Friday, 23 January 2015

TREPÇA

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 23 JANAR 2015

Të gjitha pretendimet e Qeverisë së Serbisë për hise në Trepçë, janë ligjërisht po aq jovalide sa edhe pretendimet e saja për gjithë Kosovën. Pra ligjërisht, dhe me legjitimitet të pranuar ndërkombëtarisht, Serbia ka zero gjasë të trashëgojë diçka nga pasuria e Kosovës, përfshirë edhe Trepçën pra. Kjo natyrisht nuk do të thotë se ne duhet të qëndrojmë në rehati – sidomos kur nuk ushtrojmë sovranitet mbi Veriun


-1-

Trepça mesiguri mbetet aseti më kompleks i mundshëm me të cilën është ballafaquar Kosova ndonjëherë. Ky kompleksitet buron fillimisht nga rëndësia historike e kombinatit metalurgjik në veri të Kosovës dhe për gjithë potencialin zhvillimor që ai mbanë për të ardhmen. Trepça – me gjithë pasurinë e saj – mbetet aseti më i rëndësishëm ekonomik i yni. Kompleksiteti i asetit shtohet edhe nga vet natyra e manaxhimit biznesor të tij përgjatë këtyre pesëmbëdhjetë viteve të fundit, menaxhim i përcjellë kryesisht me neglizhencë të pashpjegueshme institucionale. Natyra komplekse biznesore e Trepçës rëndohet edhe nga pretendimet e kredidhënësve që – me apo pa të drejtë – rëndojnë fotografinë e mundësive borxh-paguese. Dhe për të mos mjaftuar gjithë këto, gjysma e asetit të Trepçës është jashta kontrollit institucional të Republikës së Kosovës; kontrollohet pra nga institucionet ende paralele në veri.

Pra adresimi i problemit të Trepçës nuk ka qenë asnjëherë i lehtë; e mbi të gjitha ka qenë tërësisht i pamundur për të marrë udhë në një vikend të vetëm – sa ishte edhe koha e promovimit qeveritar për të dhënë zgjidhje. Ky promovim u ngatërrua keq e rëndë kur fotografia e transferimit pronësor nga një ndërmarrje shoqërore në atë publike u dukë e zymtë dhe me plot borxhe. Kështu, nëpërmjet një menaxhimi skandaloz të situatës publike, me shumë oportunitet për nacionalistët në Serbi, një nismë për dhënie të zgjidhjes për Trepçën reversoi në disfatë e indinjatë gjithëqytetare këndej.

Është pra fatkeqësi gjithënacionale që problemi i transferimit nuk ishte adresuar shumë më parë. Sa për rikujtim, Agjencia Kosovare e Privatizimit, institucion i themeluar e menaxhuar nga Kuvendi i Republikës, ka kohë që ka vendosur një moratorium rreth ndërmarrjes shoqërore të Trepçës. Ky moratorium do të skadonte më 2 shkurt të këtij viti; si reflekcion ndaj një ultimatumi për zgjidhje të lëshuar nga Dhoma e Veçantë e Gjykatë Supreme të Kosovës – e cila pra kërkonte një zgjidhje – në të kundërtën do të likuidonte (falimentonte asetin). Procesi i likuidimit do të mund të nënkuptonte jo vetëm largimin nga puna të 5000 shqiptarëve e 3000 serbëve atje, por edhe blerjen e Trepçës nga likuidatorët – të cilët me të gjitha ligjet aplikabile në vend (dhe ato ndërkombëtare) mund të kenë e jenë nga gjithandej e gjithkush; përfshirë edhe dikë si vet Qeveria e Serbisë. Njëtrajtësisht, nëpërmjet procesit të privatizimit nga AKP, investitori final mund të jetë i papërcaktuar nga preferencat tona. Pra edhe me likuidim edhe me privatizim të ndërmarrjes shoqërore, Trepça mund të përfundonte tek dikush me interesa të kundërta të Kosovës.
Por, për të dhënë e kuptuar mirë gjendjen e tanishme të asetit dhe alternativat e manxhimit të tij, dua të ndërtoj për lexuesit disa premisa të përgjithshme që mund të japin një qartësim minor në këtë drejtim.

-2-

Premisa e parë – dhe më e rëndësishmja – mbetet ajo e të drejtës trashëguese të pronës që ndodhet në Kosovë. Nuk ka asnjë dyshim – dhe për këtë të mbesim të sigurt – që e gjithë pasuria e Kosovës, ligjërisht, i takon vetëm Kosovës. Kjo e drejtë ndërkombëtare na është garantuar me vet Pakon e Ahtisaarit, në nenet 8.3 e 8.4 si dhe në Aneksin 7 të pakos. Rrjedhimisht, secili shtet që njeh Republikën e Kosovës si shtet të pavarur, njeh dhe gjithë pasurinë që ndodhet në Kosovë si pasuri të popullit të saj. Ky fakt – i njohur ndërkombëtarisht pra – ka gjasë të kontestohet aq sa ka gjasë të kontestohet vet pavarësia e Republikës së Kosovës. E drejta mbi pronën madje është njohur edhe nga mekanizmi administrues i Kombeve të Bashkuara që ishte vendosur menjëherë pas luftës në Kosovë, e i cili – duke njohur trashëgiminë e pronës së Kosovës tek populli i Kosovës – kishte ndarë atë në dy grupe, në pronën publike (ku bënin pjesë kryesisht shërbimet publike) aksionare e së cilës do të mbeste Qeveria e Kosovës, dhe në pronën shoqërore, për të cilën përgjegjëse do të mbetej një trup mirëbesimi i cili përfundimisht do të shndërrohej në AKP (Trepça bën pjesë në këtë të fundit). Në të dyja rastet pra, trashëgimtar i pakontestuar mbetej populli i Kosovës.

Në këtë vijë lind dhe premisa e dytë. Të gjitha pretendimet e Qeverisë së Serbisë për hise në Trepçë, janë ligjërisht po aq jovalide sa edhe pretendimet e saja për gjithë Kosovën. Pra ligjërisht, dhe me legjitimitet të pranuar ndërkombëtarisht, Serbia ka zero gjasë të trashëgojë diçka nga pasuria e Kosovës, përfshirë edhe Trepçën pra. Kjo natyrisht nuk do të thotë se ne duhet të qëndrojmë në rehati – sidomos kur nuk ushtrojmë sovranitet mbi Veriun – përkundrazi, duhet të alarmojmë gjithë miqtë tanë për ndërhyrje politike në sistemin tonë politik; si gjitha të tjerat të deritanishmet. Mbi të gjitha, në asnjë rrethanë, nuk duhet që veprimet e qeverisë sonë të ndërlidhen me veprimet propaganduese e joligjore të Serbisë.

-3-

Ka një parim universal në transferimin pronësor të pasurisë; ajo – pasuria pra – transferohet me gjithë detyrimet, me borxhet pra; dhe kjo bën premisën e tretë të diskutimit tim mbi Trepçën. Transferimi pronësor i Trepçës – nga një ndërmarrje shoqërore nën administrimin e një fondi mirëbesimi që sot mbanë emrin AKP, në një ndërmarrje publike e administruar nga vet Qeveria e Republikës – nënkupton e mirëkupton ndërlidhshmërinë e borxheve me pasurinë e të pasurisë me borxhe.

Republika e re e Kosovës, e shpallur dhe krijuar më 2008, ka pranuar të gjitha borxhet e pasurisë së trashëguar – përderisa ato borxhe mund të dokumentohen në ndërlidhshmëri dhe ekskluzivisht me vet pasurinë. Sepse detyrimet e borxhet e saja kanë pasur karakter të garancisë e njohjes ndërkombëtare. Mbi këto borxhe (të dokumentuara) janë krijuar edhe asetet që ne i kemi trashëguar post-pavarësisë. Pra ne nuk mund të pretendojmë trashëgiminë e një aseti, duke e shkëputur asetin nga borxhet e tij. Thënë ndryshe, një kredi e marrë nga Trepça (nga një sistem politik i njohur ndërkombëtarisht), prej një institucioni kredidhënës ndërkombëtar (nga të njëjtit që marrim borxhe edhe sot), e i investuar në asete të cilat i trashëgojmë tani – një kredi e tillë pra – është borxh i pakontestuar i ndërmarrjes dhe secilit pronar e trashëgimtarë të saj. Ne, ndërsa, mund të kontestojmë dhe refuzojmë secilin borxh që plotëson kriterine  diskriminimit – pra të gjitha borxhet e marra gjatë regjimit të Millosheviqit dhe të përdorura për qëllime krejt tjera nga qëllimi fillestar i marrjes së borxhit. Kjo e drejtë na është garantuar sërish edhe me ligjet e para të misionit të Kombeve të Bahskuara në Kosovë por edhe me vet Pakon e Ahtisaarit.

Sipas prezantimeve qeveritare, llogaritet që Trepça ka mbi 1.4 miliardë kërkesa për borxhe; një pjesë e madhe e të cilave ndërlidhen edhe me vet punëtorët e saj. Një pjesë tjetër mund dhe të dokumentohet si jo valide, sidomos kur pretendimet për borxhe vijnë nga fondet Millosheviqiane; por gjithsesi, është fakt i pakontestuar se nuk ka as edhe një vlerësim të vetëm mbi vërtetësinë e këtyre borxheve. Për këtë natyrisht duhet drejtuar përgjegjësinë në AKP dhe vet institucionet e Kosovës të cilët nuk kanë bërë e dhënë as edhe më të voglin angazhim për të përfunduar një evidentim të tillë. Institucionet, sepse tash e sa vite kanë lënë AKP-në pa bord e pa strukturë udhëheqëse, e AKP-në sepse kur ka pasur një të tillë nuk ka përfunduar as aktin më të domosdoshëm rreth Trepçës – pra verifikimin e kërkesave të deponuara tek ta – për borxhe.

-4-

Në këto rrethana Kosovës i kishin mbetur dy alternativa, e para që Trepça të shndërrohet në ndërmarrje publike. Shndërrimi në ndërmarrje publike – me ligj të veçantë – do të kthente pasurinë në pronësi të Qeverisë, por njëtrajtësisht do të nënkuptonte edhe marrjen përsipër të të gjitha borxheve të ndërlidhura me Trepçën. Në këtë logjikë, Kosova brenda natës mund t’i shtonte vetes – në skenarin më të zi – rreth 1.4 miliardë euro borxh të njohur ndërkombëtarisht. Propozimi – për transferim në ndërmarrje publike dhe më pas llogaritje të borxheve nuk ishte i ri, ishte propozim i qeverisjes së kaluar. Personalisht nuk do t’i rekomandoja asnjë qeverie marrjen e një vendimi të tillë pa ditur saktësinë dhe vërtetësinë e këtyre borxheve. Pra natyrshëm, për t’iu shmangur secilit rrezik për hiperborxhe dhe bllokim financiar të shtetit – do të verifikoja ato e më pas do të mendoja zgjidhjen. Secili qatip mediatik amator që me hamendje e me rrahjegjoksim pretendon vërtetësinë e këtyre borxheve, pa asnjë procedurë verifikuese arbitrazhi vendor apo ndërkombëtar – pra hesapon me kutrum – nuk e ka as më të voglën ide për natyrën e problemit. Këto punë nuk shkojnë me emocione. Borxhet mund të dalin dhe zero, siç dhe mund të dalin 1.4 miliardë; për këto gjithsesi duhet procedurë.

Alternativa e dytë (gjithmonë për t’iu shmangur falimentimit) mbetej që të gjenden forma të mençura ristrukturimi e riorganizmit, alternativa e ide ligjore që do t’i mundësonin Kosovës pasjen e një fotografie të qartë të secilit skenario të mundshëm. Pra na duhej gjithsesi një strategji dhe një trajtim i veçantë për të zgjidhur një herë e mirë problemin më kompleks të mundshëm; atë të Trepçës.

-5-

Defekti i politikëbërjes sonë ishte në formën dhe mënyrën e prezantimit të kësaj alternative. Sikur e njëjta të jepej fillimisht, si ide e parë pra, kam përshtypjen se do të pranohej nga të gjithë. Në fund të fundit, e njëjta nuk ndryshonte asgjë nga e djeshmja, e pardjeshmja e deri tek pesëmbëdhjetë vite më parë. Kjo natyrshëm në vete dhe mbetet problem. Nuk merr asnjë arsyetim vonesa për zgjidhje të asetit më të rëndësishëm strategjik e ekonomik tonin. Por gjithsesi, kërkesa për një strategji të veçantë dhe ligj të veçantë – për transformim në ndërmarrje publike – mbetet për mendimin tim plotësisht valide. Dhe në këtë problematikë u krijua disfata më e turpshme politike për Kosovën; pretendimi i Serbisë se kishte përcaktuar agjendën sovrane të Republikës sonë. Madje jo vetëm aq, kishte vendosur që çështjet pronësore – si “pasuri të Serbisë” – t’i trajtonte në Bruksel.

Nëse një pretendim i tillë do të ishte i vërtetë, atëherë Kosova për herë të parë do të regresonte institucionalisht e me sovranitet që nga shpallja e pavarësisë. Do të ishte akt i paprecedent, i pafalshëm dhe në çdo rrethanë armiqësor ndaj Kosovës – thjeshtë do të ishte anti-kushtetues. Sepse, për të qenë një pasuri e paluajtshme në Kosovë pasuri e Serbisë, do të duhej që Kosova të ishte Serbi. Këtë ide fashiste ka kohë që e kemi zgjidhur – këtë e dimë. Për diskutimet në Bruksel ndërsa, nëse duhet të diskutojmë për diçka, atëherë do të diskutojmë jo për pronën që na e njeh e gjithë bota që ka njohur shtetësinë e Kosovës, por do të diskutojmë për suksesionin (hisen) në pasurinë e ish-Jugosllavisë, për fondet e plaçkitura pensionale nga qeveria e Serbisë, dhe mbi të gjitha, për dëmet e luftës – për miliarda euro dëme të bëra para vitit 1999 në Kosovë.

-6-

Institucionet e Kosovës kanë vendosur para vetes një moratorium të ri të trajtimit të problemit të Trepçës, i cili moratorium mund të zgjasë rreth 18 muaj të plotë. Në këtë periudhë institucionet tona do të duhet të funskionalizojnë fillimisht AKP-në, pra ta bëjnë me Bord e me strukturë udhëheqëse, e më pas duhet t’i mbledhin mendjet më të mira ekonomike, biznesore e ligjore – veçanërisht ligjore – për të gjetur një zgjidhje adekuate.

Në gjithë këtë rrugë, ne duhet të ngrisim zërin kundër secilit pretendim territorial dhe të pasurisë së Kosovës nga fqinjët e Kosovës; sidomos kur këto pasuri na janë garantuar ndërkombëtarisht gjithherë.

Në fund fare, duhet pasur jashtëzakonisht kujdes ndaj një neni në ligjin e ri, i cili specifikon konsultimet me komunat veriore për fatin e pasurisë nacionale. Si në ikje, por e thënë në plotni, ky nen do të ishte sërish pengesë serioze e trajtimit të pasurisë së Kosovës. Pasuria nacionale e Kosovës nuk është pasuri komunale. Kur privatizojmë PTK-në nuk pyesim Komunën e Prishtinës e banorët e saj veçse PTK gjendet në Prishtinë; kur privatizojmë KEK-un nuk merremi me banorët në Obiliqit; e kur koncesionojmë Aeroportin nuk marrim aprovim në Lipjan. Njëtrajtësisht, nuk do të duhej të merrnin e as të mendonim të merrnim ndonjë pëlqim e ide nga veriorët për pasurinë nacionale të Kosovës. Sepse, siç na është garantuar me vet shtetësinë, pasuria e Kosovës nuk është e një pjese të Kosovës, është e gjithë popullit të saj.



No comments: