Monday, 8 September 2014

NJË DASHURI E RE GJERMANE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 5 SHTATOR 2014

Përtej simbolikës përfaqësuese që megjithatë bëhet e këndshme dhe e mirë sa herë që një vend i vogël e i rënduar si ky i yni e kalon, Konferenca e Berlinit i hapi Kosovës, dhe rajonit gjithsesi, një portë të re partneriteti; një mundësi për bërje të aleancës me shtetin pa dyshim më të rëndësishëm ekonomik, politik e strategjik që ka Evropa sot – me vet Gjermaninë. Në këtë mundësi Kosova duhet të zëvendësojë shpejtë e mirë dominimin ekonomik të Turqisë që përveç marrëveshjeve e allishverisheve me klasën zaptuese politike, nuk ka sjellë asgjë të re për ne.


-1-

Konferenca e Berlinit, kjo e sivjetshmja, për dallim nga ajo e njëqind e tridhjetë e gjashtë viteve më parë, na dha kryevëmendje – të dy shteteve shqiptare. Na bëri faktorë duke e trajtuar Kosovën si vend të barabartë me secilin shtet tjetër rajonal – në sy të fqinjëve e në sy të gjithë BE-së, edhe asaj pjesë që nuk na njeh; e duke i dhënë Shqipërisë mundësinë e përfaqësimit gjithë-rajonal. Na dha një kredit të ri për të cilin kishim nevojë tash e sa kohë.

Por përtej simbolikës përfaqësuese që megjithatë bëhet e këndshme dhe e mirë sa herë që një vend i vogël e i rënduar si ky i yni e kalon, Konferenca e Berlinit i hapi Kosovës, dhe rajonit gjithsesi, një portë të re partneriteti; një mundësi për bërje të aleancës me shtetin pa dyshim më të rëndësishëm ekonomik, politik e strategjik që ka Evropa sot – me vet Gjermaninë.

Sepse, përtej takimeve kryeministrore, atyre të rendit të parë pra, në Berlin u ndërtuan si në nisje një sërë takimesh tjera të teknokratëve. Projekte të mëdha u përfolën, investime të rëndësishme u hapën, e kërkesa të reja u shtruan – të gjitha natyrshëm u bënë si një pjesë e një plani makrogjerman për shtrirje ndikimi në pjesën juglindore të Evropës. Këtu, në këtë fotografi, bëmë pjesë dhe ne. Është fat.

-2-

Nuk kam qenë asnjëherë ithtar i monopolizimit ekonomik të Kosovës nga Turqia; e pikërisht me dhe vetëm me Turqinë, qeveria në ikje e drejtuar nga një kryeministër jo kompetent për të bërë ndërlidhje perëndimore, kishte ndërtuar punë.

Dominimi ekonomik turk në Kosovë, thënë të drejtën, ishte veçse një vazhdimësi e një shtrirje ekonomike e kulturore turke nëpër gjithë Ballkanin; një riotomanizim në shekullin e 21-të. Si një vend i vogël që jemi, lëvizjeve të tilla rajonale vështirë se mund t’i bëjmë edhe shumë ballë. Por për dallim nga shtetet tjera në rajon, dyert tona për shtrirjen turke në praktikisht gjithçka ishin tërësisht të hapura. Në vendet tjera – për shembull – ndonëse prezenca turke është e konsiderueshme, ajo nuk përbën monopol. Në Serbi njeriu krahas investimeve turke mund të gjejë edhe investime amerikane, austriake, gjermane e aty këtu dhe arabe. Njëjtë edhe në Kroaci, Maqedoni e – më pak – edhe në Shqipëri.

Në Kosovë ndërkaq, dominimi turk kishte marrë në zotim praktikisht gjithçka që ishte për t’u zotuar. Asetet strategjike të Kosovës, siç janë aeroporti e distribucioni, u janë dhënë në koncesion e në përjetësi turqve thuajse falë; investimet kapitale – ato miliardëshe në rrugë – u janë dhënë po ashtu kompanive turke – këtë herë jo falë, por me çmime bindshëm më të larta se sa mesatarja e ndërtimit të rrugëve nëpër Evropë; sistemi bankar në Kosovë sot dominohet nga banka turke (tri sosh nga gjithsejtë tetë); industria ushqimore gjithashtu përbëhet nga produkte e biznese turke, me vet Turqinë eksponencialisht në rritje e sot si importuesi i tretë më i madh në Kosovë; për të mos mjaftuar me asete, investime e import, edhe sistemi i edukimit kohëve të fundit po shpërfaqte shtrirje turke. Gjatë mandatit të shkuar, Kosova nën qeverisjen në ikje, ishte jashtëzakonisht afër të jepte ndërtimin e termocentralit të ri “Kosova C” tek një kompani e udhëhequr nga dhëndri i Presidentit Erdogan; e edhe më afër ishte të dorëzonte telekomin publik – sërish – tek një kompani tjetër turke.

-3-

Jo se ndaj ndonjë averzion ndaj prejardhjes së investimeve në Kosovë; veçanërisht ndaj një vendi të afërm për Kosovën siç është Turqia; por shpreh mospajtueshmëri kategorike ndaj varësisë së plotë edhe ekskluzive në një vend që dështon të përmbushë kriteret bazike evropiane. Sepse varësia ekskluzive nga e në një vend të vetëm dhe shpeshherë me rrezik në bërje të diktaturës, është strategjikisht e gabuar, politikisht jo e mençur, e ekonomikisht jo e favorshme.

E ka disa arsye – të brendshme – që kanë shtyrë Kosovën në relacione të tilla ekskluzive dhe rrjedhimisht në varësi të plotë ekonomike e potencialisht dhe politike nga Turqia. Pra përtej rritjes ekonomike në Turqi – si arsye për ne e jashtme – janë politikat ekonomike tona që burojnë nga një lidership jokreativ e jokompetent, bashkë me vullnetin e pashtershëm për korrupsion e përfitim vetanak, që kanë sjellë vendin në një gjendje të tillë siç dhe jemi sot.

Kujtoni të gjitha aferat dhe relacionet biznesore në aeroport, distribucion e autostradë – bashkë me të pandodhurat e të parandaluara (për fat të mirë) në termocentral e telekom – dhe kuptoni përmasën e parregullsive që kanë shoqëruar relacionet e qeverisë sonë me kompanitë turke. Një martesë e shkëlqyer në mes të korruptuarve dhe korruptuesve; një koekzistencë perfekte në mes të politikanëve kosovarë si të korruptuar lehtë dhe biznesmenëve turk që janë mësuar të korruptojnë edhe më lehtë – tipike për një partneritet ekonomik anarkik e të allishverisheve.

Prandaj dhe u quajtën vëllezër, baballarë e djem – dhe çka jo tjetër – e për më shumë, prandaj dhe sot na shpërfaqen defektet e para në gjithçka që biznesmenë si këta kanë prekur në Kosovë. Nuk janë serioz, nuk kanë qenë asnjëherë. Janë këtu për të marrë çfarë ka për të marrë – por jo për të dhënë. Kështu pra, një martesë allishverishi bëhet një mallkim strategjik për Kosovën; një strategji e mbrapshtë e në mëshirë të diktatorëve në bërje. Kosova meriton dhe ka mundësi për më shumë. E këtu vjen Gjermania.

-4-

Gjermania ka qenë gjithmonë aleat ekonomik natyror i Ballkanit – përfshirë pra dhe Kosovën. E para, dhe me e rëndësishmja, sepse mundet. Në të vërtetë mundet më shumë se secili shtet tjetër evropian e më gjerë. Dhe në këtë mundësi të tyre lindë oportunizmi ynë për të kapur çfarë ne mundemi; si përgjigje reflektuese ndaj mundësive të hapura për të dyja palët. E dyta, dhe po aq e rëndësishme, Gjermania ka qenë shtëpi e parë e dy-treqindmijë kosovarëve që sot përbëjnë forcën e tretë ekonomike në Kosovën e varfër – vetëm me dërgesa të remitencave madje. Kultura e punës e marrë nga atje, relacionet e vazhdueshme me atje, bashkë me gjithë prurjet e ikjet nga e për atje, kanë bërë Kosovën një derivat të lehtë për investime gjermane. Paramendoni sa lehtë mund të përshtatet një kosovar i natyralizuar në gjerman si menaxher e udhëheqës i një kompanie gjermane në Kosovë.

E treta, dhe jo më pak e rëndësishme, Gjermania përmban biznese me imazh perëndimorë të hatashëm; diçka që i jep vendit tonë siguri dhe thirrje për investime shtesë. Kur ke tygjarë oriental si investitorë kryesor në vend, pasojnë “tatlises dynerat” si aksesorë; kur ke Deutche Telekom si operues telefonik, pasojnë “McDonalds” e “Burger King” si përcjellës të sigurisë.

E mbi të gjitha, rëndësia thelbësore e mundësisë së ndërlidhjes me partner të ri, mbetet vet vullneti gjerman për t’u shtrirë në Ballkan. E shtyrë pak nga varësia ruse, pak nga destabiliteti lindor; gjithsesi shumë nga mundësia dhe nevoja për shtrirje që një fuqi ekonomike në pikun e saj kërkon, Gjermania – siç e bëri të qartë dhe në Berlin – e sheh Ballkanin si vend me shumë potencial. E për të bërë potencialin mundësi natyrshëm se pakoja e tyre e partneriteti vjen me disa kërkesa – normale për një shtet normal.

-5-

Mesazhi gjerman ishte i qartë për vendet e Ballkanit. Nëpërmjet kancelarës Merkel, gjermanët kërkonin, nga të gjithë e pa përjashtim, përmbushjen e obligimeve në tri fusha kryesore. E para kishte të bënte me themelimin e mirëfilltë të shtetit. Sipas gjermanëve, çfarë ne njohim si shtet, për ta është një vrimë e zezë që kërkon riparime shumë. Këto riparime nisin nga luftimi i korrupsionit, zhbërja e informalitetit, dezaptimi partiak e deri tek funksionimi i mirëfilltë dhe i pavarur i gjyqësorit. Pra si parakusht për lindje të relacioneve të shëndosha Gjermani-BE-Ballkan, duhet të pastrojmë oborrin e shteteve tona nga mbetjet korruptive e zaptuese që i krijuam vetë.

Fusha e dyta ka të bëjë me investime masive infrastrukturore; jo të pavarura nga njëri tjetri, por të ndërlidhura në një rrjet gjithërajonal. Hekurudha që lidhin Slloveninë, Kroacinë, Bosnjën, Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Kosovën e Shqipërinë u përfolën si të parat. Serbët ishin aq të shpejtë sa propozuan rifunkcionalizimin e hekurudhës Nish-Prishtinë; të tanët do të duhej të nisnin propozimet për hekurudhën nga brigjet e Shqipërisë për Merdaren e Kosovës; të ndërlidhet me Shkup e një tjetër për Sanxhak. Rrugët e korridoret tjera gjithërajonale – me theks të veçantë në ndërlidhjet me “Korridorin 10” u përmendën gjithandej – nga kancelarja, zëvendës kancelari e deri tek ministrat e tjerë të zhvillimit ekonomik. Gjermanët pra, përtej ndërtimit të mirëfilltë të institucioneve kërkonin transport të lehtë. Ky transport i lehtë brendarajonal, jo vetëm se do të bënte Ballkanin dhe shtetet në të hiperatraktiv për relacionet e brendshme, por do ta bënin korridor super të rëndësishëm për Gjermaninë, një korridor i ri që zëvendëson atë në drejtim të Rusisë.

Fusha e tretë, dhe jo më pak e rëndësishme, ishte kërkesa gjermane për të ndërtuar sa më shumë shkolla profesionale; pra për të prodhuar sa më shumë zanatlinjë. Një kërkesë e tillë vjen pasi sistemi edukativ në gjithë rajonin e Ballkanit – përjashto Kroacinë e Slloveninë – është bërë aq i padobishëm sa për vite të tëra këto vende prodhojnë të diplomuar pa aftësi atraktive ose dalluese për punë. Shkollat profesionale, në anën tjetër, do të prodhonin një fuqi të re punëtore me plot kualitet; e që lehtësisht dhe me kosto të ultë mobiliteti mund të shndërrohet në forcën më atraktive të mundshme (dhe të lirë) që mund të gjeshë në Evropë. Një aftësim i tillë i fuqisë punëtore do t’i bënte këto vende bukur tërheqëse karshi bizneseve evropiane, por do t’i bënte të gjithë – në rastin më të keq – migrues me një zanat që u hyn në punë edhe evropianëve; kryesisht gjermanëve.

-6-

Kosova dhe të gjitha shtetet tjera të Ballkanit, mund të mallkojnë veten për shumë çka; nga hiper korrupsioni tek varfëria, nga izolimi tek urrejtjet ndërnacionale. Fati i ligë mund t’i ketë përcjellë të gjitha vendet nëpër kohë – definitivisht shqiptarët më shumë se të tjerët në çdo rrethanë. Por nëse popujt ballkanas kanë arsye për të mallkuar fatin e vetën përgjatë kohës, ata  kanë më shumë se kurrë arsye për të pranuar një dhuratë të patjetërsueshme – faktin që jetojnë në Evropë.

E në korridor të ndërlidhjeve Evropiane me Azinë, ballkanasit – dhe shqiptarët gjithsesi – do të duhet ti shfrytëzojnë mençur e mirë forcat dhe renditjet e fuqive të mëdha. Sepse, ndodhë rrallëherë që një këto forca e fuqi të mëdha të përpjekjen në mes veti sa për të shtyrë një superfuqi ekonomike si Gjermania të orientojë strategjikisht interesat e veta ekonomike e politike drejt një rruge të re; sepse një e vjetër nuk funksionon – ajo e Rusisë pra. Në këtë rrallësi të ngjarjeve, del se shtetet e vogla tona, të gjitha të varfëra, me plot anomali e me pak mundësi për të ecur vet, të jenë partnerë të vogël por tejet të rëndësishëm. Të rëndësishëm sa që me infrastrukturë rrugore e hekurudhore të shndërrohen në transmetues mallrash gjithandej; me kanale gazi të bëhen furnizues kryesorë evropian; e me forcë të re punëtore të dallohen për të zot e të nxjerrin veten dhe shtetet e tyre nga kjo ngecje që nuk përfundon asnjëherë.

Në gjithë këtë zhvillim, Kosova duhet të gjejë veten të gatshme për të kapur mundësinë e një interesimi gjerman – të ndjekur më pas nga secili evropian tjetër. Në këtë mundësi Kosova duhet të zëvendësojë shpejtë e mirë dominimin ekonomik të Turqisë, me një supershtet perëndimorë, Gjermaninë. Për këtë zëvendësim do të duhet kohë shumë, por mbi të gjitha vullnet për ndryshim shumë. Nga një klasë e re politike e deri tek një mendësi ndryshe ekonomike, Kosova gradualisht mund të shndërrohet nga një parajsë tygjare e allishverishesh në një vend të mirëqenies e zhvillimit.


No comments: