Letra nga limbo
KOHA DITORE, 12 PRILL 2013
Në kujtim të Margaret
Thatcher
Po e shkruaj këtë kolumne në prapavijë të transmetimit nga BBC 2 të seancës
përkujtimore parlamentare që më vjen nga skaji tjetër i dhomës e që bëhet në
nderim të ish-kryeministres britanike Margaret Thatcher. Takimi parlamentar si
rrallëherë bëhet pa qeshje, pa gjeste, pa gulçime e pa sarkazmin e zakonshëm të
dhomës britanike. Këtë herë konservatorë, laburistë, liberalë, të djathtë e të
majtë, të mesëm e as-as, ngrenë të gjithë kapelat për një zonjë, për zonjën e
hekurt. Ajo, siç e titullonte “Daily Express” ballinën e së martës, jo vetëm
udhëhoqi vendin për një dekadë por dhe e shpëtoi atë. Vdekja e saj këtë javë
ktheu sërish kujtimet glorifikuese për Anglinë dhe më shumë, për lirinë
ekonomike të tregut në një shtet e komb të fuqishëm – për Thatcherizmin dhe
trashëgiminë e lënë pas për vende të tjera, për ndjekës tjerë. Ky është tregimi
për zonjën.
-1-
Stoke-on-Trent, vendi nga ku po bëj këtë shkrim, është një qytezë e shtrirë
në tokën e mesme të Anglisë; këtu i thonë ‘Midlands’. E njohur për përpunimin e
qeramikës sot, dikur Stoke njihej për nxjerrjen e thëngjillit, madje në kohën e
kulmit përpunues një minierë këtu mbante rekordin evropian për thellësi, plot
964 metra nëntokë. Në vitin 1980 një minierë tjetër e njohur me emrin
“Chatterley Whitfield Collieriy” kishte thyer një rekord tjetër botëror; kishte
prodhuar plot 2.5 milionë tonë thëngjill. Thënë shkurt ‘stokezët’ apo “The
Potters” siç e quajnë veten këtu, vite më parë nuk dinin asgjë tjetër përveç
mihjes së thëngjillit. Sot çdo gjë që ka të bëjë me thëngjillin është e harruar
këtu, ndonëse shenjat e një ere kulmuese vazhdojnë të ruhen me shumë kujdes. Vetëm
javë më parë kuptova se një copë çeliku e varur afër derës së shtëpisë ku banoj
shërbente dikur për heqjen e lloçit nga këpucët e minatorëve kur ktheheshin nga
mihjet në shtëpi; në të vërtetë pjesa më e madhe e shtëpive këtu ishin ndërtuar
mu për minatorët.
Atëherë, pse edhe një herë ishin mbyllur minierat kur bënim nam me
rekorde?! Më lejoni të ju kthej shkurt në histori. Pas përfundimit të Luftës së
Dytë Botërore, Britania kishte zgjedhur rimëkëmbjen nëpërmjet një shteti të
mirëqenies, të konceptit social, të punëtorëve e të sindikatave. Për këdo me më
tepër interesim, ‘Raporti Beveridge’ dhe koncepti i “Pesë djajve gjigantë”
është një pikënisje e mjaftueshme për të kuptuar themelet e Britanisë së pas
luftës. Në vitin 1947 qeveria laburiste e Clement Attleeit që promovonte
shtetin social e të majtë (për dallim nga konservatorët që tradicionalisht
promovojnë atë të djathtë) kishte vendosur t’i nacionalizonte të gjitha
minierat e thëngjillit e t’i vendoste nën menaxhimin e një trupi të quajtur Bordi
Nacional i Thëngjillit. Bordi organizohej e varej nga një numër i pafund
sindikatash. E sindikatat, të thëngjillit bashkë me sindikatat e gjithçkaje
tjetër, organizoheshin në trupe tjera të përbashkëta - me miliona anëtarë nëpër
gjithë vendin; fuqi se jo mahi. Liderët e sindikatave shpesh diktonin edhe
rrjedhat e vendit.
Menaxhimi publik, siç është i destinuar të ndodhë gjithkund e në çdo kohë,
kishte bërë që një numër i madh i minierave të punonin me humbje pavarësisht
rekordeve në sasinë e prodhuar. Pra sasia e prodhimit mund të ishte
mbresëlënëse por në fund profitabiliteti ishte nul e negativ. Minierat dhe
pothuajse çdo industri tjetër publike ishin shndërruar në strehimore sociale që
me taksat e marra për t’i mbuluar humbjet po ngufatnin zhvillimin e gjithëmbarshëm.
Funksionalizimi normal dhe i qëndrueshëm i tyre kërkonte domosdo shkurtimin e
vendeve të punës e investime të papërballueshme; diçka për të cilën sindikatat
nuk kishin interes asnjëherë. Interesi i tyre në esencë (siç ndodhë zakonisht
me sindikata) ishte halucinues; kërkonin mbajtjen e punëtorëve paralelisht me
subvencionimin e humbjeve nga qeveria (humbje e shkaktuar mu për shkak të
numrit të paarsyeshëm të madh të punëtorëve). Organizmi sindikal britanik në
atë kohë ishte thjeshtë i fuqishëm, aq i fuqishëm saqë sindikatat në vitin 1974
nëpërmjet grevave e protestave kishin rrëzuar edhe qeverinë e kryeministrit konservativ
Heath i cili kishte refuzuar një a dy kërkesa të tyre.
Në vitin 1980 kur Britania ndodhej nën vitin e dytë qeverisës nga femra e
parë dhe e vetme kryeministre në histori, zonjës Thatcher, ishte marrë një
vendim aspak popullist, aspak i përkrahur publikisht, i kundërshtuar nga të
gjithë, por pa asnjë gjasë për t’u kthyer prapa e ndryshuar: qeveria do të ndërpriste
subvencionet dhe mbulesat e humbjeve, minierat dhe gjithë ndërmarrjet tjera
publike joprofitabile do të mbylleshin, Bordi Nacional i Thëngjillit do të
strukturohej e pjesët e saja do të privatizoheshin. Në privatizim do të
viheshin të gjitha kompanitë tjera publike, nga hapësira ajrore, te gazi e në
telekom; gjithçka.
Vendimi, pjesë e planit konservator ‘Ridley’, që më vonë kishte rrjedhur
edhe në revistën “The Economist”, ishte edhe fillesa e parë e qëndrimit të
hekurt që nuk do të ndryshonte pavarësisht kostos, simbol i mëvonshëm i zonjës
Thatcher. Në vitin 1984 vendimi për mbylljen e 20 minierave me humbje të mëdha
dhe kështu largimi i 20 mijë punëtorëve nga vendet e punës kishte shërbyer
mjaftueshëm për fillimin e grevave dhe protestave nacionale e shpeshherë edhe
të përgjakshme të organizuara nga sindikatat e minierave (publike dhe të
privatizuara). Këtë herë, megjithatë, përballë sindikatave nuk ishte
kryeministri Heath, ishte zonja me bindje të qarta ekonomike e politike – që
besonte në privatizim. Për dallim nga Heath, Thatcher tregoj fuqinë e saj në
furnizim me energji në gjithë vendin duke mos lejuar që grevat të shkaktojnë
ndërprerje energjetike; filloi një fushatë publike për t’i shpjeguar konceptet
e saja ekonomike dhe besimin në tregun e lirë e jo në atë sindikal, mbajti
fuqishëm forcat policore në rrugë dhe tregoi fuqinë e shtetit, dhe më e
rëndësishmja, i bindi minatorët dhe të tjerët se qëndrimi i saj nuk kishte
kthim prapa e se greva e tyre në fund të fundit i linte vetëm ata pa paga. Në
vitin 1985, pas një vit proteste, pas një vit rezistence të qeverisë, pas një
vit qëndrimi pa paga e benefite, fuqia e protestuesve kishte rënë; për më tepër
skenat e dhunës sindikale kundër forcave policore (që poashtu ishin punëtorë
publik) nuk dhanë shumë simpati. Dikur britanik filloj të kuptojë se është jo e
qëndrueshme, jo e mençur, jo afatgjate dhe definitivisht jo e drejtë mbajtja në
funksion të aseteve me humbje e me defekte vetëm për hir të disa punëtorëve që
nuk rezonojnë po vetëm kërkojnë. Një qasje e tillë kishte ngufatur vendin për
shumë vite dhe mu për shkak të ciklit të shtetit të mirëqenies në Britani
kishte kohë që nuk kishte mirëqenie për asnjërin. Në verën e vitit 1985 të
gjitha grevat u ndërprenë, organizimi sindikal mori asgjë për kthim ndërkaq Thatcher
shënoi njërën ndër fitoret e saja më të mëdha politike në karrierë. Para grevës,
mbi 40% e britanikëve i përkrahnin sindikatat. Pas grevave, vetëm 8%.
-2-
John Ranelagh, analist i historisë politike angleze, në njërin prej librave
të tij përshkruan vizitën e Thatcherit bërë në vitin 1975 Departamentit të Hulumtimeve
Konservative (menjëherë pasi ishte zgjedhur lidere e Partisë Konservative në
Britani),: “...Gjatë vizitës së saj të parë dhe të fundit në departament, një
prezantues më i moshuar i kishte përgatitur asaj një dokument shpjegues rreth
rrugës që duhej të ndiqte lëvizja konservative në Britani e që në esencë ishte
rrugë me orientime drejt qendrës, larg ekstremeve të djathta e të majta.
Prezantimi u ndërpre nga Thatcher, e cila u ngrit në këmbë dhe nxori nga çanta
e saj një libër. Ishte “Kushtetuta e Lirisë” e Hayekut. Ajo zgjati dorën lartë
e tha: ‘Kjo...’ me shumë ashpërsi, ‘...është çfarë ne besojmë’, dhe përplasi
librin në tavolinë”. Për gjithë ata me dije më të pakta ekonomike, Hayeku është
njëri prej ekonomisteve më të spikatur në histori; promotor e lider filozofik i
tregut të lirë dhe lirisë së të pasurit e të bërit në këtë treg.
Çanta e Margaret Thatcherit si duket përmbante në vete edhe gjithë
filozofinë libertariane. Gazeta e famshme “The Economist” në një shkrim
përkujtimor këtë javë të titulluar “Një nivel mbi të tjerët”, tregonte se si
një herë gjatë një takimi, dikush ia kishte cituar disa rreshta të shkruar nga
Abraham Lincoln, shumë vjet më parë. Zonja Thatcher kishte nxjerrë nga çanta
menjëherë pas citimit një copë të prerë të një gazete të vjetër me po ato
reshta. Ajo kishte treguar se i mbante të njëjtit me vete gjithandej. Citati i
Abraham Lincoln ishte ky: “Nuk mund ta forconi të dobëtin duke e dobësuar të
fortin; nuk mund të sillni prosperitet duke dekurajuar suksesin; nuk mund ti
ndihmoni punëmarrësit duke dëmtuar punëdhënësin”.
Në rreshta e bindje si këto mund të rrumbullakohet edhe filozofia e
Thatcherit. Kjo filozofi përshkruhet sot si besimin politik, ekonomik e social
që promovon shtetin e vogël në qeverisje por jashtëzakonisht të fuqishëm në
mbrojtje e siguri, që promovon tregun e lirë të mbështetur në privatizimin e aseteve
publike e në futjen e konkurrencës, si dhe që promovon kontrollin e inflacionit
e ofertës monetare për stabilitet të çmimeve e anti-inflacion. Pra Thatcher
besonte se nuk mund të forcosh të varfrin duke dobësuar të pasurin por duke i
shtyrë që të dy para bashkë. Në tendencë të një shteti të mirëqenies duke
dekurajuar suksesin, profitin e diversitetin në outpute (jo në mundësi)
Britania që pas Luftës së Dytë Botërore kishte kuptuar më mirë se kushdo tjetër
se esenca e zhvillimit nuk është duke i bërë të pasurit të varfër e kështu të
gjithë të barabartë (ani pse të varfër), por duke i bërë të varfrit të pasur nëpërmjet
dhënies së mundësive të barabarta për të bërë e jo për të marrë pavarësisht bërjes.
Thatcher kishte kuptuar se nuk mund të krijosh zhvillim duke dekurajuar
suksesin dhe profitin me tatime e barrë anti-profit; dhe natyrisht nuk mund të
forcosh punëtorin duke dënuar punëmarrësin - në fund të fundit një biznes i
mirë e i suksesshëm do të thotë edhe vend më të mirë e më të suksesshëm pune
për punëtorin.
Besimi libertarian, pra i tregut të lirë, i pronës private e i shtetit të
fuqishëm në mbrojtjen e tregut dhe pronës, vendit e kombit, buronte tek
Thatcher për dy arsye. E para, shteti i mirëqenies në Angli kishte kohë që po
futej në kriza të reja. Këto kriza thelloheshin me rritjen e shpenzimeve
qeveritare. Kryeministri Heath që kishte provuar para Thatcherit ndërrimin e
paradigmës ekonomike në Britani (e që mbretëronte që pas luftës së dytë) ishte
dorëzuar në momentin e parë që papunësia kishte arritur numrin 1 milion.
Asokohe Heath kishte ndërprerë qeverisjen libertariane për të bërë një kthim
drejt shtetit të mirëqenies nëpërmjet ri-rritjes së shpenzimeve qeveritare. Ky
rikthim i tij kishte shpërthyer me inflacion deri në 25% në vitin kur Thatcher
merr për herë të parë kabinetin qeveritar dhe papunësi prej 1,5 milionësh.
Arsyeja e dytë ishte se britanikët ishin të lodhur nga një standard i jetesës
disfatist në raport me kombet e tjera. Sipas shënimeve të FMN-së standardi
britanik asokohe ishte gjithsesi më i keq se i amerikanëve e i japonezëve, por
edhe se i gjermanëve, francezëve e italianëve.
Fillimisht ideve të Thatcherit kundërshtarët i vunë prapashtesën “-izëm” sa
për ta stigmatizuar atë brenda kornizave të një ideologjie që nuk ka
pragmatizëm, pra thjeshtë është përrallë. Fatkeqësisht për ta trashëgimia
mbresëlënëse e Anglisë pas Thatcherit dëshmoi se prapa një besimi ekonomik
gjithsesi ekziston një pragmatizëm dhe se Thatcherizmi si qasje mund të
replikohet (siç u replika në shumë shtete post-komuniste). Thatcherizmi në të
vërtetë nuk ishte aspak më ndryshe se lëvizja e po të njëjtës kohë në Amerikë
nën presidentin Reagan; mik i afërt i Thatcherit.
Vënia e emrave Thatcherit nuk ishte e rrallë. Në vitin 1976 një gazetar
sovjet me emrin Yuri Gavrilov, në një artikull për gazetën ushtarake sovietike
“Ylli i kuq”, gjersa po përshkruante fjalimin partiak të konservatores Thatcher,
kishte vënë titullin “Zonja e hekurt përdor kërcënimet”. Ishte hera e parë që
dikush po e quante Thatcherin zonjë e hekurt dhe këtë herë jo për ta lavdëruar,
por për ta ofenduar. Artikulli natyrisht se ishte bërë i njohur edhe në Angli,
veçse këtë herë Thatcher në një prezantim publik me shumë sharm e shumë
kreativitet, kishte kthyer shprehjen në favor të vetin: “Zonja dhe zotërinj,
unë jam zonja e hekurt e perëndimit” kishte thënë atëherë.
-3-
E vetëdijshme se vendimet e saja ekonomike që do të vinin dikur, e që në esencë
ndërronin edhe strukturën e industrive në Britani, ishin tërësisht jopopullore,
të reja e të panjohura – madje jo vetëm për bashkëqytetarët e saj por edhe për
shumë anëtarë brenda grupit konservativ, Thatcher vitin e parë të mandatit
brenda partisë i kaloi në shumë hije, pa vëmendje publike, në tendencë për të
treguar vazhdimësinë e ideve konservative por gjithsesi me caktimin e njerëzve
më të afërt në pozitat kyçe të partisë. Në vitin 1979 pas fitimit të zgjedhjeve
Thatcher filloj nderimet drastike në ekonomi e politikë. Për herë të parë që
pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ajo bëri tkurrjen e shpenzimeve
qeveritare, lejoi valutën të ketë kurs të luhatshëm të këmbimit, rriti normat e
interesit për ta zvogëluar ofertën monetare (e kontrolluar kështu inflacionin)
dhe shkurtoi të gjitha subvencionet qeveritare për ndërmarrjet publike në
humbje. Politika si këto në vitin vijues sollën gjithçka veçse përmirësim.
Papunësia u rëndua edhe më tepër një vit më pas, këtë herë ishin bërë plot 3
milionë të papunë. Presioni për largimin e saj qysh në mandatin e parë vinte
gjithandej. Viti 1981 shënon edhe pikën më të ulët të karrierës politike. Sipas
gazetës “The Guardian” Thatcher asokohe ishte kryeministrja më e
jo-popullarizuar në gjithë historinë britanike. Kërkesat për kthim të
paradigmës së vjetër ekonomike, pra të shtetit të mirëqenies në vend të tregut,
kishin bindur edhe disa nga ministrat e saj. “Kthehuni ju, po deshët...” u
kishte thënë atyre, “...Zonja nuk e ka ndërmend të kthehet”. Thatcher i largoi të
gjithë ministrat që kërkonin ndërrimin e saj dhe në vend të tyre solli pasues
të rinj.
Këmbëngulja e saj tregonte se ajo kishte ardhur në pushtet me një filozofi
të qartë e pa hile: qeveria duhet të jetë e fuqishme në mbrojtjen e tokës,
parasë dhe ligjit; për gjithë gjërat e tjera qeveria duhej hequr nga qafa e
njerëzve. Ishte mendësi e njëjtë me atë të presidentit Reagan i cili po bënte
mu të njëjtën gjë në anën tjetër të Atlantikut. Miqësia e tyre e lindur jo pse
personalitetet e tyre kishin ngjashmëri, por se kishin ide të njëjta (Reagan
besonte në Friedmanin, që njëjtë sikurse Hayeku, njihet për promovimin e neoklasicizmit)
vazhdoi deri në vdekjen e Reaganit në vitin 2004. Këtë javë, Malcom Rifkind,
bashkëpartiak i Thatcherit, gjatë një tubimi përkujtimor bëri publik për herë
të parë reagimin e Reaganit pas një bashkëbisedimi me Thatcherin: “...pas një
fjalimi bukur të shpejtë, pa frymë, me ton të lartë, kritikues e këmbëngulës
nga Thatcher për Reaganin, Reagan ktheu kokën nga këshilltarët e vet e ju tha
‘Njerëz, a nuk është e mrekullueshme?’ (Gee, isn't she marvellous?)”. Ky rresht
u bë hit këtë javë këtu. Po bën nam.
Pavarësisht kësaj, pa ngjarjet e 1982, Thatcheri do të mbetej vetëm një
kryeministre e radhës që provoi por nuk ja doli. Për mrekullinë më të madhe të
sajën, në vitin 1982 Argjentina pushtoi ishujt Falkland (apo Malvine). Përgjigja
e Thatcherit për ishujt që ishin 12.876 kilometra larg (ishuj kolonial) ishte e
ashpër, e vendosur dhe tipike për filozofinë patriotike të saj dhe nevojën e
ndërtimit të një shteti që po të duhej, e përdorë luftën për paqe. Ndërhyrja në
Falklande, përveç se shpërfaq më së miri konceptet politike të Thatcherit për
forcën, ushtrinë e shtetin, ngjalli entuziazmin tek britanikët që kishin plot
vite në humbje të krenarisë nga regresi ekonomik. Popullariteti i saj u rrit sa
hap e mbyllë sytë për të kulmuar me një mandat të dytë në vitin 1983; gjithsesi
i mohuar vetëm një vit më parë.
-4-
Pas triumfit argjentinas e zhbërjes së sindikatave, Thatcher i kishte hapur
vetes rrugën për besimet e saja të shumë vjetëve më parë. Për më tepër politikat
konsistente Thatcheriane pas rënieve drastike (si ato të vitit 1981) kishin
filluar më në fund të jepnin frute. Besimi e ngurtësia e saj në përpjekje të
gjetjes së benefiteve afatgjata si alternativë e atyre ‘sot për nesër’ më në
fund po merrni hov; durimi i saj po shpërblehej. Gjatë mandatit të dytë ajo u
angazhua pa kompromis për ndryshimin e ligjeve të punës dhe zhbërjen e fuqive
sindikale që kishin ngufatur deri atëherë zhvillimin ekonomik; miratoi tetë ligje
të punësimit për të zhbërë imazhin e vjetër që sot duket sinqerisht i marrë.
Siç edhe tha një komentues këto ditë, veprimet e saja të djathta që dolën të
jenë aq të duhura detyruan të majtën të zhvendoset në qendër. Sot do të dukej e
pakuptueshme për çdo britanik qëndrimi klasik i majtë para-Thatcherian. Disa
vite më parë do të dukej e pakapshme deklarimi “Supozimi do të duhej të ishte
se aktiviteti ekonomik duhet lënë sektorit privat” nga askush tjetër veçse ish-lideri
i laburistëve, Tony Blair.
Pjesa e dytë e viteve të 80-ta u shoqërua me privatizimin e pothuajse të
gjitha aseteve publike të Britanisë, nga gazi, telekomi, energjia, hekurudhat,
industria e anijeve e deri tek minierat. Privatizimi i kompanisë telefonike
‘British Telecom’ për 4 miliardë funte (për vetëm gjysmën e aksioneve) ndonëse
i kundërshtuar nga të gjithë sot bën shembullin e një suksesi ekonomik. Duke i
dhënë fillimisht të drejtë blerjes së një pjese të aksioneve edhe vet
qytetarëve, Thatcher kishte filluar procesin e “korporatave popullore” dhe me
këtë gradualisht kishte marrë simpatinë
e masave. Sipas Financial Times, British Telecomi para privatizimit kishte
punësuar me mijëra punëtorë përkundër operimit të madh në humbje. Pas
privatizimit kompania operon në 170 shtete dhe çdo vjet realizon 2.5 miliardë
euro profite. Të gjitha proceset privatizuese Thatcher i pasonte me
liberalizim, pra futje të konkurrencës. Sot në tregun telefonik britanik
operojnë plot 7 operatorë. E bënte këtë në mënyrë që tregu të vet-rregullohet. Praktika
e njëjtë ishte ndjekur në të gjitha sektorët tjerë; në British Petroleum,
British Aerospace, Britoil, Jaguar, British Gas, Rolls-Royce, British Steel.
Uji e energjia elektrike ishin privatizuar e liberalizuar në vitin 1990.
Reformat si këto hapën vendin për investime të brendshme e të jashtme; dikur e
gjithë industria automobilistike japoneze për eksport në Evropë u vendos në
Angli. Privatizimet e suksesshme Thatcheriane bëjnë edhe zanafillën e gjithë
privatizimeve tjera post-komuniste. Sukseset e saj ishin dhe mbesin model i çdo
vendi që aspiron tregun.
Për Thatcherin, arrogancën e saj ndonjëherë, e për gjithë gabimet e fundit
në mandatin e tretë (që edhe shkaktuan edhe rrëzimin e qeverisë së saj nga vet
partia konzervative në vitin 1990) mund të ketë mendime të ndryshe. Por siç
edhe argumenton sot “Financial Times” ka
një gjë që pajtohen të gjithë opinionistët, ekonomistët e analistët britanik,
të djathtë e të majtë: politikat e Thatcherit kanë transformuar e reformuar për
së mbari e si askush tjetër ekonominë Britanike. John van Reen, kryesues i
Qendrës për Performancë Ekonomike në LSE tha këto ditë se “ndërrimet nën
Thatcherin i kanë ndihmuar Britanisë të lëvizë nga një shekull i rënies
relative, në tri dekada të suksesit duke u afruar me Amerikën e Gjermaninë”.
Për të ju kthyer edhe një herë krahasimeve me kombet tjera evropiane, pas
intervenimit Thatcherian britanikët jo vetëm që kishin rritjen më të shpejtë
për kokë banori por ishin dy herë më para se amerikanët, japonezët, gjermanët,
francezët e italianët. Sipas revistës “The Economist” Thatcher vendosi
ekonominë britanike në një kurs të ri, larg nga kontrolli i shtetit e pranë
disiplinave të tregut që trasuan rrugën për stabilitet të çmimeve e prosperitet
ekonomik – diçka që dukej e paarritshme në gjithë demoralizimin
para-Thatcherian. Sot kontributi i saj për një ekonomi tërësisht ndryshe nga
ajo para 80-va është thjeshtë koncensuz nacional.
-5-
Natyrisht se ka e do të ketë kritika për stilin qeverisës e për mendësinë
ekonomike të zonjës së hekurt. Natyrisht se jo të gjithë pajtohen e do të duhej
të pajtoheshin me të ndonjëherë. Në të vërtetë, kostoja e rritjes së gjithëmbarshme
dhe stabilitetit ekonomik në Britani që mungonte deri në ardhjen e Thatcherit
kishte lënë shumë vende pranë rrënimit trishtues. Qyteza të shumta që pas
ndërprerjes së subvencionimit kishin humbur industritë e tyre e nuk kishin
arritur asnjëherë të gjejnë përparësitë krahasuese edhe sot vërehen si të lëna
e në harrese. Porte të mëdha të vendit nuk rikuperuan vetën kurrë më. Për më
tepër, shpërputhjet në mes shtresave u rritën gjithnjë e më shumë (padyshim se
të gjithë si njësi ecën më mirë). Thatcher ishte kritikuar edhe për konservatorizmin
në relacion me Brukselin dhe tendencën e saj për të mos zhbërë Britaninë në një
Union, siç e quante ajo “mishmash”; përfshirë edhe valutën e përbashkët euro
(që ideohej qysh në vitin 1990). Shto edhe kësaj disa vendime të ngutshme që i
shkurtuan asaj mandatin e tretë e i dhanë një fund madje me lot natën që
lëshonte “Numrin 10” të kryeministrisë për herë të fundit, dhe ke një pasqyrë
të përafërt të anës së dështimeve të saj. Natyrisht, askush nuk është i
përkryer.
Por ja që defektet eventuale, nëse këto më lartë mund të shihen si të
tilla, mbesin vazhdimisht nën hijen e kredidhënies që vazhdojnë t’i jepen
zonjës edhe tash kur po përfundoj këtë kolumne. Pas vlerësimeve të
kryeministrit Cameron se Thatcher do të mbahet mend për “çlirimin e
ndërmarrjeve, shpëtimin e ekonomisë, shpëtimin e Britanisë e fitoren ndaj
luftës së ftohtë”, për të cilën Thatcher e Reagan ishin angazhuar gjatë gjithë
kohës, po dëgjoj edhe vlerësimet e liderit të tanishëm laburist, Ed Milliband i
cili theksoi se “...e nderon punën e Thatcherit” dhe se “...ajo kishte të
drejtë t’i privatizonte ndërmarrjet publike” – kjo sa për të konfirmuar lëvizjen
e të majtës në qendër mu për shkak të suksesit Thatcherian që bën të majtën
tradicionale këtu të duket joserioze për të rritur.
“U pajtuam apo nuk u pajtuam me të, ajo mbetet një lidere e madhe” kishte thënë
laburisti tjetër Tony Blair ditën e vdekjes së saj, për t’iu bashkuar korit
glorifikues të Obamës që e konsideroi humbjen e saj si humbje të një përkrahësi
joshfajsues që “nëpërmjet forcës fitoi Luftën e Ftohtë dhe rriti premtimin e
lirisë”; të Angela Merkelit, apo siç po thirret së fundi “Zonja e Hekurt Light”
e cila tha se “Thatcher formësoi Britaninë dhe botën si rrallëkush para e pas
saj” . Në fund fare them se Thatcher mbetet një lidere më ndryshe se të
zakonshmit e të thjeshtit e tjerë që besoj pavarësisht paragjykimeve,
reagimeve, kërcënimeve e fyerjeve. Në fund të fundit ajo u dha shembull të
tjerëve se çfarë është të jesh zonjë.