Thursday, 25 November 2010

Jeni të ngecur në Limbo


Për socialistët popullistë artificial.
Nuk di për juve, por unë kam bërë betimin e pionierit. Ky betim më kujton shumë, por në radhë të parë më kujton për nevojën e unifikimit social drejt një kauze të prosperitetit të barabartë mbarëshoqëror. Më kujton kohën e zgjedhjeve të kufizuara, shijeve dhe preferencave modeste, të pritjeve të pakta dhe mundësive edhe më të pakta, kohën e shokut dhe shoqeve. Përveç kësaj këto kohë e vitet më pas me të njëjtin intensitet më kujtojnë edhe fjalët e mësuesve tanë për pasuritë natyrore të Kosovës që lakmi i kishin edhe Gjermanët e Italianët në luftën e dytë botërore, për rezervat e pafund të thëngjillit bash nën këmbët tona, për Trepçën me plot ari që ndërtoj shtete e shtete, për termocentralet tona që mund të prodhojnë rrymë sa fundi nuk i dihet, për fushat më pjellore që japin rendimente për një Evropë të tërë, për malet me plot dru bungu e ahu dhe për ujërat më të pastërta e të pashtershme që ndonjëherë njeriu i ka parë. Çfarë vendi përrallor. Çfarë përralle.  Mos më merrni për të keq, Kosova është një vend i bukur e me plot mundësi, me pasuri mbresëlënëse për hapësirën që ka, me njerëz me plot potencial, me një histori sa të dhimbshme aq edhe madhështore.
Por ja që njëzet vite pas këtij romantizmi përrallor, thëngjilli i lakmuar nga të gjithë doli të jetë një linjit, klasë e ulët, ndërkaq eksplorimi i tij mund të bëhej në kohë kur po avancohej furishëm drejt energjive alternative të pashtershme. Për më tepër, një thëngjill i paeksploruar e i humbur në thellësi është njëjtë si një mit për një qyp ari i fshehur nga të parët diku në një copë toke. Doli  që Trepça është një ndërmarrje e cila për dy dekada të plota ka humbur tregun deri sa kthimi i saj në tregun e vjetër është po aq i njëjtë sa edhe themelimi dhe funksionalizmi i një ndërmarrje të re. Nëse dikush ka llogaritur fuqinë punëtore si avantazh atëherë bën mirë ta kuptojë se njerëzimi për këto njëzet vite ka kaluar nëpër një zhvillim teknologjik sa e gjithë historia e tij modeste, ndërkaq ngrirja e kapaciteteve të një stafi që nuk ndalon moshimin e ka bërë këtë zhvillim eksponencial teknologjik të largët për ta me mijëra vjet drite. Nëse dikush ka llogaritur teknologjinë e Trepçës, lajmi i keq është se ajo tani më është shndërruar në një grumbull hekurash dhe përveç se ka rritur eksportin e Kosovës (në hekur) nuk ka bërë as një kontribut të vetëm nacional. Doli që termocentralet tona kaluan të gjitha parashikimet amortizuese dhe përveç se mund të shërbejnë si pamje impresive të një filmi horror ato konsumojnë me qindra miliona euro çdo vit nga xhepi i taksapaguesve më të varfër të Evropës. Më e dhimbshme bëhet pamja e hekurinave dhe ndërtesave betonike kur kuptojmë se edhe terminimi i tyre do të na kushtojë mjaft. Doli se fushat tona pjellore nuk hynin në punë shumë po nuk u punuan, se punimi i tyre nuk varej vetëm nga vullneti i përbashkët për ti mbjellë e ujitë ato, nga numri i kombajnave e traktorëve për hektar. Në realitet, na u deshtë dy dekada të plota të kuptojmë për rëndësinë e maksimizimit të profitit si insentiv për të bërë punë, për ekonomizimin e shkallës si domosdoshmëri e aftësive konkurenciale, për efiçencën dhe asgjë tjetër. Doli qe drunjtë dhe ujërat e pafund nuk i shërbyen askujt përveç atyre që i prenë për qejf e për nevojë, se ato pamje që ato jepnin nuk mund të  thërrisnin sytë e të tjerëve pa vendosur aty një ulëse, një dhomë fjetje, një kuzhinë me ushqim të mirë, disa njerëz që presin të tjerë. Pamjet e tyre ishin të vdekura përderisa nuk kishim një aftësi ndërmarrëse aty, përderisa nuk kishim një biznes.
Të besosh se je i pasur se ke thëngjill në kohë kur energjia solare dhe ajo nukleare po merr hove, se Trepça është shpëtimi revolucionar i Kosovës kur në rastin më optimist ajo mund ti punësojë vetëm një të tretën e  të papunëve që krijohen në vit, se termocentralet e hekruara janë shpresa jonë energjetike e vetme dhe e mjaftueshme, se fushat dhe ujërat natyrshëm sjellin vëmendje vetvetiu se janë më mbresëlënëse, për hesap timin është një romantizim utopik. Dhe për të pasur një romantizëm utopik duhesh të jesh domosdoshmërisht utopik. Këtë më së miri e bëjnë socialistët tanë, popullistët e pafund dhe promovuesit shumtë të pronës shoqërore të cilët me ngulm refuzojnë ti japin rastin iniciativës dhe motiveve private.
Limbo është një realm ëndërror, një zgjerim në infinit i ndërdijes. Është vendi më i thellë që dikush mund të udhëtoj në mendjen e tij. Kam përshtypjen se po këta promovues popullistë janë të zhytur në një limbo, si ajo ëndrra jonë përrallore e pasurive të pafunda në një vend 11 mijë kilometra katrorë.  Dalja nga ky kurth i mendjeve utopike është një sfidë që më së shumti ka nevojë për kohë. Çfarë ata nuk kuptojnë është se mësuesit tanë kishin një ideal. Atë të ndërtimit të mendjeve të reja që në kohë të represionit të ndërtonin një dashuri mitistike ndaj tokës së tyre. Ishte një romancë rilindëse e modifikuar në kohë nga më të çuditshmet. Absorbimi i fjalëve të tilla ishte një kënaqësi e veçantë dhe në të njëjtën kohë ngjallte një vullnet dhe dëshirë edhe më të veçantë për rimëkëmbje të sojit tënd. Sot ato kohë janë të shkuara dhe ne kemi nevojë për një romantizëm tjetër.  
Sot pasuria e Kosovës është biznesi dhe me këtë prona private duhet të shihet e promovohet si krijues dhe shtytës i çdo procesi inovativ. Sot për vendin tonë është imperative edukimi dhe aftësimi i njerëzve të saj, në të kundërtën, për deri sa nuk dimë e nuk mundemi ti përshtatemi kërkesave ekzluzive të biznesit do të mbesim bashkë me ju në Limbo; përjetësisht. Sot është imperative që mobilizimi mbarëshoqëror e pse jo edhe progresi i barabartë social të arrihet nëpërmjet bizneseve dhe motiveve të tyre që domosdoshmërisht bëhen interesa tona. Koha kur shteti ndërton fabrika, termocentrale, vetëshërbime është kohë e shkuar. Koha kur biznesi bën një gjë të tillë na ka ikur kaherë dhe bëjmë mirë që di jepemi pas. Koha është që krenaria e tepruar ndaj objekteve betonuese të një ere fatmirësisht të harruar, të transformohet në krenari për një biznes privat, për një shoqëri aksionare që krijon vende të reja të punën në vazhdimësi. Koha është të besojmë në të gjitha iniciativat private qofshin ato me vetëm një ndërmarrës apo me mijëra sosh. Është koha kur ju dhe ëndrrat tuaja utopike të hapen ndaj realiteti të ri, kur ju dhe popullizmi social të ndaheni përfundimisht. Jo që kjo bën ndonjë pengesë për pjesën tjetër të botës që ka gjetur progresin dhe me këtë kualitetin më të mirë të jetës. Në fund të fundit dallimi nga ne dhe ju është pikërisht në atë se ne besojmë në lirinë e zgjedhjes e shprehjes, lirinë e të pasurit dhe pronës dhe kjo liri ju jep juve të drejtë të mendoni e shprehni çfarëdo që ju bie në mend. Por mbetja në këtë Limbo merr në qafë ata të pashpresit e të pamësuarit mbi nevojën e një shteti që prosperitetin e tij e ndërton mbi themelet e pronës private, të cilët nga mjerimi ekstrem ju vihen pas. Është koha që zhvillimi të vendoset tek njerëzit dhe të bëhet nga njerëzit.
Në fund fare, nuk di sa e kuptoni patetizmin e dyshimeve tuaja ndaj pronës private. Kujtoni se këtë mendim timin po e lexoni nga një zbulim i shtyrë nga prona private, se mesiguri përgjigjja juaj do të vijë nga një mjet tjetër prapë i ofruar botës nga një pronë private, se vetura, shtëpia, zyra, e kafeneja ku ju pini kafen tuaj të preferuar janë të gjitha një pronë private, pjesë të një sistemi privat që ka avancuar sojin tonë në shkallët më të larta të ameniteti shoqëror. Dhe ju prapë keni dyshime mbi pronën private?! Jeni të ngecur në Limbo.

Botuar në Zëri, 26 Nëntor 2010

No comments: