Monday, 15 June 2015

NJË FABRIKË E PADITURISË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 12 QERSHOR 2015

Individë të paditur, nga kompleksiteti i përjetshëm i të qenit inferiorë, kishin vendosur një ditë të kapnin dijen me gjoks. Donin prestigj, autoritet e respekt; donin, të shkretit, siç mendja ua merr, të kapnin atë çfarë s’kapet pa mund e pa mend. Filluan me universitet e vazhduan me të mesme, me fillore e parashkollorë. Të paditurit u bënë profesorë, arsimtarë e mësues, u bënë edukatorë. Dhe kështu nisën fabrikën e paditurisë.


-1-

Ka pasur gjithmonë një idealizëm e një përpjekje për bërje mirë, sa herë që është folur për arsimim. Ndoshta idealizmi rridhte si nevojë për t’iu kundërvënë të padrejtave ndaj shqiptarëve këndej, prandaj dhe kultivuam arsimimin me shumë pasion. Së paku pra, ka pasur një respekt për të.

Nga Lufta e Dytë e këndej, përfshirë dhe paralelizmin edukativ të 90-ve, sistemi i edukimit ka mbijetuar vetëm falë një angazhimi gjeneroz, me plot idealizëm e dashuri nga individë që e kanë parë atë si qenësor në ringritjen tonë – në bërjen e shtetit. Natyrisht se për nga kualiteti e niveli ky sistem ka qenë bukur defektoz, por, megjithatë, në kushtet e bëra ky vend kishte arritur plot efiçencë. Pra matja e sistemit të atëhershëm me mundësitë që kishte, jep rezultat mbresëlënës. Gjithsesi, kjo mbresëlënje po u krahasua me sistemet jashta vendit tonë, është vetëm mediokre. Prandaj dhe sot ne ndjejmë mungesë serioze të njerëzve të ditur gjithandej.

Që nga përfundimi i luftës e këndej, sistemi edukativ i yni, nga parashkollori e deri tek specializimi përfundimtar, ka qenë i lënë nga ndërkombëtarët në plotni të kompetencave tona. Pra përderisa gjejmë arsye të mjaftueshme për të ndyrë me përgjegjësi dështimi të gjithë të huajt kur bëhet fjalë për, le të themi, sistemin gjyqësor – sepse ata edhe e kishin në dorë atë – tek sistemi i edukimit fajtorët e vetëm i kemi në mesin tonë.

Dhe sot 16 vite më pas, kur shikon në retrospektivë, kupton dhe nivelin e tmerrshëm e të frikshëm të një sistemi i presupozuar për të dhënë dije. Si i tillë, ky sistem pra, ka gjasën e një topi bore në ferr për të prodhuar dije – dhe përfundimisht rimëkëmbje mbi dije. E nuk po flas vetëm për arsimimin e lartë (aty vetëm se kulmon paditurija), po flas nga klasa e parë – deri tek e fundja; po flas për të gjithë. Një llum i tërë ka kapur një fabrikë dije, për ta transformuar në fabrikë paditurie.

-2-

Individë të paditur, nga kompleksiteti i përjetshëm i të qenit inferiorë në mendje, kishin vendosur një ditë të kapnin shkollat me gjoks. Donin prestigj, autoritet e respekt; donin, të shkretit, siç mendja ua merr, të kapnin atë çfarë s’kapet pa mund e mend. Filluan me universitet – nga ku morën fillimisht titujt master e doktorë pa ditur ende mirë shkrim e lexim shqip – e vazhduan me të mesme, me fillore e parashkollorë. Të paditurit u bënë profesorë, arsimtarë e mësues, u bënë edukatorë. Dhe kështu, të paditurit, pasi u kishin vënë emrave përpara shkronja të titujve plot, ndërtuan një fabrikë të tërë paditurie nga ku drejtonin dijen. Kështu, ata ndiheshin njëmend të zot, përfundimisht të barabartë me të gjithë – të paditur natyrisht të gjithë.

Kjo fabrikë paditurie e tyre fillon nga parashkollorja e fillorja. Aty fëmijët e shkretë vazhdojnë të mësojnë gjërat më bizare të mundshme – edhe atë përmendësh. Nuk habitem prandaj, pse një tërësi e të rinjve sot belbëzojnë sa herë që provojnë të flasin diku. Ata janë programuar si të tillë – të flasin përmendsh, pa kuptuar se çfarë thonë. Vjersha përmendësh, mësime përmendësh, referate përmendësh, interpretime përmendësh, vlerësime përmendësh – robotë të gjithë pa fije mendimi kritik.

Padituria vazhdon me të mesme, ku shkohet ende sa për adet. E për fatin më të keq, derisa secili mbyllë sytë pas tjetrit – duke u bërë që s’ka ndodhë asgjë – një fëmijë mesatar në një shkollë të mesme mesatare në Kosovë, ka gjasa që në një paragraf të vetëm të shkruaj më shumë fjalë me gabime se sa fjalë korrekte. Pra është shumë e zakonshme sot, që një maturant të mos dijë mesatarisht mirë shkrim në gjuhën shqipe. Ç’është e vërteta, është shumë e zakonshme që sot, edhe një student të mos ndijë të shkruaj shqip. E ç’është e vërteta, është shumë e zakonshme që edhe një magjistër e doktorant sot, të mos dijë shkrim shqip. Leximin, mos t’i ngushtojmë; ashtu kështu nuk lexojnë.

E gjatë gjithë kësaj kohe (konsideratë për përjashtimet e pakta), një mësimnxënës përveç teorisë – dhe atë të thënë në formën më bajate të mundshme – dhe trushpëlarje me tekste, sipas të gjitha gjasave, jo shumë të sakta, shndërrohet në ndjekës që nuk konteston asgjë; mendimin kritik as që e ka konsideratë.

-3-

E gjithë metodologjia e mësimnxënjes, e shoqëruar pra me teori, mësim përmendësh e me mbyllje sysh para secilit vlerësim, kulmon me kopjim masiv në testin përfundimtar të maturës. Kjo tashmë është bërë kulturë. Kopjimi, i mësuar si vlerë nga fillorja, e i legjitimuar nga një pjesë e mësimdhënësve dhe në test mature, këndej mësohet pra si zotësi – jo si marre e hajni. E në replikim të kësaj zotësie, pjesëmarrës bëhen mësues, nxënës e prindër të gjithë. Askush brengë nuk mbanë. Rruga për në letrën finale, diplomën pra, është më e rëndësishme se sa vlera e diplomës së fundit kur rrugë më nuk ka. Madje, aq primitiv bëhet ky vlerësim mature sa që regjione të tëra, në nevojë brutale për t’u dalluar me të tjerat vende, angazhojnë mësimdhënësit në asistencë mashtrimi, për të dalë me rezultate mesatare mbi 90% të dijes. E të njëjtit, mos harroni, ende shkrim mirë nuk dinë.

Pas kopjimit vjen intervenimi – kulturë e zakonshme për universitet. Sërish pra me mashtrim e trajtim jo të drejtë provohet të kalohet dhe një shkallë tjetër në ngritjen përfundimtare për askund. Intervenimi – përtej nismës individuale të një pejsës së madhe – ka prodhuar shpeshherë edhe tregje kriminelësh, që sot as që mbahen në burg, ka prodhuar lista preferenciale e trashëgimie, ka prodhuar kulturë të zakonshme pas dështimit për pranim. Është gjithmonë edhe një mundësi.

Lajmi më i keq është se pas intervenimit, shtyrje pas shtyrje, sy-mbyllje pas sy-mbyllje, i mirë e i dobët të gjithë në një, shtrohen para vlerësimeve të akademikëve (sërish konsideratë shumë për përjashtimet) që me gjoks kanë kapur dijen. Në të vërtetë, kopjimin e nxënësve para studimeve, profesorët e tyre në studime e kanë bërë kaherë; vetëm se këta i kanë dhënë titull “plagjiat”. Pra i kanë dhënë një term pak më të sofistikuar. Librat e tyre të tëra kopje, punimet akademike hajgare – dhe kopje – shënimet e tyre kopje; të gjithë bashkë në fabrikën e kopjes.

Kështu studentë, sërish të mbytur në teori e hiq praktikë, me skripta – dhe shënime fotokopjesh – përfundojnë universitet. E sepse dhe këtu ishin mbyllë sytë, të njëjtit përfundojnë fakultet pa qenë të aftë për një ditë punë.


-4-

Pra i gjithë sistemi edukativ i yni, është strehimore e madhe e të papunëve. Ky sistem i mbanë të njëjtit për një kohë të shkurtë – aq sa zgjasin studimet – për t’i lëshuar dhe më të papërdorshëm se sa ishin në fillim. Ata që vendosin t’i shtojnë tituj vetes, fatkeqësisht, do të mësohen nga të njëjtit individë, të njëjtat tekste e të njëjtat forma, sikurse në fakultet. Post-diplomikët, përveç se humbin një apo dy vjet, nuk mësojnë asgjë prej gjëje në master më shumë se sa në fakultet. Janë mbajtur – në strehimoren e të papunëve – vetëm një apo dy vjet më shumë.

Këtu përfundon edhe rrugëtimi i tyre shkollor. Plot 15-20 vjet të kaluara nëpër një sistem pa ideal, tërësisht jokreativ, patetik e i kapur nga njerëz të paditur që i provojnë t’i mësojnë të tjerët diçka. Pas 15-20 viteve shkollim, pjesa më e madhe e të diplomuarëve – nëpër një sistem pra që kopjimin, mashtrimin, intervenimin, skriptimin e plagjiatin e ka vlerë tërësisht të zakonshme – pra pjesa më e madhe e atyre që kalojnë këndej, mbesin siç kishin qenë gjithherë – të papunë.

Gjasat e tyre për të marrë punë për shkak të dijeve që kanë marrë nëpër shkollim janë minimale. Do t’iu duhen kurse shtesë, orë praktike shtesë, përpjekje shtesë, për të nisur angazhim në bazën e ulët të një vendpunimi mesatar. Nga sistemi ja dalin me sukses vetëm ata që në mënyrë vullnetare vendosin përpjekjen jashta tij; këtë, ndërsa, e mbajnë sa për adet. Sa për të ngirë apetitet e rrethit për një copë letër.

Për fatkeqësinë pra më të madhe, për gjithë këto 15-20 vjet, ky sistem – fabrikë e të paditurëve – nuk pajisë asnjërin prej tyre me aftësi bazike për të qenë atraktiv. Ky sistem, shenjtëron aq shumë letrën e diplomës, saqë harron se letra, si formë legjitimuese, është e pavlerë, si gjithçka tjetër, kur merret lehtë.

E në vend të ndryshimit të këtij trendi, në vend të përpjekjes për më shumë kriter, më shumë kualitet e më shumë vlerë – për kohën e paratë e dhëna në këmbim – ne ende kemi kërkesa absurde për më shumë tolerancë, më shumë lotari provimesh, më shumë dallim me kopje e intervenim; pasojat mbesin të parëndësishme.

Fatkeqësisht, asetin e pasurinë tonë më të çmuar, njerëzoren pra, e kemi transformuar në aset të devalvuar e të papërdorshëm. I gjithë sistemi arsimor i yni nuk i shërben të mësuarve, por edukatorëve. Pra ky sistem, në vend se të shërbejë për dije, shërben për akomodim pagash e prestigji për edukatorët e tij. Kaq shumë investim, për kaq pak kthim, vështirë se gjenë.



No comments: