Letra nga limbo
KOHA DITORE, 14 SHKURT 2014
Nëse duhet të ketë ndonjë akt patriotik që duhet dhuruar
një shteti kaq fragjil në ditëlindjen e gjashtë të tij, atëherë nuk ka si të
jetë ndryshe veçse pavarësimi nga varësuesit tanë; pavarësimi nga zaptuesit e
paditur dhe nga injorantë të tjerë në shërbim të të paditurve e zaptuesve që
marrin në qafë një popull të tërë tash e gjashtë vite
-1-
Gashtë vjet kohë janë të
mjaftueshme për të bërë një shikim prapa; në gjuhën ekonomike gjashtë vjet kohë
është veçse periudhë afatgjate. Gashtë vjet kohë janë shumë më shumë se ç’na duhet
për të parë se çfarë shkoi ters e çfarë shkoi mbarë – jo se ka shumë të mbarë
gjithsesi. E fakti që nuk gjej dhe mbarësi shumë në këto gjashtë vjet ecje, më
bën të ndihem restriktiv në rikujtimet e ditëve historike, jo sepse dita nuk
ishte historike – s’ka e s’do të ketë ditë më historike – por se bëj pishman
secilën mundësi të humbur përgjatë gjashtë viteve të para sepse nuk u pavarësuam
nga varësuesit tanë.
-2-
Do ta kemi menduar shumë më ndryshe
perspektivën tonë gjashtë vite më parë. Sepse për nëntë vite të tjera para tyre
ne kishim dëgjuar fjalët e njëjta të kompetencave, statusit të padefinuar,
imazhit të pasigurtë e prioriteteve politike si arsyetime të ngecjes sonë. Atëherë
çfarë ka më pak sot se gjashtë vite më parë?
Varësia ndërkombëtare në
secilin hap tonin mbetet po aq e njëjtë; madje kjo varësi e përkthyer në një
lloj miqësie profetike është bërë edhe platformë standarde e arsyetimeve
çmendarake të secilit “dua të jem lider” të vendit; që në përpjekje për të
mbuluar defiçencat e shumta, në shprehje e mendje, përdorë vend e pa vend
udhëzimin e miqve ndërkombëtarë, të ambasadorëve, diplomatëve e teknikëve tjerë
që kalendarojnë edhe orarin e shkuarjes ose jo në tualet të përfaqësuesve tanë
parlamentarë. Miqtë megjithatë mbesin miq, e për telashet që kanë ata vet dhe
nuk na bëhen prindër asnjëherë. Rrjedhimisht në vend të ecjes ne pas tyre do të
duhej të ecnim vet e ata të ecnin pas nesh.
Po nuk ecëm para hiç; në të vërtetë
ecëm shumë pak. Gjashtë vite më pas, pasi kishim shterur çdo argument se nuk do
të kalojmë mbi sakrificën e fundit tonën – atë të Pakos së Ahtisaarit – ne
gjejmë veten duke kërkuar ndryshime kushtetuese përtej premisave të Pakos, duke
ofruar e negociuar autonomi financiare, gjyqësore e territoriale në veri, e
duke harruar të zhdukurit, dëmet e luftës, kërkimfaljen e plaçkitjet pensionale
të pesëmbëdhjetë viteve më parë.
E për secilin që do të ketë
menduar ndryshe procesin – dhe kuantitetin – e njohjeve bashkë me konsolidimin
tonë ndërkombëtar, asgjë nuk ka shkuar mbarë. Në të vërtetë, kur përjashton
topitjen e marrë gjashtë vite rresht me lajme të njëjta që na humbin dhe sensin
e gjykimit të drejtë, e kupton se gjashtë vite më parë sikur të na thonin se do
të njihemi me zor nga 106 vende, se rrugëtimi drejt BE-së do të ishte pa fund
të qartë, se liberalizmi i vizave nuk do të ndodhte ende, e se ndeshjen e parë
miqësore ne futboll do të zhvillonim vetëm gjashtë vite më pas – pasi të kemi
marrë pëlqimin nga Serbia gjithsesi – do ti mbesnim në qafë; në qafë shumë. Dhe
fatkeqësia më e madhe buron nga ideja se ne i besojmë arsyetimeve të dhëna mbi
paaftësinë për të ndikuar politikat e jashtme. Aftësia e ndikimi i politikave të
jashtme është humbur në momentin që të jashtmit kanë parë vrullin e të
pangopurve politikë tanë për të zaptuar e marrë gjithçka nga shteti ynë në bërje.
-3-
Dert i vogël do të ishin
njohjet e ngadalta, sikur standardi social të ishte në rritje të shpejtë; por
nuk është. Në të vërtetë, problemet e thella sociale kanë prodhuar tri efekte të
tmerrshme në vend e të cilat nuk i kishim gjashtë vite më parë. I pari, dhe më
i rëndësishmi, ka të bëjë me emigrimin ilegal të kosovarëve. Në një rreth ku
vetëm një nga tre të rinj është i punësuar – dhe atë me një pagë që mbanë atë e
familjen e tij pak mbi pragun e varfërisë – ikja është i vetmi përfundim
logjik, sado që i dhimbshëm shumë. I dyti, dhe më i rrezikshmi, ka të bëjë me
lindjen e përçarjeve fetare në vend, të shtyra jo nga besimtarë shumicë, por
nga një pakicë e të çmendurve që – besoni ose jo – adhurojnë organizata
terroriste e famëkeqe nëpër botë. Një stad i ri si ky i zhvillimeve sociale do
të ketë qenë i paimagjinueshëm vetëm gjashtë vite më parë. I treti, dhe më i përhapuri,
ka të bëjë me krimin ordiner nëpër rrugë. Mjafton një vështrim i shpejtë nëpër
titujt e gazetave për të parë e kuptuar përhapjen e vrasjeve nëpër shkolla, plaçkave
nëpër shtëpi, e gangsterëve nëpër rrugë – të gjitha në rritje; kjo nuk është
gjendje paqe, është luftë rrugaçësh që ecin të lirë gjithandej.
-4-
Do ta kemi menduar shumë më ndryshe edhe ecjen tonë ekonomike gjashtë vite më parë; mesiguri me investitorë të shumtë, kompani telefonike me nam botëror, vende të reja pune në termocentralin e ri, apo dhe biznese vendore kreative që kalojnë imagjinatën e pompave të benzinës e pishinave verore – të hapura gjithandej.
Gjashtë vite më pas numrat
ekonomik na thonë një storie të tmerrshme, të pabesueshme por të vërtetë. Nëse
para gjashtë viteve ne kishim një bilanc në mes të eksportit dhe importit në
minus 1.7 miliardë euro në vit; sot të njëjtin e kemi në minus 2.3 miliardë
euro në vit. Nëse para gjashtë viteve ne kishim vetëm 25% të kosovarëve të moshës
së punës në punë, sot i kemi po aq në punë dhe plot 25.000 të tjerë që na
shtohen çdo vit si të papunë. Nëse para gjashtë viteve kishim rritje ekonomike –
mesatare – prej 4.8%, sot rritja mesatare e viteve të shkuara është 4.1%. E nëse
para gjashtë viteve ne kishim 100 euro para të vlefshme, sot i kemi vetëm 70.
Pra në gjashtë vite ecje bizneset tona nuk kane prodhuar, por kanë rënduar më
shumë varësinë tregtare; punëtorët tonë nuk janë punësuar por janë zhvlerësuar
nëpër kohë; ekonomia jonë nuk është zhvilluar, pro ka nënperformuar në krahasim
me ecjen tonë paraprake; dhe në gjithë këtë kohë nëse të ardhurat tona kanë
mbetur konstante ne jemi varfëruar për 30% - përveç nëse janë rritur për aq sa
për ta na mbajtur në stad të njëjte.
-5-
Sepse në gjashtë vite ecje, të pangopurit zapatues kanë ngufatur gjithçka para tyre. Kanë ngufatur paranë publike nëpërmjet prokurimit publik, duke e bërë Kosovën vendin më të korruptuar në Evropë; kanë ngufatur pasuritë publike nëpërmjet privatizimeve frankenshtajne, duke larguar përfundimisht secilin investitor serioz; kanë ngufatur sistemin gjyqësor nëpërmjet kërcënimit e shantazhit, duke bërë shtetin një minidiktaturë në rritje; kanë ngufatur sistemin e edukimit nëpërmjet politiko-akademikëve të paskrupullt, duke prodhuar kështu gjenerata të tëra të paaftë për punë; kanë ngufatur mediat dhe mendimin pulik nëpërmjet fashistëve klientelistë, duke prodhuar kështu propagandë provinciale dhe pa takt; kanë ngufatur policinë e sigurinë nëpërmjet instalimit të institucioneve para-partiake aty, duke prodhuar kështu një shtet policor në shërbim të ngufatësve. Në gjashtë vite shtet, këta kanë ngufatur gjithçka; kanë varësuar një shtet të pavarur. Sot gjithçka varet nga ta.
Nëse duhet të ketë ndonjë akt
patriotik që duhet dhuruar një shteti kaq fragjil në ditëlindjen e gjashtë të
tij, atëherë nuk ka si të jetë ndryshe veçse pavarësimi nga varësuesit tanë;
pavarësimi nga zaptuesit e paditur dhe nga injorantë të tjerë në shërbim të të
paditurve e zaptuesve që marrin në qafë një popull të tërë tash e gjashtë vite.
Dhe ky duhet të jetë misioni ynë në vitin e shtatë të shtetësisë, që vitin tjetër
të mos kujtojmë simbolikën por edhe procesin e ecjes në tërësi.
abdixhiku@facebook.com
No comments:
Post a Comment