Letra nga limbo
KOHA DITORE, 16 NENTOR 2012
Për ti dhënë zgjidhje të pjesërishme problemeve ekonomike
në relacion me Serbinë, pra atyre të borxhit të jashtëm e marrjes së hises,
Kosova duhet të insistojë në fillimin e një procesi negociues arbitrar ekonomik
Përmbyllja e mbikëqyrjes së pavarësisë e shënuar më tepër me një festë
institucionale se sa qytetare, tregonte në vete brishtësinë e saj si proces.
Pavarësisht kësaj, nuk ka as edhe një dëm nga përmbyllja e mbikëqyrjes; dëm do
të ishte vazhdimi i saj. Por, në sensin e krahasimit të gjërave jo ku ishim e
ku jemi sot po ku jemi sot e ku mund të ishim, vlerësimi për procesin e
mbikëqyrjes dhe trashëgiminë e lënë pas është jo fort mbresëlënës. Thënë të
drejtën ky proces është shumë larg percepcionit të institucioneve tona, shumë
larg euforisë artificiale që nuk ndezi asnjë ndjenjë qytetare në ditët e para
të post-mbikëqyrjes, e shumë larg nga propaganda e televizionit publik të bërë
në ditën e mbikëqyrjes. Me një Veri të lënë pas, me shumë organizma
ndërkombëtarë që nuk njohin shtetësinë e Kosovës por që janë superiorë në
vendimmarrje, me shumë elemente anti-pavarësi dhe më e rëndësishmja, me pak
pritje për ndryshim, situata post-pakos gjithëpërfshirëse lë boshllëk e barrë
për shtetin tonë në vazhdimësi.
Javë më parë, si pjesë e Forumit 2015, kisha bashkë-shkruar një analizë të
elementeve që derivohen nga pakoja e Ahtisaarit; analizë e cila më pas u shpërblye
me çmimin “PASOS Think-Tank Publication Award 2012”. Në këtë analizë ne kishim
identifikuar edhe proceset e padefinuara mirë ani pse mbikëqyrja po
përfundonte. Pa dyshim se Veriu në çdo komponentë të analizës bënte ishullin
kosovar por përtej Veriut ishin edhe një sërë elementesh tjera që nuk kanë
gjetur zgjidhje ani pse parashiheshin fillimisht të merrnin udhë gjatë periudhës
mbikëqyrëse. Një pjesë e këtyre rrumbullakohen rreth komponentit ekonomik e me
theks të veçantë në trashëgiminë e Kosovës përballë ish-Jugosllavisë. Në këtë
shkrim do të mundohem të bëj një përmbledhje të tyre. Do të mundohem të
paraqesë çfarë është paraparë të bëhet me pakon e nuk është bërë, çfarë na
takon si shtet e nuk kemi marrë dhe si duhet të sillemi në të ardhmen për ti
dhënë pronësi hises tonë. Problemet serbo-kosovare me energji, telekom,
pensione e dëme të luftës bëjnë një fushë të veçantë elaborimi (shumë më të
rëndësishme se kjo që trajtoj) prandaj si të tilla nuk do ti përfshijë në këtë
shkrim.
Fillimisht, sipas Pakos së Ahtisaarit Kosova dhe Serbia është dashur të
gjejnë zgjidhje për borxhin e jashtëm për periudhën 1989-1999, borxh ky i
kontestuar nga pala jonë gjatë bisedimeve të Vjenës me plot të drejtë. Them me
plot të drejtë meqë një prej parimeve universale të borxhit është ai i
territorialitetit. Pra një borxh i faturohet një pale vetëm nëse ai borxh është
investuar në territorin e kësaj pale. Parimi i territorialitetit për të mirën tonë është futur edhe brenda
Pakos së Ahtisaarit, e në kuadër të saj është dhe kërkesa që palët të merren
vesh gjithmonë brenda kornizave të këtij parimi. Për ne futja e parimit të
territorialitetit është lloj garance e adresimit të borxhit në të ardhmen.
Për dallim nga borxhi i të 90-tave, borxhi i para 1989-ës, si pjesë e
borxhit të ish-Jugosllavisë, është pranuar nga pala kosovare meqë i njëjti
kishte përmbushur kriterin e territorialitetit. Gati gjysma e atij borxhit
është paguar sot nga qeveria e SHBA-ve në një akt mjaft gjeneroz derisa pjesa
tjetër servisohet nga buxheti i Kosovës vit pas viti. Serbia në anën tjetër nuk
ka arritur asnjëherë të dokumentojë se paratë e marra nga regjimi i
Millosheviqit gjatë viteve të 90-ta në emër të Kosovës janë investuar në
Kosovë. Për neve kosovarëve është kristal e qartë se paratë në fjalë nuk kanë
prekur asnjëherë vendin tonë; në fund të fundit ne bënim jetën këtu. Por
pavarësisht kësaj, në relacione ndërkombëtare nuk mjafton të sillemi solo.
Meqenëse palët nuk u morën vesh asnjëherë dhe vazhdojnë të mbajnë qëndrime
polarizuese, dialogu arbitrar ishte paraparë të mbahet brenda gjashtë muajve të
implementimit të pakos (shih Aneksin 6 të Pakos). I njëjti nuk kishte ndodhur
asnjëherë dhe ky bën lëshimin e parë ekonomik nga Plani i Ahtisaarit.
Lëshimi i pakos nuk do të thotë se ne nuk duhet të bëjmë zgjidhje ndaj një
konteksti ndërkombëtar. Për të bërë zgjidhje ne duhet të insistojmë sa më
shpejtë e sa më qartë në një proces arbitrar. Procesi arbitrar në esencë nuk
është një dialog pa fund e dialog që duhet të përfundoj me një mesatare për të
gjithë, siç edhe ishte rasti i këtij teknik në Bruksel, por është një proces
argumentues me një vendim final që bëhet obligativ për të gjithë. Pra në fund
të argumentimit arbitri ndërkombëtar merr një vendim që bëhet detyrim
ndërkombëtar për palën e rënduar. Meqenëse Kosova e ka të garantuar parimin e
territorialitetit, meqë ne jemi të sigurt se paratë nuk janë investuar
asnjëherë në Kosovë them se duhet të jemi shumë komfort e shumë këmbëngulës që
të fillojmë një dialog arbitrar e të pastër ekonomik, ku do të ndajmë shapin
prej sheqerit me Serbinë.
Rezoni prapa ngutisë së adresimit të çështjes së borxhit qëndron në
procesin post-borxhit. Si në çdo praktikë tjetër ndërkombëtare ndarja e
shteteve nënkupton dhe ndarje të hises pas ndarjes së borxhit. Pra në momentin
e parë që i mbyllim librat e borxheve, i hapim ato të hiseve. I hapim librat e
hises së Kosovës në pasurinë e ish-Jugosllavisë (përfshirë dhe arin) e cila nuk
na është dhënë gjatë procesit të suksesionit mes shteteve ish-Jugosllave. Suksesioni
i Jugosllavisë tanimë është i përfunduar, por hiseja e Kosovës sot ndodhet si
pjesë e hises së Serbisë e e cila gjatë ndarjes së pasurisë Jugosllave
administronte dhunshëm me Kosovën. Prandaj elementi i dytë i dialogut arbitrar
ekonomik është domosdoshmëria e zgjidhjes së problemit të suksesionit.
Elementi i tretë i relacionit me Serbinë, por këtë here edhe me shtetet
tjera ish-Jugosllave, nënkupton edhe zgjidhjen e çështjes së pronave. Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) deri më tani ka
identifikuar diku rreth 172 prona të Kosovës në shtetet e dalura nga
ish-Jugosllavia. Pjesa më e madhe e këtyre pronave është në Serbi, 104 prona,
dhe në Mal të Zi, 42 sosh. Këto pasuri janë kryesisht degë të ndërmarrjeve
kosovare, siç është për shembull rasti i ndërmarrjes “Jatex” me disa prona në
shtetet ish-Jugosllave. Problemi thelbësor në këtë drejtim është se vendet ku
këto pasuri ekzistojnë refuzojnë të drejtën tonë. Përjashto Serbinë që ka
qëndrime politike jo vetëm ndaj pronës së Kosovës atje, por edhe ndaj aseteve
kosovare në Kosovë, problemet tona ekzistojnë edhe me shtetet që na kanë
njohur. Mali i Zi ndër të tjera është një vend që refuzon autorësinë kosovare
në këto degë ndërmarrjesh. Një pjesë e madhe e këtyre ndërmarrjeve madje janë
privatizuar nga vendet përkatëse, por gjithsesi vlera e tyre reale duhet të
kërkohet nga autoritetet tona. Për të zgjidhur këtë problem Kosova do të duhej
të negocionte drejtpërdrejtë apo me arbitër me secilin shtet veç e veç, për të
marrë kështu atë çfarë i takon. Duhet thënë megjithatë se ka raste kur edhe
Kosova mbanë degë të ndërmarrjeve që burojnë nga ish-vendet Jugosllave prandaj
në çështje si këto ne mund të vendosim parimin e reciprocitetit; kthejmë kur na
kthehen.
Në dialogun potencial arbitrar me Serbinë, gjithmonë në
relacion me çështjen e pronës, pala e tyre do të insistojë siç ka insistuar deri
më tani edhe në hisen e tyre në pasuritë shoqërore e publike të Kosovës e tash
të shndërruara në fondin e privatizimit. Pavarësisht pretendimeve të tyre është
e qartë se procesi i privatizimit të ndërmarrjeve shoqërore dhe publike
në Kosovë i garantohet vendit nga bashkësia ndërkombëtare dhe nga vet pakoja
gjithëpërfshirëse. Pra të gjitha shtetet që kanë njohur Kosovën i njohin asaj
dhe të drejtën mbi këto ndërmarrje dhe rrjedhimisht mbi të hyrat e marra nga
shitjet. E drejta jonë në prona të Kosovës është e sigurt sa edhe e drejta e
pavarësisë; ajo ka gjasa të zhbëhet sa ka gjasa dhe zhbërja e pavarësisë
(zero). Në këtë kontekst pretendimet e Serbisë për të drejtë në pasurinë që
ndodhet në Kosovë janë thjeshtë për konsum të brendshëm politik derisa çfarëdo
privatizimi i bërë nga çdo organizëm përveç AKP-së është i pavlefshëm ndërkombëtarisht.
Dhe kjo duhet ti shërbej palës sonë si një komfort e siguri në çfarëdo
relacioni me ta.
Në fund fare, çfarë për ne megjithatë do të mbetej
problematike pavarësisht procesit potencial arbitrar, është kontrolli i aseteve
tona në Veri dhe shpeshherë shfrytëzimi i tyre pa pëlqimin tonë. Kjo gjithmonë
për shkak të proceseve politike atje. Derisa prezenca jonë institucionale ka
munguar në Veri, një pjesë e madhe e ndërmarrjeve shoqërore janë zhvlerësuar në
skajshmëri, një pjesë tjetër vazhdojnë të mbesin jo atraktive për investimet e
huaja marrë parasysh ambientin politik atje e të tjerat dhe operojnë pa
prezencën e autoriteteve kosovare. Them se AKP si e vetme e ka të vështirë të
bëjë administrimin e këtyre ndërmarrjeve pa një prezencë të strukturave që
garantojnë rend e ligj. Rrjedhimisht çfarëdo pretendimi i mbi menaxhimin e tyre
në kushte si këto të sodit është joreal e joserioz. Pavarësisht kësaj,
zgjidhjen e problemit mbi menaxhimit e këtyre ndërmarrjeve, Kosova nuk duhet
kërkuar në asnjë proces tjetër përveç atij të shtrirjes së rendit e shtrirjes
së shtetit.
No comments:
Post a Comment