Monday, 28 April 2014

INTERVENCIONISTËT

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 25 PRILL 2014

Intervencionistë të oportuniteteve parazgjedhore do të ketë gjithandej sa herë që kemi elitë intelektuale të paaftë për të mbajtur veten moralisht dhe financiarisht; sidomos financiarisht. E përderisa kemi një elitë intelektuale që përbinë lehtë dhe pa turp gjithë kauzën mbi të cilën është ndërtuar, nuk do të kemi as demokratizim, as rifreskim e as përmirësim të partive politike – do të kemi veçse perfeksionim të servilizmit intelektual që megjithatë paguhet mirë.


Përtej histerisë kolektive për pjesëmarrjen e një këngëtari serb në një emision televiziv në Shqipëri – që mori gjithë muhabetet kosovare këndej; aderimeve dhe transferove artificiale në prag të zgjedhjeve nga secili që ka dalë – së paku – një herë në televizion; dhe refuzimit të Adnan Januzajt ndaj kombëtares së Shqipërisë që thau gjithë thirrjet e shpresat për pranim-ftese andej e këndej; votimi i Tribunalit të veçantë për krimet e kryera nga kosovarët gjatë dhe pas luftës, rrumbullakoj një javë mishmashe, me plot lajme, secila me interpretim “shah në veti” nga një grumbull debutuesish gjithandej – të cilët megjithatë, nga të gjitha zgjedhjet e tyre racionale e të mundshme, më së paku pretojnë të debatojnë për secilën temë të mundshme që ndodhë në këtë vend të vogël; jashtëzakonisht të vogël.

E përderisa tri lajmet e para – në rastin më të mirë – do të meritonin një debat kafenesh dhe jo më shumë, ky i fundit meritonte së paku një diskutim parlamentar; që nuk ndodhi asnjëherë. Jo se kishte zgjidhje shumë për e kundër Tribunalit, por se një vendim kaq i rëndësishëm për një çështje kaq të rëndësishme nacionale, meritonte së paku një diskutim të rëndësishëm shtetëror; përtej kafeneve dhe rrjeteve sociale gjithsesi. Sepse të ndërtosh një gjykatë të veçantë për Kosovën, si vendin më të viktimizuar në gjithë Evropën, është punë bajagi e madhe – shumë më e madhe se sa veçse një vendim i radhës që kalon me veçse një vendim të ditës.

Sepse themelimi i një gjykate të veçantë do të thotë pranimi i një dështimi enorm në sistemin gjyqësor të vendit; dhe se secili dështim – në rast se qenka i tillë – nënkupton gjetjen dhe mbajtjen e përgjegjësve për një përfundim të tillë; të huaj dhe vendorë pa dallim. Sepse, kur të akuzuarit në proceset e tanishme vendore bëjnë gjumin nëpër spitale e jo në burgje, ku dhe duhet, atëherë kupton qartë se vendi yt ka një sistem vendor kriminal dhe parainstitcuinal që buron në gjykata, rrjedh nëpër burgje e përfundon në spitale (prandaj dhe sistemi) për të lejuar të burgosurit të bëjnë porosi peshku nga Shqipëria gjatë drekimit në dhomat VIP të spitaleve në Prishtinë – siç thuhet të ketë ndodhë shpeshherë këndej. Sepse një sistem i tillë kriminal dhe parainstitucional nënkupton se ti nuk ke dhe nuk mund të kesh drejtësi; prandaj dhe gjykimet e veçanta, prandaj dhe gjykimet jashta Kosovës.

Pra themelimi i Tribunalit nuk është veçse një lajm i zi i radhës nga një proces që zgjedhje nuk mund të bësh sepse je sjellë para një akti të përfunduar e qëndisur kaherë. Themelimi i Tribunalit është edhe rezultat që kërkon reflektim dhe përgjegjësi mbajtje nga vendimmarrësit kosovarë; nga Kryeministri, tek Ministri i Drejtësisë e gjithë deputetët shumicë që në katër vitet e fundit kanë bërë lëmsh sistemin e drejtësisë – me reagim dhe mos reagim të tyre; të gjithë fajtorë. Një disfatë e tillë nacionale duhet ushqyer me përgjegjësi individuale.

***

Përtej çfarëdo politike tjetër kombëtare që mund të ketë zënë vëmendjen e të gjithëve këtë javë, praktika e përforcimeve partiake që komplekson madje edhe transferet më të komplikuara futbollistike gjithandej, po bëhet gjithnjë e më e paparashikueshme. Dhe për këtë praktikë dua të them dy a tri fjale.

Së pari, përforcimi i partive politike është plotësisht legjitim; madje do të ishte tragjike sikur ato të mbeteshin të papërfrocuara. Përkundrazi, fakti që në 15 vitet e fundit ne i kemi të njëjtat fytyra politike nëpër media tregon mjaftë se sa larg demokratizimit partiak jemi ne. Një vend demokratik do të ksihte parti politike që nuk kanë liderë të përjetshëm – si mbretër – por kanë sistem të përjetshëm që promovon lider të ri, të cilët vijnë rëndom pas humbjes së zgjedhjeve nga liderët paraprak. Tek ne partitë garojnë me të njëjtin lider për dy dekada rresht; ani pse i njëjti ansjëherë fitues nuk del. E kur nuk demokratizon kokën e partisë; nuk ke çfarë të presësh nga pjesa tjetër e saj. Pra, po, përforcimi partiak është esencial nëse dëshirojmë ky vend e ky shtet të ecë para; të bëhet.

Së dyti, përforcimi partiak kishte me qenë më i logjikshëm sikur ai të ndodhte pas çdo cikli zgjedhor; jo para tij. Sepse inkuadrimi në fillim të cikleve nuk jep idenë e oportunizmit ose zënies ngusht të individëve, jep idenë e angazhimit të mirëfilltë politik e me seriozitet rreth një kauze që ke kohë katër vjet ta promovosh; e jo veçse katër javë. Problemi kosovar, megjithatë, është te fukarallëku i mendjeve që mund të bëjnë ndryshim; e të cilat shpeshherë nuk kanë luksin e pritjes katër vjet – pa punë – për të bërë ndryshim.

Së treti, inkuadrimi partiak ka logjikë absolute të bëhet nga shoqëria civile – siç ka dhe logjikë absolute të bëhet nga biznesi, edukimi e diaspora. Pra histeria kolektive e individëve që habiten për aktivizimin politikë të individëve nga shoqëria civile është tërësisht e pavend dhe buron mesiguri nga të tillë që nuk e kuptojnë se çfarë në të vërtetë është shoqëri civile. Kjo sepse të jesh shoqëri civile nuk do të thotë të jesh i paanshëm, apolitik apo dhe joaktiv – pra aktivizimi civil nuk është domosdo mbrojte e popullzimit, sepse shoqëria civile nuk ka e nuk do ta ketë asnjëherë një mandat të tillë. Aktivizimi civil është zgjedhje individuale, siç dhe është zgjedhja e të bërit biznes, shkencë apo sport – të gjitha me domosdoshmërinë e pasjes së kritereve profesionale në to.

Por, dhe kjo me por të madhe, aktivizimi nga shoqëria civile në politikë kërkon korrektësinë e principeve morale; pra shkuarjen me rrjedhën e qëndrimeve të mbrojtura në vazhdimësi. Nëse një individ gjatë aktivizimit civil të tij – pra aktivizmit individual të tij – përgjatë gjithë kohës ka qenë kritik i qeverisjes, atëherë do të ishte shumë e natyrshme që në rast të zgjedhjes për politikëbërje të renditej me opozitë; sepse opozita mund të jetë alternativa më e përafërt politike e pozitës të cilën e ke kritikuar në vazhdimësi; kritikë kjo madje që të kë dhënë dhe vend më të diferencuar në opinion-bërje. Alternativisht, mospajtimi edhe me opozitë mund të të dërgojë në një lëvizje të pavarur politike. E pajtimi me pozitë gjatë kohës së aktivizimit politik, natyrshëm se të dërgon atje – sado që përfitimi i pozitës si këmbim i aktivizimit civil është bukur rëndë i arsyetueshëm moralisht. Por, të kritikosh rëndë pushtetin për katër vjet rresht dhe në fund t'i bashkohesh atij, është hipokrizi. Sepse bashkimi me pushtet pas kritikës do të thotë që ose ti ke qenë gabim gjatë gjithë kohës (dhe kjo të bën të paditur), ose për qëllime oportunizmi ke ndryshuar bindjet e tua bazike (dhe kjo të bën pakurrizorë).Prandaj anëtarët e shoqërisë civile që i bashkohen pushtetit të cilin e kanë kritikuar në vazhdimësi - madje nën arsyet se po japin kontribut për ndryshim (heh!) - bëhen veçse hipokritë të paditur e pakurrizorë; vlerë kjo për të cilën Kosova ka më së paku nevojë. Para politikës vjen një “trohë” fytyrë burra; ruajeni sa s'keni mbete edhe pa të.

Intervencionistë të tillë të oportuniteteve parazgjedhore do të ketë gjithandej sa herë që kemi elitë intelektuale të paaftë për të mbajtur veten moralisht dhe financiarisht; sidomos financiarisht. E përderisa kemi një elitë intelektuale që përbinë lehtë dhe pa turp gjithë kauzën mbi të cilën është ndërtuar, nuk do të kemi as demokratizim, as rifreskim e as përmirësim të partive politike – do të kemi veçse perfeksionim të servilizmit intelektual që megjithatë paguhet mirë; aq sa mjafton që intervencionistët të dalin në selamet.

Monday, 21 April 2014

MBI LLOGARIDHËNIEN E PARASË PUBLIKE

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 18 PRILL 2014

Një përmbledhje e problemeve që karakterizojnë shpenzimin e parasë publike në Kosovë


Janë premtimet elektorale ato që më shpërfaqin më së miri – gjithsesi tragjikisht – dobësitë e sistemit tonë financiar; atij planifikues dhe shpenzues. Janë mu këto premtime që rrënojnë secilin dokument planifikues të vendit, nga Korniza Afatmesme e Shpenzimeve e deri tek planifikimet buxhetore të parvjetshme; thuajse nuk ekzistojnë, thuajse nuk janë bërë asnjëherë – ç’është e vërteta, të njëjtat janë bërë sa për sy e faqe.

Pra planifikimi dhe shpenzimi financiar, në një vend normal, do të duhej të ishte pjesë e një kornize unike financiare, e cila më pas ndërlidhet me gjithçka tjetër që buron nga ajo. Në një vend normal, planifikimi do të merrej seriozisht; sepse tregon maturi, dije, angazhim dhe qartësim të ecjes. Në një vend normal ndryshim radikal i planifikimit makrofinanciar, si rezultat i një politike ditore do të ishte i paprecedent; Parlamenti do të shqetësohej, organizatat buxhetore do të zhurmonin, e secili institucion tjetër i pavarur do të ndërhynte. E mu për shkak të mungesës së respektit për planifikim, besoj, burojnë edhe praktikat e mungesës së plotë të llogaridhënies dhe transparencës në vend. Sepse secili vendimmarrës mbi financat publike ndjen se mund të bëjë çfarë të dojë, sa herë të dojë, si të dojë me to. Sepse nga mosrespektimi i planifikimit buron edhe keqpërdorimi.

***

Lidhshmëria në mes të praktikave të mira qeverisëse me mirëqenien e mirë ekonomike dhe sociale është pranuar mbarësisht. Në këtë vijë, transparenca – apo hapja rreth qëllimeve, formulimeve dhe implementimeve – është element kyç në politikëbërje. Buxheti i shtetit, në anën tjetër, është njëri ndër dokumentet më të rëndësishme që qeveria e parlamenti prodhojnë në vend. Rrjedhimisht, transparenca rreth një dokumenti – të konsideruar si më i rëndësishmi – është parakusht për realizimin e ndërlidhmënisë mes qeverisjes së mirë dhe prosperitetit ekonomik e social.

Në Kosovë, transparenca buxhetore përfundon larg çfarëdo norme të standardizuar ndërkombëtare, e të rrumbullakuar rreth analizave e raporteve ndërkombëtare që trajtojnë temën në fjalë. Në këtë kolumnë, do të provoj ti përmbledh disa nga defiçencat më të rëndësishme që ndërlidhen me transparencën buxhetore, me idenë dhe shpresën se në të ardhmen, shpenzimi i parasë publike do të hasë në më shumë përgjegjësi.

Problemi i parë, dhe më i rëndësishmi njëkohësisht, ndërlidhet me mungesën e qëllimit në – fillimisht – planifikimet buxhetore dhe – rrjedhimisht – hapjen e informacioneve rreth këtyre planifikimeve për publikun e gjerë; pra taksapaguesit. Në të vërtetë, buxheti i Kosovës në katër vitet e fundit është shpërfaqur si një dokument ad-hock dhe pa ndonjë ndërlidhmëni me dokumentet tjera më afatgjata; në rend të parë pa ndonjë ndërlidhmëni me Planin e Veprimit të Vizionit Ekonomik të Kosovës apo Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve - të dy këto dokumente që do të duhej, së paku në pritje, të kornizonin edhe shpenzimet buxhetore. Pra mungesa e një planifikimi të mirëfilltë, në thelb është edhe mungesë e një hapje rreth qëllimeve financiare të vendimmarrësve në Kosovë. E përderisa qëllimet financiare mbesin të papërcaktuara, fuqia e përdorimit financiar për – le të themi – raste paraelektorale bëhet enorme.

Problemi i dytë, ndërlidhet me kualitetin e diskutimeve rreth hartimit buxhetor – bashkë në përmbajtje të pjesëmarrësve dhe në kohën e alokuar nga Qeveria e Parlamenti. Në pesëmbëdhjetë vitet e fundit, institucionet kosovare nuk kanë synuar asnjëherë përfshirjen e grupeve jashta-institucionale në diskutimet buxhetore – në rend të parë, asociacionet biznesore, shoqërinë civile apo ekspertët e pavarur; të gjithë kontribuuesit më të mëdhenj të mbushjeve buxhetore. Hartimet dhe propozimet kanë qenë kryesisht unilaterale dhe pa mundësi diskutimi në publik. Një praktikë e tillë e mbylljes kufizon kontributet eventuale rreth prioretizimit të shpenzimeve publike. Përveç kësaj, diskutimet parlamentare rreth buxhetit, jo më të gjata se – në rastin më të mirë – dy ditore, shpërfaqin qartazi mungesën e kualitetit dhe participimit të gjithmbarshëm në hartimin buxhetor. Mungesa e diskutimeve të gjata – dhe përmbajtësore njëkohësisht – mund të jetë edhe produkt i defiçencës parlamentare; ku deputetë të shumtë nga pjesa më e madhe e grupacioneve partiake preferojnë aprovimet blanko para elaborimeve të detajizuara. Mbaj mend diskutimet në Angli, tri javore në Parlament, shumë të tjera jashta tij – në publik, medie, debate e diskutime grupesh. Tek ne mënyrën e shpenzimit të gjithë parasë publike e rrumbullakojmë me një e dy ditë muhabet.

Problemi i tretë, ndërlidhet me llogaridhënien rreth shpenzimeve të planifikuara gjatë hartimit buxhetor. Pjesa më e madhe e përmbledhjeve buxhetore, të prezantuara në dokumentin vjetor të buxhetit, janë përmbledhje jashtëzakonisht gjenerale dhe pa ndonjë informacion shtesë rreth përmbajtjes së tyre. Pra, nga prezantimi standard i Ministrisë së Financave që kalon nëpër Qeveri, aprovohet në Parlament e prezantohet në publik, është e pamundur të identifikohet përmbajtja e saktë e shpenzimeve të planifikuara. E fshehja e shpenzimeve bëhet sepse në fshehje mundësohet keqpërdorimi; korrupsioni, hajnia e luksi publik.

Në këtë vijë buron dhe  problemi i katërt, që ka të bëjë me raportimin e këtyre shpenzimeve nga organizatat buxhetore. Sipas një analize të Institutit GAP, një numër shumë i vogël i organizatave buxhetore bëjnë publike shpenzimet buxhetore; saktësisht, nga 19 ministri vetëm njëra ofron raport ë veçantë dhe më të detajuar të shpenzimeve buxhetore. Njëtrajtësisht, nga 37 komuna të Republikës së Kosovës, vetëm një publikon në faqen e saj raportin e detajuar të shpenzimeve. Një praktikë e tillë e mbylljes, në nivel qendror dhe lokal, shpërfaqë më së miri edhe nivelin e llogaridhënies rreth shpenzimit të parave publike.

Problemi i pestë, dhe jo më pak i rëndësishëm, ka të bëjë me informacionet e dhëna rreth kontratave të mëdha që paraqiten në kategorinë e investimeve kapitale të buxhetit të shtetit – ndër të tjerash, për shembull, edhe kontrata e autostradës së planifikuar Vërmicë-Merdarë. Mbyllja e tërësishme në relacion me informacionet rreth kësaj kontrate paraqet një rast të paprecedent në praktikat e qeverisjes së mirë dhe të hapur, ku rreth 18% e buxhetit vjetor – në katër vite rresht - jepet si shumë e përgjithshme dhe pa të drejtë informimi për parlamentarët e për taksapaguesit kosovarë. 

Problemi i gjashtë, buron nga mosinformimi i publikut rreth taksave mbi pasuritë natyrore të Kosovës; apo royalty tax. Institucionet planifikuese vazhdojnë të lënë në terr të plotë informimin e publikut mbi rrjedhën, lidhshmërinë, dhe shpenzimin e taksave si këto përgjatë gjithë viteve të shfrytëzimit të pasurive – kryesisht – nëntokësore.

Në fund fare, pra problemi i shtatë, ndërlidhet me përshkrimin e qëllimeve qeveritare rreth shpenzimeve buxhetore, e që rëndom paraqitet në pjesën e analizës makroekonomike të buxhetit. Ky qëllim dhe kjo analizë vazhdon të paraqitet vetëm si dokumentshtesë i arsyetimeve politike, ku provohet të argumentohet në baza politike e partiake, në vend të shpërfaqjes së një analize të mirëfilltë ekonomike dhe informuese, në rend të parë për deputetët e parlamentit, e më pas edhe për publikun e gjerë me interes.


Monday, 14 April 2014

MBI TRIBUNALIN

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 11 PRILL 2014

Pesëmbëdhjetë vjet më parë do të ishte e paimagjinueshme, e pakuptueshme dhe e paarsyeshme që në vitin kur Serbia afrohet me Evropën, Kosova të gjykohet për krime lufte nga Evropa. Do të ketë ndodhur diçka ters në mes, një ngatërrim, një mbrapshtim, një entropi, që na kthen të mbarën përmbys kaq shpejtë. Kush do ta mendonte ecjen tonë kaq keq në vetëm pesëmbëdhjetë vjet liri.

-1-

Nuk vë asnjë dyshim se ka individë kosovarë të ligë e të mjerë që ushqejnë të bëmat e tyre me krim; e bëjnë sot, duhet ta kenë bërë dhe pesëmbëdhjetë vjet më parë – e do ta kenë bërë dhe shumë kohë më parë se aq. Mes një idealizmi të stërtepruar e të stërglorifikuar nëpërmjet folklorizmit institucional dhe gjithçkaje tjetër në funksion të tij, që e kemi parë dhe prekë në pesëmbëdhjetë vjet liri, duhet të ketë diçka më reale, më të ligë e fatkeqësisht më njerëzore – sjellja çnjerëzore për të ushtruar krim individual. Në të vërtetë, duke parë potencialin destruktiv dhe kriminal të individëve në liri, imagjinatën e krimeve individuale gjatë luftës anarkike nuk arrij as ta kufizoj. Sepse popull qindpërqind të pastër nuk ka; por luftë të drejtë qindpërqind ka. Dhe kjo e jona ishte e drejtë, e mbarë, e domosdoshme – ishte luftë çlirimtare ndaj një pushtimi të sëmurë racor e nazist.

Në këtë luftë të drejtë e të domosdoshme qindpërqind, nga nevoja e përndjekjes së një objektivi më madhor – siç është çlirimit – dhe, më e rëndësishmja, në pamundësi për të zotuar struktura mirë të formuara militare e politike që pastrojnë papastërtitë individuale të të sëmurëve të tjerë brenda një grupi që përndjekë drejtësinë e qindpërqindtë, mund të kenë dalë dhe raste kriminale – gjithsesi të izoluara, por gjithsesi të trishtueshme – që duhen të trajtohen në kohë paqe, kur dhe strukturat militare e politike të jenë ndërtuar për të bërë një gjë të tillë.

Në pesëmbëdhjetë vite liri, në vend të pastrimit të shtëpisë nga individë të tillë, ne kemi pastruar secilin zë që ka guxuar të shfaqë dyshime eventuale për paqëndrueshmërinë e glorifikimit të gjithçkaje. Në pesëmbëdhjetë vjet liri ne kemi dëshmuar se nuk jemi të zot për gjyqësi ndaj vetës.

-2-

Se nuk kemi bërë vet gjyqësi; gjithsesi. Se kemi një Evropë që çuditërisht shpërblen agresorin para se ta dënojë atë për viktimën; gjithsesi. Se kemi njëmijë e një matrapaz të tjerë në krye të vendit që për të shpëtuar veten marrin në qafë një luftë të tërë; edhe më gjithsesi.

Por ta vëmë rekordin drejtë. Tribunali i veçantë për Kosovën është thjeshtë i padrejtë. Është tërësisht i padrejtë nëse evropianët e bëjnë atë vetëm për Kosovën; ndër viktimat e vetme gjatë gjithë luftërave në ish-Jugosllavi, por nuk e bëjnë për asnjë vend tjetër – kryesisht agresor – në gjithë Jugosllavinë. Pra është shumë e padrejtë që i njëjti insistim për zbardhje të krimeve – deri në vrasësin e fundit – të mos bëhet dhe në Serbi; në vend të saj, në kohën e gjetjeve mortore të kosovarëve atje, Serbia dialogon për evropianizim e integrim të plotë në zyrat e ngrohta brukseliane.  Në këtë lëmsh padrejtësishë është revolta jonë që bëhet tërësisht e drejtë.

Në këtë drejtësi revoltuese kundër trajtimit të padrejtë, duhet vepruar mençur. Dhe mençuria jonë, fatkeqësisht, kërkon – siç po ndodh rëndom së fundmi – zgjedhjen e dëmit më të vogël nga një grumbull dëmesh të mëdha. Pra mosreagueshmëria jonë me kohë, e shtyrë nga një zaptim institucional që ka mbrojtur individët e implikuar në vazhdimësi, dhe me këtë ka rrezikuar barazimin e krimit të përgjithshëm mes Kosovës dhe Serbisë (për sa janë mërzitur ata), ka bërë që ne të vihemi para një akti tashmë të kryer; themelimit të Tribunalit (të veçantë).

Ky themelim, në rastin më të keq të vogël, do të bëhet nga vet institucionet kosovare – dhe kështu të mbahet një copë integriteti në një tërësi të dëmshme; apo në rastin më të keq të mundshëm, do të bëhet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara – dhe kështu të humbet gjithçka që është ndërtuar tash e sa vjet këtu. Sado që e dhimbshme, e turpshme dhe e padrejtë, në kohën kur duhet bërë këtë vendim, alternativa më e mençur del të jetë gjithsesi e para.

-3-

Pra fatkeqësia jonë buron dhe rrumbullakohet gjithmonë rreth zgjidhjeve më pak të favorshme; por për këtë punë ne duhet kërkuar fajin këtu, mes nesh. Jo në Evropë, jo në Kombe të Bashkuara, por në Kosovë, në mes zaptuesve individual që për sherr kur shohin veten në rënie marrin gjithçka me vete.

Sepse këta që bëjnë sot politikë, nga mbrapshtia që bartin me vete e me idetë e tyre dhe më të mbrapshta, nuk arrijnë të sjellin asnjëherë në tavolinë zgjidhje të drejta. Kur tre vite më parë u shfaqën për herë të parë akuzat monstruoze të Martit, që ndotën gjithë vendin ndërkombëtarisht, ne zgjodhëm refuzimin kategorik të gjithçkaje që ndodhej aty. E bëmë meqë racizmi dhe fantazitë proserbe të shpërfaqura në të njëjtin dokument tejkalonte secilën mundësi të bërjes – në kohë kur bërësit ishin ata e të bërit ishim ne. Por pas refuzimit kategorik ndaj raportit, ne nuk trajtuam asnjëherë – e nuk guxuam të trajtojmë assesi – as edhe ndonjë mundësi eventuale të krimeve individuale në Kosovë; thuajse nuk kanë ndodhur asnjëherë. Zgjodhëm heshtjen dhe pastërtinë gjithënacionale – gjithsesi utopike.

Fatkeqësisht ato duhet të ketë ndodhë. Nëse e gjithë bota na qenka bindur se duhet të ketë një Gjykatë të veçantë për krime në Kosovë (sepse paska krime pra), atëherë ne kemi dy mundësi. E para, që të bindim gjithë botën se një gjë e tillë nuk ka ndodhë në Kosovë; dhe e dyta, që ti vërtetojmë vetes së një gjë e tillë ka ndodhë ose jo në Kosovë. Gjithsesi në të dyja rastet na duhet një gjykim. Fatkeqësisht, këtë gjykim – që po nisim të fundit në rajon – po e bëjmë në mbrapshti (sepse e bëjmë si të veçantë) dhe me potencë serioze për ti bërë dëm enorm imazhit të vendit dhe luftës sonë të para pesëmbëdhjetë vjetëve për liri. Sepse gjykimin individual nuk e kemi bërë asnjëherë brenda gjyqësisë vendore; nuk e kemi bërë asnjëherë në Hagë; prandaj na detyrojnë ta bëjmë – fatkeqësisht dhe padrejtësisht – si të veçantë. Në gjithë këtë rrugë ne do të vazhdojmë të mbytemi në folklorizëm e patetitzëm nga ata që potencialisht rrezikojnë gjithçka tonën me fatin e punës së mbrapshtë të tyre.

-4-


Pesëmbëdhjetë vjet më parë do të ishte e paimagjinueshme, e pakuptueshme dhe e paarsyeshme që në vitin kur Serbia afrohet me Evropën, Kosova të gjykohet për krime lufte nga Evropa. Do të ketë ndodhur diçka ters në mes, një ngatërrim, një mbrapshtim, një entropi, që na kthen të mbarën përmbys kaq shpejtë. Kush do ta mendonte ecjen tonë kaq keq në vetëm pesëmbëdhjetë vjet liri.


Monday, 7 April 2014

PREMTIMET E KRYEMINISTRIT KATËR VJET MË PARË

Letra nga limbo
KOHA DITORE, 4 PRILL 2014

Në vitin 2010, Kryeministri që ka hapur sivjet imagjinatën premtuese gjerë e gjatë gjithandej, në këmbim të mandatit të dytë kishte premtuar (ndër të tjerash) për katër vjet qeverisje integrim të plotë në NATO, liberalizim vizash në Evropë, termocentral të ri energjetik, stadium supermodern në Prizren, dyfishim të buxhetit të shtetit e ligjin për veteranët qysh në muajin e parë. Në vijë me këto,  llogaritë për kredibilitetin e premtimeve të tanishmeve bëni vet.


Nuk duket se ka kaluar shumë kohë, sidomos jo nga këndvështrimi i memories sonë, kur Kryeministri i tanishëm – që tani ka hapë gjere e gjatë imagjinatën e tij premtuese – po jepte dhurata gjithandej; në stil të njëjtë, në frymë të njëjtë, në energji të njëjte. Në të vërtetë, premtimdhënia vetëm tre e diçka vite më parë bën memorien tonë të shpërfaqet si e shkurtë; fatkeqësisht. Sepse në asnjë vend tjetër ku përgjegjësia qytetare gufon, fjalët e thëna nuk përbihen siç dhe përbihen këtu, thuajse nuk ka ndodhur asgjë thuajse nuk është thënë asgjë asnjëherë; kurrë. E për të rifreskuar memorien tonë të shkurtë – fatkeqësisht – mjafton vetëm një “google search” me fjalë kyçe “premtim”, “kryeministër” dhe “2010” për të gjetur mrekullinë imagjinatave, të përzier me shumë injorancë dhe tallje publike të bërë katër vite më parë nga i njëjti njëri që pretendon fron për herë të tretë sërish. Në të vërtetë, një punë të tillë do të duhej ta bënte opozita si reagim ditor ndaj talljeve publike, por si duket të njëjtit janë “tepër të zënë” për tu marrë me opiztëbërje; ec e bjeru në fije.

Pavarësisht kësaj, për secilin mendimtar opozitar, votues e të interesuar tjetër, në këtë shkrim do të përmbledh disa nga super-premtimet; jo nga ato të zakonshmet por nga ato më të mëdhatë e më të shpeshtat – të Kryeministrit të tanishëm që duket se përdorë të njëjtin stil e të njëjtën platformë si katër vjet më parë. Në vijë me premtimet e shkuara,  llogaritë për kredibilitetin e premtimeve të reja bëni vet.


***

Në vitin 2010, në këmbim të mandatit të dytë, Kryeministri i tanishëm kishte premtuar (ndër të tjerash) për katër vjet qeverisje integrim të plotë në NATO, liberalizim vizash në Evropë, termocentral të ri energjetik, stadium supermodern në Prizren, dyfishim të buxhetit të shtetit e ligjin për veteranët (madje qysh në muajin e parë).

Sa për rikujtim, më 30 nëntor 2010, në një dekalarim ripërsëritës, Kryeministri kishte dhënë mesiguri premtimin më komik  e më tallës të mundshëm; besoni ose jo, integrimin e Kosovës në NATO për katër vite të ardhshme. Thoshte: “E ritheksoj dhe premtoj edhe njëherë, jam i bindur dhe i sigurt se Kosova do të bëhet pjesë e NATO-s gjatë mandatit tim katërvjeçar të ardhshëm." Tashti, në vijë me duartrokitjet e dhëna asokohe dhe me tolerancën kryesisht opozitare e më pas dhe mediatike që nuk ia ka përmendur talljen sërish asnjëherë, nuk arrij të kuptoj se a ishim të gjithë vërtetë naiv – që lejuam një trajtim të tillë – apo ishte ai supernaiv që besonte një gjë të tillë? Premtimi i integrimit në NATO për katër vjet përkon mirë e mbarë me premtimin tjetër – më të famshmin mesiguri – të liberalizmit të vizave. Më 9 Dhjetor 2010, sërish në stil ripërsëritës, Kryeministi në stil të magjistarit po jepte këtë dhuratë: "Ju premtoj dhe garantoj se për 15 muaj, nga janari i vitit të ardhshëm, do të ndodhë liberalizimi i vizave. Ne do ta meritojmë liberalizimin e vizave".
Ndër të tjerash, stadiumin modern, supermodern, që e premton sot në Prishtinë, dje në Mitrovicë, e kishte premtuar katër vite më parë në Prizren. Më 29 Nëntor 2010, Kryeministri deklaronte: "Qyteti i Prizrenit e meriton stadiumin e mirë, të bukur të standardeve evropiane. Jam i vendosur ta filloj dhe ta ndërtoj gjatë mandatit të ardhshëm. Projekti është në finalizim e sipër, kështu gjithçka do të shkoj mirë. Prizreni definitivisht do ta ketë stadiumin". Projekt nuk ka pasur kurrë, asgjë nuk ka shkuar mirë, e Prizreni definitivisht ka mbetur pa stadium; siç do të mbesë pa gjithçka jo vetëm Prishtina e Mitrovica, por dhe çdo vend tjetër (përveç mëhallës së tij) në Kosovë gjatë mandatit të tretë të tij (nëse ndodhë).

Llogaritë qindramilionëshe invesitve që bëhen sot nga ai, ishin bërë edhe katër vite më parë. Atëherë në vend të milionave premtoheshin miliarda, në vend të disa mijëra vendeve pune bëheshin dhjetëra mijëra sosh. E si kulm premtues shpërfaqej gjithmonë ideja e një termocentrali të ri, aq të nevojshëm për vendin. Më 6 dhjetor 2010, Kryeministri më të njëjtin ngulm që e shohim dhe sot, deklaronte: "Premtoj dhe potencoi vendosmërinë time për të përmbyllur me sukses projektin e Termocentralit Kosova e Re, gjatë mandatit tjetër. Projekti do të ndërtohet duke i respektuar në plotni kriteret dhe standardet më të larta."

Jaka jak me NATO-n, vizat, termocentralin e ri e stadiumin supermodern, duket se shkon edhe deklarata e tij për dyfishim të buxhetit të shtetit. Më  8 dhjetor 2010, ai po deklaronte: "Ju premtoj se në mandatin e ardhshëm do të dyfishojë buxhetin e Republikës duke kaluar mbi 2 miliardë euro në vit." Për secilin tjetër me pak interes, në katër vite qeverisje të tij buxheti i shtetit është rritur për vetëm 38%; larg shumë larg prej dyfishimit – dy tre fish më largë se dyfishimi. Në të vërtetë, vlera e re e shtuar e buxhetit të Kosovës në këto katër vite është plotësisht e barabartë me vlerën e borxhit të jashtëm që kjo qeveri ka marrë. Pra thënë ndryshe, Kryeministri dhe qeverisja e tij jo vetëm se nuk kanë dyfishuar buxhetin por në terma real e kanë mbajtur atë në nivel të njëjte.

E kulmi premtues duhet të jetë ai i bërë për veteranët. Më 9 dhjetor 2010, gjatë një fjalimi drejtuar ish luftëtarëve, Kryeministri premtonte kështu: "Ju garantoj se nga muaji i ardhshëm do të fillojë së implementuari ligji për Veteranët e luftës së UÇK-së, që do të institucionalizojë përkujdesin shtetëror ndaj kësaj kategorie, që ka dhënë më së shumti për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës." Në stil të njëjtë, vetëm se katër vite më pas, kryeministri instrumentalizon sërish me veteranët; sepse ligjin e premtuar për vetëm një muaj nuk ua kishte bërë as për një mandat të plotë – dhe po ua premtonte sërish në mandatin e ri.

***

Në të vërtetë, në stil të njëjtë e frymë të njëjtë po bëhen edhe premtimet e tanishme, për stadiumin e ri, integrimin evropian, ligjin e veteranëve, integrimin në NATO, e rritjen e buxhetit. Nuk ka asnjë dallim në madhësinë e premtimeve, gjasën për realizim dhe në fund vet realizmin e tyre nga dhjetori i vitit 2010 me marsin e vitit 2014; as edhe një. Katër vite më pas, do të na duhet sërish ti rrumbullakojmë premtimet e dhëna e të pabëra – siç janë këto dhe shumë të tjera padyshim. Dhe sërish katër vite më pas, nëse ia hedh ai sërish,  do të duhet të pyesim veten se a ishim të gjithë vërtetë naiv – që lejuam një trajtim të tillë – apo ishte ai supernaiv që besonte një gjë të tillë?