Thursday, 9 March 2017

MBI TRANSFORMIMIN NË USHTRI

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 MARS 2017

Kosova natyrisht se duhet të lëvizë gurët e vet, vet. Pra pa pritur shumë. Kosova duhet të sillet si e pjekur, të jetë proaktive e jo reaktive. Dhe proaktivitet është inicimi i bërjes së ushtrisë; të sjelljes së agjendës sonë në tavolinë. Po që e tillë, e sinqertë dhe pa hile kalkuluese, natyrisht.


-1-

Bërja eventuale, përfundimisht, e ushtrisë, do të ishte lajmi më i mirë në kohë shumë. Ushtria, si akt e si formë, do të plotësonte një pjesë të rëndësishme të bërjes së shtetësisë sonë. Në fakt, do të përbënte atë më të rëndësishmen, të sigurisë e ruajtjes së sovranitetit tonë.

Plotësimi i shtetësisë, natyrisht, do të duhej të shihej dhe nga partnerët ndërkombëtarë si akti i domosdoshëm. Mbi të gjitha, si akt jo i negociueshëm me kundërshtarët e shtetësisë sonë. E në negocim, për tri vitet e fundit, partnerët ndërkombëtarë kanë kaluar kohë. Ideja e bindjes së Beogradit, për të bindur më pas Listën Serbe në Kosovë, ishte shterur me kohë. Beogradi, si për shumë gjëra të tjera që lidhen me progresivitetin në Kosovë s’ka asnjë interes të negocioj. Nëse ka, do të negociojë për një kosto që tejkalon përfitimet eventuale të shtetësisë. Si, për shembull, bërja e një njësie të veçantë e të pavarur komanduese, me karakter regjional për Veri, brenda formacionit ushtarak të Kosovës; diçka që në thelb ushqen autonominë e separatizmin në Veri.

Këtë javë kosovarët u gjendën përballë një situate të paprecedentë. Komandanti Suprem i Forcave të Kosovës, Presidenti pra, duke anashkaluar secilin kanal qeverisës, secilin ministër e vet Kryeministrin, kishte dorëzuar tek Kryeparlamentari draftin e një ligji për transformim; draft që, nga shumë ekspertë të fushës u quajt dhe amator.

Reagimi i parë ishte i partnerëve të koalicionit, të cilët s’kishin as më të voglën ide se çfarë po ndodhte. Të zënë në mes të përkrahjes dhe mospërkrahjes, herë e përkrahën, herë e kundërshtuan atë. Në fund s’folën gjë. Por folën të tjerët, ndërkombëtarët rend. NATO-ja dhe Departamenti Amerikan i Shtetit, nëpërmjet dy ambasadave në rajon – Kosovë e Serbi – kundërshtuan këtë nismë. Vuqiç tha se qau me lot, kur kuptoj se sa shumë kanë ndryshuar balancat në rajon – në favor të Serbisë e tha. Presidenti ynë, ndërsa, theksoj se kthim prapa s’ka.

-2-

Tri vite më parë transformimi i FSK-së mund të bëhej me kushtetutë. Për këtë, kosovarët duhej të sakrifikonin edhe një mandat të vendeve të rezervuara për komunitetin serb. Në retrospektivë gjërat ndoshta dhe duken të llogaritura keq. Në retrospektivë pakkush do ta ketë menduar regresin politik të minioritetit serb e ardhjen e një Liste Serbe që nëpërmjet mekanizmave kushtetues për mbrojtjen e pakicës, promovon rrënimin e mosndërtimin e Republikës. Në fakt, është pikërisht kjo qasje e tyre që do të bëjë të pakapërcyeshme përplasjen në të ardhmen. Sot, ushtrisë, mund t’i bëjmë dhe kapërcim për ndërtim. Por kapërcim s’mund t’i bëjmë secilit proces tjetër shtetndërtues që kërkon aprovimin minoritar; aprovim që u është dhënë në mirëbesim për ndërtim të Republikës, jo për rrënim të saj.

Plani i dytë gjithnjë ka qenë amandamentimi i ligjit ekzistues, nëpërmjet së cilit do t’i shtoheshin kompetencat mbi sovranitetit forcës aktuale të sigurisë. Pra, propozimi i nisur rishtazi nuk është alien e i panjohur për kosovarët e ndërkombëtarët njëtrajtësisht. Ka qenë, gjithmonë, alternativë.

Ky amandamentim do të bënte gjithë formacionin aktual të FSK-së, në karakter tipik ushtarak – pa që, emri, që ka fare pak rëndësi, s’do të përkonte me karakterin klasik të emërtimit “ushtri”. Jo pak formacione ushtarake botërore – me nam edhe atë – mbajnë emërtime jo konvencionale. Izraeli, për shembull, që ka ndër formacionet më të fuqishme në botë, mbanë emërtimin “Forcat Mbrojtëse të Izraelit”. Kur jemi te emri, s’kam se si të mos rikujtojë axhaminë e politikëbërjes provinciale tonë. Vite më parë kur ishte paraqitur ideja e emërtimit ”Forcat e Armatosura të Kosovës”, kritika më e madhe – madje edhe nga komandantë e gjeneralë tanë, që natyrisht do të duhej t’i dinin këto gjëra si hiçgjë – nuk ndërlidhej me karakterin e forcave, por me idenë se ky formacion se ka emrin “Ushtri”, Ushtri e Kosovës madje kërkonin specifikisth. Kaq dinin të shkretit. S’dinin të shkretit se sot, pothuajse të gjitha forcat e vendeve të NATO-s, përfshirë dhe ato të SHBA-së e Britanisë, mbajnë emrin jo “Ushtri” por “Forca të Armatosura”. Për këtë kisha shkruar gjerësisht – në kohën e diskutimeve – vite më parë në këtë rubrikë.

Sidoqoftë, emri, s’ka hiç rëndësi. Rëndësi kanë dy gjëra. E para, bërja e saj, e dyta, mbajtja e saj. Ndonëse bërja e saj ka konsumuar kohë të paarsyeshme e pashpjegueshme tash e nëntë vjet pas shpalljes së pavarësisë, përfundimi i aktit do të hapte betejën e mbajtjes së saj. Mbajtja e ushtrisë është e kushtueshme. Kërkon mjete financiare buxhetore, që Kosova s’i ka; dhe mbi të gjitha, kërkon partneritet ndërkombëtar me forcat garantuese të sigurisë rajonale – me SHBA-në dhe NATO-n në plan të parë.       

Dhe këtu vjen, gjithmonë, domosdoshmëria e koordinimit ndërkombëtar gjatë fazës transformuese. Secili transformim, pa mbështetje të aleatëve tanë kyç, rrezikon në thelb funksionimin e secilit mekanizëm mbrojtës tonin.

-3-

Transformimi pa ndryshime kushtetuese, ka qenë gjithnjë në agjendë të aleatëve kyç të Kosovës. Jo patjetër të NATO-s. Për shkak të vendeve jo njohëse të Kosovës, NATO-ja në vazhdimësi ka refuzuar ndryshimin e mandatit të FSK-së. Madje, ka kërcënuar se secili ndryshim do të pasonte me ndërprerje të programeve mbështetëse për FSK-në. Si alternativë e një mbështetje të tillë, në agjendën e shteteve sponzorizuese të ndryshimit, ka qenë gjithmonë ndërtimi i relacioneve bilaterale me shtetet individuale.

Pra, sjellja e NATO-s ka qenë e pritshme. E papritshme, dhe madje skandaloze, ka qenë dhe deklarata e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Soltenberg, i cili u bënte thirrje “autoriteteve të Kosovës që për këtë çështje të jenë në kontakt të ngushtë me Beogradin”. Një qëndrim i tillë, nga një Sekretari i Aleancës, s’përkon me asnjë qëndrim të asnjë vendi që ka njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Diskutimi i çështjes së ushtrisë me Beogradin është ekuivalent me diskutimin e shtetësisë sonë me ta – të vet pavarësisë. Rrjedhimisht absurd.

E papritshme është, gjithsesi, qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit. Dhe këtu gjërat fillojnë të komplikohen. Nëse nisma e kosovarëve është bërë pa pëlqimin amerikan; dhe nëse kjo nismë rezulton më ndërprerjen e mbështetjes amerikane për forcat e ardhshme, atëherë llogaritja jonë është e bërë tmerrësisht keq. Sepse, pa një mbështetje të tillë, forca e re e krijuar do të jetë krejt e pavlerë.

Kjo s’do të thotë që Kosova duhet pritur përherë rendet e jashtme për të bërë një element thelbësor si ushtria. Shihni ku na sjellin rendet e jashtme, sikurse kjo deklarata e tmerrshme e Sekretarit të NATO-s për koordinim me Beogradin për ushtrinë. Kosova natyrisht se duhet të lëvizë gurët e vet, vet. Pra pa pritur shumë. Kosova duhet të sillet si e pjekur, të jetë proaktive e jo reaktive. Dhe proaktivitet është iniciimi i bërjes së ushtrisë; të sjelljes së agjendës sonë në tavolinë. Po që e tillë, natyrisht.

-4-

Po qe e tillë, natyrisht, e jo hile politike, e njerëzve që për arsye vetanake janë në gjetje e të gatshëm të rrezikojnë gjithë fatin e vendit tonë.

Nëse ky proces është bërë për të ngritur popullizëm e ndarje me partnerin qeverisës, për të bërë pra një aset për zgjedhje, atëherë ne kemi futur asetin tonë më të çmueshëm në zare partiake. Diçka e pafalshme për ne. Kosova nuk e ka luksin e konfrontimit me SHBA-të e NATO-n; përkundrazi, Kosova e ka për domosdoshmëri mirëmbajtjen e kësaj lidhje para Serbisë.

Nëse ky proces është bërë për të ndezur flakë, qoftë për shkak të ndonjë ndjekjeje speciale, të Gjykatës Speciale, qoftë për shkak të agjendave destabilizuese në vend, atëherë jemi edhe më keq. Jemi në fatin e qejfeve të disave, të gjithë bashkë.

Nëse ky proces është bërë në mënyrë amatorsekse, pavarësisht motivit, dhe rrezikon hedhjen e ligjit poshtë nga Kushtetuesja, atëherë kemi djegur përherë letrën alternativë të SHBA-së për formimin e ushtrisë – vet ligjin. Një ligj i hedhur poshtë nga Kushtetuesja, do të mbyllë përherë një derë të lënë çelë.

Prandaj, është e domosdoshme, që elita politike kosovar të sigurohet për dy çështje. E para, për sinqeritetin e vendimmarrësve në këtë moment, dhe e dyta, për nivelin e mbështetjes për këtë çështje që ka; përtej deklaratave publike natyrisht. Ne mund të mbijetojmë pa ndonjë mbështetje programore afatshkurte të NATO-s, në fund të ditës, përderisa kemi në prapavijë sponzorizimin e SHBA-së. Por s’mund të mbijetojmë, në asnjë mënyrë, të vetëm e pa asnjërën. Do të ishte vetëvrasje.

Komuniteti ndërkombëtar, duhet përfundimisht të ofrojë një rrugë të qartë. Kosova mund dhe të presë shkurtë pjesëmarrjen serbe në këtë rrugëtim, por s’mund të presë e të tolerojë në pafundësi refuzimin e qartë e publik të serbëve në Kosovë. Në një situatë të tillë, s’mund të ketë anim nga refuzuesit e shtetësisë. Nëse pritja është e pafundme, atëherë kosovarët s’kanë për të pritur pafundësisht.



1 comment:

Anonymous said...

Bimët natyrore kanë shëruar kaq shumë sëmundje sa ilaçet dhe injeksionet nuk mund të shërojnë. Unë kam parë rëndësinë e madhe të bimëve natyrore dhe punën e mrekullueshme që ata kanë bërë në jetën e njerëzve. Kam lexuar dëshmitë e njerëzve në internet se si janë shëruar nga herpesi, HIV, diabetikët etj nga mjekësia bimore Dr.DAWN, ndaj vendosa të kontaktoj mjekun sepse e di që natyra ka fuqinë të shërojë çdo gjë. Unë u diagnostikova me HIV për 7 vitet e fundit, por Dr. DAWN më shëroi me barërat e tij dhe i referova menjëherë tezen time dhe burrin e saj, sepse ata të dy vuanin nga herpesi dhe u shëruan gjithashtu. E di që është e vështirë të besohet por jam një dëshmi e gjallë. Nuk është e dëmshme të provosh barëra. Ai është gjithashtu një magjistar, ai bën magji për të rivendosur martesat e prishura dhe magji për fat të mirë për të përparuar dhe shkëlqyer në jetë. Kontaktoni me emailin e Dr.DAWN: ( dawnacuna314@gmail.com )
Whatsapp:+2349046229159/
+3550685677099