Letra nga limbo
KOHA DITORE, 28 SHKURT 2014
Mbi të zakonshmen e një jave të pazakonshme kosovare
-1-
Do të duhej të ishte ditë e
jashtëzakonshme, dita kur pesë lajme të keqpërdorimit të parasë, pasurisë e
interesit publik u shpërfaqën në pesë gazeta ditore të vendit. Por nuk u bë e
tillë. Në vend të së jashtëzakonshmes erdhi dita tjetër, e dyta – me pesë lajme
të reja, po aq neveritëse, sërish rreth keqpërdorimit të parasë pasurisë e
interesit publik. Kosovarët janë bërë rrafsh, keqpërdoruesit edhe më rrafsh.
Duhet ta kenë kuptuar mirë këta të fundit potencën e durimit qytetar – qyqar;
në atë masë sa që guximi i tyre për të bërë marri bëhet më racional se sa
çmenduria jonë për durim. Prandaj dhe do të vazhdojnë njëjte në ditën e tretë.
-2-
Nëse ju ka humbur ritmi i
ndjekjes së lajmeve ditore, rrjedha është kështu. Në ditën e parë u raportua se
si – me para të taksapgasuesve – një zyrtare e lartë kishte marrë burrin – dhe
shoqërinë – për të kaluar momente romance në Paris. Gjeneral Selimi – tani
ambasador në Shqipëri – që ndodhej në paraburgim për nëntë muaj të plotë kishte
pranuar këto ditë nëntë paga (nga 3700 euro secila; 33.300 gjithsejtë) pa bërë
asnjë ditë pune të vetme si ambasador – sepse ishte në burg; disproporcionin e
pagës me mesataren kosovare vendosi ta injoroj nga mungesa e aftësisë sime për
të racionalizuar një marre të tillë. Ministria e Bujqësisë kishte paguar një
traktor të dhënë si subvencion më shtrenjtë se një “Range Rover” 2014-sh,
full-ekstra, automatik, panoramaview, e me fellne alumini; plot 52.000 euro
ishin dhënë për traktorin që në treg bënte më pak se 20 mijë. Auditori i
Brendshëm kishte gjetur kontrata të nënshkruara nga Ministria e Infrastrukturës
për mirëmbajtjen e rrugëve që nuk ekzistonin fare; ndërkaq Ministria e
Industrisë kishte fshehur gjetjet se operatori privat i distribuimit të
energjisë KEDS, kishte instaluar orë matëse që shtonin llogaritjen e konsumit
elektrik.
Në ditën e dytë, vendpunësimi i
balldëskave të politikanëve – përfshirë dhe ato të vet Kryeministrit – pra RTK
(jo këtë herë PTK), kishte bërë lajm për dhënien e kontratave milionëshe dy
kompanive fantome të cilët ndanin adresën njëra me tjetrën e që pronarë kishin
individë që lidhje me bizneset në fjalë nuk kishin. Hekurudha e Kosovës kishte
paguar plot 300.000 euro për pajisje të thirrura si të reja, por që ishin të
vjetra e të ngjyrosura për tu kontrabanduar si të reja. Komuna e Prishtinës
kishte identifikuar një proces shkëmbimi pronash nga qeverisja e 2005-ës, që
synonte këmbimin e një parcele komunale në vlerë prej 4 milionëve (pronë
ndërtimi 8 katëshe) me një tjetër private me vlerë zero (hapësirë gjelbërimi);
gjithmonë milionët në konto të zaptuesve e zeroja në konto të kosovarëve.
-3-
Kosova sot nuk ka zot shtëpie.
Ka një Parlament tërësisht jofunkcional, një Qeveri tërësisht pasive për
kontroll, shumë aktive për marrjen e tenderëve në “fotofinish” të mandatit, dhe
ka një Kryeministër i cili toleron gjithçka. Të zënë me vëmendje pak nga
tribunali i ri e në bërje për krime të luftës në Kosovë e pak nga ofensiva e re
e EULEX-it për hajni e korrupsion – siç është dashur të ndodhë kaherë –
politikanët qeverisës kanë humbur gjithë interesin për mirëqeverisje. Për sa
kohë gjylja mund të godet gjithandej, të njëjtit mbeten të pasigurte deri në
palcë – prandaj dhe shfrytëzojnë raundin e fundit të vrapimit për të kapur
secilin diçka.
Jo se raundi i fundit është më
ndryshe se paraprakët – thënë të drejtën lajmet e shpërfaqura këto ditë kanë
zanafillë potencialisht që nga dita e parë e qeverisjes së sotme. E mesiguri do
të ketë dhe shumë skandale tjera, edhe më të rënda, edhe më të kushtueshme,
edhe më të turpshme se sa këto që do të dalin në dritë herë do kurdo. Por të
gjitha së bashku, pavarësisht kohës së shpërfaqjes, formojnë një tregim
trishtues të degradimit ekonomik të vendit e të uzurpimit e zaptimit institucional
në vend nga parapolitika kriminale që jo vetëm se ushqen vetën majmë, por lejon
secilin tjetër të marrë copa ashti sa herë që do.
-4-
E përderisa degradimi ekonomik
ka metastazuar përtej çdo shprese për rikuperim, Kryeministri i Kosovës, i
parasupozuar si zot i shtëpisë qeverisëse, vazhdon me monolog patetik sa herë
që provon të argumentojë një progres – që përveç zyrtaret e gjeneralët e tij
nuk e ka parë kush ta sheh tash e sa kohë. Në javën e skandaleve, Kryeministri
promovoj ulje të papunësisë, rritje të investimeve të jashtme e përmirësim të
situatës ekonomike në vend – për të përfudnuar me paditurinë e tij tipike se
rritja ekonomike në vend është 5%, kur në dy vitet e shkuara – sipas ministrive
të tij – e njëjta ishte më pak se 2.5%. Sa interesant që nuk ja qëllon
asnjërës.
Në kohën e angazhimit kolektiv
qeverisës për marri, nga vizitat e Parisit e deri tek pagesat e rrogave gjatë
kohës në burg, Kosova ka shënuar regres të paparë. Në tri vitet e fundit, sipas
BQK-së, invesitmet e huaja direkte kanë rënë nga 393 milionë në vetëm 255
milionë; deficiti tregtar është rritur nga 1.8 në 2.2 miliardë, përderisa
çmimet e produkteve bazike – pa të cilat një familje mesatare nuk mund të jetojë
– janë rritur për (mesatarisht) 41%. Në këtë rrjedhë, agjencitë e Kryeministrit
kanë provuar të ulin papunësinë duke përjashtuar nga llogaritja 700.000
kosovarë – apo rreth 63% e fuqisë punëtore – por pa shtuar numrin e të
punësuarve (që vazhdon të jetë i ngujuar rreth 25% të fuqisë punëtore).
E investimet e huaja
zvogëlohen, varësia në import zgjerohet; çmimet rriten e punësimi stagnon sepse
kemi njerëz totalisht të paditur dhe tërësisht të papërgjegjshëm; antipatriotë
e antimoralistë tipik; zhbërja e të cilëve do të hapë dyert për rimëkëmbje të
re. Me të tillët mjerë ata që dhomën e qelisë një ditë do ta ndajnë.