Letra nga limbo
KOHA DITORE 12 SHATOR 2014
Mbi
fotografinë e madhe që blloku i bashkuar duhet ta sheh.
-1-
Gjërat ndryshojnë shpejtë këndej nga ne; e me
gjithë to dhe pritjet eventuale për dalje nga – mesiguri – ngërçi më i rëndë dhe më i koklavitur politik
që Kosova mund të ketë pasur ndonjëherë. Në vijë të ndryshimeve shpeshherë dhe
të papritura e vështirë të paramenduara vetëm muaj më parë, ishte edhe bashkimi
gjithëopozitarë – i bllokut LAN me VV-në; një lëvizje kjo bukur kuptimplote dhe
një kundërpërgjigje bukur logjike ndaj pushtetit paraprak; ndaj PDK-së e PD-së
pa numra dhe AKR-së pa vota e tashmë jashtë.
Bashkimi i opozitës në një tabor i jep kuptim
elementit thelbësor të një qeverisje të mirë për Kosovën, i jep kuptim shumicës
shqiptare. Për dallim nga qeverisja e shkuar – padyshim më e rënda që vendi ka
pasur ndonjëherë – në këtë konstalacion të ri bashkimi, shqiptarët, siç dhe e
do rendi, do të jenë shumicë qeveritare; dhe kjo bën kuptim shumë. Bën kuptim
jo vetëm përballë nevojës për të pasur një qeverisje të vullnetit të shumicës,
por edhe përballë amortizimit të kërkesave eventuale anti-republikane të
listave të pakicës.
Bashkimi i opozitës jep edhe garanci për vullnetin
e përgjithshëm politik në vend. Pra me një bashkim të tillë partiak jo vetëm që
kanalizohen rrjedhshëm të gjitha pakënaqësitë anti-qeveritare në një vend, por
rriten edhe gjasat për ndërtimin e një alternative bindëse opozitare. Ndryshe,
një opozitë e ndarë në dysh – blloku andej, VV këndej – do të ishte më pak kredibile
përballë zgjedhësve, e shumë më shumë fragjile përballë lëvizjeve individuale të
deputetëve që mund dhe të ndryshonin eventualisht anë.
Mbi të gjitha, bashkimi i opozitës jep kuptim
logjik të përfundimit të sagës së deritanishme. Në këtë kuptim logjik, numrat e
(deri dje) opozitës përbëjnë bindshëm sot pozitën; dhe këtë fakt logjik nuk ka
e nuk bën kush ta kontestojë.
-2-
Por fakti logjik – këtë herë – nuk ka gjetur
interpretim e mirëkuptim të Kushtetueses. Interpretimi i Kushtetueses mbështet zgjidhjen
e kryeparlamentarit me “substancë” – siç e thonë ata; dhe, sërish siç e thonë ata, kjo “substancë” duhet të përmbajë
ekskluzivisht elemente të partisë më të madhe nga zgjedhjet, PDK-së; ani pse e
njëjta nuk e përbën shumicën parlamentare. Në të kundërtën, secila zgjidhje pa
“substancën” e PDK-së mbetet anti-kushtetuese; e thonë pra ata.
Dhe këtë interpretim të tyre palët partiake duhet
ta marrin si të qenë. Zërat fillestarë të cilësimit të gjykatësve si
“fundërrina”, të “korruptuar” e çka jo tjetër, kanë dëmtuar pikërisht
alternativën e re në bërje; e kanë shpërfaqur atë para partnerëve ndërkombëtarë
e institucionalistëve të brendshëm si jo korrekte e jo të qëndrueshme; një lojë
me shumë rrezik kjo. Në këtë vijë rrodhën dhe reagimet e shpejta të shteteve perëndimore
në Kosovë; e të cilat një zëri mbështetën Gjykatën Kushtetuese. Pra, ndonëse
përfshirja e ndërkombëtarëve në konstituimin e qeverisë – për fatin tonë të
mirë – ishte inekzistente, mbrojtja e
Kushtetueses ishte e menjëhershme – sërish për fatin tonë të mirë pra.
Dhe interpretimi i Kushtetueses – ndonëse kundër
kuptimit logjik të shumicës parlamentare – duhet të përdoret – unë argumentoj –
si urë kaluese për arritjen e qëllimit përfundimtar të bllokut, pra të ndërtimit
të vet qeverisë. E për të kaluar këtë urë drejt një qëllimi më madhor, blloku i
bashkuar duhet të shoh fotografinë e madhe; që kam përshtypjen se nuk e sheh
dot.
-3-
Fotografia e madhe, për bllokun e bashkuar, nënkupton
sakrifikimin e pozitës së kryeparlamentarit për marrjen e qeverisë. Në secilën
rrethanë, në secilën llogaritje, në secilin pazar, një këmbim i tillë do të
ishte padiskutim në favor të bllokut. Sepse, ndonëse pozita e kryeparlamentarit
ka rëndësi, ajo thjeshtë është e barabartë me pak po u krahasua me çfarë mund të
merret e çfarë rrezikohet të humbet. Në fund të fundit kryeparlamentari është
veçse një spiker i një mbledhie, votat e një shumice sa dy të tretat në atë
mbledhi do të përcaktojnë gjithçka; ama bash gjithçka – me apo pa spiker në anën
e tyre.
Për të bërë pra qeverinë, dhe për të pasur një
Parlament me shumicë sa dy të tretat e
pjesëmarrësve (ani pse pa krye-parlamentar), blloku i bashkuar mund të votojë –
sipas udhëzimit të Kushtetueses – kandidatin e propozuar nga PDK. Le ta ketë
madje opozita e ardhshme edhe të drejtën e udhëheqjes së Parlamentit; i bën
madje hair demokracisë në këtë vend kur edhe opozita udhëheqë me spikerin parlamentar
– jo me vota parlamentare gjithsesi.
Zgjedhja e kryeparlamentarit do të hapte menjëherë
rrugë për zgjedhjen e kryeministrit – që padyshim e me plot mbështetje nga
interpretimi i parë i Kushtetueses – i takon bllokut të bashkuar. Në këtë formë
blloku zoton qeverinë, lë PDK-në me një pozitë ceremoniale, e meqë ka dhe shumicën
parlamentare sa dy të tretat, nesër mund të zgjedhë – madje në raund të parë –
presidentit koncesual; sepse më koncesual se sa dy të tretat nuk ka çfarë të
ketë.
-4-
Natyrisht se një “shortcut” i tillë do të prishte
një marrëveshje të bllokut; por sërish, prishja e detajeve të marrëveshjes së
bllokut mbetet megjithatë çështje për t’u zgjidhur brenda bllokut dhe jo më çështje
që duhet zgjidhur nëpër institucione – që vet blloku – i konsideron të
zaptuara.
Blloku i bashkuar, nëse bash dëshiron të ketë
qeverinë, mund të rinegociojë të gjitha pozitat e ndara deri më tani; përfshirë
dhe atë të Kryeministrit. Madje në një përbërje të re – bashkë me VV-në në grup
– disa nga pozitat e ndara në mes të partive përbërëse të LAN-it veçse do të
ridefinohen domosdo. E në këtë ridefinim të relacioneve blloku i bashkuar mund
të ridefinojë dhe pozitën e Kryeministrit.
Posti i Kryeministrit, për shembull, mund t’i
kalojë liderit të (deri dje) opozitës, pra LDK-së; do të ishte shumë më e
natyrshme se sa mbajtja e tij nga i fundit i grupit, pra AAK-së. E nëse bash
mbajnë hatër të fundit e grupit, t’u garantohet i njëjti post në momentin që
mandati i Presidentes përfundon; të bëhet një rokadë në të cilën kryeministri
nga LDK bëhet President, e zëvendëskryeministri nga AAK bëhet Kryeministër. Është
e drejtë Kushtetuese – e pakontestueshme – që partitë parlamentare të zgjedhin
Presidentin e ri; e meqë kanë shumicën e votave (dy të tretat pra) kanë secilën
të drejtë ta zgjedhin njërin nga radhët e veta – le të themi, Kryeministrin e
deriatëhershëm.
Blloku i bashkuar mund të propozojë edhe zgjidhje
tjera atraktive që tejkalojnë ngecjet e parëndësishme por të rrezikshme për të
zhbërë gjithçka. Sepse rreziku i zhbërjes së gjithçkaje çfarë është arritur deri
më tani buron nga vazhdimi i ngërçit deri në pazgjidhje.
-5-
Ka shumë gjasa që seanca e përsëritur të përfundojë me ngërç të ri politik. Kryesuesja e Kuvendit, nga radhët e PDK-së, propozon kandidatin për kryeparlamentarë nga partia e saj. Kandidati i ri – tashmë i nominuar – nuk merr votat e mjaftueshme. Rrjedhimisht kryesuesja ndërprenë/pauzon seancën për konsultime ndërpartiake deri në gjetjen e kandidatit të ri koncensual – siç e kërkon pra Kushtetuesja; siç dhe do ta arsyetojë ajo. Nevoja për koncesus, e shprehur nëpërmjet vendimit të Kushtetueses e ulë PDK-në në tavolinë si faktorë negociues. Ulja në tavolinë negociuse në çdo rrethanë është kompromis në pozicionet e bllokut – pa përcaktim kohe.
Ka shumë gjasa që pas ndërprerjes së seancës nga Kryesuesja,
blloku i bashkuar të vazhdojë atë – nëpërmjet modaliteteve që mund t’i gjejnë
gjithandej. Kështu blloku zgjedh kryeparlamentarin e ri, por PDK dërgon sërish rastin
në Kushtetuese, duke hapur kështu mundësinë për vonesa shtesë e në fund edhe –
nëse pretendimet e bllokut janë të sakta rreth zaptimit të Kushtetueses – me një
vendim sërish në favor të PDK-së. Këtu më pas mund të lindin dilemat mbi
validitetin e gjyqtarëve të Kushtetues mandati i të cilëve është vazhduar nga
Presidentja e jo nga Parlamenti siç e kërkon dhe Kushtetuta – çfarë ngatërrese.
Ka shumë gjasa që të mos ndodhë asnjëra, të na
lindë një alternativë e re; diçka që javë e muaj më parë nuk e kemi menduar
fare. Këtu gjërat ndryshojnë shpejtë; aq shpejtë sa që secila alternativë bëhet
e mundshme. Por nëse blloku njëmend dëshiron ta zotojë më në fund qeverinë e t’i
jap fund gjithë pretendimeve për një qeverisje regresive nga PDK-ja e sotshme, atëherë
ka gjithçka në dorë të vet. Në “Ditën B”, ditën e bllokut, të bashkimit apo të
rastit të dytë, blloku – si në një lëvizje të mençur shahi – mund të sakrifikojë
mbretëreshën për fitore; të jap kryeparlamentarin për një qeveri të tyre.
Secili kërkim për më shumë, ndonëse i mundshëm padyshim, hapë rrugë për rreziqe
të reja, për ngërç dhe më të thellë e pa fund – deri në zgjedhje të reja.
No comments:
Post a Comment