Monday, 6 February 2017

MBI DIALOGUN E DËSHTUAR

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 3 SHKURT 2017

Në një situatë të re politike, Kosova ka veç dy rrugë përpara. E para, të unifikojë zërin e brendshëm në tërësi, nëpërmjet ndërtimit të një ekipi të ri uniteti. Dhe e dyta, nëpërmjet nisjes së takimeve individuale me shtetet sponzorizuese të projektit tonë.


-1-

“Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të kërkojë nga Prishtina çfarëdo që Prishtina të kërkojë nga Beogradi – përfshire dhe pavarësinë”, ishte deklarata e parë e Presidentit serb Nikoliq në vijimësi të dialogut Prishtinë-Beograd të zhvilluar këtë javë në Bruksel. Në pak rreshta qëndrim, Nikoliq po shpërfaqtë gjithë thelbin e asociacionit në fjalë; gjithë intencën e procesit dialogues nga ana e Serbisë – ndarjen e Kosovës pra.

Jo se vjen si risi. Vjen veçse si rikonfirmim i dështimit të procesit dialogues në tërësi. Ky dështim u rikonfirmua dhe nga vet palët në raundin e fundit. Pas katër viteve takime e përpjekjeve për afrim, Serbia ndodhet më larg se kurrë në secilin relacion me Kosovën.

Ky relacion nuk do të përmirësohet as me lidhje të çuditshme telefonike në mes të niveleve të përziera President-Kryeministër, as me darka e takime të tensionuara. Relacioni do të përmirësohej vetëm me një presion ndërkombëtar ndaj Serbisë nga ndërmjetësuesit e relacioneve. Ndërmjetësuesit, ndërsa, janë të lodhur e të pafuqishëm për të vënë presion; rrjedhimisht dhe të paaftë për të shtyrë përpara çështjet teknike e jostatutore rreth Kosovës. Çështjet statutore as që duhej të ishin pjesë e ndonjë tryeze ku ka kosovarë e sponzorizues të Kosovës.

Në një situatë të re politike, Kosova ka veç dy rrugë përpara. E para, të unifikojë zërin e brendshëm në tërësi, nëpërmjet ndërtimit të një ekipi të ri uniteti. Dhe e dyta, nëpërmjet nisjes së takimeve individuale me shtetet sponzorizuese të projektit tonë. Në vijën e parë, do të refuzonte secilën intencë për asociacion me të drejta separatiste – qëllimi i së cilit u bë veçse publik. Për këtë ka dhe bazë të gjërë kushtetuese në interpretimin e Gjykatës Kushtetuese. Në të dytën, do të bënte përpjekje për krijimin e një ambienti të sigurt rreth sovranitetit tonë, duke riaktualiziuar partneritetet që i ka. Deri më tani, as unifikimi e as proceset takuese nuk kanë nisë. Kosova ndodhet në pritje; s’paraprinë. Tipike për të.

-2-

Në të vërtetë, parapritja ka qenë dhe kritika thelbësore disa vjeçare e procesit dialogues. Pikërisht për shkak se në të pala jonë ka qenë e papërgatitur, pa platformë e pa prioretizim të diskutimit të temave që kërkonin zgjidhje, pse përfitimet tona nga i gjithë procesi janë insignifikante pas gjithë këtyre viteve konsumimi.

Dialogu mund të mos ketë alternativë, por altenrativë ka gjithça tjetër përbrenda idesë dialoguese. Nga përbërja deri tek temat e shtruara; nga kompromiset deri tek trysnia; nga kërkesat deri tek refuzimet. Alternativë ka dhe kontestimi i idesë se afrimi Kosovë Serbi duhet të nisë nga afrimi i temave të vogla, për të marrë afrimin në temën e madhe – në njohje pra.

Siç dhe shihet përfundimisht, tema e madhe, e njohjes sonë, është po aq e refuzuar edhe katër vite më pas. Veçse, në gjithë këtë kohë, ne kemi mbajtur qytetarët e Kosovës të konsumuar me brengat ndër-etnike; kemi rritur tensionin në mes të bashkë-qytetarëve tanë, serb e shqiptarë pa dallim; dhe si përfundim kemi arritur në kërcënime lufte e intervenime ushtarake.

Fshehja e kërkesës përfundimtare të njohjes, në detaje të vogla teknike e politike nuk ka dhënë rezultat. Bashkësia ndërkombëtare nuk ka arritur të kuptojë pandryshueshmërinë e Serbisë. Nuk ka arritur të kuptojë se prapa një participimi dialogues ndodhet një agjendë e tërë kontestuese e shtetësisë së Kosovës; rrjedhimisht i gjithë participimi i tyre dialogues nuk bëhej për të zbutur qëndrimin ndaj Kosovës, por për të forcuar atë. Në pritje si këto marrëveshja ka qenë gjithmonë e pamundur.

-3-

Por këtë fakt duhet ta kenë ditur liderët tanë. Të njëjtit që katër vite rresht refuzojnë kritikuesit e dialogut, që vazhdojnë me standarde shabllone e joorigjinale për vendin tonë. Që takimet e Brukselit nuk i kanë për të afruar vendin tonë diku, por veten në sy të diplomatëve shpeshëherë dhe jo fort të rëndësishëm e kalimtarë. Këtë gjë, këta liderë duhet ta shohin dhe sot.

Pra, sado keq që është, s’është vonë. Rruga jonë përpara në konsolidimin e shtetësisë është bërë e vështirë. Një lodhje evropiane, një paqartësi amerikane, një rritje ruse, s’ka se si të mos prekë e rritë tensionet këndej. Por, pavarësisht të gjitha, rruga jonë është shumë më e favorshme se sa para pavarësisë. Ne kemi institucione tona, të përkrahura nga kryeqendra të rëndësishme, me të drejtë të plotë për ushtrim të sovranitetit. Këtë sovranitet duhet shtruar edhe tek muri në Mitrovicë, edhe tek demilitarizimi në Veri. Pra duhet të veprojmë, jo të presim veprim.

Jo nëpërmjet aksioneve që ngjallin përplasje me akterët ndëkrombëtarë, por nëpërmjet koordinimit me ta. Qëndrimi zyrtar i NATO-s, dhe së fundmi i Sekretarit të Mbrojtjes në administratën e re amerikane, japin qartësi e garanca të forta mbi të drejtën tonë mbi forcën dhe sovranitetin. Këtë garancë duhet ta shfrytëzojmë.

Për ushtrim të saj, natyrshëm na duhet unitet. Na duhet pajtim. Për forca mbrojtëse, na duhet pajtim. Për blerje të reja, na duhet pajtim. Për aleanca më të fuqishme na duhet pajtim. Sado utopike që pajtimi duket, është i paalternativë. Në këto kohë, përplasja nëmes vete do të ishte goditja e fundit në shtetësinë tonë.



No comments: