Letra nga limbo
KOHA DITORE, 11 PRILL 2014
Pesëmbëdhjetë vjet më parë do të ishte e paimagjinueshme,
e pakuptueshme dhe e paarsyeshme që në vitin kur Serbia afrohet me Evropën,
Kosova të gjykohet për krime lufte nga Evropa. Do të ketë ndodhur diçka ters në
mes, një ngatërrim, një mbrapshtim, një entropi, që na kthen të mbarën përmbys
kaq shpejtë. Kush do ta mendonte ecjen tonë kaq keq në vetëm pesëmbëdhjetë vjet
liri.
-1-
Nuk vë asnjë dyshim se ka
individë kosovarë të ligë e të mjerë që ushqejnë të bëmat e tyre me krim; e
bëjnë sot, duhet ta kenë bërë dhe pesëmbëdhjetë vjet më parë – e do ta kenë
bërë dhe shumë kohë më parë se aq. Mes një idealizmi të stërtepruar e të
stërglorifikuar nëpërmjet folklorizmit institucional dhe gjithçkaje tjetër në
funksion të tij, që e kemi parë dhe prekë në pesëmbëdhjetë vjet liri, duhet të
ketë diçka më reale, më të ligë e fatkeqësisht më njerëzore – sjellja
çnjerëzore për të ushtruar krim individual. Në të vërtetë, duke parë
potencialin destruktiv dhe kriminal të individëve në liri, imagjinatën e
krimeve individuale gjatë luftës anarkike nuk arrij as ta kufizoj. Sepse popull
qindpërqind të pastër nuk ka; por luftë të drejtë qindpërqind ka. Dhe kjo e
jona ishte e drejtë, e mbarë, e domosdoshme – ishte luftë çlirimtare ndaj një
pushtimi të sëmurë racor e nazist.
Në këtë luftë të drejtë e të
domosdoshme qindpërqind, nga nevoja e përndjekjes së një objektivi më madhor –
siç është çlirimit – dhe, më e rëndësishmja, në pamundësi për të zotuar
struktura mirë të formuara militare e politike që pastrojnë papastërtitë
individuale të të sëmurëve të tjerë brenda një grupi që përndjekë drejtësinë e
qindpërqindtë, mund të kenë dalë dhe raste kriminale – gjithsesi të izoluara,
por gjithsesi të trishtueshme – që duhen të trajtohen në kohë paqe, kur dhe
strukturat militare e politike të jenë ndërtuar për të bërë një gjë të tillë.
Në pesëmbëdhjetë vite liri, në
vend të pastrimit të shtëpisë nga individë të tillë, ne kemi pastruar secilin
zë që ka guxuar të shfaqë dyshime eventuale për paqëndrueshmërinë e
glorifikimit të gjithçkaje. Në pesëmbëdhjetë vjet liri ne kemi dëshmuar se nuk
jemi të zot për gjyqësi ndaj vetës.
-2-
Se nuk kemi bërë vet gjyqësi;
gjithsesi. Se kemi një Evropë që çuditërisht shpërblen agresorin para se ta dënojë
atë për viktimën; gjithsesi. Se kemi njëmijë e një matrapaz të tjerë në krye të
vendit që për të shpëtuar veten marrin në qafë një luftë të tërë; edhe më
gjithsesi.
Por ta vëmë rekordin drejtë.
Tribunali i veçantë për Kosovën është thjeshtë i padrejtë. Është tërësisht i
padrejtë nëse evropianët e bëjnë atë vetëm për Kosovën; ndër viktimat e vetme
gjatë gjithë luftërave në ish-Jugosllavi, por nuk e bëjnë për asnjë vend tjetër
– kryesisht agresor – në gjithë Jugosllavinë. Pra është shumë e padrejtë që i
njëjti insistim për zbardhje të krimeve – deri në vrasësin e fundit – të mos bëhet
dhe në Serbi; në vend të saj, në kohën e gjetjeve mortore të kosovarëve atje,
Serbia dialogon për evropianizim e integrim të plotë në zyrat e ngrohta
brukseliane. Në këtë lëmsh padrejtësishë
është revolta jonë që bëhet tërësisht e drejtë.
Në këtë drejtësi revoltuese
kundër trajtimit të padrejtë, duhet vepruar mençur. Dhe mençuria jonë,
fatkeqësisht, kërkon – siç po ndodh rëndom së fundmi – zgjedhjen e dëmit më të
vogël nga një grumbull dëmesh të mëdha. Pra mosreagueshmëria jonë me kohë, e
shtyrë nga një zaptim institucional që ka mbrojtur individët e implikuar në
vazhdimësi, dhe me këtë ka rrezikuar barazimin e krimit të përgjithshëm mes
Kosovës dhe Serbisë (për sa janë mërzitur ata), ka bërë që ne të vihemi para
një akti tashmë të kryer; themelimit të Tribunalit (të veçantë).
Ky themelim, në rastin më të
keq të vogël, do të bëhet nga vet institucionet kosovare – dhe kështu të mbahet
një copë integriteti në një tërësi të dëmshme; apo në rastin më të keq të mundshëm,
do të bëhet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara – dhe kështu të
humbet gjithçka që është ndërtuar tash e sa vjet këtu. Sado që e dhimbshme, e
turpshme dhe e padrejtë, në kohën kur duhet bërë këtë vendim, alternativa më e
mençur del të jetë gjithsesi e para.
-3-
Pra fatkeqësia jonë buron dhe
rrumbullakohet gjithmonë rreth zgjidhjeve më pak të favorshme; por për këtë punë
ne duhet kërkuar fajin këtu, mes nesh. Jo në Evropë, jo në Kombe të Bashkuara,
por në Kosovë, në mes zaptuesve individual që për sherr kur shohin veten në rënie
marrin gjithçka me vete.
Sepse këta që bëjnë sot politikë,
nga mbrapshtia që bartin me vete e me idetë e tyre dhe më të mbrapshta, nuk
arrijnë të sjellin asnjëherë në tavolinë zgjidhje të drejta. Kur tre vite më
parë u shfaqën për herë të parë akuzat monstruoze të Martit, që ndotën gjithë
vendin ndërkombëtarisht, ne zgjodhëm refuzimin kategorik të gjithçkaje që
ndodhej aty. E bëmë meqë racizmi dhe fantazitë proserbe të shpërfaqura në të
njëjtin dokument tejkalonte secilën mundësi të bërjes – në kohë kur bërësit
ishin ata e të bërit ishim ne. Por pas refuzimit kategorik ndaj raportit, ne
nuk trajtuam asnjëherë – e nuk guxuam të trajtojmë assesi – as edhe ndonjë
mundësi eventuale të krimeve individuale në Kosovë; thuajse nuk kanë ndodhur
asnjëherë. Zgjodhëm heshtjen dhe pastërtinë gjithënacionale – gjithsesi utopike.
Fatkeqësisht ato duhet të ketë
ndodhë. Nëse e gjithë bota na qenka bindur se duhet të ketë një Gjykatë të
veçantë për krime në Kosovë (sepse paska krime pra), atëherë ne kemi dy
mundësi. E para, që të bindim gjithë botën se një gjë e tillë nuk ka ndodhë në
Kosovë; dhe e dyta, që ti vërtetojmë vetes së një gjë e tillë ka ndodhë ose jo në
Kosovë. Gjithsesi në të dyja rastet na duhet një gjykim. Fatkeqësisht, këtë
gjykim – që po nisim të fundit në rajon – po e bëjmë në mbrapshti (sepse e bëjmë
si të veçantë) dhe me potencë serioze për ti bërë dëm enorm imazhit të vendit
dhe luftës sonë të para pesëmbëdhjetë vjetëve për liri. Sepse gjykimin individual
nuk e kemi bërë asnjëherë brenda gjyqësisë vendore; nuk e kemi bërë asnjëherë
në Hagë; prandaj na detyrojnë ta bëjmë – fatkeqësisht dhe padrejtësisht – si të
veçantë. Në gjithë këtë rrugë ne do të vazhdojmë të mbytemi në folklorizëm e
patetitzëm nga ata që potencialisht rrezikojnë gjithçka tonën me fatin e punës
së mbrapshtë të tyre.
-4-
Pesëmbëdhjetë vjet më parë do të
ishte e paimagjinueshme, e pakuptueshme dhe e paarsyeshme që në vitin kur
Serbia afrohet me Evropën, Kosova të gjykohet për krime lufte nga Evropa. Do të
ketë ndodhur diçka ters në mes, një ngatërrim, një mbrapshtim, një entropi, që
na kthen të mbarën përmbys kaq shpejtë. Kush do ta mendonte ecjen tonë kaq keq
në vetëm pesëmbëdhjetë vjet liri.
No comments:
Post a Comment