive të reformave. Në fund të fundit, ky edhe është rrugëtimi ynë tranzitor. Por nëse reformë ekonomike është shtyrja me gjoks, mungesa e analizave të mirëfillta strategjike, mungesa e alternativave post-privatizuese, atëherë çfarë është dallimi i pozicionit tonë nga sistemi monist? Ky assesi nuk mund të jetë sistemi i vlerave që ne duhet të ndërtojmë. Kjo më tepër i ngjan në një regresion të pakuptimtë dhe dhënie e fuqisë edhe më të pakuptimtë tek një klasë që ka qëllime tërësisht të kundërta me mbështetësit e tyre.

Milton Friedman thekson dallimin në mes të qëllimeve dhe rezultateve; deri sa të parat mund të jenë të njëjta të fundit shpeshherë janë diamensonialisht të kundërta. Ne kemi qëllime të njëjta me miqtë tanë, por fatkeqësisht për shkak të aftësive të klasës vendimmarrëse ne kemi rezultate tmerësisht të kundërta. Thënë këtë, është evidente se një vend me mangësi masive në dije dhe menaxhim ka nevojë të pakufizueshme për pajtueshmëri ndërshoqërore. Mungesa e konsensusit nuk është lëvizje e djathtë, as besim në frymë të tregut të lirë. Kjo assesi nuk është demokraci; është thjeshtë privatizim me vendimmarrje monarkike.  

Koha Ditore 25.10.2010

Thursday, 1 July 2010

Vuvuzelat e Manifestos Anti-Privatizuese




Më duket i habitshëm komforti ekspresiv i individëve popullist në deklarimet e tyre. Në mungesë të një alternative që do ti jepte fund hiper-korrupcionit kosovar dhe anomalive tjera ekonomike në vend, gjithmonë të lindura nga keqqeverisja, dalin zëra që thirren në nevojën për pronësi shoqërore, një alternativë po aq ekstreme. Nëse asgjë tjetër, ajo që konsiderohet privatizim në Kosovë dhe filozofi e tregut të lirë është më së paku si e tillë. Ja pse.






Kam përshtypjen se debati mbi procesin e privatizimi është deformuar tërësisht duke krijuar kështu vend për propozime edhe nga më të çuditshmet. Qeveria mbron një ide diamensolisht të kundërt me veprat dhe filozofinë e zemrës, partitë opozitare luajnë rolin e zhurmuesit, lëvizjet populliste kalojnë nga një ekstrem në ekstremin tjetër, ndërkaq një pjesë e shoqërisë civile në mungesë të argumenteve të qëndrueshme ekonomike vazhdojnë të thirren në ide euforike; të gjithë duke krijuar kështu një skemë vuvuzelash opinioniste. Këtu nuk bën përjashtim as ky shkrim.

Në vend se dialogu ekonomik në Kosovë të ndërtohet rreth skenariove më të përshtatshëm të privatizimit dhe formave të përfitimeve më të favorshme para së gjithash ekonomike e më pas edhe financiare, neve duhet të diskutojmë mbi koncepte bazike të ndërtimit të konceptit ekonomik, pronës shoqërore versus pronës private. Në këtë debat fituesit e vetëm janë të korruptuarit që lirisht mund edhe ti bëjnë një letër falënderuese partive opozitare, individëve popullistë dhe të gjitha artikulimeve që kërkojnë besoni apo jo mbajtjen e pronës shoqërore pas gjithë historisë ekonomike të Kosovës. Qeveritarët tanë përballë këtyre alternativave ekstreme populliste kanë çdo arsenal të mundshëm argumentesh për të mbrojtur versionin e tyre të privatizimit, që në asnjë mënyrë nuk përkon me vet konceptin.

Në mes një Qeverie të zhytur në korrupsion dhe një ideje ekonomike që mbështetet në pronën shoqërore do të zgjidhja azilin. Të dëshpëruar nga koncepti ekonomik i Kosovës, alternativat e ofruara kohëve të fundit të vetëkënaqura me komfortin e gjetur po bëhen edhe më të thella, madje thirrjet e fundit u bënë aq të ashpra sa që u kërkua ndërrimi i sistemit të tregut të lirë duke ofruar argumente patetike. Ndonëse mundohem të kuptoj nevojën për imitime revolucionare, më duhet të prish këtë komfort që prek thelbin e një civilizimi modern, civilizim ky që dërgoj shoqërinë tonë në nivelin më të lartë human, teknologjik dhe moral.

Kjo, në asnjë mënyrë nuk mbështet modelin ekonomik të Kosovës, i zhytur thellë në varfëri e papunësi, i korruptuar e i dominuar nga vet shteti. Modeli ekonomik i Kosovës është pikërisht shoqëror, që mbështetet në pronën publike, që menaxhohet me filozofi publike, që thjeshtë ngufatë pronën private sa herë që ajo vihet përballë konceptit publik. Në sytë e politikave qeveritare, asgjë private nuk bën dhe çdo gjë publike është funksionale. Thënë këtë, asgjë ekonomike në vendin tonë nuk përngjan në idetë e një ekselence private, madje edhe deklarimet publike të qeveritarëve janë po aq artificiale sa edhe bindjet e tyre të nostaligjisë para tranzicionit.

Përvoja Thatcheriane dhe paralelja me Kosovën

Nëse ekziston ndonjë paralele historike me atë të Kosovës, do të zgjidhja atë të Thacherisimit Britanik. E dashur dhe e urryer, Margaret Thatcher kishte guximin e ndërrimeve ideologjike, politike dhe ekonomike me qëllim të fillimit të një epoke të re në shoqërinë britanike. Asokohe, rreth 30% e GDP-së Britanike përbëhej nga shpenzimet qeveritare, klima e investimeve ishte e ashpër, ndërhyrja e shtetit në treg ishte dominuese, punësimi nuk po jepte frymë, derisa zhurmuesit sindikalistë nuk dinin gjë tjetër veçse greva e kërkesa egoiste të rritjeve të pagave pa u brengosur për nevojën e prodhimit të efiçencës. Zonja e hekurt, që mori nofkën për filozofinë ekonomike dhe guximin reformues, nënvizonte zvogëlimin e intervenimit publik, krijimin e tregut të lirë dhe zhvillimin e ndërmarrësisë. Por, për të zvogëluar interferencën e tepërt qeveritare në treg ajo duhej të privatizonte të gjitha ndërmarrjet shoqërore. Nëpërmjet privatizimit zonja Thatcher gjeneroj jo më tepër se 18 miliard funta, një shumë jashtëzakonisht simbolike për parametrat ekonomik të Britanisë. Publiku britanik u trondit nga ndërrimet e shpejta, shoqëria civile prodhoj ide nga më të ndryshmet, sindikalistët protestuan si zakonisht, ndërkaq adhuruesit e ideologjive utopike të një shteti social u tmerruan. Megjithatë, vizioni i zonjës së hekurt ishte më i fuqishëm. Filozofia e saj u shpagua shpejtë, ndërmarrjet e privatizuara filluan të prodhojnë efiçencë, vende të reja punës e për më tepër inovacion. Pjesa tjetër e stories është lehtë e kuptueshme nga historia e fundit 30 vjeçare e Britanisë.

Le ti kthehemi realitetit tonë. Të tërheqësh paralele mes Qeverisjes së Thatcherit dhe asaj sonës është po aq ironike sa vet kjo e fundit. Megjithatë paralelet e parametrave ekonomik janë mjaft të përafërt. Sikurse Britania para Thatcherit, ekonomia jonë zotërohet nga shteti, prona publike dhe ndërmarrjet shoqërore janë temë e tregut ekonomik, sindikatat thirren në nevojën e kthimit të politikave para tranzicionit, derisa partitë opozitare janë në konfuzion të thellë sa i përket orientimit ekonomik. Të ndërrosh një ambient të bindjeve ekonomike si ky i joni do të ishte një akt tepër i rëndësishëm, por definitivisht i pashmangshëm. Ne fatkeqësisht në horizontin tonë nuk kemi asnjë profil Thatcher-ian.


Popullizmi Qeveritar

Se Qeveria e Kosovës është populliste dhe aspak në favor të proklamimeve të saj, është lehtë evidente. Një Qeveri që mbështet ekonominë në pronën private dhe funksionalitetin ekonomik në koncepte të ekonomisë së tregut ka katër shtylla bazike. Ajo beson në reduktimin e politikave sociale dhe në vend të saj alokimin e parave publike në aktivitete që do të gjeneronin vende të reja të punës; në edukim privat krahas atij publik; alternativa midis shëndetësisë publike dhe private dhe përfundimisht në Qeveri sa më të vogël në mënyrë që të reduktohet impakti në treg e ti jepet hapësirë investimeve private.

Kosova ndan rreth 35% të buxhetit të saj në politika sociale, edukimi mbështetët vetëm në investimet publike (kujtoni propagandimet mbi hapjen e Universiteteve Publike dhe mbylljen e atyre Private; në vend se të përkrahim iniciativat private ne shpërndajmë paratë e taksapaguesve në koncepte të pronësisë publike). Në shëndetësi, vendet jopopulliste hapin dyert për investimet private, ndërtojnë sisteme kontribuuese shëndetësore. Tek ne, i gjithë sistemi shëndetësor është plotësisht publik duke mbyllur kështu të gjitha rrugët e iniciativave private. Në fund, shtetet që synojnë zhvillimin ekonomik nëpërmjet pronës private nuk hapin ministri të reja. Hapja e ministrive të reja do të thotë nevojë për më tepër administratë publike, më tepër resurse financiare që vijnë prapë nga taksapaguesit dhe përfundimisht më tepër interferencë publike në treg. Në vend se të zvogëlojmë madhësinë e Qeverisë ne jemi në vazhdim drejt rritjes së saj.

Marrë parasysh këto elemente, katër nga katër faktorët rrënojnë idenë se ne kemi një sistem të tregut të lirë, pronësisë private dhe që beson në ndërmarrësinë. Nëse nuk kemi një treg të tillë, nga marrim idenë e kundërshtimit të konceptit për një sistem të tillë? Ne ende nuk kemi shijuar as frytet më të vogla të pronës private si forcë e pandalshme motorike e zhvillimit ekonomik. Pikërisht menaxhimi popullist ka shkaktuar korrupsionin. Sikur Qeveria jonë, agjencitë publike dhe institucionet tjera qeveritare do të udhëhiqeshin me filozofinë private, pra me motivet, interesin, efikasitetin dhe produktivitetin, ne do të kishim tjetër standard të zhvillimit ekonomik. Në mungesë të një qasje të tillë ne sot jemi dëshmitarë të kurioziteteve të shëmtuara ekonomike.

Paradoksi i kontestueshmërisë

Me sa mend mund të bëjë dikush thirrje për ndalimin e korrupsionit në njërën anë e në anën tjetër të kërkojë ndërprerjen e privatizimit? Habitem se si nuk u ngopëm me filozofinë operuese të ndërmarrjeve publike. Vet KEK-u, PTK dhe Aeroporti janë burimet më të mëdha të korrupsion. Të kërkosh një status-quo të këtyre ndërmarrjeve në një vend në tranzicion është thjeshtë absurde. Mos harroni se këto ndërmarrje janë shembuj të të gjitha fenomeneve tjera negative si nepotizmi, joefikasiteti në shërbime dhe prodhim ose mbipunësimi. Në fund ato vet paraqesin barrierë të zhvillimit të bizneseve në vend se të jenë fascilitatorë të zhvillimit të tyre. Them barrierë meqë në milionat e tyre kanë hise biznese të sapokrijuara e të pazotë për kryerjen e punëve. Kjo në një ekonomi prodhon një cikël të joeficiencës meqë paraja mbetet në duar të bizneseve që nuk krijojnë vlerë të shtuar në treg por përfitime vetanake. Ne duhet të kërkojmë transparencë, të shohim alternativat dhe analizat. Më së shumti që mund të kërkojmë është shtyrja e procesit për një vit, por të ngremë zërin kundër vet idesë së privatizimit është paradoksale me kërkesat tjera tona antikorrupcion.

Privatizimi në Kosovë identifikohet me një llojllojshmëri të aferave korruptive dhe interesave të një grupi të interesave. Sa herë që flitet për privatizim të paraqiten milionerët fals të skenës politike. Kjo, nuk është privatizim. Kjo është plaçkitje dhe keqpërdorim i sistemit në të cilin kosovarët dëshirojnë të besojnë. Meqë për vendet e tranzicionit, kualiteti publik është utopik, çdo tendencë për dhënien e fuqisë tek qeveritarët është tmerrësisht e gabuar. Në këtë kontekst, edhe thirrjet antiprivatizuese kërkojnë që fuqia të mbetet e alokuar në duart e atyre që rrënuan ekonominë kosovare. Ne duhet të kërkojmë pikërisht të kundërtën, që sa më pak nga fuqia ekonomike dhe financiare të mbetet në duar të këtyre individëve. Kjo thënë shkurt e shqip mund të bëhet vetëm nëpërmjet pronës private. Privatizimi është një proces natyral i kësaj tendence.

Koha Ditore: 01.07.2010