Letra nga limbo
KOHA DITORE, 26 SHTATOR 2014
Teknikën
dhe mjeshtërinë e dënimeve – veçanërisht bizneset – e kanë të njohur shumë. Jo
më larg se në vitin 2011, në një situatë pothuajse të njëjtë buxhetore, për
arsye gjithsesi të tjera, autoritetet mbledhëse ishin detyruar të gjejnë forma për
rritje të të hyrave që nuk mjaftonin kurrë. Dënonin në rrugë, në depo, në
inspektime në parapagime; për sa mërziteshin mund të dënonin edhe në gjumë.
-1-
Një kronikë e shfaqur në KTV këtë të mërkurë,
rrumbullakonte një trend shqetësues të shpenzimeve publike që duket të ketë
ngjarë jo tash, por gjatë proceseve elektorale dhe tentim-blerjes së zakonshme
të pajtueshmërisë qytetare. Natyrshëm se ciklet e zgjedhjeve gjithmonë prekin
ciklet e shpërndarjeve buxhetore – në secilin vend madje – por tek ne shpërndarja
bëhet e çuditshme kur efektet e saja shndërrohen në barrë të përhershme për
ciklet jozgjedhore.
Dhe kështu duket të ketë ngjarë edhe këtë herë.
Sipas kronikës në fjalë, përgjatë gjashtëmujorit të parë buxhetor, Qeveria e
Kosovës kishte rritur dukshëm shpenzimet në mallra, shërbime e paga, për t’i
zvogëluar në këmbim investimet kapitale. Pra, në një proces të rritjes së
luksit dhe komoditetit të makinerisë publike, vendi kishte hequr dorë – çuditërisht
– nga burimi kryesor (potencial) i rritjes ekonomike; nga vet investimet. Si
rrjedhojë, rënia e investimeve domosdo do të ulë potencialin e rritjes
ekonomike tonën, për të stimuluar rritjen e konsumit kosovar – që përfundimisht
rezulton me më shumë import e më shumë deficit tregtar. Një matematike e
tmerrshme për secilin hesapues them unë.
Por problemi i ndryshimit të balancave buxhetore mund
dhe të mos jetë prioritar; sa mund të jetë shëndeti financiar i vendit që këtë
vit merr një udhë të çuditshme shumë. Pak për shkak të planifikimeve të
zmadhuara e shumë për shkak të neglizhencës institucionale që buron herë nga
zgjedhjet e herë nga ngërçi politik, Kosova mund të përfundojë vitin me më pak
të hyra të realizuara se sa të planifikuara. Për shembull, sipas raportimeve të
gjashtëmujorit të parë, Dogana dhe Administrata Tatimore e Kosovës janë dukshëm
mbrapa qëllimeve vetanake. Përderisa Dogana për gjashtëmujorin e parë arrin të
mbledhë 340 milionë euro nga 930 të planifikuara; ATK arrin mbledhjen e vetëm
130 milionëve nga 367 të planifikuara. Të dy institucionet mbledhëse pra, sipas
raportimeve vetanake kanë arritur të realizojnë për 50% të kohës kalendarike
vetëm 36% të planifikimeve.
Natyrshëm se pjesa e dytë e vitit, siç dhe ka
ndodhë gjithherë, do të jetë më produktive, por ama një ecje në kufijtë e
tolerancës bëhet bukur e rrezikshme, sidomos kur akomodimet zgjedhore dhe
neglizhencat e ngërçeve politike zënë vend.
-2-
Sipas kronikës në fjalë, rritja e luksit të
makinerisë publike është reflektuar edhe nga rritja e shpejtë e punëtorëve në
administratën publike; e që duket se ka marrë hov shumë edhe pas zhvillimeve të
fundit politike. Pra të shtyrë nga emergjenca e lëshimit të fuqisë qeverisëse,
partia në ikje nga pushteti duket të ketë shfrytëzuar gjithë këta muaj për
akomodime të mëtutjeshme të militantëve, përkrahësve e mercenarëve tjerë
partiak.
Një rritje e tillë, e paplanifikuar, politike dhe
gjithsesi pa shumë kualitet, nuk do të ketë vetëm implikime buxhetore për
Kosovën në të ardhmen. Zënia e vendeve publike nga individë jokompetent
shpërfaqë kosto shtesë të jofunkcionimit efikas të administratës publike. E largimi
i punonjësve publik nga vendet e tyre të punës është një proces që s’bëhet
kurrë; edhe po të ketë gjasa të ndodhë do të jetë i kushtueshëm e i vështirë
shumë. Pra transferi potencial qeverisës, përveç se lë shumë kosto të
pamenduara mirë, lë edhe barrë kualitative për qeverisjet e ardhshme shumë.
Përtej rritjes së luksit publik dhe administratës
publike, dy të dhëna – për mendimin tim – mjaft alarmante u dhanë në po të njëjtën
kronikë. E para kishte të bënte me rritjen drastike të të hyrave nga dënimet
policore (ishin bërë për gjashtë muaj plot 5 milionë); ndërkaq e dyta fliste për
dënimet doganore, që ishin rritur për plot 193%.
Teknikën dhe mjeshtërinë e dënimeve – veçanërisht
bizneset – e kanë të njohur shumë. Jo më larg se në vitin 2011, në një situatë
pothuajse të njëjtë buxhetore, për arsye gjithsesi të tjera, autoritetet
mbledhëse ishin detyruar të gjejnë forma për rritje të të hyrave që nuk
mjaftonin kurrë. Atraktiviteti i autoriteteve mbledhëse ishte rrumbullakuar
asokohet, fatkeqësisht e mjerisht, në dënime – dënime gjithandej. Dënonin në
rrugë, në depo, në inspektime në parapagime; për sa mërziteshin mund të dënonin
edhe në gjumë. E dënimet me gjithë presionin e vazhduar selektiv ndaj
bizneseve, kishin arritur të mbushnin disi arkën e shtetit. Efektet anësore?
Inflacion 8%, rritje ekonomike 2.5%, mbyllje të bizneseve 8%, rënie të
performancës 54%. Viti më i rëndë ekonomik për Kosovën ishte bërë atëherë.
-3-
Dënimet sigurisht se do të jenë sërish alternativa
e vetme e mbulimit – për aq sa munden – të hendekut buxhetor që buron pra nga
rritja e luksit dhe rritja e numrit të përfituesve të luksit publik. Një vend
kaq i varfër që në vazhdimësi rritë luksin publik, nuk ka se si ndryshe, përveç
se më shumë anomali të shërojë anomalitë e shkuara.
Sepse, për të mos harruar, në 7 vitet e fundit
Kosova vazhdimisht jeton në deficit. Ky deficit – ani pse i zvogëluar me
trajtim prej bariu të keq ndaj gjedhëve – pra mjelje pa ushqim – vazhdon
megjithatë të krijojë hendek që duhet mbuluar prej diku; i thonë borxh pra.
Deri më tani alternativat mbuluese kanë qenë borxhet e letrave me vlerë. Tash
kur letrat me vlerë të brendshme nuk bëhen atraktive më, sepse nuk ka kush produktivitet
të mjaftueshëm për ti kthyer ato bashkë me interes, tash kur borxhi publik ka
arritur në gati 1 miliardë euro, dhe tash kur sjelljet politike kanë prodhuar
anomali të ndryshme mbledhëse e harxhuese të parasë publike, tash do të kemi
pra vetëm dy mundësi.
E para, që të rrisim të hyrat buxhetore shpejtë e
si mundemi – dhe kanë për të mundur shpejtë e shpejtë vetëm me dënime ndaj
bizneseve; dhe e dyta, që të ulim investimet kapitale ngado që ka – por për
ulje të luksit mendja nuk ka për t’i shkuar kurrë. Në të dy rrethanat,
nëpërmjet rritjes së dënimeve e formave jonatyrale të mbledhjes së të hyrave,
do të rrisim çmimin, ulim performancën e bizneseve (pra shitjet) e prekim
kështu rritjen e vendeve të reja të punës. Nëpërmjet uljes së investimeve në anën
tjetër, do të stagnojmë më shumë ekonomikisht, në rritje ekonomike, në zhvillim
ekonomik e në mirëqenie ekonomike. Në fund të vitit do të përfundojmë sigurisht
me numra jo prosperues ekonomik. Po ja që ka kohë që kush nuk mërzitet për
ekonomi këndej. E kemi mjerisht të dorës së dytë standardin e jetës sonë.