Letra
nga limbo
KOHA DITORE, 26 PRILL 2013
Ka disa defekte me korrentin e fjalorit dhe në fund të
vet percepcionit rreth bisedimeve e derivateve të bisedimeve në veri të
Kosovës. Sikur profecitë e shpërndara në monotoni për plot vite paraqitje
publike u zhbënë sa hap e mbyllë sytë e me intensitet përtej aftësisë
absorbuese normale. E kur diçka ndodh përtej pritjeve që ke pasur, sidomos nëse
ato pritje janë formësuar me kohë, atëherë e pritshme se ndërrim-diskursi të lë
me asgjë tjetër veçse dëshpërim.
Ka kohë që nuk kam
ndjerë më shumë keqardhje se sa gjatë kohës kur po shikoja seancën e
jashtëzakonshme parlamentare. Keqardhje për kualitetin e diskutimeve, për
mendësinë, për fjalët e thëna e për gjitha ato tjerat të pathëna. Seriozisht,
përjashto aty këtu disa individë të veçuar, gjithë të pranishmit e tjerë aty na
bëjnë kristal të qartë se ky Parlament bashkë me dhjetë milion euro shpenzime
në vjet nuk e meriton as një ditë më shumë. Të paktën po të bënim punë fushe me
ato para në fund të vitit do të korrnim diçka. Nuk më zë turpi nga çfarë
mendojnë të tashmit tanë; janë imunizuar. Turpërohem kur kujtoj se incizimet parlamentare
do të shihen nga të ardhmit tanë. Për ta, nëse na lexojnë ndonjëherë, jo të
gjithë këtu nuk dimë shkrim e lexim. Dimë, pothuajse të gjithë madje, veçse ka
kohë që kemi humbur kujdesin për vend, nevojën për përgjegjësi e guximin për
rezistencë, prandaj dhe ata deputetë e pari e vendit. E meqë ata deputetë e
pari e vendit prandaj dhe ne të fundit e Evropës, prandaj dhe autonomia e
veriut, prandaj dhe hajnia, krimi, regresi e dëshprimi; prandaj të gjitha këto.
E në rrethana si
këto, autonomia si output nuk ka vlerë të diskutohet. Problemi më nuk qëndron
në autonominë, as në atë se si mund ta shohim atë, por në rrethanat
kronologjike që sollën deri tek vet autonomia. Këto rrethana ndërtohen rreth
një dështimi të plotë të vendorëve për të bërë shtet nëpër këto vite. Të dhënë
prapa nevojës për rahatime individuale që tek tani po na shpërthejnë pambarim në
formë të skandaleve, vendorët kanë humbur çdo rast e çdo mundësi për të bërë më
mirë për Kosovën. Në një rrethanë status-quoje, sidomos pas shpalljes së
pavarësisë, për shkak të rënies drastike dhe alarmante të imazhit të vendit tonë
bashkë me simpatinë ndërkombëtare, ne u ndodhëm para një akti që domosdo do të
vinte presionin mbi ne. Ky presion do të nënkuptone sakrificën e Veriut për
zhbllokimin e status-quosë për Kosovën. Ishte madje hera e parë që edhe
Departamenti Amerikan i Shtetit po kërkonte nga ne dhënien e autonomisë. Në
rrethana normale do të duhej pyetur me të drejtë vetën se si sollëm vendin në
këso derexhe?
***
A ka mundur të bëhet
më mirë e të sakrifikohet më pak? Gjithsesi. Sikur të bënim shtet në këto 5
vite e jo hajni, sot aftësia e institucioneve tona për të vënë rend në komunat
serbe as që do të diskutohej nga ndërkombëtarët. Sikur të bënim unitet politik
për bisedime edhe pas ngufatjes në shtet-ndërtim e detyrimit ndërkombëtar për
bisedim, sigurisht se do të sakrifikonim më pak. Sikur të kishim strategji në
dialog e jo të shkonim pa fletë në tavolinë, gjithsesi se do të merrnim më shumë.
Sikur të jepnim deputetë që dinë shkrim lexim sot gjithçka do të ishte më
lehtë.
Pra nga rrethanat e
krijuara në vend, produkti i autonomisë së Veriut nuk është aspak befasues.
Befasues megjithatë është përfitimi i mangët i Kosovës nga një sakrificë kaq
madhore. E para, ne nuk morrëm garancinë as për njohje të pesë vendeve të BE-së,
as garancinë për ulësen në OKB e edhe më pak, garancinë e kontrollit
territorial të Veriut. Nëse paralajmërimet e fundit se ka një marrëveshje se
Kosova nuk mund të dërgojë ushtrinë e saj në Veri pa pëlqimin e serbëve verior
atje, atëherë administrimi civil, pra jo ushtarak, i kufijve të Kosovës është tërësisht
i padobishëm. Nëse asgjë tjetër ne me këtë pajtueshmëri kemi krijuar një situatë
të re status-quoje zgjatja e së cilës pas disa viteve do të prodhojë nevojë për
një zgjidhje të re; gjithsesi më të avancuar e gjithsesi më të pavarur nga
pjesa tjetër e Kosovës. Procesi i integrimit nëpërmjet ndasisë së
institucioneve siç është treguar tash e 14 vite pas luftës nuk sjell bashkimin
e Kosovës – sjell vetëm ndarjen e saj.
E dyta, ka disa
defekte me korrentin e fjalorit dhe në fund të vet percepcionit rreth
bisedimeve e derivateve të bisedimeve në veri të Kosovës. Sikur profecitë e
shpërndara në monotoni për plot vite paraqitje publike u zhbënë sa hap e mbyllë
sytë e me intensitet përtej aftësisë absorbuese normale. E kur diçka ndodh
përtej pritjeve që ke pasur, sidomos nëse ato pritje janë formësuar me kohë,
atëherë e pritshme se ndërrim-diskursi të lë me asgjë tjetër veçse dëshpërim.
Prandaj dhe u dëshpëruam. Po mendoj, sa herë në këto vite ne kemi dëgjuar se
Kosova nuk do të bëjë kompromis përtej Pakos së Ahtisaarit? Sa herë kemi
dëgjuar se strukturat kriminale në veri duhet të shuhen? Sa herë kemi dëgjuar
se autonomia për veriun nuk është pjesë e çfarëdo dialogimi? Në fund, bam!
Pakoja u hap, kriminelët nuk u shpërbënë por u avancuan, pra u legalizuan, e
autonomia u dha; e gjitha u quajt ditë historike. Pat edhe të atillë që
propozuan, besoni ose jo, futjen e datës së nënshkrimit në kalendarin e festave
nacionale.
E treta, është mu
konsiderimi i palës kosovare ndaj kësaj dite që na bën të dukemi edhe naiv por
edhe të pamatur përballë çfarëdo kompromisi potencial nesër. Sikur nuk dimë të
bëjmë as politikë as diplomaci. Nuk është nevoja as të aktrojmë, as të dalim si
naiv e as të mashtrojmë me glorifikimin e sakrificave siç dëgjon njeriu
gjithandej. Thuajse është bërë nam. Po marrim mësim të keq nga fqinjët tanë
bashkë-dialogues të cilët humbjet e tyre në vazhdimësi i cilësonin si fitore;
mu sikur ne që bëjmë tani. Ta bëjmë të qartë, marrëveshja e nënshkruar ka kosto
enorme për Kosovën dhe nëse asgjë tjetër është ditë e zezë për shtetin tonë.
Mund të argumentojmë për shkaqet e ardhjes në këtë ditë zie, por ekzistenca e
ditës si e tillë as që duhet mohuar. Përkundrazi, ne duhet ta bëjmë sakrificën
aq të njohur sa që të mos i shkojë askujt nesër në mend të sakrifikojë përtej
sakrificës; siç sakrifikuam autonominë përtej Pakos së Ahtisarit. Duke e
trajtuar autonominë e policisë, autonominë e gjykatave, autonominë e financave
e autonominë territoriale si “ditë historike, ne i japim çdo të drejtë të tjerëve
të na bëjnë edhe më rëndë herën tjetër.
Në fund fare, nuk kam se si të mos fajësoj opozitën tonë që gjatë gjithë procesit tregoj se është më së paku opozitë, për të kulmuar në një seancë parlamentare ku disa bëhen pozitë, disa nuk mbajnë fare qëndrim e të tjerët nuk pajtohen me demokracinë. Sikur Kosova të kishte një opozitë të unifikuar që nuk i ruan interesat e votave e të pozicionimit përbrenda vet opozitës, marrëveshjet e tilla e sakrificat e tilla as që do të bëheshin ndonjëherë. Sidoqoftë, ata që e përkrahën nga fillimi, si puna e AAK-së, marrin përgjegjësitë edhe të historisë por edhe të funksionalizimit të shtetit. Për vete e kam të vështirë të kuptoj diskursin pro-qeveritarë të një partie në opozitë; njëjtë për njëjtë i mbajmë këta se së pakun kanë shumë më tepër përvojë e shumë njerëz më të zot. Ata që nuk mbajtën qëndrim, si puna e LDK-së, tregojnë edhe një herë për hendikepin serioz që kanë brenda partisë. Mos-aftësia për të thënë diçka për çështje kaq madhore vë në dyshim nevojën për pasjen e një partie që kur duhet nuk flet. E kur flet pak fyen gjithë procesin, akuzon nënshkruesit e në fund arsyeton se duhet votuar; diçka e padëgjuar për cilindo surrogat me pak dinjitet. E në fund, ata që e kundërshtuan nga fillimi, si puna e VV-së, duhet kuptuar se sistemi demokratik nënkupton edhe të drejtën e votës dhe të respektimit të rezultatit të votës. Tendenca për ndalim votim në një proces votues që shkon me rregull, pra tendenca për ndalim vetëm pse vota nuk është e njëjtë me mendimin tënd, është precedent jo i lakmueshëm. Gjithsesi të gjitha janë larg më pak të dëmshme se sa kostot potenciale të vendit tonë që ia sjellur pozita.
abdixhiku@facebook.com
No comments:
Post a Comment