Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 NËNTOR 2015
Mos-anëtarësimi i Kosovës,
dhe marrja e një goditje të tillë, nuk ishte veçse një kapërcimi i një beteje
të dhënë – që mund dhe të përsëritet. Nuk ishte as fitore e Kosovës, siç u
provua të shpërfaqet pas disfatës nga bartësit e saj. Ngjarja mund dhe të
përsëritet – pas dy viteve – por në kohën e dhënë ishte rrënim i gjithë
përpjekjes e politikës tonë ndërkombëtare tash e sa vite.
-1-
Java në Kosovë
filloj me lajmin më të rëndë të mundshëm që nga fitorja e Gjykatës
Ndërkombëtare të Drejtësisë, me mospranimin e Kosovës – si shtet – në një
organizatë të Kombeve të Bashkuara, siç ishte UNESCO. Në të vërtetë, rëndesa e
pranimit të lajmit ishte dhe më e madhe pas gjithë atyre fryrjeve e trumbetimeve
politike, të fotove e shëtitjeve që jepeshin gjithandej nga politikanë turistë.
Si duket,
ministri i punëve të jashtme Thaçi duket ta ketë huqur percepcionin mbi
aftësinë tonë dhe të tij për anëtarësim; rrjedhimisht, një teren i ngjizur për
festë – që përngjante më shumë në fushatë elektorale se sa angazhim diplomatik
– ju kthye, mu në rrugën e shtruar nga
ai, në bumerang prej disfate. Në fund të ditës, u bë e qartë se njeriu më përgjegjës
për ngecjen e brendshme tash e sa vjet, nuk është në gjendje të bëjë as punën
më të lehtë të mundshme jashtë; marrjen e aprovimit nga njohësit e shtetësisë
sonë.
Mosanëtarësimi i
Kosovës në UNESCO dhe marrja e një goditje si kjo, nuk ishte veçse një kapërcim
i një beteje të dhënë – që mund dhe të përsëritet pas dy viteve; siç na u tha.
Nuk ishte as fitore e Kosovës, siç u provua të shpërfaqet trupërisht nga
bartësit e saj. Ngjarja mund dhe të përsëritet – pas dy viteve – por në kohën e
dhënë ishte rrënim i gjithë përpjekjes e politikës tonë ndërkombëtare tash e sa
vite. Ishte pra goditje e mënyrës së politikësbërjes së jashtme të Kosovës, që
gjithë barrën e kompromiseve e ndërtonte mbi përfitime të jashtme, që duket pra
se nuk vijnë. Mbi të gjitha, ishte tregues se klasa e paaftë politike nuk mund
të bëjë gjëra të afta.
Ngjarja
gjithashtu ishte gjithçka veçse fitore. Sepse, në fund të ditës, mosmarrja e të
gjitha votave nga shtetet që kanë njohur Kosovën është dënim; i rëndë madje. Është,
në të vërtetë, diçka e pabesueshme vetëm ditë më parë. Nëse asgjë tjetër, përkrahja
e shteteve që kanë njohur Kosovën do të duhej të ishte veçse e garantuar para
se një kërkesë për anëtarësim të bëhej. Kjo përkrahje, do të mjaftonte, siç dhe
u pa nga votimi, për anëtarësim.
-2-
Në politike, një
rrjedhë si kjo do të duhej të merrej me shqetësim; me shumë shqetësim madje. Politika
këtë ka. Sukseset shpërblehen me ngritje, dështimet faturohen me rënie; me
dorëheqje. Tek ne e gjitha u shfaq me heshtje; thuajse nuk ka ndodhur asgjë.
Thuajse i gjithë sistemi ministror, i këshilltarëve e shëtitësve të tjerë, e
gjithë struktura e ambasadorëve – sidomos në vendet njohëse e refuzuese – të njerëzve që paguhen majmë e mirë përvjet,
nuk kishin pse të thonin diçka. Dhe është pikërisht ky stil i politikëbërjes,
ky komfort i papërgjegjësisë që ka mbajtur këtë vend dhe këtë shtet në rendet
më të trishtueshme shoqërore, ekonomike e demokratike. Pa një presion të tillë
– presion sepse vetëpërgjegjësia është luks në këso kohë – ngjarjet si këto do të
jenë veçse të zakonshme.
Mbi të gjitha, disfata
e fundit tregoj se diçka e rëndë duhet të ketë ndodhur me imazhin tonë në
gjithë këtë kohë; aq e rëndë sa edhe shtetet që kanë njohur shtetësinë tonë të
hezitojnë për anëtarësime tona në organizata ndërkombëtare. E fatkeqësisht
shumëçka ka ndodhur në këtë kohë. Kosova me gjithë elitën e vet politike, të
padijshme, korruptive, të pa takt e të pa energji, nuk ka dhënë asnjëherë
shembull se meriton shansin e rrallë të pasjes së shtetësisë. Nëpër botë ne
jemi shpërfaqur si një shtet i hajnave – që vjedhë veten pra – që prodhon
emigrantë e refugjatë sikurse vatrat e luftërave të tmerrshme nëpër Siri e
Afganistan, ani pse s’kemi luftë qe gati shtatëmbëdhjetë vjet, e që nuk arrin për
asnjëherë të tregojë veten si shtet të hapur, demokratik e të qëndrueshëm.
Dhe e gjithë kjo
pamje është krijuar e ushqyer mu nga njerëz që edhe një fitore në pjatë e
shndërrojnë në humbje – për të mos ndjerë më pas nevojën e dhënies së
përgjegjësisë; përkundrazi, për t’u tallur me të gjithë se kjo ishte në të
vërtetë një fitore.
-3-
E gjithë saga e
mosantarsimit tonë në UNESCO duhet t’i japë vendit tonë disa mësime që medoemos
do të duhej të formësojnë mënyrën tonë të politikëbërjes; fillimisht atë të
brendshme, për të ndryshuar natyrshëm pamjen e jashtme. Pra ky vend, nga
procesi i djeshëm duhet t’i pranojë së paku pesë mësime kryesore.
I pari, dhe më i rëndësishmi,
se kjo klasë politike nuk ka për të sjellë asnjëherë fitore e përparime të
niveleve euro-atlantike. Nuk kanë kapacitet, nuk kanë dije, dhe mbi të gjitha,
shoqërohen me një imazh jokredibil. Është kaq e thjeshtë. Nëpër rrjedhat
ndërkombëtare, fitorja nuk sigurohet me shantazhe, kërcënime e rivotime – me
çfarë janë mësuar politikanët këndej; e edhe me pak duke i bërë qejfin vetes
nëpër fotografi. Për këtë na duhet një diplomaci serioze; që mobilizon njerëzit
më të mirë që ka ky vend – pa dallim partie apo bindjeve politike. Në betejat e
jashtme, Kosovës i duhet unitet. Kosovës më së paku i duhen kombinime të të
paditurve me individë e biznesmenë nga Kazakistani. Me pallavragjinjë që muaj
më parë thurnin elegji për miqësinë me presidentin e atjeshëm, tregonin për të
arritjet e afërsitë e forta – por kur ju erdh puna ngushtë për vend, nuk arritën
të marrin as edhe një votë nga ta.
I dyti, se për Kosovën nuk
ka kuptim asnjë proces i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, përderisa
ajo pengon anëtarësimin tonë nëpër organizata ndërkombëtare; ky relacion më së
paku është normalizues. Kosova duhet të rishikojë e rimendojë seriozisht gjithë
formatin e procesit bisedues. Në fund të ditës, përveç rregullimit të brendshëm
këto procese nuk po prodhojnë asgjë. E rregullimi i brendshëm – përfshirë dhe
rirregullimin, pa një përparim të jashtëm është i pakuptueshëm. Disa madje mund
të argumentojnë – me shumë të drejtë – se asnjë rirregullim i brendshëm nuk ka
kuptim për asnjë çmim. Në këtë grup bëjë pjesë dhe unë.
I treti, se vendet që
japin miliona për trushpëlarje e radikalizëm këndej, nuk japin një votë për
shtetësinë e Republikës sonë; abstenojnë e votojnë kundër pak kishte më rëndësi.
Pse të mos ishin për të gjitha? Këto vende nuk e duan shtetësinë tonë; e duan
rikthimin e nënshtrimin tonë nën Serbi. Të njëjtat – dhe promovuesit e tyre
këtu – duhet trajtuar më së paku si dashamirë.
I katërti, se ata që e
marrin të garantuar lirinë e shtetësinë, ta kuptojnë se pa shtetet mbështetëse
të Kosovës, që sot diku përgojohen nga llafazanë neokomunistë e diku luftohen
nga budallenj radikalë, ky vend veç pasaporta për Malishevë – sikurse dikur –
do të mund të lëshonte. Fatkeqësia më e madhe është se jo gjithmonë mund të
kemi një mbështetje të tillë.
I pesti, dhe jo më pak i rëndësishëm,
se është e udhës, patriotike dhe në fund e domosdoshme, bërja e Republikës sa
më shpejtë. Bërja pra njëmend. Zhvillimi, përparimi, krijimi i punës,
drejtësisë, barazisë, luftimi i hajnisë, i korrupsionit, mafias, i zaptuesve, i
të paditurve, kriminelëve, budallenjve e rrahagjoksëve të tjerë – është e
gjitha në dorë tonën. Për këtë na duhet vetëm përkrahja jonë. Kjo mundësi e
rrallë, një barrë e gjeneratës sonë, nuk na vjen shpesh; e as nuk zgjatë
përgjithmonë.
No comments:
Post a Comment