Letra nga limbo
KOHA DITORE, 7 SHKURT 2014
Sepse protesta është betejë mes gjithkujt tjetër dhe
individëve që protestuesin e quajnë me emërtimet nga më të ndyra,
konsipracionojnë në përmasat e spiunazhit sa të kompleksojnë edhe Agatha
Christie-n, e aktivizohen njëri pas tjetrit vetëm atëherë kur themelet e
uzurpimit të tyre dridhen. Disa nga ta janë aq të pamoralshëm e aq destruktiv –
në shprehje e mendësi – sa bëjnë dhe Zotin pishman për krijesat e tij.
-1-
Siç edhe mund të rridhte
natyrshëm, përplasja rreth UP-së po shndërrohet në fotografi graduale të
blloqeve, ideve e vlerave që rëndom kanë shoqëruar Kosovën në këto 14 vitet e
fundit; në mos dhe më shumë. E meqenëse i përkas bllokut që mashtrimin,
plagjiatin dhe uzurpimin nuk i merr si të pranueshme – pra nuk i sheh si vlerë
por si antivlerë – do ti lejoj vetes luksin (madje me shumë kënaqësi) e marrjes
me bllokun tjetër, që – dhe këtu fillon djegësia e shijes së pashijshme të tyre
– para se të kenë problem me arsyen për protestë kanë problem me zgjidhjet se
kush bën pjesë në protestë. Për këtë janë të mjerë.
Akademikë, profesorë, politikanë
e aty këtu një grusht studentë – të gjithë servilë, e më servilë se tjetri –
aktivizojnë llumin e injorancës sa herë që padroni i tyre kërkon një gjë të
tillë. Ata aktivizojnë mu ato vlera që në majën e performancës individuale të
tyre, nëse ka pasur një të tillë ndonjëherë, kanë qenë vlera të shitura mirë e
bollshëm; të gjitha të zhbëra sot për kosovarin e ri.
-2-
Kosovari i ri po ndryshon. Ai
nuk ka kujtim pionerizimin paratranzicional – rrjedhimisht ndjenë më pak barrë
për të kaluarën; nuk ka kujtim të freskët luftën – rrjedhimisht ndjenë më pak
borxh ndaj vendorëve e të huajve; dhe
nuk ka rekord të përpjekjes shtetndërtuese – rrjedhimisht është i pastër në
ecjen e tij postçliruese. Kosovari i ri pra nuk njeh idenë e “udbashizmit”,
“lpkizmit”, “farkizmit”, “çlirimtarizmit”, “banesizmit”, “partiakizmit”,
“institucionalizimit”, “parlamentarizmit”, “pavarësizmit” apo përpjekjeve tjera
(të –izmit), përpjekje të mira, shumë të mira, e të zeza dhe shumë të zeza të
ndodhura në vend. Për to mund të ketë dëgjuar vetëm nëpër ballafaqimet dhe
tregimet e protagonistëve e komentuesve të tjerë; apo ti ketë përjetuar në kohën
e përjetimeve tjera të pubertetit e hipergjykimit. Kosovari i ri njeh vetëm
idenë e vlerës, e rezonit, e alternativës dhe e zgjidhjes sepse dikush din
diçka jo sepse dikush ka bërë (ose jo) diçka dikur.
Prandaj, kur dikush nga blloku
tjetër akuzon dikë që ka kandar modern të vlerave me percepcione të ndyra e të
inateve, nuk është se ngjallë ndonjë reagueshmëri reflektuese tek të tjerët;
ngjallë vetëm gërditje dhe keqardhje nga një gjuhë e tillë e individë të tillë.
-3-
Për ta vënë rekordin drejt,
situata e UP-së meriton trajtim të thjeshtë. Ka një gabim individual të një
rektori, që në gjuhën akademike njihet si mashtrim; ka një uzurpim më të gjerë
të institucionit nga parapartia, që në gjuhën e politikës njihet si zaptim; dhe
ka një betonizim të qëndrimeve të inateve, paditurisë e klientelizmit të bëra
në një bllok bashkë, që në gjuhën e secilit tjetër njihet si interes.
E për të zhbërë bllokun e bërë
bashkë, për të zhbërë zaptimin institucional, duhet zhbërë fillimisht Rektorin
i cili para së gjithash ka bërë një mashtrim. Mashtrimi i tij, pra gabimi i tij
individual, është se ai ka publikuar një punim pa vlerë, në një revistë pa
vlerë dhe këtë mungesë vlere e ka përdorur për të përmirësuar pozicionin e tij
aty. Një akt të tillë, secili pjesëmarrës i botës akademike e gjykon me një
përfundim të thjeshtë, largim. Për hir të korrektësisë nuk kam se si të mos
them se pjesëmarrës të botës akademike i shoh vetëm të tillët që dikur diku
kanë bërë një publikim që kalon kufijtë e lokalizmit, provincialitetit e
servilizmit alla-kosovar; pra dikush që është edukuar në frymën e shkencës,
edukimit korrekt dhe publikimit me standarde. Pjesa më e madhe e mbrojtësve të
Rektorit as që kanë idenë se për çfarë standardi e çfarë kulture shkencore
bëhet fjalë; sepse nuk kanë nga ta dinë.
Gabimi i dytë, pra
institucional, i Rektorit, është mosaftësia e tij për të parandaluar një skemë
skandalesh rreth tij; siç ishte rasti i plagjiatit të qind-për-qind të një
punimi ku vetëm titulli ndërronte – në mes të shumë skandaleve tjera që po
shpërthejnë gjithandej. E arsyetimi i dhënë se plagjiati kishte ndodhur si një
gabim teknik, ose se i njëjti ishte provuar të tërhiqej, më bind më tepër për
paditurinë dhe papërgjegjshmërinë e të tillëve. Kur dikush bën një gabim të
paqëllimshëm dhe kaq të rendë akademik, e para e punës çfarë duhet bërë është
publikimi i distancimit para se ai të shpërthente nga mediet. Porse nuk kanë
bërë një gjë të tillë. Sepse nuk kanë gabuar paqëllim.
-4-
E mu atëherë kur shtjerrësh nga
imagjinata se çfarë tjetri mund të prodhojë, ata dalin me gjithë arsenalin e
paditurisë së tyre në gjyeti inatesh kundrejt akademikëve të tjerë në UP që,
siç e do mbarësia, nuk e pranojnë mashtrimin. Në këtë gjyeti ata provojnë ti
kontesotjnë (me paditurinë e tyre) edhe punimet – këtu bëhet sërish interesant
– të mësimdhënësve shqiptarë që nëpër botë konsiderohen si gjeni; dhe nuk është
barcoletë kjo.
Vë bast secilën qindarkë të
kursimeve pensionale se pjesa më e madhe e atyre që mbështetin një kundërgjykim
si ky, nuk kanë aftësi as të përmbledhin me një paragraf – se jo më shumë – një
punim të tillë. Dallimi në anën tjetër është se, një student mesatar i shkollës
fillore mund të përmbledhë – në mos të shkruaj më mirë – punimin e famshëm të
mineraleve.
-5-
Dhe fajtorët për gjithë këtë përplasje
nuk janë në mesin e bllokut mashtrues e atij inatçorë. Janë një grumbull
inatçorësh tjerë që me rezistencën e tyre ndaj strukturës së protestës
preferojnë mashtruesit para arsyes së protestës. Pra për ta, paradoksalisht, më
me rëndësi është inati se kush është në mes të protestës se sa dëmi që vjen nga
shkaktari i protestës. Prandaj, jo vetëm që nuk i bashkëngjiten nismës, porse
me mish e me shpirt, në imitim të mjeshtërve mashtrues, promovojnë e
propagandojnë të kundërtën, pra anti-protestën.
Nëse të njëjtit nuk dëshirojnë
të politizojnë nismën, le të provojnë të dalin vet. Nuk di a ka fat më të madh
se sa dhënia e një shkëndije civile e mediatike sikurse shkëndija e protestave
të fundit. Raste të tilla në Kosovë janë të rralla dhe si të rralla që janë
duhet të përdoren si shembull i së mundshmes. Nëse dinë më mirë, nëse mund t
ëbëjnë më shumë, nëse munden vet, le ti bëjnë të gjitha – përderisa i bëjnë.
Sepse protesta e nisur për
UP-në është bërë më shumë se sa protestë për një individ. Është bërë një
mundësi që prodhon shpresë se gjërat, me një përgjegjshmëri kolektive, mundtë
ribëhen sërish. Sepse protesta është betejë mes gjithkujt tjetër dhe individëve
që protestuesin e quajnë me emërtimet nga më të ndyra, konsipracionojnë në
përmasat e spiunazhit sa të kompleksojnë edhe Agatha Christie-n, e aktivizohen
njëri pas tjetrit vetëm atëherë kur themelet e uzurpimit të tyre dridhen. Disa
nga ta janë aq të pamoralshëm e aq destruktiv – në shprehje e mendësi – sa
bëjnë dhe Zotin pishman për krijesat e tij.
No comments:
Post a Comment