Monday, 20 April 2015

MBI VITET E HUMBURA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 17 PRILL 2015

Një refleksion mbi investimet që nuk u bënë kurrë



-1-

Vetëm 193 milionë euro është vlera e investimeve të huaja në Kosovë përgjatë vitit 2014. E meqë nuk kisha mbajtur në mend të kem regjistruar vlerë më të pakët në këto shtatë tetë vite të shkuara, iu ktheva numrave të prodhuar nëpër raportet e Bankës Qendrore të Kosovës. Numrat e fundit do të duhej të ishin alarmant për secilin që provon të merret me pak ekonomi; sepse numrat – që nuk rrejnë kurrë – shpërfaqnin më së miri nivelin e rënies sonë ekonomike nëpër vite – përfshirë edhe këtë të sivjetshmin pra.

Dhe numrat e njëjtë tregonin qartë, se me vetëm 193 milionë euro investime të jashtme, ne kishim rrumbullakuar një trend rënës investiv për plot tetë vjet. Tetë vite më parë vlera e investimeve të jashtme ishte rreth 440 milionë euro në vit; ishte një rritje prej një çereku nga viti paraprak. Viti i parë i pavarësisë që e vijonte 2007-ën kishte shënuar rënien e parë, nga 440 në 336 milionë; për të vazhduar gradualisht e sigurt (ani pse me fluktacione) nëpër vitet vijuese – si 287 në vitin 2009, 365 në vitin 2010, 393 në 2011, 228 në 2012, 258 në 2013 e 193 në vitin 2014; kalimi i pragut të ulët nën dyqind milionësh këtë vit, mbetet risia e zezë.

Paramendoni një rast të përmbysur; kur në vend të trendëve rënëse do të ndiqnim ato rritëse; pra në vend të rënies së vazhdueshme do të kishim atë çerekun e përvjetshëm. Sepse, si një vend i ri, i pavarur e me plot mundësi të pashfrytëzuara (në investime kapitale, projekte publike e procese privatizuese) ne do të nxirrnim më të mirën. Paramendoni një rast të rritjes prej çereku të përvjetshëm; sot, në një trend të tillë, ky vend do të kishte plot miliarda euro investime të jashtme për vit – saktësisht tre sosh.

-2-

Nuk kishin qenë aspak të pamundura ato, sikur në tetë vitet e shkuara të kishim një proces privatizues mirëfilli në telekom, që do të merrte një miliardë vlerë shitje aty, dhe miliona të tjerë investime në rrjet e shërbime. Sikur në vend të dy proceseve të cilësuara si korruptive, të mos largonim secilin investitor serioz – përfshirë dhe Deutsche Telekom – që sot na mbetet veçse një ëndërr investuese e largët madje. Do të bënim nam, sikur në vend të prurjeve të pafunda të militantëve që gjithçka veçse punë bëjnë, të sillnim përvojë, dije dhe emër të njohur mbarësisht. Sot telekomi i Kosovës vlen hiçgjë; miliona euro janë shpenzuar në procese konsultative për privatizime me sherr që mirë se nuk ndodhën kurrë. Fatkeqësia mbetet ideja se i njëjti aset provohet të rivitalkizohet nga të njëjtit që shkatërruan atë, humbën miliarda e tmerruan investitorë të tjerë.

Nuk kishin qenë aspak të pamundura ato, sikur në vend të faljes së distribucionit për 26.3 milionë euro; aq sa inkasimi i falur tek ta për dy muaj rresht, ne do të kishim një proces serioz, të bollshëm e jo – pa fije rezervimi e them këtë – mafioz. Do të kishim sërish investime, fonde të bollshme e shërbime të denja nga kompani e biznese që kanë model modernen jo allashverishet e vëllezërve të partiakëve tanë; jokredibil e të frikshëm sa s’bëhet më.

Nuk kishin qenë aspak të pamundura ato, sikur në vend të pritjeve e rahatimeve politike e zaptuesve në Trepçë, të kishim një model të punuar e ekzekutuar kaherë. Thuajse kemi kohë e vjet për të pritë e falë. Trepça nuk u bë asnjëherë; modelet diskutuese politike morën kah popullist – u shndërruan në tabore thirrëse herë për pozitën e herë për opozitën; muhabetë i thatë që sa vjet. Në pritje të mrekullisë, Kosova vazhdon të mbetet paradoksalisht larg minierave që i zotëron vet.

Nuk kishin qenë aspak të pamundura ato, sikur në vend të ndryshim-emrit rreth termocentralit të ri, të kishim aktualisht një termocentral të ri. Tetë e më shumë vite të humbura në diskutime të kota letrash e burokracie; as edhe një hap më tej. Me termocentral të ri, përvec fondeve, hiseve e punëve pra, ne mund të kishim dhe trajnime e kërkime shtesë – korporatizim modern e jo shitblerje mosvet – pra do të kishim një kulturë e sistem modern që dallon me të tanishmit që s’sjellin gjë. Regresim në bërje biznesi tash e sa vjet.

Nuk kishin qenë aspak të pamundura ato, sikur për secilin interesim të huaj në vend, të mos u kërkonin hise e haraç politikanët tanë. Licenca fantome për kusherinjtë e vet – për t’iu shitur si kushtëzim secilit që ka njëmend interes; kërcënime primitive për evropianë e investitorë të mbarë; dhe hisenik-kërkues të shkretë – të gjithë kanë mbyllur këtë vend për secilën mundësi të jashtme. Kështu, mijëra vende të reja pune, të destinuar për një vend të ri e me plot prosperitet, janë zhvendosur nëpër rajon.

-3-

Pra i kemi humbur tetë vjet, dhe invesitmet e vetme të jashtme tani janë ato të një autoudhë korruptive e miliardëshe që merr paranë tonë tash e sa vjet – përvjet. Paradoksalisht, paratë që i paguajmë vet tek një kompani tjetër, na llogariten si investim i jashtëm këndej.

I kemi humbur tetë vjet të një gjenerate që nuk meriton kaq shumë sakrificë. Barrën e tranzicionit po e paguajmë shtrenjtë, dhe nuk besoj – e kjo është lajm i mirë – se do të ketë një gjeneratë tjetër të merr kaq pak nga ky vend. Prandaj, përtej sakrificave qëllimmira, me ose pa qejf, është e udhës që përfundimisht dhe ne të kërkojmë kompenzim të pasurisë sonë për mirëqenien tonë. E në mungesë e rënie të investimeve, secili investim e para e sjellë më ngjallë një fije shpresë.

Dhe mu në shpresë dua ta shoh projektin e Brezovicës. Secili që ka kaluar një gjysmë vikendi atje, ka mund ta kuptojë rëndesën e fukarallëkun e një vendi me kaq shumë potencial. Dhe secili që ka kaluar andej mund ta ketë kuptuar rëndësinë e madhësinë e investimeve që kërkohen atje. Procesi i përfunduar këtë javë, mund – dhe mesiguri mbetet – larg prej më të mirëve. Por gjithsesi, si prospekt, më bëhet mjaft premtues.

Sepse investimi i 400 milionëve në një vend, është pikërisht ajo për të cilën ky vend e kjo gjeneratë ka sot nevojë. Nuk ndaj bindjet me askënd që ankohet mbi mospasjen aktuale të mjeteve në dispozicion nga investitori nënshkrues i ri. Ç’është e vërteta, nuk ka asnjë biznes sot që ka në llogari plot 400 milionë – kesh edhe atë. Përkundrazi, secili biznes që ka një shumë të tillë – pra s’di çfarë të bëjë me to – më mbetet më së paku biznes. Aftësia dhe zotësia e një investitori matet me aftësinë e tij për të gjeneruar mjetet e nevojshme. Dhe nëse ky investitorë mund t’i gjenerojë 400 milionë – ngado (brenda e jashtë) – dhe këto mjete mund t’i investojë në Kosovë, sidomos në një vend të lënë shkret, them se kemi bërë një hap të mirë.

E hapa të mirë duhet ndjekur dhe në energjetikë, dhe në telekom dhe në miniera. Na duhen përfundimisht investimet pa të cilat nuk mundemi të ngrihemi ekonomikisht në këmbë. Natyrisht se duke njohur urinë dhe pangopjen për para të klasës aktuale politike pres sfida e përballje plot. Sepse, siç dhe kemi humbur telekomin e distribucionin e të tjerat deri më tani – në tetë vjet e shkuara – mund të humbim dhe këto të mbetura në të tjerat që vijnë. Na duhet pra një storie e re, një sukses i ri, një emër i ri që këtë vend e bën sado pak më të butë përballë investimeve të huaja që ndodhen sot gjithandej. Projektet e mëdha kapitale mbeten shanset tona të fundit për këtë.



1 comment:

Marian said...

INVESTIMET NATYRORE.

$ 300_ $ 4500
$ 400_ $ 6000
$ 500_ $ 7500
$ 600_ $ 9000
$ 700_ $ 10500
$ 800_ $ 12000
$ 900_ $ 13500
$ 1000_ $ 15000.
Filloni investimet dhe fitoni direkt në portofolin ose llogarinë tuaj bankare
SHENIM: Duhet të keni një telefon Android ose PC për të monitoruar llogarinë tuaj, nëse jeni të interesuar kontaktoni në WhatsApp: +17168691327. email: midasgoldmoney@gmail.com