Saturday, 31 January 2015

REFUZIMI, SHPËRTHIMI DHE DITA PAS

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 30 JANAR 2015

Protesta do të mbetet jo vetëm e drejtë demokratike – siç na thonë vazhdimisht zaptuesit politik – kjo është e mirëkuptuar, por ajo mbetet dhe mjet i vetëm i ngritjes së alarmit, krijimit të masës kritike e reflektimit evolutiv (jo revolutiv siç kërkojnë oportunistët tjerë partiak) për ndryshim. Për të bërë këtë, protesta duhet të plotësojë vetëm një kusht të vetëm, të jetë dhe të mbetet paqësore.


-1-

Refuzimi do të shpërthente; e kur të shpërthente do të ishte i paparashikueshëm. Sepse, refuzimi ndaj sistemit politik të post-pavarësisë ishte akumuluar nëpër vite; pak nga pak – herë shumë – gjithsesi se do të shpërthente dikur. Këtë zymtësi mund ta ndjeje nga muhabetet familjare pranë raportimeve televizive për migrim, korrupsion, luks e papërgjegjësi politike; e ndjeje në një kafe mes miqsh e në një shëtitje sheshesh e rrugësh – ishte pra gjithandej. Këtë, së paku secili që ka bërë një natë gjumë në Kosovë në tre-katër vitet e fundit mund ta ketë ndjerë lehtë.

Zymtësinë e tillë ekonomike, politike dhe në fund gjithë-shoqërore e kishim shkruar, thënë e treguar gjithandej. Për kapjen, për luksin, për fjalëthyerjen e për propagandën, kishim gisht-treguar kaherë. Me mijëra të rinj të pa punë (saktësisht 700 mijë sosh), mijëra të tjerë që shtoheshin rangjeve të të papunëve (saktësisht 30 mijë për vit), të tjerë në punë e të dëshpëruar nga fundi i muajit (saktësisht 300 mijë të tillë) – Kosova, ky shtet i nisur me plot shpresë e optimizëm vetëm shtatë vite më parë, ishte bërë shpejtë e lehtë një vend pa të dyja; pa shpresë e pa optimizëm pra.

E tërë çfarë establishmenti dhe rendi politik në Kosovë kishte arritur të bënin – të njëjti që mbanë të kapur dhe vet alternativën politike për pesëmbëdhjetë vjet rresht – ishte nisja e një gare shpëtimi për veten. Ky shpëtim arrihej jo duke ndalë e ndryshuar rrugën e tjetrin, por duke vënë vetën në rrugë të tjetrit; në të njëjtën rrugë që do të sillte shpërthimin. Kështu herë njëri e herë tjetri – së fundi edhe njëri e edhe tjetri bashkë – kishin arritur të kapnin për vete (dhe për askënd tjetër) të gjithë shpresën kosovare përnjëherë. Në këtë kapje ata kishin treguar më së paku përgjegjshmëri; të ftohtë sa s’bëhet më. Dhe në gjithë këtë “magnum opus” të mbrapshtisë e individualizmit të tyre, ata kërkonin – pa shije kërkesë meqë jemi këtu – mirëkuptim nga të gjithë. Natyrisht se kjo s’kishte për të ndodhur kurrë.

-2-

Refuzimi do të shpërthente; për Jablanoviq apo Trepçën këtë herë; herën tjetër për ku me ditë çfarë tjetër. Prandaj të shtunën e javës së shkuar, në këtë refuzim qytetar, merrnin pjesë plot 30 e kusur mijë vetë. Ishte protesta më masive që kisha parë që nga njoh vendin tim si shtet. Dhe protesta do të ishte e përkryer – këtë duhet thënë sinqerisht – sikur të mbetej qytetare e jopartiake – ashtu siç ishte nisur në fillim nëpër qytetet tjera të Kosovës.

Sikur të dilnin me mijëra qytetarë – secilën ditë pas tjetrës – që me qetësi shumë, me marshe e ecje po aq të qeta, pa kërkesa partiake e pa thirrje histerike që ngjallnin frikë njerëzore në rend të parë – protesta si e tillë pra – do të bënte ndryshimin evolutiv që e kërkojmë kaherë. Do të ishte një mesazh më i pastër dhe më masiv; do të sillte domosdo dëgjueshmëri. E për kuriozitetin e organizatorëve partiak, secila pakënaqësi kundër qeveritare do t’iu kanalizohej mu atyre si shpërblim; s’kishte ku të shkonte tjetërkah. E habitshme se si nuk kuptojnë këtë.

Gjithçka tjetër nga paqësorja mbetej më regresive. Sepse përfshirja partiake jo vetëm se e shndërronte pakënaqësinë qytetare në motiv partiak e politik – shpeshherë tek e për individë që kanë qenë e mbesin bashkëfajtorë kryesorë mu për këtë pakënaqësi të akumuluar – por sepse politizimi e partiakizimi do të sillte dhunën e ballafaqimin me dhunë. Sepse, nëpërmjet partiakizimit të protestës, këto parti synonin fatkeqësisht (në skajin e kërkesëbërjes) jo realizimin e qëllimeve të protestës, por synonin realizimin e  qëllimeve për zëvendësimit të të tjerëve – nga ta.

Dhe këtë nuk mund ta pranoj. Zëvendësimi nuk mund të ndodhë me rrugë. Madje nuk është as impresive më pas. Është fare e lehtë, siç dhe ndodhi në ditën e dytë të protestës, të mbledhësh disa mijëra të rinj në rrugë – kryesisht përkrahës partiak sepse kaq dhe mund të bësh – e të dërgosh ultimatum si peshkim për ballafaqim. Në të njëjtin stil, ç’është më e keqja, të njëjtit që kanë sjellë Kosovën në këtë derexhe janë dhe më të zot. Ata, në të njëjtin stil e me gjithë përvojën kriminale e rrugaçore që kanë, mund të mbledhin po aq, në mos më shumë në rrugë. Dhe do ta bëjnë ditën e parë që mbesin pa forcën e pushtetit; të mbesim të sigurt për këtë – e kanë jetike. Por bërja e tyre e mëpasshme nuk do t’i jep as atyre – rrjedhimisht nuk u jep as këtyre sot – legjitimitet për të rrënuar pushtet pa votë. Kështu s’bën e s’ka për të ndodhë.

-3-

Tërheqja e iniciatorëve jopartiak të protestës (në paraqitje së paku, jo domosdo në influencë) mund të ketë nxitë nevojën për përshpejtim të peshkimit për ballafaqim. Kështu, në një rast tërësisht të panevojshëm, me një arsyetim më shumë përrallor e patetik se sa kuptimplotë, prijësit e protestuesve u ndjenë të provokuar – besoni ose jo – nga grilat e masave. U provokuan, besoni ose jo, se grilat i paskan ndarë ata – dhe këtu fillon patetizmi – i paskan ndarë prej Skënderbeut.

Për secilin me pak përvojë në ecje përtej kodrës së Veternikut e tejpërtej nëpër Evropë, grilat e masave janë të zakonshme nga një lojë futbolli, tek një koncert roku e deri tek një protestë qytetare; pra ku ka masë ka edhe grila të tilla. Sikur bartësit e protestës të mos peshkonin për ballafaqim (dhe fatkeqësisht ky nuk ishte qëllimi në rend të parë), ata do të mjaftoheshin me rregullat e sigurisë që një institucion shtetëror si policia i ka vendosur; sidomos kur vetëm tri ditë më parë nga i njëjti vend huliganët kishin pasur shfaqjen e tyre të jetës, vandalizmin. Dhe në këto rregulla minimalisht penguese ata qetësisht e paqësisht do të dërgonin mesazhin e qytetarisë aktive, të pakënaqësisë dhe kështu të nxitjes së grumbullimit edhe më masiv. Pra do të ishte një fotografi të kundërt prej dhunës të rrezikshme të protestuesve të nisur ekskluzivisht vetëm nga ta në ditën e parë të protestave. Sepse grilat, si të tilla, nuk parandalonin askënd të mblidhej edhe në ditën e dytë të protestës; masivisht, paqësisht e në një hapësirë të mjaftueshme – më se të mjaftueshme – e tërësisht të lirë. Provokimin nuk e blenë askush. Në stil të njëjtë – sikur mos të ishin grilat – kur kërkon peshkim pra, mund të ndjehesh i provokuar nga gjithçka.

Ultimatumi dhe nxitja për vetë-rregullim anarkik, nxiti edhe masën. Nxitja e masës, fatkeqësisht u përcjell nga një përgjigje e shpejtë dhe plot gaz e dhunë e ujë. Pjesa tjetër e stories mbeti shëmti. Në këtë kaos dhune e flake ndaj njëri tjetrit jemi humbës të gjithë; fitues mes nesh s’mund të ketë. Pamjet e protestës së dytë ishin të trishta, të dhimbshme dhe të frikshme njëkohësisht; lënë pak vend për shpresë.

-4-

Lufta partiake pas protestave është më se e kotë. Në njërën anë paradoksalisht mbytësit e imazhit të Kosovës, ata që kanë fundosur atë në skajet më të parikuperueshme të fundosjes, ankohen për mbytje të imazhit nga një protestë; e në anën tjetër partiakë e parti fillojnë të shfaqin ambicie anarkike për të përmbysur gjithçka – dhe kështu ndoshta për të marrë rend për pushtet.

Kështu ndodh kur një pakënaqësia legjitime qytetare dorëzohet tek organizimet partiake; do ta konsumojnë shpejtë dhe keq. Sa herë që partitë politike fusin hundët e duart e ideologjitë e tyre në pakënaqësi qytetare, sa herë që ndodhë kështu, qytetarët do të marrin më së paku. Gjithsesi se protesta është freskim për secilin zaptues e mbytës të shpresës sonë që sot, sikurse dje, vazhdon të mbajë me ftohtësi fatin e një vendi të tërë të mbytur. Gjithsesi se protesta është freskim edhe për komunitetin ndërkombëtar që ka lejuar me po aq ftohtësi ardhjen deri këtu.

Protesta do të mbetet jo vetëm e drejtë demokratike – siç na thonë vazhdimisht zaptuesit politik – kjo është e mirëkuptuar, por ajo mbetet dhe mjet i vetëm i ngritjes së alarmit, krijimit të masës kritike e reflektimit evolutiv (jo revolutiv siç kërkojnë oportunistët tjerë partiak) për ndryshim. Për të bërë këtë, protesta duhet të plotësojë vetëm një kusht të vetëm, të jetë dhe të mbetet paqësore.

-5-

Për secilin me kuriozitet, shkarkimi i një fashisti si Jabllanoviq as që do të duhej të ishte diskutim sikur në këtë vend të kishim minimalisht pak rend e dinjitet. Moshskarkimi nuk i falet as për së afërmi Qeverisë e Kryeministrit. Puna është se, kur lejon Jabllanoviqin të ofendojë e mohojë viktimat e luftës, inkurajon Mariqin të komunikojë nga ministria pa simbole, Stojanoviq të quaj Kosovën Serbi, e Nikoliq të vendosë postbllok në Brezovicë - të gjithë këta zyrtarë qendror e lokal të Republikës; paguar prej Republikës, kundër Republikës. Lista Serbe mund të jetë e pandreqshme; por Republika s'guxon të mbetet si e tillë. Çdo tolerim në këtë drejtim nxitë anti-Republikanizmin fashist.

Pra mosshkarkimi i tij është mjaftueshëm arsye për protestë në vete – siç është mjaftueshëm arsye për protestë në vete i gjithë akumulimi i pakënaqësive në këto vite shtet. Prandaj është esenciale që të dëgjohet zëri i qytetarëve kosovar, e të jepet (ani pse me vonesë) një shembull i mostolerancës ndaj sulmeve të gërditshme ndaj vlerave më bazike të Republikës sonë të re.

Për Trepçën ndërsa, siç dhe kam elaboruar në shkrimin e fundit në këtë kolumnë, nuk shoh asnjë arsye për kaos e histeri. Shoh arsye për alarm e vetëdije e mbi të gjitha bashkim mendjesh për zgjidhje, por meqë asgjë – as edhe një gjë e vetme nuk ka ndryshuar me vite më parë – nuk shoh as një arsye për revoltë; përveç nëse dikush dëshiron të shfrytëzojë secilën temë populliste e keqinformuese të kosovarëve për kaos.


No comments: