Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 SHKURT 2017
Pse muaji maj i këtij viti mund të jetë muaj zgjedhor
-1-
Nëse e drejta e spekulimit vjen
me kënaqësinë e shëtitjes nëpër imagjinatë, sado që kjo imagjinatë s’ka fije
lidhje me probabilitetet politike që ndodhin rëndom nëpër botë, atëherë,
spekulimi im do të rrëshqiste në zgjedhje; të parakohshme. Në maj më saktësisht.
Këtë maj. Këtë vit.
E shihni, koalicioni jonatyral i
ndërtuar dy vite më parë s’ka rreth vete forcat e jashtme që i shtynë palët në
jonatyralitet. Thënë saktësisht, LDK-në në konsumim të tërësishëm; PDK-në, ndërsa,
në shpëtim. Do të kthehem më vonë tek ky shpëtim.
Këto forca, të jashtme, s’janë më
për disa arsye. E para, më e rëndësishmja, sepse kanë gajle e hesape të
brendshme. Bashkimi Evropian, dy vite më pas, përveç se është i ndarë e përçarë,
është dhe në periudhë zgjedhjeje. Ato në Francë fillimisht, e në Gjermani përfundimisht,
do të përcaktojnë dhe fatin e betejës së mendimeve iliberale me ato liberale.
Dhe, derisa beteja e mbijetesës së Perëndimit të merr formë – nga nisja deri në
përfundim – brenga për Kosovë e Ballkan do të mbetet veçse periferike.
E dyta, dhe jo më pak e rëndësishme,
për politikën ndërkombëtare, që, në radhë të parë, gjendet në status-quo,
ngjarjet në Ballkan, anipse periferike, duhet të kenë një akordim të plotë.
Akordimi i plotë, sipas të gjitha gjasave, do të nënkuptojë vazhdimin e
bisedimeve Kosovë-Serbi, deri në nënshkrimin e një marrëveshjeje mirëkuptimi. Por
në dritë të akordimit, zgjedhjet Presidenciale në Serbi përkthehen në pauzim të
procesit dialogues me Kosovë. Mbajtja e zgjedhjeve nacionale në Kosovë, vitin në
vijim, do të nënkuptonte pauzim dhe për një vit shtesë të dialogut – gjithsejtë
pra dy. Rrjedhimisht, forcat akorduese të rajonit s’kanë asnjë motiv të shtyjnë
për dy vite një proces, që për ta, dhe shumëkë, mbetet i pa alternativë.
-2-
Mungesa e forcave detyruese për
moszgjedhje ndryshon gjithë llogaritjet në Kosovë. Ta mendojmë për pak. Përgjatë
dy viteve të fundit, PDK ka qenë në rikonsolidim e sipër. Ka kaluar nëpër një
proces transformues, ka ndryshuar lidership, ka konsoliduar këtë lidership.
Zgjedhjet lokale në Drenas, njëkohësisht, kanë treguar dhe pritjen e përgjithshme
këndej, se lidershipi i ri ka vështirësi të rikuperojë pozicionin e vjetër të
partisë. Megjithatë, në secilën matje e në secilën llogari, PDK mbetet partia e
parë në vend. Ajo nuk kalon një të tretën e votave siç kishte kaluar dikur,
megjithatë rrumbullakohet sot, lehtë, pa fushatë, në një të katërtën e tyre.
Transformimi e konsolidimi i
lidershipit është punë e mbaruar tani. Ka qenë i mbaruar dhe vjet. E pambaruar
s’ka qenë, megjithatë, kërkesa ndërkombëtare për vazhdimësi; kërkesë që tani, siç
provova të argumentoj më sipër s’është më.
Për një PDK të parë dhe me fuqi,
vazhdimi i koalicionit të tanishëm ka qenë mundim. Mos ta keqkuptojmë, ky
koalicion ka qenë fillimisht për ta shpëtim. Shpëtim sepse nga një pozitë e zënë
keq me VLAN, të mbetur vet e pa asnjë mik për bashkëqeveri, ishin kthyer mrekullisht
në lojë – natyrisht me kapje. Me kapje të karriges parlamentare fillimisht, e më
pas dhe të asaj kushtetuese, kishin marrë postin e kryekuvendarit. Kishin
gjetur një shpëtim. Por shpëtimi nuk është gjendja në të cilën partia më e
madhe në vend ka pasur qëllim të qëndrojë përherë. Partia më e madhe në vend ka
pasur për qëllim pozitën më të fuqishme në vend, atë të kryeministrit. Dhe këtë
pozitë e kanë veçse një hap më tej.
-3-
Në një skenar bastvënësi,
PDK do të kthehej nga një pozitë krejtësisht
e humbur në një fron gjithëmarrës; atë të Presidentit e Kryekuvendarit sot, të
Kryeministit nesër. Aftësia manipuluese që PDK bën përballë partive kosovare, në
përmasën që nga hicgjë kthehet me të tri pozitat, është shkollë – e mbrapshtë
natyrisht – për spektrin politik këndej. Për atë bastëvënësin është kalim nga
dyshi në njësh.
Por manovrat politike të PDK-së
nuk bëjnë risi. Risi, pra, në gjithë spekulimin tim, bën pozicioni i tyre sot
dhe motivi për të thirrur zgjedhje. Tre-katër muaj më parë, kur konsolidimi i
tyre kishte marrë udhë, zgjedhjet kishin mundësi formësimi nëpërmjet refuzimit
të buxhetit. Prandaj dhe dilinin zërat e sekondarëve në parlament që kundërshtonin
projekt-buxhetin atëherë. Refuzimi i buxhetit do të nënkuptonte zgjedhje – me
automatizëm. Zërat ishin veçse testues të tolerancës për zgjedhje.
Buxheti s’ishte refuzuar jo sepse
PDK nuk donte zgjedhje, porse, siç dhe thash më sipër disa herë, forcat ndërkombëtari
nuk parashihnin një c’akordim regjional asokohe. Tash çakordimi veçse ka
ndodhur; për t’u akorduar mund të ndodhin – po pat dëshirë e me vullnet të lirë
– edhe zgjedhjet këndej.
Dëshira për zgjedhje në anë të
PDK-së është për disa arsye. E para, sepse janë të parët. Është e natyrshme.
S’kanë asnjë arsye për të qëndruar të dytët. E dyta, dhe jo më pak e rëndësishme,
sepse kanë një Gjykatë Speciale përpara. Secila nisje e punës së prokurorëve
specialë, do të nënkuptonte prekje të bazës votuese të PDK-së. Do të nënkuptonte
humbje. Mbi të gjitha, nisja e punës së Gjykatës Speciale – dhe me të nisja e
arrestimeve të para – do t’i jepte një imazh triumfues partnerit të tanishëm të
koalicionit; diçka që PDK se ka kurrë për dëshirë.
-4-
Secila llogaritje për zgjedhje të
reja e konsolidim, jep rezultat të njëjtë – sa më parë. Për të qenë zgjedhjet
sa më parë, duhet të ketë një arsye. Dhe, arsyeja, me ose pa vetëdije, është në
ardhje e sipër. I thonë demarkacion. Matja e territorit të Kosovës i ka dhënë
rrugë procedimit në parlament. Matja, në anën tjetër, nga një komision jo fort
gjithëpërfshirës e me qëndrime krejtësisht kontraverse si fund, ka dhënë plot arsye
për refuzim.
Dhe, nëse forcat ekuilibruese
rajonale s’kërkojnë nga ne përmbajte nga zgjedhjet; nëse PDK është e
konsoliduar dhe e para në secilën matje e llogaritje në vend; nëse Gjykata
Speciale është në prag e aktakuzat në shkruarje e sipër, atëherë demarkacioni është
gurë shkelës i përkryer për zgjedhje.
Është temë popullsite, e humbur kaherë
në opinion. Është arsye e mjaftueshme për të gjunjëzuar partnerin në koalicion,
këmbëz perfekte për zgjedhje në vend. E tëra çfarë duhet të bëhet është,
sikurse në modelin e buxhetit, mosvotimi në Parlament. Mosvotimi do të nënkuptonte
humbje të legjitimitetit të Qeverisë aktuale. Do të niste një beteje të
brendshme, akuza për paaftasi e mungesë drejtimi – përfundimisht rrëzim të
Qeverisë nga njëri anëtar i Qeverisë. Në një periudhë 45 ditëshe, ndoshta diku
në muajin maj, do të mbaheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme nacionale.
-5-
C’është e vërteta, Kosova ka kohë
që është në status-quo e në fushatë parazgjedhore. Ka kohë që politika
parlamentare është në “auto-pilot mode”; dal ku të dalë. Ka kohë që përplasjet
ndërpartiake brendaqeveritare kanë marrë formë. Ka kohë që, përfundimi i vetëm
natyral do të ishte njëmend zgjedhje. Kur s’ke numrat, kur s’ke energjitë, kur
s’ke përkushtimin, shkon në zgjedhje.
Zgjedhjet e parakohshme mund të
jenë të natyrshme. Të pritshme. Të papritshme ndërsa, do të jenë skenarët ndërpartiak.
Luftat e brendshme që do të nisin në ditën e përplasjes për zgjedhje, do të jenë
histori në vete. Koalicionet parazgjedhore e sjelljet e modelit të “teorisë së
lojrave” e “dilemës së të burgosurit” – në stilin që po shkoj A tek B, C do të
përfundojë tek D; do të bëjnë temën e zgjedhjeve. Do të bëhet gjithçka, shumëçka
ka për të qenë më ndryshe.
Por një gjë do të mbetet, me shumë
gjasa, e njëjtë. Partia më e madhe në vend, do të vazhdojë kapjen e qetë. Jo
sepse ka rritur vota, përkundrazi do të humbë disa, por sepse në modelin përçarës
të partive rivale të saj, ajo do të arrijë të konsumojë secilën, njërën pas
tjetrës, dalëngadalë. Dhe përderisa partitë e tjera të mos e shohin si rival, të
vetmin rival, të vetes, demokracisë kosovare e mirëqenies sonë, do të
konsumohen dhe më shumë; s’do të vlejnë gjë. Do të mbesin herë të dytat, herë të
tretat. Madje, do të gëzohen dhe për këto. Por të parët s’do të dalin kurrë kështu.
E po s’qenë të parët, s’vlejnë për gjë.
Dhe, sado që duket utopike, sado që
duket e largët, zgjidhja e Kosovës ka vetëm një rrugë. Në bërjen e të pabëshmes
dje. Në bashkimin e partive rivale të kapësve në një. E largët? Po. E pamundur?
Jo.
No comments:
Post a Comment