Letra nga limbo
KOHA DITORE, 16 JANAR 2015
Qëndrimet kundër të vrarëve,
të zhdukurve e shqiptarëve të tjerë vijnë nga zyrat e Republikës, gjejnë
mbrojtjen e Republikës, paguhen nga taksat e Republikës – dhe janë kundër
Republikës. Kështu, Republika
ime mbetet më së paku Republikë. Mbetet e mjerë.
-1-
11840 është numri
i të vrarëve në Kosovë – numër ky i përmbledhur në një botim të Agjencisë
Shtetërore të Arkivave të Kosovës. Nga ta, 1392 janë fëmijë e 1882 të moshuar.
Nga fëmijët ndërsa, 296 janë nën moshën 5 vjeçe. E mendoni pak? Plot 296 fëmijë
të vrarë nën moshën 5 vjeçe; nën 5 vjet për atë Zot. Ky është bilanci i luftës në
Kosovë.
Një ministër i Republikës sime – Jabllanovic pra –
injoron gjithë vrasjet sikurse të ketë jetuar shumë larg nga këtu; por s’është
ashtu. Ky ministër Republike që mbanë moshë të përafërt me mua, ka kaluar gjithë
jetën e tij në Kosovë, në Leposaviq të Kosovës – jo më larg se tetëdhjetë
kilometra nga unë. Dhe, përveç nëse nuk ka tru të çrregulluar nga ndonjë sindrom
kretinizmi e mohimi patologjik, ai mbanë rend e mirë secilën ndodhi të vendit
tonë të përbashkët. Ai mbanë rend e mirë – siç mbajë rend e mirë dhe unë –
trupat paramilitare, militare e policore që për vite rresht kishin bërë kërdi
çnjerëzore; aq çnjerëzore sa u dashtë intervenimi i parë një superaleance
perëndimore për ti bombarduar e ndalur çnjerëzorët si ta. Ai mbanë rend e mirë
– siç mbajë rend e mirë dhe unë – gjetjet e trupave të zhdukur jo në Kosovë,
por në Rashkë të Serbisë; dhe atë jo në vitin 1999, por plot 15 vite më pas, në
vitin 2014 – të groposur e të mbuluar me gjakftohtësi jo vetëm më dhe e gurë,
por me një ndërtesë të tërë – e gjitha mbi fëmijë e pleq e civilë. Ai i mbanë
rend e mirë të gjitha.
Por si është e mundur që masakrat në Kosovë t’i njeh e
gjithë bota e mbarë, por nuk i njeh një ministër Republike që ka kaluar gjithë
jetën e tij i rrethuar nga masakrat? Çfarë e shtynë një ministër Republike të
komunitetit serb të mohojë një fatalitet njerëzor – nëse jo ndaj bashkëqytetarëve
të tij – thjeshtë ndaj qenieve si ai? Nga kjo urrejtje ndaj të vrarëve që nuk sot
nuk kanë zë? Mbi të gjitha, pse është ende ministër një fashist si ky?
-2-
E mbrapshta e një ministri model si ky megjithatë nuk
mbaron këtu. Vetëm një javë më parë i njëjti – dhe të njëjtët pas tij – i
kishte quajtur egërsira nënat e dëshmorëve të atdheut, për ta tjetërsuar
Republikën time e tuajën e të tijën në fund si krahinë të Metohisë. Një tjetër
ministër si ai kishte hequr stemën e Republikës nga komunikimet zyrtare
qeveritare dhe kishte refuzuar rrjedhimisht të komunikojë ministria e tij në
shqip; përderisa një komunë tjetër ngjitur me Prishtinë kishte lëshuar
komunikatë zyrtare si një komunë që ndodhej në Serbi.
Qëndrimet e tilla
vijnë nga zyrat e Republikës, gjejnë mbrojtjen e Republikës, paguhen nga taksat
e Republikës – dhe janë kundër Republikës. Kështu,
Republika ime mbetet më së paku Republikë. Mbetet e mjerë.
Vetëm muaj më parë,
në Qeverinë e Kosovës vendet e rezervuara udhëhiqeshin nga serb që me përkushtim
shpeshherë dhe më të madh se shqiptarët bënin shumë për Republikën. Ata
pranonin Republikën si atdhe të barabartë të të gjithë etnive – siç dhe
definohet me Kushtetutë. Kishin pasaportë të Republikës, mbronin stemën e
Republikës, e bënin vet Republikën. Të njëjtit u flakën këtë herë, kur në
zgjedhjet e kurdisura në të gjitha bashkësitë serbe u shpërfaq një listë serbe
që sot – institucionalisht – provon të zhbëjë secilën pjesë të Republikës,
përfshirë dhe ato më të ndjeshmet si dëshmoret, viktimat e vet shtetësinë.
-3-
Ministra fashistë
si këta – në asnjë rrethanë normale – nuk do t’i shihnin zyrat e stemat e
qeverisë për një orë pas qëndrimeve; hiç për më shumë. Sepse Republika dhe
qeveria nuk janë punë mendimesh e interpretimesh të tekeve fashiste
individuale; nuk janë këto kopshte fëmijësh me meny përzgjedhjeje të sjelljeve
e bëmave. Tjetërsimi i Republikës nga institucionet e Republikës është shkelje
e secilit betim, secilit përkushtim dhe secilit qëllim institucional. Mendimet
e lira – dhe atë jo nxitëse të urrejtjes – mund të bëhen jashtë saj. Secila
sjellje tjetër, ndërsa, ndjekë rregulla; u thonë ligje, u thonë Kushtetutë.
Mosshkarkimi i
tyre – në grup pra – përbën fatkeqësinë më të madhe të qeverisë së re. Do të duhej
të tregonte fuqi, seriozitet dhe në fund kredibilitet përballë qytetarëve të
saj; t’u dal zot pra të vrarëve, të zhdukurve, nënave të tyre e vet Republikës.
Ndryshimet nisin mu nga qëndrime si këto, pavarësisht konsekuencave e
presioneve eventuale. Në fund të fundit një koalicion shumicë shqiptare nuk do
të duhej as për së afërmi të mendonte derivatet e shkarkimit e përjashtimit –
dhe kështu dhënies së shembullit – për refuzuesit të Republikës. Do të vinin të
tjerët pas tyre, siç dhe kishin qenë të tjerët para tyre. Sepse po nuk u reagua
tani, mu tani, të tjerët do të nxiten njëtrajtësisht. Fjalët kundër Republikës
do të shndërrohen në punë kundër saj, bindjet do të marrin hov më shumë e zhgënjimet eventuale do të bëhen realitet.
-4-
Lista serbe mund
të dalë e pandreqshme; dhe ky fakt mund të jetë lajmi më i keq që promovuesit
dialogues të saj mund të marrin. Lajmi më i keq për të tjerët ndërsa, pra për
shtetin e të gjithë etnive, për neve, për vet serbët e moderuar e liderët e
tyre normalë, është se e gjithë përpjekja e përbashkët pesëmbëdhjetëvjeçare është
zhbërë brenda një viti. Kështu, në gjuhë të pesëmbëdhjetë viteve më parë, një
serb i Kosovës si Jabllanoviq mohon gjithçka shqiptare – edhe vet vdekjen e
tyre pra. Ky nuk është progresi që evropianët dhe promovuesit e
kompromis-dialogut kishin në mend. Tani madje, edhe gjithë ato kompromise bëhen
të pakuptimta kur në kthim kemi marrë asgjë; në të vërtetë kemi marrë shumë më
pak se çfarë kishim.
Por ky fakt i ri
nuk nënkupton në automatizëm tolerancën tonë. Kjo sjellje e jona e tanishme –
toleruese pra – mund të dëshmojnë veçse impotencën e qeverisë sonë, por nuk bën
të dëshmojë idenë e një sjelljeje standarde në të ardhmen; toleranca jonë nuk
guxon të bëhet standard pra. Dhe në këtë refuzim tonin ne kemi secilin
mekanizëm institucional, kushtetues e të votës për të mbrojtur Republikën nga
pretendime të tilla që në fund bartin vet vulën e gjithë qeverisë. Shkarkimi
dhe kërkimfalja përbëjnë vetëm hapin e parë në drejtimin e mbarësisë.
Në të njëjtën
gjuhë duhet të reagojmë si shtet e vend
edhe kundër agresionit politik të shtruar para nesh nga një kryeministër i një
vendi agresor – Vuqiq pra – i cili Kosovën e pavarur e shtroj para minoritarëve
serb si djep të Serbisë. Kështu ai jo vetëm se shkelë sovranitetin e
integritetin tonë politik duke përhapur agresion destabilizues, por edhe shkelë
gjithë dialogun e proceset dialoguese aq të pëlqyera nga ndërkombëtarët e aq të
pranuara blanko nga të tanët. Deklaratat e tilla do të duhej të pasoheshin me
letërkëmbime, qëndrime e alarme ndaj Evropës nga institucionet tona menjëherë;
për të kërkuar përgjegjësi dhe mbi të gjitha reagim nga garantuesit dialogues.
Secili qëndrim i qetë i yni vetëm se do t’i shtyjë të njëjtit për më shumë.
No comments:
Post a Comment