Monday, 31 October 2016

SHFAQJA E FUNDIT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 TETOR 2016

Dhe kështu, shtatëmbëdhjetë vjet më pas, për shkak se klasa jonë politike e korruptuar ka qenë e zënë me krim e jo shtetndërtim, sepse primare ka qenë pasurimi i të vetëve, fëmijëve, motrave, vëllezërve e kushërinjve me akraba, ne kemi lënë kriminelët serb të lirë, pa u përndjekur asnjëherë, dhe kemi përfunduar me trajtimin disproporcional të krimeve në vend.

-1-

I paprecedentë është rasti i organizimit të seancave parlamentare për të diskutuar vendimet e gjyqësorit. Ndërhyrja e njërit pushtet, në tjetrin, në frymë apo dhe me qëndrim deklarativ mbetet praktikë e rëndë për sistemin demokratik tonin – për aq demokraci sa mund të ketë këndej.

Konfirmimi i dënimit për grupin më të rëndësishëm politik brenda PDK-së, atë të Drenicës, duket se ka nisur një përplasje të re brendapartiake. Përplasja duhet të jetë shkaktuar nga besimi i njërës palë se pasja e pushtetit nënkupton dhe paprekshmëri – ose në rastin më të drejtë të mundshëm korrektësi në trajtim – diçka që të dënuarit provojnë se s’kanë pasur në proces; dhe nga qëndrimi i palës tjetër që ka flirtuar me mbështetjen private për të dënuarit por ka abstenuar në secilin qëndrim publik. Deri më sot. Sot ky nivel i reagueshmërisë ngritet në nivel Parlamenti.

Në esencë qëndrimi parlamentar është shfryrje publike – për përkrahje partiake – ndaj gjyqësisë që kanë ndërtuar vet tash e 17 vjet. Në esencë, qëndrimi parlamentar është blof, por i kushtueshëm shumë. Blof sepse nuk ka asnjë mekanizëm demokratik në dorë të Parlamentit që mund të interferojë me një vendim prej gjyqi; i kushtueshëm sepse intenca tregon fukarallëkun demokratik të kapësve këndej.

E as që dua ta paramendojë një situatë, kur një Parlament i një shtetit, do të nxirrte rezolutë e qëndrim që interferon me gjyqësinë. Për aq sa kanë gatishmëri, dije e vullnet të njëjtit, rezoluta s’do të ishte larg mendsh. Për aq sa kanë frikë nga pasojat ndërkombëtare, të rrimë të qetë.

-2-

Politizimi i proceseve gjyqësore do të jetë temë e vazhdueshme në muajt në vijim. Në të vërtetë, me afrimin e Gjykatës Speciale dhe rasteve që e njëjta do të trajtojë Kosova do të përballet me tri reagime.

Në të parën do të jenë përkrahësit militant, shenjtëruesit e gjithçkaje që ka qenë e luftës – të gjithçkaje pra pa përjashtim, absolutizëm hyjnorë - budallaki. Do të akuzojnë kuzhina të ndryshme shërbimesh, do të akuzojnë media e mendues të pavarur, do të kthehen në termat e tradhtarëve e patriotëve e do të përfundojnë me kuzhina sërish. Të njëjtit sot janë ndarë në tabore të ndryshme partiake, përfshirë dhe në rritje madje edhe nacionalistët në opozitë; por në masë të madhe janë të rrumbullakuar rreth PDK-së dhe partive të krahut të luftës. Kapaciteti i tyre për të prodhuar trazira, megjithatë, është minimal. Çështja e arrestimeve të komandantëve nuk ka ngjallur asnjëherë reagueshmëri qytetare; tregues i mjaftueshëm i aversionit që të njëjtit kanë krijuar nëpër kohë.

Por trazira mund të krijojë reaguesit e dytë, politikanët e votuar nga militantët e tillë pra, të njëjtit që në njërën anë janë të painformuar mbi rrjedhat e Gjykatës dhe subjektet që ajo do t’i trajtojë (përfshirë dhe disa nga ta vet); e në anën tjetër të pajisur mjaftueshëm me material negociuues përballë ndërkombëtarëve e faktorëve të tjerë vendimmarrës në Gjykatë. Në ditën e nisjes së arrestimeve, do të fillojë dhe kërcënimi i tyre. Nëpërmjet kërcënimit do të provohet delegjitimimi i funksionit të Gjykatës; i trajtimit të saj si diçka e antiluftës çlirimtare; ani pse me të trajtohen disa individë e jo një organizatë e tërë. Tjetër çka që të njëjtin shohin veten sa gjithë Kosova.

Reagimi i tretë do të jetë ai ndërkombëtar. Tregimet e padëgjuara këndej, herë sepse i kemi konsideruar si të pavërteta e herë sepse njëmend s’kemi besuar se do të ketë të tilla ndonjëherë, do t’i japin Kosovës një faqe të tmerrshme.  

-3-

Në Kosovë, në fund të ditës janë vrarë dhe serb. Familjarë, civil, të pafajshëm – bujq, mësues, ekonomistë, juristë, inxhinierë. Vrasja e tyre, për veçse ishin serb, është animalistike. E barabartë me vrasjet e bëra ndaj nesh. Dhe, sado që të duket joproporcionale trajtimi i krimeve për shqiptarë e serb – dukje plotësisht e drejtë – ato megjithatë do të trajtohen sepse s’janë trajtuar asnjëherë. E trajtimi i tyre sërish në vitin 2017, do të bëjë Kosovën e Evropianëve të rinj vend të horrorit e tmerrit.

Dhe kështu, shtatëmbëdhjetë vjet më pas, për shkak se klasa jonë politike e korruptuar ka qenë e zënë me krim e jo shtetndërtim, sepse primare ka qenë pasurimi i të vetëve, fëmijëve, motrave, vëllezërve e kushërinjve me akraba, ne kemi lënë kriminelët serb të lirë, pa u përndjekur asnjëherë, dhe kemi përfunduar me trajtimin disproporcional të krimeve në vend.

-4-

E zënë nga reagimi i brendshëm dhe nga imazhi i jashtëm, Kosova  e qytetarët e sajë do të përfundojnë në zgjedhje. Zgjedhjet mbesin përfundimi më logjik në gjithë këtë rrjedhë alogjike.

E para, sepse Qeveria – dhe Parlamenti – janë në pozitë të palëvizshmërisë. Çështja e fundit e madhe e trajtuar në vend, në rrethanat e tanishme, do të jetë Trepça. Ligji i Veteranëve, Asociacioni, Demarkacioni kanë gjasën për trajtim sa të një topi bore në ferr. Në një status-quo të tillë, ekzistenca e koalicionit të tanishëm është e pakuptueshme dhe, dorën në zemër, e panevojshme.

E dyta, sepse do të ishte e paimagjinueshme që PDK të lejojë partnerin e saj qeverisës LDK-në, të mbajë pushtet gjatë kohës së arrestimeve të para të Gjykatës Speciale. Fillimisht sepse duan të jenë në pushtet kur kriza të ndodhë njëmend. Më pas sepse “meritat” e funksionalizimit e largimit të bazës së vet nuk do t’i lë tek kundërshtari tradicional i saj. Dhe kështu zgjedhjet e reja, të jashtëzakonshme, karakteristikë për secilin pushtet që nga shpallja e pavarësisë, kthehen si opsion real sot. Në këtë realitet vijnë dhe paralajmërimet e kreut të PDK-së.

Për Kosovën e qytetarët ka veç një kosto. Procesi i liberalizimit të vizave do të shtyhet; me të dhe funksionalizimi i MSA-së, një dokument i nënshkruar por i harruar kaherë. Të dyja bashkë, standardi i jetës dhe lëvizja e lirë e qytetarëve, përbëjnë çmimin e fundit që kosovarët do ta paguajnë për pazaret e kërcënimeve të kapësve.

No comments: