Letra nga limbo
KOHA DITORE, 26 QERSHOR 2015
Mbi trendet e fundit në
rritjen ekonomike, deficitin tregtar, investimet e jashtme, remitencat, inflacionin
e papunësinë
-1-
Është bërë tërësisht
e zakonshme – fatkeqësisht – praktika e publikimeve të analizave ekonomike dhe
neglizhenca diskutuese e tyre. Jemi në gjendje të flasim me javë rend për
gjërat më të parëndësishme të mundshme, por as edhe një gjysmë dite nuk e japim
dot për, diçka si, rrjedhat ekonomike të Kosovës; për rritjen ekonomike, vendet
e punës, investimet e jashtme apo deficitin tregtar – për punë e mirëqenie pra.
Këtë muaj, Banka
Qendrore e Kosovës kishte publikuar raportin vjetor të ecjes sonë ekonomike
përgjatë vitit 2014. Fatkeqësisht, ky raport, kaq i rëndësishëm, vazhdon të publikohet
plot gjysmë viti pas përfundimit të vet vitit analizues. Dhe kjo vonesë, bashkë
me mungesën e një debatit më të gjerë shoqëror, të akademikëve, intelektualëve
e ekonomistëve plot – që i krijojmë me mijëra sosh për vjet – më bindë
përfundimisht për dy gjëra.
E para, se sado
që nuk kërkon thellësi shumë, marrja erë në ekonomi është sport i shtrenjtë për
kosovarët; nuk e bëjmë dot – rrjedhimisht dhe s’merremi me të. E dyta, edhe më
e rëndësishmja, se politikat ekonomike këndej bëhen pa kurrfarë ndërlidhshmërie
me të dhënat ekonomike. Numrat, siç dhe thjeshtëzohen këto trende rëndom, nuk
bëjnë bazë të një nisme politike që mesiguri përcakton me vite fatin e mirëqenies
këndej.
-2-
Raporti i
publikuar këtë muaj, nga BQK pra, bën një përmbledhje gjenerale të ecjes sonë
ekonomike përgjatë 2014-ës. E duke ditur natyrën përcjellëse të efekteve
ekonomike nëpër vite, të gjeturat domosdo përcaktojnë dhe ecjen tonë sivjet.
Ndër
rrumbullakimet e para – dhe më të rëndësishme – të raportit, mbetet rritja jonë
ekonomike e vitit 2014; ishte vetëm 2.7%. Kjo rritje vinte pas një parashikimi
tejet modest për rritje, prej 3%; që do të thotë, se vitin e shkuar ky vend nuk
kishte arritur të realizonte as objektivin më modest të mundshëm të tij. Herën
e fundit kur Kosova kishte rritje ekonomike prej 2.7% ishte viti 2004; vetëm
pasi kishte kaluar nëpër një periudhë të trazirave etnike, të pasigurisë e
kaosit.
Kosovës, përndryshe,
i duhet një rritje ekonomike prej 7-8%, për dhjetë vjet rresht, pra trefishi të
tanishmes, për të akomoduar kërkesat e reja për vene pune, e për të arritur
mesataren regjionale të standardit jetësor. Me ritmet e tanishme, do të na
duhen 80 vite për t’u barazuar me një mesatare evropiane.
Mbi të gjitha,
edhe kjo rritje modeste, tejet modeste pra, është bazuar në rritje të konsumit e
remitencave kundrejt uljeve të investimeve e eksporteve – krejt e kundërta prej
çfarë realisht do të na duhej përvjet. Sepse, në secilën rrethanë, rënia e
investimeve – publike a private pa dallim – e shoqëruar nga rëniet e
eksporteve, dëshmon se sa e paqëndrueshme dhe sa e pareplikueshme është baza e
rritjes sonë ekonomike. Në të vërtetë, po të mos ishin rritjet e remitancave përgjatë
vitit 2014, për plot 12% madje, kjo rritje e jona do të ishte edhe më e ngushtë.
Është vetëm falë ndihmave të diasporës që ne mbijetojmë disi. Në vitin 2014,
ato kishin arritur në plot 693 milionë euro – vlerë rekorde e shënuar
ndonjëherë.
-3-
Lajmi më i rëndë,
ndërsa, i vitit që shkoj, ishte tkurrja e investimeve të jashtme direkte në
Kosovë. Për vetëm një vit, këto investime kishin rënë për plot 46%; nga 258
milionë euro, sa ishin në vitin 2013, në vetëm 176 milionë euro. Nuk mbaj mend
kur kemi pasur një nivel kaq të ulët të investimeve të jashtme direkte
sinqerisht.
Në nivelin e
tanishëm të zhvillimit ekonomik, prurjet e jashtme mbesin alternativat e vetme
të rimëkëmbjes. Kosova as nuk ka, e as që mund të ketë, burime të mjaftueshme që
nisin këtë rimëkëmbje. Kosova, ç’është e vërteta, me shkurtimin prej 46% të
investimeve të jashtme ka shkurtuar për aq – dhe më shumë – edhe mundësinë e
ringritjes së saj. Dhe ky shkurtim vjen pas një sërë shkurtimesh të përvjetshme.
Kujtoj, se në ditën e parë të pavarësisë, Kosova shënonte plot 400 milionë euro
investime të jashtme në vit. Është ecje sinqerisht e rëndë, mjeshtërisht e
mbrapshtë, potencialisht rrënuese.
Në vitin e
shkuar, vlera e importeve kishte arritur nivelin rekord; plot 2.5 miliardë
euro. Kaq janë paratë që i dërgojmë jashtë – në këmbim të mallrave e shërbimeve
gjithsesi. Eksportet, ndërsa, kishin shënuar vlerën prej 325 milionëve. Ato
mbulonin importet me vetëm 13%, për të dhënë një bilanc përfundimtarë të
deficitit tregtar prej plot 2.2 miliardë eurove; për gati 5% më i lartë se sa
një vit më parë.
E kam thënë
vazhdimisht, do ta them sërish, përderisa nuk fillojmë zëvendësimin e një pjese
të importeve, me prodhim e krijim të brendshëm, përderisa nuk fillojmë pra të
mbajmë paranë këndej, vështirë se do të gjejmë brumë për zhvillim. Asgjë nuk
mbetet këtu; gjithçka që vjen e krijohet, ikën për jashtë – në importe.
-4-
Lajmi i vetëm i mirë i vitit që shkoj, ishte niveli i ulët i inflacionit. Vetëm 0.4% përgjatë gjithë vitit 2014. Çmimet, gjatë këtij viti ishin rritur në produkte të alkoolit e duhanit, në energji elektrike e në veshmbathje. Ishin zvogëluar – në masë të theksuar madje – nga rënia e kostove të arsimit dhe nga rënia e çmimeve të naftës – që kishte nisur një zinxhir të ri rëniesh. Ushqimi, ndërsa, kishte shënuar rritje prej vetëm 0.2%.
Në të vërtetë, një
vendi me kaq telashe, me kaq ngufatje, vetëm ngritja e çmimeve i mungonte për
ta vënë në gjunjë përfundimisht. Në një llogaritje të “indeksit të mjerimit”,
një kombinim i nivelit të inflacionit vjetor në Kosovë me nivelin e papunësisë
(prej 30.3% - sipas të dhënave zyrtare) do te vendoste Kosovën në top 15 vendet
më të mjerueshme në botë.
Dhe nuk do të na
duhen fare rangimet për të kuptuar se në vitin 2014, Kosova njëmend ishte një
vend i mjerimit – dhe vazhdon të jetë. Kur nga vendi ikin për pak muaj plot
120.000 banorë, pra rreth 7% e popullsisë së gjithmbarshme të vendit, të duhet
shumë pak rangim për konfirmim.
-5-
Viti ishte i rëndë.
E për fatin tonë të keq, do të vazhdojë të jetë i rëndë edhe ky i sivjetshmi.
Ta mendojmë për pak. Rritja ekonomike, për shkak se nuk ka bazë, as sivjet s’ka
për t’u rritur më shumë se 3%. Konsumi e remitencat do të kontribuojnë në
shtim, por mungesa e investimeve private – jo publike pra – do të vë pragun e
epërm. Investimet publike, si proporcion e vlerës ekonomike që krijohet në
vend, kanë arritur pikën e ngopjes – s’mund të rriten më tej. Investimet
private ndërsa, që kanë potencial për rritje, do të kenë qenë të goditura nga
viti i vështirë paraprak. Investimet e jashtme ndërsa, kanë qenë në rënie, dhe
përderisa nuk ndodhë ndonjë mrekulli me asetet publike ose me ndonjë superinvestim,
ato kanë për të mbetur në nivel të njëjtë për një apo dy vjet.
E gjithë kjo, ka
për të ndikuar në potencialin tonë krijues, si ekonomi pra. Kështu, do të
eksportojmë më pak, do të importojmë më shumë. Do të kemi deficit më të lartë
tregtarë. Si çdo vjet, si përherë.
Dhe në fund të
vitit, diskutimin e vetëm ekonomik do ta bëjmë vetëm rreth buxhetit. Vetëm
rreth atij dokumenti kontabiliteti që merret më shumë me barazime se sa me ide
zhvillimore. Madje, dhe në ato barazime nuk jemi mirë. Sa për rikutjim, borxhi
publik në vitin 2014 ishte rritur për plot 22%.