Friday, 19 April 2013

NJË PLAKË NË GJERMANI



Letra nga limbo
KOHA DITORE, 19 PRILL 2013

Arsyetimi i ministrit e militantëve tjerë pro faljes së PTK-së, me thënien se prapa investitorit anonim qëndron prejardhja pak gjermane, pak britaneze e pak amerikane – dhe kjo mjafton, më përngjanë më tepër me anekdotat e shitjes së veturave të cilat janë vozitur nga një plakë në Gjermani; sa për të dëshmuar kështu (brishtësish) kualitetin e tyre. Edhe ‘Rinora 4’ është e regjistruar në Zvicër por ajo nuk bëhet e denjë për të blerë telekomin e shtetit të Kosovës.



Nëse procesi i shitjes së rrjetit të distribucionit ju është dukur falje, shikojeni këtë të PTK-së: 242 milionë euro ofertë për më pak se pesë vite fitim të asetit. Këtë javë Kosova sapo hoqi dorë për dushk e gogla njërin prej aseteve më me vlerë në vend. Dhe jo pse nuk duhej hequr dorë nga aseti – do të duhej dhe mirë bile, por pazari, imazhi e qëllimi i vet privatizimit është shndërruar në një proces që pak kush me pak rezon e pak motiv për të bërë mbarë e drejtë do ta refuzonte si të tillë.

E ka pothuajse dy-tre vite që kur ngre zërin për çdo hap të marrë deri më tani rreth këtij procesi, duke filluar nga parapërcaktimi i çmimit të famshëm prej 300 milionëve që refuzohej si parapërcaktues nga të njëjtit që sot mbajnë ligjërata ekonomie kur nuk kanë lidhje me ekonomi, nga mungesa e pragut minimal që potencialisht do të lejonte shitjen për edhe më pak, e deri tek nevoja e gjetjes së kohës së përshtatshme për të tërhequr investitorë të rangut që i kanë vendet e rajonit e jo të atillë që ministri duhet ti arsyetojë njëjtë si anekdota e “një plake në Gjermani”.

Injorimi i gjithë paralajmërimeve për hapa të gabuar nuk ma do mendja se është bërë sepse tanët nuk dinë. Ndonëse kam prirje të besoj se këta ministra e shumë vendimmarrës të tjerë me të vërtetë nuk dinë për shumë gjëra bazike ekonomike – as nuk kanë haber; them se refuzimi i paralajmërimeve është bërë më tepër për të shtyrë proceset me hile e që në Kosovën e dërmuar nga korrupsioni kur bëhet fjalë për 100 euro publike (e lëre më për qindra miliona) janë tejet të pritshme. Por për të mos i hyrë ndjenjave konspirative, po provoj të jap disa argumente tipike ekonomike që sulmojnë faljen e aseteve si standard normal. Jo për të kundërshtuar privatizimin, por për të treguar si bëhet ai me të vërtetë.

Çmimi dhe mjeshtëria e tregut

Vitin e parë të studimeve ekonomike studentëve ju shpjegoj konceptin e tregut, relacionin mes kërkesës e ofertës e në fund nxjerrjen e çmimit ekuilibrues – ku edhe shitësit edhe blerësit janë të kënaqur. Koncepti i kënaqëshmërisë nënkupton përpjekjen për të maksimizuar interesat vetanake të palëve ndaras nga njëri tjetri; prekja e tyre sjell marrëveshjen e kënaqshme. Më herët, nuk e di tash si është, çdo të marte në Prishtinë ishte ditë e pazarit. Në seksionin e perimeve gjatë vapës së verës shitësit e mençur mbanin një shishe me kapak plot vrima; sa për të larë e shpërlarë perimet e për ti bërë ato të duken të freskëta. Të paditurit në anën tjetër, gjersa hanin fara e rrinin këmbë mbi këmbë nuk mërziteshin dot nga rreshka e pluhurit mbi perime. Natyrisht se të parët bënin shtëpi, të fundit ankesa melankolike se nuk po ka punë.          

Ideje e tregut e nisur prej Adam Smith e deri tek secili pasues i tij, përfshirë edhe idetë e krahut tjetër Keynesian që mund të përkrahin rolin e shtetit por jo të kontestojnë atë të tregut, pra të gjithë këto mendje që nuk janë lexuar e shfletuar asnjëherë nga sot quasi-thirrësit e tyre si ministrat tanë, e konsiderojnë tregun funksional vetëm kur nuk ka në të ndërhyrje të mbrapshta. Pra thënë ndryshe tregu jep më të mirën kur ti ofron më të mirën në të. Shitësi nxjerrë më të mirën vetëm po maksimizoj qëllimin e tij të mirë. Nëse aktet e tij janë të mbara atëherë edhe outputi final – pra çmimi, është i mbarë e i mirë.

Procesi i PTK-së ka qenë gjithçka përveçse i mbarë. E si i tillë mund të japë gjithçka përveçse çmim të mbarë. Ky relacion mund të shihet edhe nga çmimi ofendues prej vetëm 242 milionë eurove. Sa për qartësim, konceptin e 277 milionë eurove të kushtëzuara për pasjen e 35 milionë eurove kapital punues nuk e pranoj. Pasja e 35 milionëve nënkupton se investitorët i kanë në dispozicion po aq para për të mbajtur kompaninë gjallë e për të nxjerrë kështu fitimet e tyre legjitime në fundvit. Ata kanë mundur ti ofrojnë edhe 1 miliardë euro nëse në PTK janë 999999758 euro; e në fund prapë çmim real do të ishte 242 milionë euro e jo 1 miliardë.

Sidoqoftë, kontributin investues prej 242 milionëve investitori i ri do ta nxjerrë për më pak se 5 vite madje duke mos bërë asgjë më shumë se çfarë kanë bërë menaxhuesit politik tanë me gjithë ato të zeza në të. Pra e tëra çfarë investitori duhet të bëjë për të kthyer investimin e tij është të presë vetëm 5 vite, të lejojë nepotizmin, korrupsioin, militantizmin, e fjetjen në orar të punës, dhe prapë për 5 vite del në fitim. Paramendoni çfarë mund të bëjë po ta shtrëngojë vetëm pak gjithë këtë anomali. E për të ju kujtuar edhe një herë fitimin e PTK-se, nga vet pasqyrat financiare të asetit që i gjeni në faqen e saj, profiti i PTK-së në këto pesë vitet e fundit është si vijon: në 2008 fitim prej 80 milion eurove, në vitin 2009 fitim prej 50 milion eurove, në vitin 2010 fitim prej 43 milion eurove, në vitin 2011 fitim prej 51 milion eurove, ndërkaq në vitin 2012 fitim prej 56 milion eurove; gjithsejtë rrafsh 280 milionë euro. Paramendoni ne e shesim për kthim nën këtë vlerë.

Për t’iu kthyer edhe një herë çështjes së tregut, që si duket të paditurit tanë që thirren në trashëgiminë e Smithit, eshtrat e të cilit do të dridheshin në varr po të kuptonte se kush e si e implementon bindjen e tij në Kosovë, e përdorin për të arsyetuar shitjen, pyetja që duhet realisht bërë është çka nëse nga procesi, oferta e fundit do të ishte vetëm 1 euro? A do të shitej atëherë aseti  me logjikën se çmimin e ka përcaktuar tregu, është cfarë është e shesim? Nëse nuk do të shitej, që edhe bën logjikën normale, arsyetimi i dhënë do të ishte se në paaftësi tonën për të dhënë më të mirën, pra dështimi i maksimizimit të përpjekjeve tona ka sjellë edhe një çmim të ultë, prandaj çmimi i ulët është edhe arsyeja pse ne e refuzojmë. E nëse çmimi i ulët mund të jetë arsye e logjikshme e refuzimit edhe të diçkaje që ministrat tanë besojnë se është treg (e që nuk është), atëherë pyetja legjitime që duhet bërë është se çfarë i shtynë ata të besojnë se 242 milionë euro apo kthimi i investimit për 4 vjet e pak, qenka çmim i lartë? A mund të bëjnë të shkretit debat arsyetues në këtë fushë (gjithsesi nëse e kanë kuptuar për çfarë bëhet fjalë)?!


Një plakë në Gjermani

Derisa po shikoja një paraqitje arsyetuese të lodhtë në Interaktiv, gjithsesi tanimë standarde për gjuhën e ministrit të ekonomisë – ofenduese për gjithkënd prej opozitës, tek shoqëria civile e deri tek sindikatat, pra në mungesë të sjelljes bazike argumentuese zgjidhja ofrohet duke vënë vetën më të ditur se gjithkush tjetër (tipike për kategorinë e atyre që nuk dinë që s’dinë, por shiten sikur dinë), një gjë më ra në vesh më shumë se tjerat. Në mungesë të arsyetimeve minimalisht bindëse për natyrën e investitorëve, argumenti zyrtar ishte, besoni ose jo, se investitorët janë të regjistruar në shtete perëndimore.

Deklarimet të tilla, sidoqoftë, nuk janë të vetme. Po ju citoj vetëm disa rreshta të ministrit e grupit të tij ditën e hapjes së ofertave për të kuptuar ngjashmëritë e Kosovës me Kim Jong-un: “...ky proces tregon se përkundër rënies së investimeve nëpër botë, Kosova vazhdon të jetë atraktive”. As në vakt të “xhaxhit” nuk është bërë hajgare më shumë. Pra Kosova, për dallim nga krejt ‘Bota’, kujdes ‘Bota’ – me ‘B’ të madhe, me mjeshtërinë, me urtësinë, me maturinë e ‘ku-me-ditë-çka-kinë’ e ministrave tanë, ka ngadhënjyer duke tërhequr investitorë. Natyrisht – hajgarja vazhdon – këta investitorë nuk janë si investitorët e shkretë e të gjorë Vodafone në Shqipëri, as T-Mobile në Maqedoni, e hiq se hiç Telenor në Serbi, por janë Axos e Najafi – (“naxhafi” lexohet) e të cilët vijnë nga Gjermania! Po të mos ishte tragjike do të vdisnim së qeshuri.

Arsyetimi i ministrit e militantëve tjerë pro faljes së PTK-së, me thënien se prapa investitorit anonim qëndron prejardhja pak gjermane, pak britaneze e pak amerikane – dhe kjo mjafton, më përngjanë më tepër me anekdotat e shitjes së veturave të cilat janë vozitur nga një plakë në Gjermani; sa për të dëshmuar kështu (brishtësish) kualitetin e tyre. Edhe ‘Rinora 4’ është e regjistruar në Zvicër por ajo nuk bëhet e denjë për të blerë telekomin e shtetit të Kosovës.

Për që nuk kanë kurriz e që mund të arsyetojnë edhe ‘Rinorën 4’ në blerjen e telekomit, nuk e dyshoj. Do ta bënin për gjithkënd, për çdo çmim. Por për gjithë ju të tjerët qytetarë e të zakonshmit pa dajë të rehatuar, për atë hatër kush nga ju ka dëgjuar për një kompani në fushën prej telefonisë e deri tek bastoret për ‘naxhafin’. A e dini pse nuk keni dëgjuar? Sepse nuk kanë lidhje me telefoni. Janë fonde investive të cilat kanë për qëllimin rritjen e kthimit të investimeve tek aksionarët individualë. Fondet investive madje as që konsiderohen seriozisht si kompani; prandaj edhe fjala ‘fond’. Ata nuk bëhen më me përvojë në fushën e telekomunikimt se kanë dikë si British Telekom pjesërisht në përkrahje. Madje militantë tanë u munduan ta paraqesin këtë si investim të telekomit britanez. Për të ju qartësuar edhe një herë, fondi investiv ka blerë me pare të thata përkrahjen teknike të British Telekomit në një fushë të konsultimeve. Vetëm pse një pronar biznesi vozitë ‘Mercedes’ nuk do të thotë se është e përfaqëson vet ‘Mercedesin’. British Telekomi përndryshe ka logon e vet, brendin e vet, strukturën e vet, e me të gjitha këto operon në plot 170 shtete. Në to nuk është e nuk do të jetë Kosova.

Konsekuencat

Thirrja e tipit “se veturën e ka vozitur vetëm një plakë në Gjermani” dhe prandaj ajo është gjithsesi në formë të mirë, nuk e plotëson njërin prej objektivave thelbësore të privatizimit. As tërheqjen e investitorëve të njohur e kështu përmirësimi përnjëmend i imazhit të vendit, as sjelljen e eksperiencës, e as optimumin e gjithë procesit. Ky proces nuk ka arritur të bëjë më shumë - jo në krahasim me gjithë botën, jo në shprehje të ‘Kim Jong-un-ave” tanë, por thjeshtë në nivel me këto vendet e rajonit, e hiç më shumë.

Nëse blerësi i ri nuk është firmë e telekomunikimit, pra nuk është brend telefonik por thjeshtë një fond investiv, atëherë janë dy rezultate të sigurta. E para, procesi i privatizimit nuk do të sjellë as ndërrim strukturor e as përvojnë e sektorit privat në telefoni – pra nuk do ti përmirësojë as shërbimet, as ulë cmimet e bile as sjellë imazh, prandaj si i tillë edhe nuk konfirmon vet privatizimin. E dyta, si fond investiv me qëllime rritëse të vlerës së aksioneve, ajo do të transferojë asetin në momentin e parë që realizon qëllimin. Edhe një herë, një kalim transitor është më së paku çfarë i duhet Kosovës.

E pasojat e një outputi të tillë vijnë nga vet faza e fundit e konkurrimit kur Kosova kishte mbetur realisht me një investitor. Kompania e dytë që kishte ofruar vetëm 150 milionë euro tregon më së miri se sa konkurrencë ka pasur gjatë procesit të ofrimit të çmimeve. Si shitës që je e duke mos qenë në nguti, mungesa e të interesuarve për gjërat e tua është shenjë normale se çmimi do të jetë më i ultë se sa vlera. Kjo nuk do të thotë assesi se duhet të heqësh qafe diçka të vlefshme për ty për hiçgjë, por se duhet ose të ndërrosh tregun ose të presësh tregun; gjithsesi të përfundosh në treg.

Unë ende nuk kuptoj rezonin papa shitjes së PTK-së për një çmim kaq të ulët, tek vlerës të panjohur, për të mos marrë asnjërën prej objektivave të privatizimit. Nëse ka qenë ngutia e fondeve për rrugë e projekteve buxhetore, vendi ka pasur më llogari të marrë kredi e ta lajë atë me fitimin e PTK-së. Në fund do të mbetej edhe me pare edhe me aset. Shitja e PTK-së ka kuptim kur ti njëmend merr një vlerë të mirë parash (plus një imazh nga investitori) e më pas me ato para bën projekte që kanë kthim edhe më të madh. Por falja e pranimi i anonimëve; kjo po se po bën habi. Prokuroria?              

 


No comments: