Monday, 27 December 2010

Në vend të kartolinës 2011: Ngecje në retrospektivë

Vitin e kaluar kisha shkruar se si fundvitet kosovare gjithnjë e më shumë po marrin një pamje të njëjtë. Para pushimeve të stërzgjatura qeveritare, ministrat dhe bashkëpunëtorët e tyre kostum blu e gri mblidheshin për të mbajtur konferenca e kokteje vjetore në sallat e zyret e posapromovuara me ngjyra ende të pa thara mirë. Qeshjet e tyre gojë më gojë dhe rrahjet e krahëve të njëri tjetrit shoqëronin sukseset që askush tjetër si kishte parë. Jepnin këta ministra tregues mahnitës, zhvillimorë, prosperues, e inkurajues.  Jashtë këtyre sallave shkëlqyese, çdo i  dyti bashkëkombës i tyre jetonte i papunë, çdo i treti në varfëri, çdo i katërti në varfëri të skajshme e çdo i pesti preferonte ikjen nga vendi.

Këtë vit them se vetëlavdërimet i ka marrë dheu. Ministrat dhe bashkëpunëtorët e tyre s’duken askund. Në retrospektivë viti 2010 duket ngujues në çdo tregues ekonomik. Në fillim të vitit me pompozitet u proklamua rritje ekonomike prej 7%, shitje e ndërmarrjeve publike, ndërtimi i termocentraleve të reja, rritje e investimeve kapitale, rritje e pagave, ulje e papunësisë, zbutje e varfërisë, luftim i informalitetit dhe evazionit fiskal, reciprocitet ndaj shkelësve të tregtisë së lirë dhe më e rëndësishmja luftë ndaj korrupsionit. Një vit më pas ne mbetemi në të njëjtin stad zhvillues, në të njëjtat parametra ekonomik, në mos më keq.

Një vit më pas rritja jonë ekonomike nuk kalon 4.6%, me një shpërndarje tmerrësisht destruktive për ambientin biznesor dhe rrjedhimisht krijimin e vendeve të reja të punës. Në vend të kësaj, stimulohen bizneset fantome të lidhura ngushtë me grupe të interesit në kurriz të reproduktimit logjik ekonomik. Pothuajse çdo euro e shpenzuar nga sektori publik humbet pa prodhuar ndonjë impakt multiplikatorial. Ajo euro fshehët, shpërlahet dhe largohet nga vendi duke tharë e rrënuar atë pak shpresë tonën për rimëkëmbje. Për më tepër, Raporti i Progresit me ashpërsi kritikon modelin ekonomik të mbështetur tërësisht në shpenzime publike, duke na kujtuar kështu se ne kemi një ekonomi steroidesh. Në momentin e parë që ne ndalim përdorimin e tyre neve do të na humben ato pak muskuj që kemi ndërtuar. Një rritje ekonomike e fryrë nga shpenzimet qeveritare është më tepër një iluzion për një arsye shumë të thjeshtë: ato eventualisht do të bien.
Koha Ditore 28.12.10

Një vit më pas ndërmarrjet publike kaluan nëpër një proces vetë-zhvlerësues pas skandaleve të njëpasnjëshme politike dhe anti-ekonomike. Në privatizimin e telekomit nacional ne trembën investitorët ashtu të pakët, i vumë hartës tonë një kryq të zi dhe kërkuam me plot mburrje vetëm një të shtatën e asaj se çfarë fqinji ynë verior kërkon për vetëm gjysmën e ndërmarrjes së tyre. Pritjet tona u shtynë nga nevoja për të larë borxhe të krijuara nga nisjet kapitale të pamenduara mirë. Në anën tjetër, termocentralet e reja nuk u përmendën asnjëherë pas ndjekjes së investitorëve mjaft serioz perëndimore dhe pritjes së disa anonimusëve nga Kina e Pakistani. E kur jemi tek investimet e huaja, ne u ranguam në vendin e 173 në mbrojtjen e tyre, nga vendi 172 sa ishim një vit më parë. Haiti me gjithë tërmetet, vërshimet, zjarret e krizat sociale kishte kaluar vendin tonë “evropian”.  

Një vit më pas investimet kapitale u sferuan me një autostradë që koston nuk ja di askush. Prej kur 30% e GDP-së vjetore të vendit tim bëhet subjekt i kontratave biznesore? Sa irracionale duket lidhja e obligimeve multivjetore nën petkun e sekreteve biznesore në kurriz të taksave dhe interesave të qytetarëve. Këtu s’mbaron paradoksi. Në marrëveshjen e shpejtë dhe të njëanshme (natyrisht jo nga ana jonë) me Fondin Monetar Ndërkombëtar u premtua nga nënshkruesit e saj, Qeveria jonë, se do të shiten asetet publike për të financuar këtë investim kapital. Kundërshtimet e një fakti të tillë duken patetike sidomos kur kjo marrëveshje është tërësisht publike në ueb-faqen e FMN-së. Kuptojë nevojën patriotike e ndoshta edhe ekonomike të konstruktimit të rrugës gjithë shqiptare. Një hap ëndërror për kombin tonë dhe nevojën e lidhshmërisë ekonomike më në fund me një vend mik tonin. Por nuk kuptoj rrezikshmërinë e të gjitha aseteve nacionale për një projekt të vetëm. Nuk kuptoj humbjen në një aset për të fituar në një tjetër. Ka pasur dhe ka ende alternativa shumë më atraktive financuese që nuk u përmendën e shqyrtuan asnjëherë nga projektuesit ekonomik tanë.  

Një vit më pas pagat u rritën dhe u premtuan të rriteshin në dy raste. E para pas protestave dhe skandaleve në administratë publike që rrjedhimisht një marrëveshje të rreptë me FMN. Aty treguam se zgjidhjet buxhetore bëhen pa asnjë planifikim të mirëfilltë, se përkundër mundësive për rritje të pagave ne nuk kishim bërë gjë pa një protestë dhe një kosto të kohës. Kjo natyrshëm kishte irrituar supervizorët e FMN-së që kushtëzuan kornizën shpenzuese të buxheteve, kërkuan stagnim në çdo rritje pa rritje fillimisht të të hyrave, dhe përfundimisht kishin prerë investimet kapitale në mbarë vendin. Rasti i dytë është gjatë fushatës zgjedhore. Në një stil të përzier vendim versus premtim, u shty, u kamuflua dhe u servua një rritje e pagave diku në zyre partiake, diku në rrugë e diku në mbledhje qeveritare, por asnjëherë në parlament, aty ku e ka vendin. Kjo sigurisht do të zgjojë “njerëzit në të zi” të FMN-së që me padurim presin institucionet e reja për ti dhënë lajmin e bllokimeve të ndihmave financiare aq të nevojshme për ekonominë tonë.

Një vit më pas, standardi i jetesës mbet ekzaktësisht i njëjtë, madje disa tregues vetëm sa u përkeqësuan. Papunësia u rrit me 40.000 vende të humbura të punës, varfëria preku më shumë familjet tona me rritje të njëpasnjëshme të çmimeve në produkte më bazike ndërkaq paga mesatare mbeti e pandryshuar. Kjo domosdoshmërisht ju dha kosovarëve fuqi më të ulët blerëse; i bëri më të varfër.

Një vit më pas lufta ndaj informalitetit dhe evazionit u përmbyll me një projekt të kontestueshëm, atë të arkave fiskale që përveç se pasuroj shpejtë dhe mirë dy kompani, krijoj edhe një treg duopolistik. Ekonomia më informale në Evropë vendosi të luftojë informalitetin dhe evazionin me disa makina të thjeshta e pa ndonjë supervisim nga mbledhësit tatimor. Ishte një nënçmim i qëllimshëm i sfidës së ekonomisë gri. Për të mos mjaftuar kjo, ne nuk mbajtëm as një mbledhje të vetme Qeveritare për të diskutuar të paktën vendosjen e rregullit dhe kontrollit ekonomik në 17% të territorit administrues e shtetëror, burim i pashtershëm i informalitetit.

E fundit, por shumë më e rëndësishme lufta ndaj korrupcionit i ngjau gjithëçkaje përves luftës. Tenderët njëburimorë ndonëse u zvogëluan ‘simbolikisht’ nga 190 milion në 160 milion vazhdojnë të jenë prodhues të fenomeneve korruptive. Krahas kësaj, aktivitetet qeveritare anti korruptuese zënin vend vetëm në media e asesi në trupin e tyre. Nuk dua të kursej as EULEX që u tregua mjaft politik sa herë që gjendej para presioneve stabilizuese. I gjithë ky bilanc i dha vendit një kroshe në garën rajonale për promovim ekonomik, ndërkaq vonesat e gjetjeve nuk prodhuan asnjë satisfakcion post-goditës. Mbetëm humbës në imazh, humbës në rezultat. Është tërësisht absurde se si çdo njëri jashtë Qeverisë, EULEX e hetuesisë di gjithçka për “20%” e askush brenda saj nuk ka dëgjuar e parë asgjë rreth saj.

Një vit më pas ne do të dëgjojmë premtimet e njëjta për ndërmarrjet publike të njëjta, për investimet e njëjta, për pagat e njëjta, për treguesit e njëjtë nga sallat e njejta. Gjithçka do të jetë e njëjtë, e me këtë fatkeqësisht edhe kualiteti i jetesës sonë. Një vit shkoi huq. Gëzuar 2011.

No comments: