Friday, 12 April 2013

TRASHËGIMIA E ZONJËS SË HEKURT



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 12 PRILL 2013
Në kujtim të Margaret Thatcher


Po e shkruaj këtë kolumne në prapavijë të transmetimit nga BBC 2 të seancës përkujtimore parlamentare që më vjen nga skaji tjetër i dhomës e që bëhet në nderim të ish-kryeministres britanike Margaret Thatcher. Takimi parlamentar si rrallëherë bëhet pa qeshje, pa gjeste, pa gulçime e pa sarkazmin e zakonshëm të dhomës britanike. Këtë herë konservatorë, laburistë, liberalë, të djathtë e të majtë, të mesëm e as-as, ngrenë të gjithë kapelat për një zonjë, për zonjën e hekurt. Ajo, siç e titullonte “Daily Express” ballinën e së martës, jo vetëm udhëhoqi vendin për një dekadë por dhe e shpëtoi atë. Vdekja e saj këtë javë ktheu sërish kujtimet glorifikuese për Anglinë dhe më shumë, për lirinë ekonomike të tregut në një shtet e komb të fuqishëm – për Thatcherizmin dhe trashëgiminë e lënë pas për vende të tjera, për ndjekës tjerë. Ky është tregimi për zonjën.

-1-

Stoke-on-Trent, vendi nga ku po bëj këtë shkrim, është një qytezë e shtrirë në tokën e mesme të Anglisë; këtu i thonë ‘Midlands’. E njohur për përpunimin e qeramikës sot, dikur Stoke njihej për nxjerrjen e thëngjillit, madje në kohën e kulmit përpunues një minierë këtu mbante rekordin evropian për thellësi, plot 964 metra nëntokë. Në vitin 1980 një minierë tjetër e njohur me emrin “Chatterley Whitfield Collieriy” kishte thyer një rekord tjetër botëror; kishte prodhuar plot 2.5 milionë tonë thëngjill. Thënë shkurt ‘stokezët’ apo “The Potters” siç e quajnë veten këtu, vite më parë nuk dinin asgjë tjetër përveç mihjes së thëngjillit. Sot çdo gjë që ka të bëjë me thëngjillin është e harruar këtu, ndonëse shenjat e një ere kulmuese vazhdojnë të ruhen me shumë kujdes. Vetëm javë më parë kuptova se një copë çeliku e varur afër derës së shtëpisë ku banoj shërbente dikur për heqjen e lloçit nga këpucët e minatorëve kur ktheheshin nga mihjet në shtëpi; në të vërtetë pjesa më e madhe e shtëpive këtu ishin ndërtuar mu për minatorët.

Atëherë, pse edhe një herë ishin mbyllur minierat kur bënim nam me rekorde?! Më lejoni të ju kthej shkurt në histori. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Britania kishte zgjedhur rimëkëmbjen nëpërmjet një shteti të mirëqenies, të konceptit social, të punëtorëve e të sindikatave. Për këdo me më tepër interesim, ‘Raporti Beveridge’ dhe koncepti i “Pesë djajve gjigantë” është një pikënisje e mjaftueshme për të kuptuar themelet e Britanisë së pas luftës. Në vitin 1947 qeveria laburiste e Clement Attleeit që promovonte shtetin social e të majtë (për dallim nga konservatorët që tradicionalisht promovojnë atë të djathtë) kishte vendosur t’i nacionalizonte të gjitha minierat e thëngjillit e t’i vendoste nën menaxhimin e një trupi të quajtur Bordi Nacional i Thëngjillit. Bordi organizohej e varej nga një numër i pafund sindikatash. E sindikatat, të thëngjillit bashkë me sindikatat e gjithçkaje tjetër, organizoheshin në trupe tjera të përbashkëta - me miliona anëtarë nëpër gjithë vendin; fuqi se jo mahi. Liderët e sindikatave shpesh diktonin edhe rrjedhat e vendit.

Menaxhimi publik, siç është i destinuar të ndodhë gjithkund e në çdo kohë, kishte bërë që një numër i madh i minierave të punonin me humbje pavarësisht rekordeve në sasinë e prodhuar. Pra sasia e prodhimit mund të ishte mbresëlënëse por në fund profitabiliteti ishte nul e negativ. Minierat dhe pothuajse çdo industri tjetër publike ishin shndërruar në strehimore sociale që me taksat e marra për t’i mbuluar humbjet po ngufatnin zhvillimin e gjithëmbarshëm. Funksionalizimi normal dhe i qëndrueshëm i tyre kërkonte domosdo shkurtimin e vendeve të punës e investime të papërballueshme; diçka për të cilën sindikatat nuk kishin interes asnjëherë. Interesi i tyre në esencë (siç ndodhë zakonisht me sindikata) ishte halucinues; kërkonin mbajtjen e punëtorëve paralelisht me subvencionimin e humbjeve nga qeveria (humbje e shkaktuar mu për shkak të numrit të paarsyeshëm të madh të punëtorëve). Organizmi sindikal britanik në atë kohë ishte thjeshtë i fuqishëm, aq i fuqishëm saqë sindikatat në vitin 1974 nëpërmjet grevave e protestave kishin rrëzuar edhe qeverinë e kryeministrit konservativ Heath i cili kishte refuzuar një a dy kërkesa të tyre.

Në vitin 1980 kur Britania ndodhej nën vitin e dytë qeverisës nga femra e parë dhe e vetme kryeministre në histori, zonjës Thatcher, ishte marrë një vendim aspak popullist, aspak i përkrahur publikisht, i kundërshtuar nga të gjithë, por pa asnjë gjasë për t’u kthyer prapa e ndryshuar: qeveria do të ndërpriste subvencionet dhe mbulesat e humbjeve, minierat dhe gjithë ndërmarrjet tjera publike joprofitabile do të mbylleshin, Bordi Nacional i Thëngjillit do të strukturohej e pjesët e saja do të privatizoheshin. Në privatizim do të viheshin të gjitha kompanitë tjera publike, nga hapësira ajrore, te gazi e në telekom; gjithçka.

Vendimi, pjesë e planit konservator ‘Ridley’, që më vonë kishte rrjedhur edhe në revistën “The Economist”, ishte edhe fillesa e parë e qëndrimit të hekurt që nuk do të ndryshonte pavarësisht kostos, simbol i mëvonshëm i zonjës Thatcher. Në vitin 1984 vendimi për mbylljen e 20 minierave me humbje të mëdha dhe kështu largimi i 20 mijë punëtorëve nga vendet e punës kishte shërbyer mjaftueshëm për fillimin e grevave dhe protestave nacionale e shpeshherë edhe të përgjakshme të organizuara nga sindikatat e minierave (publike dhe të privatizuara). Këtë herë, megjithatë, përballë sindikatave nuk ishte kryeministri Heath, ishte zonja me bindje të qarta ekonomike e politike – që besonte në privatizim. Për dallim nga Heath, Thatcher tregoj fuqinë e saj në furnizim me energji në gjithë vendin duke mos lejuar që grevat të shkaktojnë ndërprerje energjetike; filloi një fushatë publike për t’i shpjeguar konceptet e saja ekonomike dhe besimin në tregun e lirë e jo në atë sindikal, mbajti fuqishëm forcat policore në rrugë dhe tregoi fuqinë e shtetit, dhe më e rëndësishmja, i bindi minatorët dhe të tjerët se qëndrimi i saj nuk kishte kthim prapa e se greva e tyre në fund të fundit i linte vetëm ata pa paga. Në vitin 1985, pas një vit proteste, pas një vit rezistence të qeverisë, pas një vit qëndrimi pa paga e benefite, fuqia e protestuesve kishte rënë; për më tepër skenat e dhunës sindikale kundër forcave policore (që poashtu ishin punëtorë publik) nuk dhanë shumë simpati. Dikur britanik filloj të kuptojë se është jo e qëndrueshme, jo e mençur, jo afatgjate dhe definitivisht jo e drejtë mbajtja në funksion të aseteve me humbje e me defekte vetëm për hir të disa punëtorëve që nuk rezonojnë po vetëm kërkojnë. Një qasje e tillë kishte ngufatur vendin për shumë vite dhe mu për shkak të ciklit të shtetit të mirëqenies në Britani kishte kohë që nuk kishte mirëqenie për asnjërin. Në verën e vitit 1985 të gjitha grevat u ndërprenë, organizimi sindikal mori asgjë për kthim ndërkaq Thatcher shënoi njërën ndër fitoret e saja më të mëdha politike në karrierë. Para grevës, mbi 40% e britanikëve i përkrahnin sindikatat. Pas grevave, vetëm 8%.

-2-

John Ranelagh, analist i historisë politike angleze, në njërin prej librave të tij përshkruan vizitën e Thatcherit bërë në vitin 1975 Departamentit të Hulumtimeve Konservative (menjëherë pasi ishte zgjedhur lidere e Partisë Konservative në Britani),: “...Gjatë vizitës së saj të parë dhe të fundit në departament, një prezantues më i moshuar i kishte përgatitur asaj një dokument shpjegues rreth rrugës që duhej të ndiqte lëvizja konservative në Britani e që në esencë ishte rrugë me orientime drejt qendrës, larg ekstremeve të djathta e të majta. Prezantimi u ndërpre nga Thatcher, e cila u ngrit në këmbë dhe nxori nga çanta e saj një libër. Ishte “Kushtetuta e Lirisë” e Hayekut. Ajo zgjati dorën lartë e tha: ‘Kjo...’ me shumë ashpërsi, ‘...është çfarë ne besojmë’, dhe përplasi librin në tavolinë”. Për gjithë ata me dije më të pakta ekonomike, Hayeku është njëri prej ekonomisteve më të spikatur në histori; promotor e lider filozofik i tregut të lirë dhe lirisë së të pasurit e të bërit në këtë treg.

Çanta e Margaret Thatcherit si duket përmbante në vete edhe gjithë filozofinë libertariane. Gazeta e famshme “The Economist” në një shkrim përkujtimor këtë javë të titulluar “Një nivel mbi të tjerët”, tregonte se si një herë gjatë një takimi, dikush ia kishte cituar disa rreshta të shkruar nga Abraham Lincoln, shumë vjet më parë. Zonja Thatcher kishte nxjerrë nga çanta menjëherë pas citimit një copë të prerë të një gazete të vjetër me po ato reshta. Ajo kishte treguar se i mbante të njëjtit me vete gjithandej. Citati i Abraham Lincoln ishte ky: “Nuk mund ta forconi të dobëtin duke e dobësuar të fortin; nuk mund të sillni prosperitet duke dekurajuar suksesin; nuk mund ti ndihmoni punëmarrësit duke dëmtuar punëdhënësin”.

Në rreshta e bindje si këto mund të rrumbullakohet edhe filozofia e Thatcherit. Kjo filozofi përshkruhet sot si besimin politik, ekonomik e social që promovon shtetin e vogël në qeverisje por jashtëzakonisht të fuqishëm në mbrojtje e siguri, që promovon tregun e lirë të mbështetur në privatizimin e aseteve publike e në futjen e konkurrencës, si dhe që promovon kontrollin e inflacionit e ofertës monetare për stabilitet të çmimeve e anti-inflacion. Pra Thatcher besonte se nuk mund të forcosh të varfrin duke dobësuar të pasurin por duke i shtyrë që të dy para bashkë. Në tendencë të një shteti të mirëqenies duke dekurajuar suksesin, profitin e diversitetin në outpute (jo në mundësi) Britania që pas Luftës së Dytë Botërore kishte kuptuar më mirë se kushdo tjetër se esenca e zhvillimit nuk është duke i bërë të pasurit të varfër e kështu të gjithë të barabartë (ani pse të varfër), por duke i bërë të varfrit të pasur nëpërmjet dhënies së mundësive të barabarta për të bërë e jo për të marrë pavarësisht bërjes. Thatcher kishte kuptuar se nuk mund të krijosh zhvillim duke dekurajuar suksesin dhe profitin me tatime e barrë anti-profit; dhe natyrisht nuk mund të forcosh punëtorin duke dënuar punëmarrësin - në fund të fundit një biznes i mirë e i suksesshëm do të thotë edhe vend më të mirë e më të suksesshëm pune për punëtorin.

Besimi libertarian, pra i tregut të lirë, i pronës private e i shtetit të fuqishëm në mbrojtjen e tregut dhe pronës, vendit e kombit, buronte tek Thatcher për dy arsye. E para, shteti i mirëqenies në Angli kishte kohë që po futej në kriza të reja. Këto kriza thelloheshin me rritjen e shpenzimeve qeveritare. Kryeministri Heath që kishte provuar para Thatcherit ndërrimin e paradigmës ekonomike në Britani (e që mbretëronte që pas luftës së dytë) ishte dorëzuar në momentin e parë që papunësia kishte arritur numrin 1 milion. Asokohe Heath kishte ndërprerë qeverisjen libertariane për të bërë një kthim drejt shtetit të mirëqenies nëpërmjet ri-rritjes së shpenzimeve qeveritare. Ky rikthim i tij kishte shpërthyer me inflacion deri në 25% në vitin kur Thatcher merr për herë të parë kabinetin qeveritar dhe papunësi prej 1,5 milionësh. Arsyeja e dytë ishte se britanikët ishin të lodhur nga një standard i jetesës disfatist në raport me kombet e tjera. Sipas shënimeve të FMN-së standardi britanik asokohe ishte gjithsesi më i keq se i amerikanëve e i japonezëve, por edhe se i gjermanëve, francezëve e italianëve.
Fillimisht ideve të Thatcherit kundërshtarët i vunë prapashtesën “-izëm” sa për ta stigmatizuar atë brenda kornizave të një ideologjie që nuk ka pragmatizëm, pra thjeshtë është përrallë. Fatkeqësisht për ta trashëgimia mbresëlënëse e Anglisë pas Thatcherit dëshmoi se prapa një besimi ekonomik gjithsesi ekziston një pragmatizëm dhe se Thatcherizmi si qasje mund të replikohet (siç u replika në shumë shtete post-komuniste). Thatcherizmi në të vërtetë nuk ishte aspak më ndryshe se lëvizja e po të njëjtës kohë në Amerikë nën presidentin Reagan; mik i afërt i Thatcherit.

Vënia e emrave Thatcherit nuk ishte e rrallë. Në vitin 1976 një gazetar sovjet me emrin Yuri Gavrilov, në një artikull për gazetën ushtarake sovietike “Ylli i kuq”, gjersa po përshkruante fjalimin partiak të konservatores Thatcher, kishte vënë titullin “Zonja e hekurt përdor kërcënimet”. Ishte hera e parë që dikush po e quante Thatcherin zonjë e hekurt dhe këtë herë jo për ta lavdëruar, por për ta ofenduar. Artikulli natyrisht se ishte bërë i njohur edhe në Angli, veçse këtë herë Thatcher në një prezantim publik me shumë sharm e shumë kreativitet, kishte kthyer shprehjen në favor të vetin: “Zonja dhe zotërinj, unë jam zonja e hekurt e perëndimit” kishte thënë atëherë.

-3-

E vetëdijshme se vendimet e saja ekonomike që do të vinin dikur, e që në esencë ndërronin edhe strukturën e industrive në Britani, ishin tërësisht jopopullore, të reja e të panjohura – madje jo vetëm për bashkëqytetarët e saj por edhe për shumë anëtarë brenda grupit konservativ, Thatcher vitin e parë të mandatit brenda partisë i kaloi në shumë hije, pa vëmendje publike, në tendencë për të treguar vazhdimësinë e ideve konservative por gjithsesi me caktimin e njerëzve më të afërt në pozitat kyçe të partisë. Në vitin 1979 pas fitimit të zgjedhjeve Thatcher filloj nderimet drastike në ekonomi e politikë. Për herë të parë që pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore ajo bëri tkurrjen e shpenzimeve qeveritare, lejoi valutën të ketë kurs të luhatshëm të këmbimit, rriti normat e interesit për ta zvogëluar ofertën monetare (e kontrolluar kështu inflacionin) dhe shkurtoi të gjitha subvencionet qeveritare për ndërmarrjet publike në humbje. Politika si këto në vitin vijues sollën gjithçka veçse përmirësim. Papunësia u rëndua edhe më tepër një vit më pas, këtë herë ishin bërë plot 3 milionë të papunë. Presioni për largimin e saj qysh në mandatin e parë vinte gjithandej. Viti 1981 shënon edhe pikën më të ulët të karrierës politike. Sipas gazetës “The Guardian” Thatcher asokohe ishte kryeministrja më e jo-popullarizuar në gjithë historinë britanike. Kërkesat për kthim të paradigmës së vjetër ekonomike, pra të shtetit të mirëqenies në vend të tregut, kishin bindur edhe disa nga ministrat e saj. “Kthehuni ju, po deshët...” u kishte thënë atyre, “...Zonja nuk e ka ndërmend të kthehet”. Thatcher i largoi të gjithë ministrat që kërkonin ndërrimin e saj dhe në vend të tyre solli pasues të rinj.

Këmbëngulja e saj tregonte se ajo kishte ardhur në pushtet me një filozofi të qartë e pa hile: qeveria duhet të jetë e fuqishme në mbrojtjen e tokës, parasë dhe ligjit; për gjithë gjërat e tjera qeveria duhej hequr nga qafa e njerëzve. Ishte mendësi e njëjtë me atë të presidentit Reagan i cili po bënte mu të njëjtën gjë në anën tjetër të Atlantikut. Miqësia e tyre e lindur jo pse personalitetet e tyre kishin ngjashmëri, por se kishin ide të njëjta (Reagan besonte në Friedmanin, që njëjtë sikurse Hayeku, njihet për promovimin e neoklasicizmit) vazhdoi deri në vdekjen e Reaganit në vitin 2004. Këtë javë, Malcom Rifkind, bashkëpartiak i Thatcherit, gjatë një tubimi përkujtimor bëri publik për herë të parë reagimin e Reaganit pas një bashkëbisedimi me Thatcherin: “...pas një fjalimi bukur të shpejtë, pa frymë, me ton të lartë, kritikues e këmbëngulës nga Thatcher për Reaganin, Reagan ktheu kokën nga këshilltarët e vet e ju tha ‘Njerëz, a nuk është e mrekullueshme?’ (Gee, isn't she marvellous?)”. Ky rresht u bë hit këtë javë këtu. Po bën nam.

Pavarësisht kësaj, pa ngjarjet e 1982, Thatcheri do të mbetej vetëm një kryeministre e radhës që provoi por nuk ja doli. Për mrekullinë më të madhe të sajën, në vitin 1982 Argjentina pushtoi ishujt Falkland (apo Malvine). Përgjigja e Thatcherit për ishujt që ishin 12.876 kilometra larg (ishuj kolonial) ishte e ashpër, e vendosur dhe tipike për filozofinë patriotike të saj dhe nevojën e ndërtimit të një shteti që po të duhej, e përdorë luftën për paqe. Ndërhyrja në Falklande, përveç se shpërfaq më së miri konceptet politike të Thatcherit për forcën, ushtrinë e shtetin, ngjalli entuziazmin tek britanikët që kishin plot vite në humbje të krenarisë nga regresi ekonomik. Popullariteti i saj u rrit sa hap e mbyllë sytë për të kulmuar me një mandat të dytë në vitin 1983; gjithsesi i mohuar vetëm një vit më parë.

-4-

Pas triumfit argjentinas e zhbërjes së sindikatave, Thatcher i kishte hapur vetes rrugën për besimet e saja të shumë vjetëve më parë. Për më tepër politikat konsistente Thatcheriane pas rënieve drastike (si ato të vitit 1981) kishin filluar më në fund të jepnin frute. Besimi e ngurtësia e saj në përpjekje të gjetjes së benefiteve afatgjata si alternativë e atyre ‘sot për nesër’ më në fund po merrni hov; durimi i saj po shpërblehej. Gjatë mandatit të dytë ajo u angazhua pa kompromis për ndryshimin e ligjeve të punës dhe zhbërjen e fuqive sindikale që kishin ngufatur deri atëherë zhvillimin ekonomik; miratoi tetë ligje të punësimit për të zhbërë imazhin e vjetër që sot duket sinqerisht i marrë. Siç edhe tha një komentues këto ditë, veprimet e saja të djathta që dolën të jenë aq të duhura detyruan të majtën të zhvendoset në qendër. Sot do të dukej e pakuptueshme për çdo britanik qëndrimi klasik i majtë para-Thatcherian. Disa vite më parë do të dukej e pakapshme deklarimi “Supozimi do të duhej të ishte se aktiviteti ekonomik duhet lënë sektorit privat” nga askush tjetër veçse ish-lideri i laburistëve, Tony Blair.

Pjesa e dytë e viteve të 80-ta u shoqërua me privatizimin e pothuajse të gjitha aseteve publike të Britanisë, nga gazi, telekomi, energjia, hekurudhat, industria e anijeve e deri tek minierat. Privatizimi i kompanisë telefonike ‘British Telecom’ për 4 miliardë funte (për vetëm gjysmën e aksioneve) ndonëse i kundërshtuar nga të gjithë sot bën shembullin e një suksesi ekonomik. Duke i dhënë fillimisht të drejtë blerjes së një pjese të aksioneve edhe vet qytetarëve, Thatcher kishte filluar procesin e “korporatave popullore” dhe me këtë  gradualisht kishte marrë simpatinë e masave. Sipas Financial Times, British Telecomi para privatizimit kishte punësuar me mijëra punëtorë përkundër operimit të madh në humbje. Pas privatizimit kompania operon në 170 shtete dhe çdo vjet realizon 2.5 miliardë euro profite. Të gjitha proceset privatizuese Thatcher i pasonte me liberalizim, pra futje të konkurrencës. Sot në tregun telefonik britanik operojnë plot 7 operatorë. E bënte këtë në mënyrë që tregu të vet-rregullohet. Praktika e njëjtë ishte ndjekur në të gjitha sektorët tjerë; në British Petroleum, British Aerospace, Britoil, Jaguar, British Gas, Rolls-Royce, British Steel. Uji e energjia elektrike ishin privatizuar e liberalizuar në vitin 1990. Reformat si këto hapën vendin për investime të brendshme e të jashtme; dikur e gjithë industria automobilistike japoneze për eksport në Evropë u vendos në Angli. Privatizimet e suksesshme Thatcheriane bëjnë edhe zanafillën e gjithë privatizimeve tjera post-komuniste. Sukseset e saj ishin dhe mbesin model i çdo vendi që aspiron tregun.

Për Thatcherin, arrogancën e saj ndonjëherë, e për gjithë gabimet e fundit në mandatin e tretë (që edhe shkaktuan edhe rrëzimin e qeverisë së saj nga vet partia konzervative në vitin 1990) mund të ketë mendime të ndryshe. Por siç edhe argumenton sot  “Financial Times” ka një gjë që pajtohen të gjithë opinionistët, ekonomistët e analistët britanik, të djathtë e të majtë: politikat e Thatcherit kanë transformuar e reformuar për së mbari e si askush tjetër ekonominë Britanike. John van Reen, kryesues i Qendrës për Performancë Ekonomike në LSE tha këto ditë se “ndërrimet nën Thatcherin i kanë ndihmuar Britanisë të lëvizë nga një shekull i rënies relative, në tri dekada të suksesit duke u afruar me Amerikën e Gjermaninë”. Për të ju kthyer edhe një herë krahasimeve me kombet tjera evropiane, pas intervenimit Thatcherian britanikët jo vetëm që kishin rritjen më të shpejtë për kokë banori por ishin dy herë më para se amerikanët, japonezët, gjermanët, francezët e italianët. Sipas revistës “The Economist” Thatcher vendosi ekonominë britanike në një kurs të ri, larg nga kontrolli i shtetit e pranë disiplinave të tregut që trasuan rrugën për stabilitet të çmimeve e prosperitet ekonomik – diçka që dukej e paarritshme në gjithë demoralizimin para-Thatcherian. Sot kontributi i saj për një ekonomi tërësisht ndryshe nga ajo para 80-va është thjeshtë koncensuz  nacional.

-5-

Natyrisht se ka e do të ketë kritika për stilin qeverisës e për mendësinë ekonomike të zonjës së hekurt. Natyrisht se jo të gjithë pajtohen e do të duhej të pajtoheshin me të ndonjëherë. Në të vërtetë, kostoja e rritjes së gjithëmbarshme dhe stabilitetit ekonomik në Britani që mungonte deri në ardhjen e Thatcherit kishte lënë shumë vende pranë rrënimit trishtues. Qyteza të shumta që pas ndërprerjes së subvencionimit kishin humbur industritë e tyre e nuk kishin arritur asnjëherë të gjejnë përparësitë krahasuese edhe sot vërehen si të lëna e në harrese. Porte të mëdha të vendit nuk rikuperuan vetën kurrë më. Për më tepër, shpërputhjet në mes shtresave u rritën gjithnjë e më shumë (padyshim se të gjithë si njësi ecën më mirë). Thatcher ishte kritikuar edhe për konservatorizmin në relacion me Brukselin dhe tendencën e saj për të mos zhbërë Britaninë në një Union, siç e quante ajo “mishmash”; përfshirë edhe valutën e përbashkët euro (që ideohej qysh në vitin 1990). Shto edhe kësaj disa vendime të ngutshme që i shkurtuan asaj mandatin e tretë e i dhanë një fund madje me lot natën që lëshonte “Numrin 10” të kryeministrisë për herë të fundit, dhe ke një pasqyrë të përafërt të anës së dështimeve të saj. Natyrisht, askush nuk është i përkryer.

Por ja që defektet eventuale, nëse këto më lartë mund të shihen si të tilla, mbesin vazhdimisht nën hijen e kredidhënies që vazhdojnë t’i jepen zonjës edhe tash kur po përfundoj këtë kolumne. Pas vlerësimeve të kryeministrit Cameron se Thatcher do të mbahet mend për “çlirimin e ndërmarrjeve, shpëtimin e ekonomisë, shpëtimin e Britanisë e fitoren ndaj luftës së ftohtë”, për të cilën Thatcher e Reagan ishin angazhuar gjatë gjithë kohës, po dëgjoj edhe vlerësimet e liderit të tanishëm laburist, Ed Milliband i cili theksoi se “...e nderon punën e Thatcherit” dhe se “...ajo kishte të drejtë t’i privatizonte ndërmarrjet publike” – kjo sa për të konfirmuar lëvizjen e të majtës në qendër mu për shkak të suksesit Thatcherian që bën të majtën tradicionale këtu të duket joserioze për të rritur.           

“U pajtuam apo nuk u pajtuam me të, ajo mbetet një lidere e madhe” kishte thënë laburisti tjetër Tony Blair ditën e vdekjes së saj, për t’iu bashkuar korit glorifikues të Obamës që e konsideroi humbjen e saj si humbje të një përkrahësi joshfajsues që “nëpërmjet forcës fitoi Luftën e Ftohtë dhe rriti premtimin e lirisë”; të Angela Merkelit, apo siç po thirret së fundi “Zonja e Hekurt Light” e cila tha se “Thatcher formësoi Britaninë dhe botën si rrallëkush para e pas saj” . Në fund fare them se Thatcher mbetet një lidere më ndryshe se të zakonshmit e të thjeshtit e tjerë që besoj pavarësisht paragjykimeve, reagimeve, kërcënimeve e fyerjeve. Në fund të fundit ajo u dha shembull të tjerëve se çfarë është të jesh zonjë.

No comments: