Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 SHKURT 2017
Kemi humbur tri vjet, po e humbim dhe të katërtin në tema të mëdha që
s’përmirësojnë as vendet e punës për ne, as kujdesin shëndetësor në vend, as
shkollat e fëmijëve tanë që ende recitojnë përmendsh. Dhe përderisa humbim
kohë, një muri shumë më i madh, shumë më i gjerë, shumë më i rëndë, vazhdon të
qëndrojë përpara nesh. Muri i lëvizjes së lirë sot është rreth Kosovës
gjithandej.
-1-
Tashmë është më se evidente se serbët e veriut të Kosovës
po insistojnë në ndarjen e qytetit të tyre – me çdo kusht – nga pjesa tjetër
jugore. Thënë më saktë, serbët e atjeshëm po mbajnë gjallë ndarjen e nisur qysh
nga viti 1999. Ndarja kishte nisur fillimisht nëpërmjet ushtarëve të trupave paqeruajtëse
të vënë saktësisht mbi urë. Kur ushtarët u hoqën, serbët lokal vendosën
barrikada prej dheu. Kur një mbrëmje barrikadat u larguan, mëngjesi na gjeti me
park paqeje mu mbi urë. Kur parku u hoq e ura u rinovua, u ndërtua një muri.
Kur muri u rrëzua, nisi ndërtimi i një sheshi. Pra në 17 vite kohë ka ndryshuar
vetëm ligjshmëria e mbylljes dhe ndarjes. Ndarja është bërë më e ligjshme, më e
sofistikuar, më e bukur në mes të shëmtisë. Megjithatë, ajo mbetet ndarje.
Bërja e sheshit – pas murit të paligjshëm, parkut absurd,
e barrikadave prej dheut – është punë e ligjshme. Autoritetet lokale atje, kanë
secilën të drejtë ligjore të vendosin mbi sheshet e tyre; njëjtë siç, le të
themi, ka Prishtina të drejtën e mbylljen e rrugës qendrore për krijim shëtitoreje
e sheshi. Në vija argumentuese si këto, vështirë mund të kundër argumentohet.
Por ama, ligjshmëria e akteve të tyre s’e zbutë qëllimin
e ndarjes. Dhe mu në një model të tillë rrumbullakohet i gjithë ndikimi që
komuniteti pakicë serb ka sot mbi Kosovën. Duke shfrytëzuar privilegjet ligjore
që iu jep shteti i Kosovës, të njëjtit refuzojnë të punojnë për shtetin e Kosovës.
Duke zgjedhur përparësitë e injoruar obligimet shtetformuese, të njëjtit bëjnë
politike kundër shtetforumuese; herë me ndarje, herë me provokime, herë me
bllokime. Sikur shteti është meny prej ushqimi nga e cila zgjedhë pjata për
qejfi; refuzon ato që s’ti ka ënda.
-2-
Në këtë qasje të tyre ndodhet edhe kërkesa për
asociacion. Nga kërcënimi për bërje të tij, deri tek qëllimi përfundimtar i
pasjes së tij. Pra, sot, s’kërkohet asociacioni për të avancuar pozitën e
komunitetit pakicë në vend, por kërkohet për të penguar konsolidimin e Kosovës
si shtet.
Në po të njëjtën frymë e në po të njëjtin stil menaxhohet
dhe çështja e formimit të ushtrisë së Kosovës. Serbët lokal shfrytëzojnë
mekanizmat kushtetues të shumicës minoritare, për të bllokuar formësimin e plotë
të shtetit tonë nëpërmjet themelimit të ushtrisë. Pra bëjnë lojë me dy
standarde. Zgjedhin të drejta, për të ushtruar ndikime të padrejta ndaj shtetit
që u jep këto të drejta.
