Letra nga limbo
KOHA DITORE, 19 SHTATOR 2014
Nga
pretenduesit intelektualë e deri tek predikuesit shpëlarës, nga zaptuesit
institucionalë e deri tek libradjegësit e mjerë – të gjithë së bashku si
promovues krizash – janë në shtytje për heronj të rinj të Kosovës; që do të
vijnë herë do kurdo gjithsesi.
-1-
Krizat prodhojnë ekstreme; ekstremet prodhojnë
kriza; e krizat dhe ekstremet së bashku prodhojnë heronj – herë do kurdo do të
prodhojnë heronj. Ky vend ka kohë që rron në krizë; dhe atë në katër lloj sosh:
në krizën politike, ekonomike, morale dhe intelektuale. Si rrjedhojë prodhon
vazhdimisht ekstremizëm politik, ekonomik, intelektual e moral. Prodhon
manipulues politik që shesin mirë e lehtë secilën mbrapshtësi; prodhon
identitete fragjile ekonomike që s’kanë për të ngjizur mirëqenie kurrë; prodhon
frikacakë e shërbëtorë pa integritet, sikurse intelektualët kosovarë që struken
kur duhet të jenë në zë më së shumti; dhe prodhon moralistë të dorës së dytë – në
një anë guardianë libradjegës që pretendojnë vërtetësinë e vetme, e në anën
tjetër keqinterpretues që trushpërlajnë e përçajnë.
Dhe në këtë rend të ri krizash gjithçka bëhet e
mundshme. Në këtë rend të ri krizash tjetërsimi i identitetit, percepcioneve
(mbi të ardhmen), mundësive e përpjekjes së përbashkët bëhet e mundshme. Nga një
lëvizje gjtihënacionale për shtet të mirë, ky rend i krizave na sjellë në një
identitet mbijetese, kush e për sa mundet; nga një pritje për normalen, ky rend
krizash na sjellë nevojën për përshtatje me të jashtëzakonshmen – më mirë diç
se hiç; nga një hapje për interesa madhore ekonomike-politike në mundësi
tygjarllëku e allishverishi; dhe në fund, nga një ecje e përbashkët në një
përvetësim të përpjekjes – ne para jush, për ju, prandaj ne e jo ju.
E java që shkoj, në dukje e qetë, mund të ketë
përmbajtur lehtësisht katër elementet identifikuese më të mira të mundshme të
krizave tona; nga pretenduesit intelektualë e deri tek predikuesit shpëlarës,
nga zaptuesit institucionalë e deri tek libradjegësit e mjerë – të gjithë së
bashku në shtytje për heronj të rinj; që do të vijnë herë do kurdo gjithsesi.
-2-
Kriza e parë e javës së shkuar ndërlidhet me
sistemin politik në vend që nuk arrin të kapërcejë përplasjet e vetëshkaktuara,
as edhe për gjërat më bazike për vendin madje; siç mund të jetë pra formimi i
institucioneve qeverisëse. Në shikim të parë, të tre muajt e shkuar mund dhe të
ofrojnë një bindje se anarko-kapitalistët megjithatë paskan të drejtë – shteti
mund të ekzistojë edhe pa qeveri. Sepse pa qeveri e pa institucione ky vend
megjithatë – në dukje – po funksionon. Gjithsesi një pretendim i tillë do të
ishte euforik po u prit edhe pak, kur të flasim për buxhetin e vendit për
shembull, apo investimet kapitale e prokurimin publik, tri shtylla kryesore këto
që kanë për të rrënuar potencën tonë ekonomike për vitin në vijim.
E nga kriza e parë politike buron dhe kjo e dyta,
ekonomike pra. Jo se ka qenë më ndryshe vitet e fundit; në krizë dhe jo ndryshe
ky vend ka provuar mbijetesën. Por nëse ndërtimi i institucioneve merr kohë,
dhe nëse kjo kohë e harxhuar prekë zhvillimet normale të shtyllave më lartë,
atëherë ndikimin ekonomik të mosfunksionimit shtetëror kemi për ta vërejtur
gjatë gjithë 2015-ës; 2016-ën do ta kalojmë në rikuperim për t’u kthyer në
trend normal tek në 2017-ën. Pra tre vite të humbura ekonomike nga një neglizhencë
politike.
E them neglizhencë sepse, sado që duket e vështirë,
formimi i institucioneve kosovare mund të ndodhte qysh sot; sikur blloku i katërshes
deri dje opozitare të bënte një sakrificë minore për një fotografi përfituese të
madhe – qeverinë pra. Por nuk e bënë; rrjedhimisht futën vetën në telashe e
procese që për ta dhe për gjithë të tjerët do të mbesin të paqarta. Kriza
politike – dhe ekonomike pas saj – duket se do të kenë një rrugë të gjatë së bashku
për të bërë.
-3-
Libradjegës në njërën anë, predikues përçarës në
tjetrën, studentë të përjetshëm e patetikë në mes – nuk bëj dot dallim – të
gjithë pjesë e një krize morale, të tretës pra, që ky vend e merr në vazhdimësi.
Libradjegësit nuk tolerojnë mendim ndryshe nga perspektiva e ngushtë që mendja
e tyre mund të krijojë, prandaj dhe djegin. Predikuesit nuk tolerojnë mendim
ndryshe, prandaj përhapin urrejtje. E studentët e përjetshëm që dy-tri fjalë
nuk i lidhin dot, nuk durojnë trajtim ndryshe nga patronët që kanë, prandaj dhe
kërcënojnë.
Kriza morale nuk buron nga ekzistenca e tyre, por
nga fakti se të tillët sot bëjnë rendin dhe rregullin në Kosovë. Të tillët janë
në pushtet, akademi, e institucione grumbulluese të masave. Këtu pra fillon
kriza.
Libradjegësit e “Këmbët e Gjarprit” të Surroit, po
të mundnin, do të digjnin secilin tjetër që ju del përpara veseve të tyre
zaptuese. Të tillë janë pra. Në këtë frymë libradjegësit kanë “djegur” gjithçka
çfarë nuk ka qenë e tyre në kohën që kishin një grimë pushtet. Nga pasuria
publike e deri tek paraja e shtetit, nga kundërshtaret politik e deri tek ardhmëria
e tjetrit, gjithçka ishte kurban i djegies së zaptuesve libradjegës.
Ekstremistët religjiozë, që nuk kanë të bëjnë asgjë
me religjion përndryshe, po të mundnin njëtrajtësisht do të tjetërsonin secilin
që nuk mendon si ta; ani pse thirren në tolerancë gjithnjë. Tolerancën pra të
njëjtit e mbajnë një mburojë e akteve të tyre jotolerante ndaj mendimit
ndryshe. Siç edhe e përdorin religjionin si mburojë të të bëmave të tyre
kryesisht manipuluese e me benefite financiare (prandaj paratë, pallatet, luksi
e veturat). Të njëjtit dhe ndjekësit e tyre në vazhdimësi na thonë se trajtimi
i tyre na qenka një luftë kundër besimit; duke provuar kështu të identifikojnë
e fusin në një thes të gjithë besimtarët e drejtë e të mbarë. Lufta ndaj
ekstremizmit nuk është luftë ndaj besimit; është thjeshtë luftë ndaj
ekstremizmit. Sepse ekstremistët nuk kanë të drejtë përvetësimi të besimit, kanë
të drejtë interpretimi individual të besimit rrjedhimisht marrjes individuale të
përgjegjësisë. Besimtarët e tjerë si puna ime dhe pak a shumë 99% të besimtarëve
kosovarë nuk kanë asnjë lidhshmëri më të vogël me promovimet antihumane të
tyre.
Njëjtë edhe studentët e përjetshëm që nuk i lidhin
dot dy a tri fjalë para universitetit publik – në kërkesë të shkarkimit të
rektorit të vetëm të zgjedhur së fundi pa interference politike – kërkojnë
vazhdim të gjendjes çrregulluese që ju mundëson atyre të kryejnë universitet pa
ditur t’i lidhin dy a tri fjalë. Sepse duke mbajtur gjendjen çrregulluese në
vijimësi, të njëjtit mund të shpresojnë ngjitjen e shkallëve drejt një pushteti
zaptues që servilizmin e jo meritën e ka për valutë. Dhe këta vetëm servilizmin
dinë prandaj dhe shiten shtrenjtë sot.
-4-
Kriza morale e jona, që tjetërson vlerë e promovon
bërjen e entropive, mund të zgjasë shumë; siç dhe mund të zgjasin dhe
krizatparaprake pra, ajo politike dhe ekonomike. Por një krizë tjetër është më
pak jetëgjatë – fatmirësisht – kriza intelektuale e Kosovës pra. E vënë në përgjumje
shumë ma ndryshe se sa zgjimi intelektual i fillmviteve të 90-ta, dhe më pas
çlirimit të fundviteve të 90-ta, klasa intelektuale e Kosovës do të ripërtërihet.
Jo sepse krizëbërësit do të ndryshojnë mendje, apo sepse intelektualët e
strukur tash e sa vjet do të marrin guxim për të thënë çfarë mendojnë, e bërë
çfarë është e drejtë, por se procesi natyror i rinimit të shtresës intelektuale
do të prodhojë masën kritike të domosdoshme shpejtë shumë. Të rinj plot që
shkollohen jashtë, të rinj tjerë që shohin ndryshe (falë komunikimit në kohë me
jashtë), të rinj tjerë që mendojnë ndryshe – eventualisht do të pyetën dikur për
të na nxjerrë nga ky ngërç i brendshëm.
Dhe kur kjo të ndodhë, kur kriza intelektuale të
marrë fund, do të marrë fund dhe cikli i krizave të tjera, sepse atëherë
heronjtë e ri të Kosovës do të bëhen. Jo heronj të pushkëve, demonstratave apo
lëvizjeve paqësore, por heronj të punës e ideve; nga mendimtarë tek zjarrfikësit,
nga policët tek mësuesit, nga pasivët tek votuesit – do të mendohet ndryshe. Ata
nuk do të djegin libra, nuk do të shpërfaqin urrejtje primitive, dhe nuk do të
pretendojnë zaptim. Do të ngjizin të njëjtit pra vlera të reja, valuta të reja
të ecjes sonë shoqërore.
No comments:
Post a Comment