KOHA DITORE, 27 NËNTOR 2015
Si u bë që shtatëmbëdhjetë
vjet pas luftës, të kemi zëra që solidarizohen me sulmuesit terroristë nëpër
Evropë? Ose të tjerë, përplot, që për konspiracionet më diverse të mundshme, janë
të bindur marrëzisht, e të përmbushur përplot urrejtje ndaj perëndimit; ndaj
amerikanizmit e europianizmit. Si erdhëm deri këtu?
-1-
Kohë të vështira
janë këto. Përballja në mes të dy botëkuptimeve po ndodhë haptas përfundimisht.
Për të qenë të qartë, kjo përballje nuk ka karakter as religjioz, as etnik e as
regjional. Nuk ka karakter religjioz, sepse po të ishte ashtu viktimat më të mëdha
me numër jetësh a refugjatësh nuk do të ishin myslimanë të shkaktuar – nga të
tillë që thirren si myslimanë; e as luftuesit kundër-terror nuk do të përfshinin
shtete me shumicë myslimane. Shkon pa u thënë natyrisht, se jo të gjithë myslimanet
janë terroristë, përkundrazi shumica janë luftues të tyre, por të gjithë
terroristët thirren (me ose pa të drejtë tjetër debat natyrisht) si myslimanë.
Kjo përballje nuk ka karakter etnik, sepse, sërish, diversiteti i kombeve të
rreshtuara përballë terroristëve është i theksuar; kontribuues nga të gjithë –
tek të dyja palët. Përfundimisht nuk ka karakter regjional, sepse beteja
zhvillohet gjithandej nëpër botë; në formën më jokonvincionale të mundshme.
Pra, siç po
thuhet tashmë gjithandej, është një Luftë e Tretë Botërore, që bëhet në mbi
motivet e mendimeve dhe botëkuptimeve; diferencat e të cilave janë shpërndarë
për një kohë të gjatë gjithandej nëpër botë. Në njërën anë janë mendimet
demokratike e liberale mbi mënyrën e të jetuarit; e në anën tjetër janë kundërshtuesit
e kësaj lirie individuale dhe kolektive; janë një grup barbarësh trushpëlarë që
nuk zgjedhin mjete në paqe e luftë për të ushtruar terror.
Përballja e nisur
tash e sa vite në Lindje, këtë herë u zhvendos në Evropë. Këtë herë ishte
Parisi e Brukseli; por mund të ishte lehtësisht – dhe herën tjetër mund të jetë
fatkeqësisht – Prishtina, Tirana, Shkupi e të tjerat. Mund të ishim, e mund të
jemi, secili nga ne. Fëmijë, pleq, vajza, djem, gra e burra pa dallim, të gjithë
që ushtrojmë liritë tona në rrugë, rrugica, shkolla, sheshe, kafiteri, teatro e
koncerte – në secilin vend tjetër të zakonshëm. Të gjithë ne mund të bëheshim e
bëhemi nesër, objekt i horrave trushpëlarë që i japin vetës të drejtë të marrin
tjetrin në qafë veçse s’mendon si ta. Dhe të mbetemi të sigurt, se të tillë
kemi përplot këndej. Në fund të ditës, Kosova mbetet kontribuuesi më i lartë për
kokë banori i terroristëve në ISIS.
-2-
Si ndodhi kështu?
Si u bë që një shoqëri në transformim e sipër nga rruga e gjatë prej
komunizmit, pushtimit, çlirimit e shtetndërtimit, të mos shndërrojë vetën në
shoqëri të hapur, kritike e demokratike? Gjithë ajo prezencë perëndimore,
gjithë ajo diasporë – gjithë kjo hapje virtuale ndaj botës – dhe sërish kaq të
mbyllur në mendje e me kaq potencial për shpërthim anti-liberal e
anti-perëndomor? Ku morëm kthesën e gabuar në këtë rrugë? Kur u kapëm nga
post-çlirimtarët? Kur u eksperimentuam nga unmikistanët? Kur u vodhëm e rropëm
nga post-pavarësuesit? Kur humbëm identifikimin me shtet? Kur u dëshpëruam nga
pritjet tona?
Si u bë që shtatëmbëdhjetë
vjet pas luftës, të kemi zëra që solidarizohen me sulmuesit në Paris? Ose të
tjerë, përplot, që për konspiracionet më diverse të mundshme, janë të bindur
marrëzisht, e të përmbushur përplot urrejtje ndaj perëndimit; ndaj
amerikanizmit e europianizmit. Si erdhëm deri këtu?
Në mos qoftë kështu,
hidhjani një sy faqeve online; atyre që kanë nga dyqind mijë ndjekës
mesatarisht. Atyre që në ditën e sulmeve të Parisit u kujtuan të nxjerrin nga
arkivat historike të bërat e shtetit Francez – përfshirë dhe ato në Kosovë –
thuajse këta qytetarë e turistë duhej mbajtur përgjegjës për këtë. Të njëjtave
që sot vazhdojnë të përhapin materiale propaganduese; të gjoja vdekjes të
mijëra civilivë nga sulmet francezë në Siri. Janë përplot të tillë me ndjekës e
përcjellës dhe më shumë.
Hidhjani një sy
komenteve pas ngjarjeve – qindra sosh që fillimisht relativizojnë ngjarjen, më
pas i amnistojnë aktet – në fund kërkojnë hakmarrje. Gjithë këta amortizues që
s’duan të japin një mendim troç mjaftojnë për të ngritur alarmin këndej.
Alarmin jo vetëm për rreziqet që trushpëlarja ka ndërtuar në Kosovë, por edhe për
nivelin dëshpërues të intelektualitetit të një kosovari mesatar. Janë në
gjendje, përplot madje, të besojnë në lloj-lloj teori konspirative, të gjejnë
arsyetime nga më të gërditshme, e të besojnë në çfarëdo që një faqe online pa
identitet ju ofron, vetëm sa për të ushqyer mllefin që kanë për perëndimin. Në
fund të ditës, nga ky mllef? Natyrisht, individë që ditën thyejnë tastierat me
plot helm e vrer kundër Perëndimit, natën mendojnë nga t’i thyejnë këmbët për të
përfunduar atje.
-3-
Përtej gjithë
solidaritetit që tregon zakonisht shumica kosovare sa herë që sulmohen vlerat e
lirisë e demokracisë në një zonë paqeje, ishte dëshpëruese megjithatë diskutimi
i pjesshëm që pasoj atë. Ishte dëshpëruese se si në vendin tim, ende pa u tharë
mirë gjaku i 130 jetëve në Paris, u diskutua më shumë se a duhet ose jo të
kishim në Facebook e ndërtesa qeveritare, një flamur të një shteti – që për
shumëkë e çuditërisht për bindjet e deriatëhershme të mia – ishte armik, se sa
për vet aktin terrorist. Pra u fol shumë më pak për aktin, e shumë më shumë për
burimet që bënë aktin.
E para, e kam të
pamundur ta kuptoj se si një shtet bombardues i Serbisë e Millosheviqit, njohës
i ditës së parë të pavarësisë sonë, pranues i dhjetëra mijëra refugjatëve nga
Kosova që prej kur mbajmë veten në mend, shkollues i intelektualëve e liderëve
këndej, mbështetës i secilit proces tonë integrues – nga BE-ja deri në Kombe të
Bashkuara pa dallim – se si pra një shtet i tillë, mund të shihet si armik nga
një pjesë e kosovarëve. Dhe e dyta, nuk arrij të kuptojë dot se a e kapërcejmë
debatin mbi aktin, rrjedhimisht dhe rrezikun që kemi si pasojë e mbështetësve të
akteve të tilla, nga frika e hapjes së diskutimeve të tilla, apo se, duke
shmangur debatin provojmë të amnistojmë, me ose pa dije, veprat e tilla.
Them se ka një përzierje
të motiveve këtu. Dhe kjo përzierje ka dy burime. I pari, dhe më i rëndësishmi,
mbetet niveli arsimor në Kosovë. Ky nivel nuk ka arritur asnjëherë të formësojë
kosovarin në frymën perëndimore – kur them perëndimore e kam fjalën në frymën e
respektit të parimeve të lirisë e demokracisë – por as të formësojë atë në formën
e ndërtimit të mendimeve. Në të vërtetë, kam besuar deri vonë se mosaftësia e
ndërtimit të mendimeve këndej ka qenë më tepër mungesë e aftësisë së të
shprehurit (e që buron nga mungesa e leximit); se prapa një paaftësie të tillë
në shprehje, megjithatë ka një mendim. Prandaj dhe kur dalim para kamerave na
ngufaten fjalët në fyt. Por së fundi, gjithmonë e më shumë po e kuptoj se këndej
kemi mungesë të vet mendimit; për të mos thënë se një pjesë e madhe e kosovarëve
nuk kanë aftësi të ndërtimit të mendimit kritik e logjik. Kanë, megjithatë, siç
argumentova, aftësi të jashtëzakonshme të ndjekjes së gjërave sa më
konspirative të mundshme.
Burimi i dytë, ndërsa,
që duket se e kemi kapërcyer pa trajtim shpesh, është ai i dëmeve të bëra nga
një prezencë masive e trushpëlarësve tash e sa vjet, sidomos në vitet e para të
pas-çlirimit. Kjo prezencë, e kombinuar me një varfëri e papunësi që vazhdon
dhe sot, dhe mbi të gjitha menjë dëshpërim gjithëpërfshirës ndaj shtetit e
identitetit shtetëror, ka prodhuar një ambient të qëndrueshëm për lindjen e
individëve që në një masë ose plotësisht mund të arsyetojnë veprime të tilla.
Kur i kujton
gjithë ato para të derdhura në Kosovë, gjithë atë prezencë të vazhdueshme nëpër
vite të radikalëve këndej, e kupton dhe përmasën e dëmit të bërë në vend. Mos të
harrojmë, bëhet fjalë për një gjeneratë të tërë që është trajtuar e mësuar me
predikime nga më të çuditshmet të mundshme. Vetëm pak muaj më parë, thirrjet për
mosfestim të vitit të ri, për mosdëgjim të muzikës, mos vozitje të veturës nga
gratë, për mosdalje, moshprehje e mosmendim – pra të gjitha ndalesat e lirive
individuale që janë karakteristikë për Perëndimin sot – shpërfaqeshin lehtësisht
nga imamë radikalë dhe ndjekës të tyre. Mbi to ndërtohej më pas dhe doktrina që
dërgon e formëson terroristë më shumë se secili vend tjetër Evropian. Ato edhe mund
të jenë zvogëluar muajve të fundit vetëm në paraqitjet publike – kryesisht si rrjedhojë
e një ngjallje të vonshme të sistemit tonë prokurial e policor – por mbesin po
aq prezentë në rrethe të ngushta që megjithatë sot veprojnë lirshëm në hapësira
fizike e virtuale njëtrajtësisht.
-4-
Parisi – dhe
ngjarjet që do të pësojnë – do të formësojë botën natyrisht. Më asgjë s’ka për
të qenë e njëjtë. Forcat perëndimore – bashkë me aleatët regjionalë në Lindje –
do të rreshtohen përfundimisht haptas krah njëra tjetrës për të përballur deri
në fund lëvizjet radikale që kanë vluar botërisht në këto 20 vite të fundit.
Dhe përballja do të jetë e ashpër – gjithashtu e gjatë. Në fund të ditës, ajo
do të prodhojë edhe tensione mes superfuqive, siç ishte ky i fundit në mes të
Turqisë e Rusisë; fundi i të cilave mund të jetë i tmerrshëm. Do të masë
qëndrueshmërinë e aleancave ushtarake, e vendosmërinë e demokracisë për të
mundur terrorin. Do të jetë e shumëanshme; rrjedhimisht dhe shumë-përcaktuese e
së ardhmes së përbashkët.
Kosova, në këtë
luftë, natyrisht se nuk mund të kontribuojë shumë. Për shkak të të gjitha
kapaciteteve ushtarake, financiare e politike, pjesëmarrja jonë mund të jetë
vetëm simbolike. Por, Kosova, në këtë luftë duhet të mbetet megjithatë aktive. Aktive
në terrenin e vet; në shtëpi.
Në këtë luftë ajo
duhet të nisë haptazi të mbajë përgjegjës të gjithë urrejtje-nxitësit,
veçanërisht ata që veprojnë jashta objekteve formale religjioze. Fjalën e kam për
gjithë propagandën digjitale që përhapet shpejtë e ashpër gjithandej.
Paralelisht me
këtë, në këtë luftë, Kosova duhet të vendosë një kontroll rigoroz financiar
ndaj llogarive të jashtme e të brendshme që financiojnë aktivitete të tilla.
Duhet pra të presë dhe burimin e zgjerimit të tyre, dhe mjetet që ushqejnë këtë
zgjerim.
Në këtë luftë,
ajo duhet të nisë – përfundimisht – një fushatë të hapur që rreshtimin prapa
vlerave Perëndimore. Pa dorëza më. Fushatë jo që e sheh Perëndimin si ndihmues
e pranues i halleve tona, por si formë e mendimit e veprimit që duhet të ndërtohet
këndej. Perëndim pra, jo si kontekst gjeografik, por si kontekst i lirisë e
demokracisë, me të gjitha vlerat që ky kontekst bartë. Natyrisht, për të nisur
një fushatë të tillë, dhe këtu fillon një problem serioz për ne, na duhet një
klasë politike e një mendim politik që buron njëmend në vijë me bindjet perëndimore.
Këta të tanishmit, pjesa më e madhe kapësve në pushtet e revolucionarëve maoist
në opozitë, më së paku janë të tillë. Nëse asgjë tjetër, këta janë po aq anti-perëndimorë
sa dhe radikalët e deritanishëm. Të trija palët kanë një armik të njëjtë.
-5-
Luftimi i
pasojave mbetet një hap. I përkohshëm gjithsesi. Por nuk do të zgjidhim gjë
prej gjëje po u morëm vetëm me një grusht individësh që janë të rrezikshëm –
ose me potencial rrezikimi në të ardhmen. Na duhet një intervenim në burim. E
burimi mbetet arsimimi e ngritja e kosovarit të ardhshëm. Pra na duhet një
kosovar i ri, që liritë e njërit – përderisa nuk dëmtojnë të tjetrit – i sheh
si vlerë fundamentale të shoqërisë. E kupton pra euro-atlanticizmin si pranim të
barazisë etnike, gjinore, seksuale e racore; vlera që për ne janë të largëta sa
s’bëhet më.
Ky kosovar i ri,
duhet të formësohet që në fillim, me botëkuptime që karakterizojnë sot gjeneratën
e tij në perëndim. Me botëkuptime pra që i hapin mendjen për të përtypur fakte
e ndërtuar argumente, e jo për të besuar sa më shumë teori bajate e
konspirative – të cekëta e trishtuese si përfundim. Gjeneratat e vjetra e të
tanishmet, përfshirë dhe këtë timen, kanë humbur mundësinë për të ndërtuar një
model të tillë. Jemi larg me bindje, percepcione e me mendime nga secila vlerë
perëndimore sot. E refuzojmë racën, etninë, orientimin seksual e religjioz në
pjesën më të madhe të bindjeve. Mbi të gjitha, të dyja gjeneratat bashkë janë
bashkëfajtorë për prodhimin e përkrahësve anti-perëndimorë e promovues
anti-liberal; radikalë e të çmendur të tjerë. E vë fajin në gjithë përpjekjen
tonë që nuk ka qenë e zakonshme kurrë. Madje kur e mendon, jemi mirë shumë nëpër
çfarë kemi kaluar gjatë gjithë kësaj kohe.
Por, njëkohësisht,
të dy gjenerata kanë bërë mjaftueshëm për të nisur një masë kritike që mund të
krijojë kosovarin e ri. Kjo masë kritike, ka për obligim që sot të flet; të
flet hapur e të nxisë të tjerët të bëjnë ndryshime rrënjësore në shoqëri; të
krijojnë përfundimisht një kosovar që me bindje e vlera – jo me viza –
identifikohet me Perëndim. Është, në fund të ditës, obligim patriotik ky.