Letra nga limbo
KOHA DITORE, 19 QERSHOR 2015
Rasti i Sllovenisë është produkt tipik i neglizhencës dhe
harresës që Kosova ka ndërtuar me jashtë tash e gjashtëmbëdhjetë vjet rresht.
Të zënë e të dhënë mbas banesave, zaptimeve, tenderëve, mashtrimeve, madje dhe
selfieve me ta, ne kemi qëndruar indiferentë përballë angazhimit insistues të Serbisë
kundër nesh – deri sa u ndërruan rolet në tërësi; agresori u bë persekutues, e
viktima i persekutuar.
-1-
Nuk e kuptoj për çfarë,
nuk e kuptoj pse, një vend evropian si Sllovenia duhet ti bëj asistencë një
fletë-arresti të lëshuar nga një qeveri që sheh gjithë përpjekjen e Kosovës si
kriminale; vazhdimësi e politikës së Millosheviqit. Nuk ka rëndësi kush ishte këtë
herë, mund të ishte politikan, mund të ishte biznesmen, turist e çka jo tjetër
– por ndalesa e një qytetari kosovar mbi bazat puro politike të një shteti tjetër,
jep shije të tmerrshme të dinjitetit tonë shtetëror përballë të gjithëve.
Jep fillimisht
shije të tmerrshme në relacion trajtimi me një vend evropian, që preferon të
shkelë mbi relacionet tona shtetërore, për të nderuar padrejtësisht të tjerat –
duke ditur në plotni e mirëfilli tendencat çmendurake të të fundit. Sepse, një
vend evropian, siç dhe duhet të jetë, e ka fare të lehtë të pastrojë thirrjet për
arrest të individëve që shëtitin lirshëm gjithandej nëpër Evropë; dhe mbi të
gjitha, të individëve që për qëllime politike janë listuar nga secili regjim neo-Millosheviqian.
Në të njëjtën
logjikë do të arrestoheshin e mbaheshin gjysma e kryeministrave të Kosovës,
ndaj të cilëve Serbia ka ngritur përndjekje tash e sa kohë. Në të njëjtën
logjikë, Sllovenia nuk do të duhej të njihte Kosovën në rend të parë. E kur ka
vendosur ta njohë atë, është dashur që për këto shtatë vite shtetësi të
konsultojë me autoritetet kosovare vërtetësinë e natyrën arresteve politike për
qytetarët e saj. Është dashur të sillej tamam si evropian; siç dhe janë sjellë
të gjitha vendet tjera nëpër të cilat kanë kaluar individët e listuar tash e sa
vjet.
-2-
Por problemi i
ndalesave mbi bazat e regjimeve serbe, Millosheviqiane e post-Millosheviqiane,
shpërfaqë sysh një të vërtetë krejt tjetër, shumë më fatkeqe se kjo. Në fakt,
ndalesat e tilla janë vetëm konsekuencë e një procesi të tërë neglizhence e
tolerance të pakuptimtë ndaj agresorit që ka ngjarë këndej.
Rasti i
Sllovenisë është produkt tipik i neglizhencës dhe harresës që Kosova ka
ndërtuar me jashtë tash e gjashtëmbëdhjetë vjet rresht. Të zënë e të dhënë mbas
banesave, zaptimeve, tenderëve, mashtrimeve, lukseve, mëditjeve, drekave e
darkave – madje dhe selfieve me ta, ne kemi qëndruar indiferentë përballë
angazhimit insistues të Serbisë kundër nesh – deri sa u ndërruan rolet një
ditë; agresori u bë persekutues, e viktima i persekutuar.
Kështu, përkundër
të gjitha gjasave, një shtet i bombarduar nga i gjithë civilizimi
perëndimor, i përlyer me ditët më johumane të mundshme të historisë moderne, me
vrasje fëmijësh, grash e pleqsh gjithandej, me brutalitet në mendje dhe kurrë
me pendesë, për pak vjet ka arritur të ndryshojë gjithçka, ka arritur të ngre
një perde jokredibiliteti për ne gjithandej. Ne në mbrojtje, ata në sulm –
sërish, si gjithherë.
-3-
E çfarë kishim bërë
ne?! Të zënë me hallakamën e parë të pasluftës, të ndjekur me apetitet për fuqi
menjëherë më pas, të dashuruar në tenderë në gjithë këtë kohë, e përfundimisht
të rehatuar në shtet e pushtet mirë e majmë – me mend se shtetësia e diplomacia
është përjetësisht statike – për gjashtëmbëdhjetë vjet rresht, ne lejuam që
gjithçka të kthehet mbrapshtë.
As nuk regjistruam të vrarë, as nuk regjistruam të dhunuara (madje i fshehëm ato si të turpshme), as nuk matëm dëmet e luftës e as nuk shpallëm si vrasës vrasësit. Imazhin dhe përkrahjen e ditëve të para e morëm si të qenë, për më tepër, si të përjetshëm. Bota, menduam ne, do të bënte punën për ne.
Për të mos
mjaftuar kjo, kur u kërkua nga ne të uleshim në tavolinë me ta, me vet vrasësit
e trashëgimtarët që nuk dinë ende për pishman, ne nuk kishim asgjë për t’u thënë;
as numra, as emra, asgjë. Rrjedhimisht u ulëm si inferiorë, as të kërkojnë një
gjysmë falje nuk u thamë.
Ata, ndërsa,
kishin gati gjithçka. Kur ne i lamë të lirë të hynin në Kosovë, ata refuzuan
tanët të futeshin në Serbi. Kur ne nuk dërguam asgjë për përndjekjet në perëndim,
ata bënë profile e argumente shpifëse që i ndanë gjithandej. Kur ne nuk ditëm
numrin e emrat e të vrarëve civil këndej, ata na i shtruan të tyret thuajse janë
të vetëm. Kur ne nuk bëmë gjë, ata bënë gjithçka.
“Modelin e Krushës”
– që Kosova duhet ta ndërtonte në këto gjashtëmbëdhjetë vjet, dhe “Modelin e
Kosovapetrolit” që e ka ndërtuar në vend, mund ta gjeni të elaboruar e shtruar me
briliancë e mendjehapje në librin e fundit të Surroit, “Ambasadori i
Melkizedekut”.
-4-
Rasti i Sllovenisë
pra, është vetëm produkt i një neglizhence tonë ndaj gjërave që meritonin përkushtim
e zmadhim të vazhdueshëm – historisë sonë të fundit; të tmerrit pra. Rasti është
pasojë e rezultat i ecjes së jashtme të Kosovës nëpër vite, dhe kështu, lejimit
të transformimit të agresorit në palë më kredibile se sa ne.
Sepse ne, për
shkak të gjithë angazhimit të pafund për hajni, krim e budallaki – nga më të çuditshmet
madje – kemi humbur secilin kredibilitet jo vetëm para qytetarëve të këtij
vendit, por edhe para secilit shtet tjetër. Natyrisht se Sllovenia meriton
trajtim keqardhës që shndërrohet në vegël të tillë. Për këtë, natyrisht,
relacionet tona diplomatike do të duhej të tregonin reflektim.
Por mbi të
gjitha, nëse duhet gjetur arsyen një mend, e kemi këtu në mes nesh. Tek të njëjtit
që tash e sa kohë vazhdojnë të trajtojnë gjithçka me indiferencë e pa dinjitet.
Që kanë shndërruar këtë vend dhe përfaqësimin shoqëror të tij në gjë tërësisht
të pavlerë; e që kanë lejuar, paradoksalisht, ndërrimin e roleve me të njëjtit
që – përkundër gjithë horrorit – sot ende sillen pa pendesë. Mjeshtëria e
mbajtjes së shtetit, megjithatë, është shumë më e rëndë se sa këta kanë aftësi
ta kuptojnë.
No comments:
Post a Comment