Letra nga limbo
KOHA DITORE, 14 TETOR 2016
Duhet
thënë, gjithsesi, se sinqeriteti i Shqipërisë, së paku elitës që kanalizon
zërat nga atje, për bashkim është i mjerë. Në gjithë këto vite ekzistencë si
shtet, nuk ka mbajtur e as shpërfaqur një qëndrim të vetëm politik për bashkim.
As kërkesë për referendum, as kërkesë në ecjet ndërkombëtare, e as pozicion
politik. Asnjëherë. Shqipëria, dhe politika zyrtare e saj, bashkimin e kanë
parë si temë për flirtim. Elita intelektuale, ndërsa, si çështje trendi.
-1-
Çmenduria e elitës së Tiranës
ndaj Kosovës vazhdon. E filluan, kohë më parë, me thirrjet mbi tradhti e
kërkesën poshtëruese për lënien e Kosovës anash në futboll; thanë forcojeni veç
shtetin tonë, turpëroni këtë tuajin. Po s'bëtë këtë s'jeni patriotë, jeni
tradhtarë. Ishte hera e parë që forcimi i pavarësisë po projektohej si
anti-shqiptare tek ne. Inferiorët këndej i aplauduan - shumica u dha përgjigje
në stadium dhe jashtë tij.
Por s'u mjaftuan. Këtë javë, të njëjtit nga diskutimi
sportiv kaluan në thirrje për aneksim. Jo për bashkim, por për aneksim. Na
thanë jeni veçse krahinë e jona; hiç më shumë. Ata që duan njëmend bashkimin do
të na shihnin si të barabartë - dy shtete plotësisht të barabarta pra, të cilat
nën kushtet e afrimit eventual do të ndërtonin një trup që mbron interesat e dy
palëve barbarisht. Në këtë trajtim të barabartë, po të ndodhte ndonjëherë, nëse
duhet të ndodhë ndonjëherë, përfundimi mbi ombrellën nuk do të anonte mbi
njërën palë veç pse emri i shtetit u fillon me “Shqip”; sepse shqiptarë, po
qenë të barabartë, janë të dy palët pra. Por hobigjinjtë e nacionalizmit veç të
barabartë s'mund të na shohin. Krahina e tyre, e projektuar dhe publikuar pa
marre së fundmi, s'është bashkim; është nënshtrim.
Aventura përfundon, po këtë javë, në Beograd, në normalizimin
e relacioneve shqiptaro-serbe. E vërteta është se problemet me Serbinë s'kanë
qenë kurrë në mes të Tiranës e Beogradit; prandaj Tirana s'ka çka të
normalizojë atje. Beteja e shqiptarëve me serbët është bërë në Kosovë. Politika
e Tiranës, për protagonizëm individual, po bie me vetëdije në kurthin e
Beogradit, që s'do Kosovën ta trajtojë si subjekt - dhe problemin e shqiptarëve
ta kalojë në përballje mes Serbisë dhe Shqipërisë. Kosova shtet, është tmerr në
Beograd. Tirana po i asiston serbëve për mrekulli.
-2-
Shqiptarët e Kosovës – dhe
Shqipërisë natyrisht – duhet të kuptojnë se çështja shqiptare s'ka një qendër
rreth të cilës shqiptarët duhet të gravitojnë. S'mund të ketë një të tillë
sepse shqiptarizimi nuk është ndërtuar veç në Tiranë; përkundrazi, më së shumti
është ndërtuar - dhe dorën në zemër mbrojtur - në Kosovë. Dhe Kosova, është
shqiptare sa gjithçka tjetër shqiptare. Madje, Kosova sot është produkti
kryesor i shqiptarizmit; në një model modern shtetndërtues. Si e tillë ajo ka
të drejtë të thirret në çështjen shqiptare po aq, në mos dhe më shumë, sa
Shqipëria. Simbolika shqiptare, që rastësisë për shkak të rrethanave
gjeopolitike të jetë zyrtare në Shqipëri se bën atë më shqiptare se sa Kosovën.
Prandaj si kemi borxh askujt, as ekip futbolli, as eksluzivitetin e
shqiptarizmit, as fatin me Beogradin - e edhe më pak pavarësinë e shtetin
që megjithatë do ta bëjmë.
-3-
Duhet thënë, gjithsesi, se
sinqeriteti i Shqipërisë, së paku elitës që kanalizon zërat nga atje, për
bashkim është i mjerë. Në gjithë këto vite ekzistencë si shtet, nuk ka mbajtur
e as shpërfaqur një qëndrim të vetëm politik për bashkim. As kërkesë për referendum,
as kërkesë në ecjet ndërkombëtare, e as pozicion politik. Asnjëherë. Shqipëria,
dhe politika zyrtare e saj, bashkimin e kanë parë si temë për flirtim. Elita
intelektuale, ndërsa, si çështje trendi. Të njëjtit që sot na llafazojnë për
patriotizëm, janë shitur e shpëlarë publikisht e shumëherë si
ultrainternacionalë. Tash, kur filluam sukseset tona si shtet, na u bënë brenda
natës patriot. Unë i them kësaj inat; mos përbirje e suksesit të atyre që i
kanë parë si të pabarabartë.
Nëse njëmend ka një kërkesë e
vullnet për bashkim, nëse qytetarët e atjeshëm shqiptarë duan të bashkohen me
Kosovë, atëherë le ta shtrojnë publikisht. Tua thonë partnerëve në BE, tua
thonë anëtarëve në NATO. Të shohim, për pak, çfarë përgjigje kanë për të marrë
njëherë. Të kuptojmë se a janë të gatshëm, qytetarët e Shqipërisë, ti
ndërmarrin sakrificat – eventuale – nga ndjekja e një rruge tjetër jashta BE-së
e NATO-s. Do t’i ndjekim hap më hap.
Flirtimi i tanishëm, ku
shqiptarët e Kosovës shihen si obligatorë e marrës së barrës e bashkimit, është
punë hobi për elitën e Shqipërisë. Punë argëtimi televiziv; të çartjes
artificiale për diçka që kanë bërë minimalisht angazhim. Zero. Hiç. Asgjë.
-4-
Shqiptarët e Kosovës, ndërsa,
duhet të lirohen e çlirohen nga ndjenja e inferioritetit sa më parë. Duhet të
kuptojnë, njëtrajtësisht, se shteti i tyre që kanë, pavarësisht ngjyrave me të
cilat del jashtë, është shtet shqiptar. I definuar me Kushtetutë si shtet i
shqiptarëve. Ata duhet të kuptojnë se aventurat argëtuese të elitave tallëse në
Tiranë (konsideratë shumë për përjashtimet) mund të jenë të kushtueshme.
Arritja jonë si shtet i pavarur, në rrethanat e tanishme, është e rrallë, e
shtrenjtë, e pahumbshme – mëkat prej idioti po e humbëm këtë.
Gjithashtu, shqiptarët e
Kosovës duhet të kuptojnë se s’ka asgjë të keqe në konsolidimin e shtetit tonë.
Dhe konsolidimi i shtetit tonë nënkupton pasjen e gjërave tona; siç i ka Tirana
të sajat pra. Sepse, është e pakuptimtë që progresin e shtetit tonë ta
trajtojmë nën fajin e anti-shqiptarizmit. Ta refuzojmë këtë mendësi që e
ushqejnë ata. Kjo logjikë s’ka pse të instalohet. Edhe s’kemi për ta instaluar
gjithësi. Siç dhe kam thënë më parë, Kosova ka djem e vajza mjaftueshëm që i
dalin zot – për ta bërë shtet, të pavarur e sovran, të hapur ndaj secilit; të
nënshtruar ndaj asnjërit. Republika do të jetojë.
No comments:
Post a Comment