Letra nga limbo
KOHA DITORE, 11 SHTATOR 2015
Nuk di çfarë sistemi është
ky, çfarë ligje janë këto – siç dhe nuk e kuptoj as rezonin e vjetërsimit të
dënimit pas arratisë – mbi të gjitha nuk e kuptoj nisjen e akuzës së re për
arratisje; nuk i kuptoj asnjërën nga këto sinqerisht – por as që dua ti kuptoj
e mirëkuptoj sepse nuk më bëjnë sens. Por ama e di se ligjet nuk shkruhen në
gurë. Dhe sepse nuk shkruhen në gurë – e nuk zbresin nga qielli – ato mund të
ndryshohen nëse sjellin anomali si këto.
-1-
Leme Xhema nuk është vetëm një emër; emër i njohur për të mbrapshtë natyrisht. Leme Xhema, si emër, simbolizon edhe një sistem të tërë drejtësie në ketë vend. Simbolizon punën e policit, të prokurorit, të gjyqtarit e të parlamentarit; nga ligjvënia deri tek ligjbërja.
Leme Xhema, këtë
javë ishte kthyer në Kosovë. Ish-drejtoresha e njërit prej aseteve më të mëdha
publike në vend, rrjedhimisht më të keqpërdorur ndonjëherë, pas arratisjes në
vitin 2011 për shkak të dënimit të marrë me tre vjet burg për shpërdorim
financiar, ishte përfundimisht e lirë. Kodi Penal i Kosovës i kishte dhënë
lirinë. Jo sepse ishte e pafajshme, jo sepse ishte dënuar me të padrejtë, por
sepse – Leme Xhema – kishte kaluar dyfishin e dënimit jashta burgut; në arrati
gjithsesi. Dhe sepse Leme Xhema kishte kaluar kohën e paraparë për burg në
arrati, ajo mbetej e lirë. E përbini dot këtë natyrë të drejtësisë?!
Në ditën e parë të
kthimit në Kosovë – si e lirë sepse ishte në arrati – Leme Xhema u prit me
tupan. Në krah të saj ishte dhe një avokat; të qeshur të dy. Po i zgërdhinin,
pa fije marre, një sistemi të tërë të drejtësisë. Ia kishin hedhur të dy. Dhe
fjalët e para të Leme Xhemës ishin “unë s’kam kurrëfarë problemi”; “ajo çfarë
ka qenë ka kaluar” dhe, si për vulosje, Leme Xhema na tha se e shkuara e saj “nuk
bën më të diskutohet”. Natyrisht se për Leme Xhemën, dhe gjithë të tjerët si
ajo, gjithçka është në rregull, asnjë problem madje – e shkuar e harruar – dhe
detyrimisht e padiskutuar. Një start i ri për ta.
Nuk di çfarë
sistemi është ky, çfarë ligje janë këto – siç dhe nuk e kuptoj as rezonin e
vjetërsimit të dënimit pas arratisë – mbi të gjitha nuk e kuptoj nisjen e
akuzës së re për arratisje; nuk i kuptoj asnjërën nga këto sinqerisht – por as
që dua ti kuptoj e mirëkuptoj sepse nuk më bëjnë sens. Por ama e di se ligjet
nuk shkruhen në gurë. Dhe sepse nuk shkruhen në gurë – e nuk zbresin nga qielli
– ato mund të ndryshohen nëse sjellin anomali si këto. Sepse në ditën e kthimit
të Leme Xhemës në Kosovë si e lirë – pas arratisë – Xhabir Zharku fërkoj duart
me plot gëzim. Pas tij dhe shumë të tjerë njëtrajtësisht.
-2-
Hekurani nuk është
vetëm një emër. Është simbol i denoncimit të haraçit dhe marrjes së jetës nga
haraçvënësi. Ku ishte sistemi i drejtësisë në këtë mes? Asistues i vrasjes.
Vrasësi ishte liruar nga paraburgimi, nën atë frazën e zakonshme tashmë “me
procedurë të rregullte\”, për të bërë një akt të çrregullt, vrasjen e
denoncuesit të haraçit menjëherë pas lirimit nga paraburgimit – gjatë procesit
të gjykimit pra.
Si Hekurani ka individë
e biznese gjithandej sot. Fati i tyre përcaktohet nga mëshira e muskujve; të
cilët, vendosin se sa e kur të kërkojnë para nga të tjerët. Po nuk u pagua
kërkesa e tyre, po u denoncua intenca e tyre – vjen vrasja. Në pikë të ditës.
Haraçi si taksim
i dyfishtë i individëve e bizneseve kosovare nga secili me pak fuqi këndej, nga
post-komandantët e deri tek mangupat e rrugëve e mahallave gjithandej, ka marrë
formë të zakonshme. Është bërë pjesë e lojës. Në këtë vijë, përparimi e krijimi
i pasurisë është bërë edhe mallkim. Sepse, përderisa bën punë e pasuri me mund
e djersë, ka gjithmonë një idiot andej që mendon të ketë të drejtë mbi pronën e
pasurinë tënde. Ky idiot edhe lihet më pas i lirë nga një sistem drejtësie që e
njeh mbarë e mirë – por e len pra të lirë. E len të lirë edhe kur denoncohet;
natyrisht “me procedurë të rregullt”.
-3-
Në gjithë
anomalinë gjyqësore në Kosovë, nuk kam se si të mos shprehë papajtueshmëri të
plotë me promovimin masiv të avokatëve që mediat i bëjnë këndej. Avokatë të
kriminelëve, hajnave, vrasësve e keqbërësve – të gjithë të dënuar pas secilit
rast mbrojtës të tyre pa përjashtim – kanë mundësinë e bërjes së rastit
publikisht. Ç’është e vërteta, avokatët që i shohim madje nëpër televizion, i dëgjojmë
në radio e lexojmë në protale gjithandej, kanë më shumë rastë të humbura (pra
ish klientë keqbërës gjithandej) se sa të fituara ndonjëherë. E kur i dëgjon, ta
mbushin mendjen se qindra rastet e kriminelëve të tyre janë të pafajshme; ani
pse nuk kanë provuar si të tillë asnjërin nga to. Kaq për kredibilitetin e tyre
kur shtrojnë raste mediatike – me bindje – pandërprerë.
E kuptoj
rëndësinë e të drejtës për mbrojtje – dhe promovimit njëtrajtësisht – por ama,
dhënia e gjithë hapësirës diskutuese për keqbërësin (që dalin rëndom të
përfundojnë rastet e tyre), dhe fare për ndjekësin e tij, mbetet e pakuptimtë.
Ky vend pra promovon gjithandej mbrojtësit e kriminelëve e keqbërësve, por nuk promovon
asnjëherë një prokuror që provon t’i fusë në gjithë këtë anomali të tillët në burg.
Nuk mbaj mend e nuk njoh as për së afërmi prokurorë sa mbajë mend e njoh
avokatë mediatik. Madje, thërrës secilin nga ju të kujtoni sa avoaktë e sa
prokurorë i njihni në Kosovë? Dhe nuk besoj se nuk ka prokurorë sa për t’i dhënë
mjaftueshëm hapësirë. Në fund të fundit, për të gjitha rastet e avokatëve që na
dalin gjithandej – të humbura të gjitha njëtrajtësisht – ka një prokuror që
punon në anën tjetër.
-4-
Pavarësisht të
gjithave, sistemi i drejtësisë në Kosovë mbetet halli më i rëndë, problemi më i
rëndësishëm, dhe terri më i zi i një vendi të tërë. Vetëm 23% e kosovarëve sot
i besojnë sistemit të drejtësisë. Nuk ka asnjë institucion tjetër publik që shënon
nivel kaq të ulët besimi – dhe me të drejtë.
E mosfunkcionimi
i drejtësisë nuk përbën vetëm një dëm moral të shoqërisë; as edhe një prishje
qejfi. Ai, njëkohësisht, përbën edhe barrierën kryesore ekonomike këndej.
Barrierat më të mëdha që kanë ndëmrarrësit kosovarë këndej, nga një i vogël me
asnjë punëtorë deri tek të mëdhatë me qindra e mijëra sosh, mbesin të ndërlidhura
me sistemin gjyqësor. Evazioni fiskal, informaliteti, korrupsioni, prokurimi
publik e vet forcimi i kontratave prekin secilën sferë të biznesit – dhe
rrjedhimisht të jetës. Prekin mbledhjen e borxheve, operimin e barabartë, trajtimin
korrekt, rritjen e buxhetit, sigurinë për biznes e deri tek koston e financimit – kredinë e alternativat mbështetëse
si këto.
Kosovarët me të
drejtë kanë humbur gjithë besimin. Nuk llogarisin më në të. Madje, për çudi, në
vitin 2015 pritja e llogaritja në sistemin e drejtësisë duket edhe naive nga të
tjerët. E shihni sa shumë kanë topitur pritjet për trajtim minimalisht korrekt
si bërja e gjyqësisë e drejtësisë?
Por ama, nëse ka
një pikë nga ku duhet nisë zhbërja e lëmshit shoqëror tonit, atëherë është mu
ky sistem i drejtësisë. Duhet nisur nga korrigjimi i defekteve në letër që
sjellin neveri e pabarazi – sikurse tek rasti i Leme Xhemës – e deri tek
sjellja kolektive shoqërore për kërkim me ngulm të drejtësisë. Në mes,
natyrisht na duhet gjetja e individëve që kanë guxim, kanë mbështetje e kanë
fuqi për të gjetur (me prokurori), kapur (me polici) dënuar (me gjyqtarë) e
mbajtur në burg (me korrektues) secilin nga ta.
Na duhet
gjithashtu një sistem i drejtësisë që është efikas, i shpejtë dhe i barabartë.
Ky vend është i vogël. Mbarësia e tij duhet të jetë një mision e lehtë. Për këtë,
natyrisht, duhet përmbushur një kusht. Të hiqen nga drejtimi i vendit gjithë
ata që nuk kanë asnjë interes për drejtësi këndej. Jo sepse nuk dinë të bëjnë këtë
vend të drejtë, por sepse janë pikërisht ata subjekt i trajtimit të sistemit –
po u bë ndonjëherë.
No comments:
Post a Comment