Përballë një politike të tillë, mbetet fare e parëndësishme
dërgimi i dy-tre zyrtarëve doganorë në veri, apo pjesëmarrja në zgjedhje
parlamentare e nacionale. Është misioni destruktiv që fshihet përtej shfaqjeve
si këto, çfarë njëmend ka rëndësi. Dhe një model i tillë, fatkeqësisht, s’ka për
të qenë i qëndrueshëm as për ta e as për të tjerët në Kosovë. Një model i tillë
ka për të ndarë dhe më shumë – në vija etnike – shqiptarët dhe serbët në Kosovë.
Shqiptarët e Kosovës kanë secilin interes të bashkëjetojnë
mirë me serbët lokal; bashkëqytetarët e tyre. Konfliktet ndëretnike primitive
janë gjëja e fundit që na duhet si shoqëri. Por komuniteti ndërkombëtarë s’ka
të drejtë të kërkojë nga ne më shumë. Shqiptarët e Kosovës, megjithatë, kanë
hequr dorë shumë nga të drejtat e shumicës. Kanë bërë një shtet në dizajn për të
gjithë; një Kushtetutë me të drejta minoritare më shumë se secila kushtetutë e
secilit vend tjetër në rajon e më shumë; kanë ofruar dhe liri të shprehjes,
gjuhës zyrtare e pozitave të privilegjuara publike. Në kthim po marrin
provokim, si një urë e një mur, një refuzim për ushtri, e një mbledhje
qeveritare në Beograd dhe jo Prishtinë. Është koha që serbët lokal të shtyhen
drejt pranimit të bashkëjetesës këndej.
-3-
Këtë shtyrje mund ta bëjë vetëm bashkësia ndërkombëtare
vendimmarrëse në rajon; e njëjta që ka rrugën e Serbisë drejt BE-së në dorë.
Ajo duhet të ndalojë përfundimisht ndikimin e Serbisë këndej. Serbia po bëhet
pengesë shoqërore e jona sa herë e njëjta e do këtë. Ajo po arrin me pak
provokim të mbajë një vend e një popull të tërë në ankth; të zënë në diskutime
konsumuese e përçarëse. Herë me një tren, herë me një muri. Dhe jo pak nga
politikëbërësit tanë po kërkojnë një provokim të tillë. Në të njëjtin ata
shesin kartën e vetëm që kanë – pasigurinë.
Komuniteti ndërkombëtar duhet të kuptojë se parandalimi i
Serbisë dhe provokimeve të saja, do të çlirojë qytetarët shumicë – shqiptarët,
të cilët kanë kohë që merren krejt me tema të mëdha. E është e kotë, e padobishme
– çmenduri – të merremi një vend i tanë me një mur. Siç ka qenë e padobishme të
kalojmë gjithë kohën në 2014-ën me bllokadë institucionale; gjithë 2015-ën me
asociacion; e gjithë 2016-ën me demarkacion. Kemi humbur tri vjet, po e humbim
dhe të katërtin në tema të mëdha që s’përmirësojnë as vendet e punës për ne, as
kujdesin shëndetësor në vend, as shkollat e fëmijëve tanë që ende recitojnë përmendsh.
Pra komuniteti ndërkombëtar duhet të parandalojë
ndërtimin e mureve të tjera nga Serbia; qoftë nëpërmjet asociacionit
jokushtetues qoftë nëpërmjet refuzimit të bërjes së ushtrisë; qoftë nëpërmjet
mosnjohjes së Kosovës si shtet nga shfrytëzuesit e privilegjeve të shtetit.
Mbi të gjitha, komuniteti ndërkombëtarë duhet të heqë dhe
murin e vet. Një mur shumë më i madh, shumë më i gjerë, shumë më i rëndë,
vazhdon të qëndrojë përpara nesh. Muri i lëvizjes së lirë sot është rreth
Kosovës gjithandej. Qytetarët tanë vazhdojnë të shfaqen para rendeve të gjata nëpër
ambasada. Vazhdojnë të humbin mundësitë për një jetë më të mirë, për studime,
bërje biznes, për lëvizje. Ky është problemi jonë njëmend. Ky është muri që
duhet thyer sa më shpejtë.
No comments:
Post a Comment