Letra nga limbo
KOHA DITORE, 23 NENTOR 2012
Në një javë feste them të mbyll sytë pak, të harroj për pak “kolltukofagët”
e Fan S. Nolit që edhe sot e kësaj dite mi zhbëjnë ëndrrat, të harroj “palaçot
e dheut” të Faik Konicës që vazhdojnë të parapëlqejnë “fjalën, mbledhjen e
pallën para kazmës”, e të harroj dhe “rrugaçat, sallahanat, vagabondat, e
shakllabanat” e At Gjergj Fishtës që mi çoroditin rrugët lartë e poshtë
pandalim. Sot thjeshtë nuk është dita e tyre.
Në një ese të shkurtë të vitit 1916 me titull “Plagët tona: Ç’na mungon? Ç’duhet të kemi?” Mit’hat Frashëri në përpjekje për të rrumbullakuar
defiçencat e kombit argumentonte kështu: "Një popull nuk rron dot pa
ideal, pa një shtytje, pa një qëllim që e bën të ecë, të punojë, të përpiqet
dhe të përparojë. Cili duhet të jetë ideali ynë? Duhet të jetë madhëria dhe
nderi i shqiptarit, njësia dhe bashkimi i kombit, lumturia dhe përparimi i
përgjithshëm. Kur të jetë ndezur në zemrën tonë ky zjarr i ngrohtë, do të
shohim se bashkimi i dëshirave dhe i fuqive, është një nevojë për ne, se
therorësia e egoizmit vetiak është një qejf për ne, se ne të gjithë do të
shikohemi si vëllezër e shokë për veprën e përbashkët, për të ngrehur godinën e
shëndoshë të madhërisë sonë."
Në
një ditë të zymtë them se një shekull pas fjalëve si këto, ideali ynë është
fuqia ndaj sojit tonë, shtytja jonë është lakmia, qëllimi ynë është froni dhe
për të arritur, mbajtur e përcjellë atë ne bëjmë të pabërin. Ne ecim solo,
punojmë solo, përpiqemi solo e s’përparojmë hiç! Ne ende mbajmë vetën
ekocentrik dhe gjithçka mbillet e sillet rreth egos sonë të tmerrshme;
rreth asaj “therorësie e egoizmi vetiak” te M.Frashërit që nuk ka se si të mos
na verbojë. Në një ditë të zymtë them se ne ende nuk zgjedhim vlera, parime e
rregulla për të ndjekur idealet e rrahjegjoksit në vend të nderit. Në një ditë
të zymtë them se ne ende evoluojmë ndaj sojit tonë, regresojmë ndaj grupit e
përulemi ndaj të huajit. Ky ideal i mbrapshtë na jep të mbrapshtit tanë; e të
mbrapshtëve tanë u jep bashkim dhe forcë. I grupon ata në një, i zhveshë nga
çdo tipar solidar e patriotik dhe i len të tillë, të pa marrë, të mbyllur
ndaj parimeve dhe fondamenteve komb-zhvilluese. Bashkimi i mbrapshtë i bën më
pas aktiv në një rrugë reaktive për kombin; u jep forcë dhe kohë për të mbjellë
edhe më shumë rregulla e vlera të mbrapshta të cilat i kalojnë tek të tjerët që
ju vihen pas si zagarët që i vihen të zotit. Në fund i bën të vetëqëndrueshëm,
injorantë e agresiv, duke krijuar kështu një grumbull pakurrizorësh destruktiv
vetushqyes që përhapen e shumohen eksponencionalisht në kurriz të rimëkëmbjes
së kombit.
Në
një ditë të zymtë dhe ndihem kështu. Të jesh i fundit për të mirë e i pari për
të keq nuk është se më jep fort kënaqësi. Por në një javë feste them se
zymtësia vend nuk ka, them të mbyll sytë pak, të harroj për pak kohë
“kolltukofagët” e Fan S. Nolit që edhe sot e kësaj dite mi zhbëjnë ëndrrat, të
harroj “palaçot e dheut” të Faik Konicës që vazhdojnë të preferojnë
“fjalën, mbledhjen e pallën para kazmës”, e të harroj dhe “rrugaçat,
sallahanat, vagabondat, e shakllabanat” e At Gjergj Fishtës që mi çoroditin
rrugët lartë e poshtë pandalim. Sot nuk është dita e tyre. Hajna, kriminelë,
dhunues, vrasës, pushtues, parazitë, tradhtarë e të tjerë ushunjëza që pini
gjakun e djersën e hekanakëve shqiptarë, u pjekshi në ferr! Ky vend e kjo copë
toke do të bëj e do të mund të ecë dhe me ju mbi të.
Sot
është dita e atyre shqiptarëve që mendojnë mirë e drejtë që nga hapi i parë nga
shtrati e deri te i fundit prapë për në shtrat. Sot është dita e atyre
shqiptarëve që përkundër anomalive shoqërore megjithatë bëjnë mrekulli me
mbarësinë e drejtësinë e tyre dhe me këtë mbajnë gjallë ëndrrën shqiptare. Jo
ëndrrës shqiptare nëpërmjet gulçimave me këngë, çartjeve me shuplakë, assesi
nëpërmjet euforizmave turbo-folko-nacionaliste të valleve në udhëkryq, por
nëpërmjet qytetarisë së mirë, nëpërmjet mësimit, leximit, shkuarjes në punë,
bërjes shokë, kujtesës për familje, gjetjes së shtëpisë, martesës, bërjes së
fëmijëve, harxhimit, kursimit, shëtitjes, ëndërrimit, besimit, votimit,
ngritjes së zërit, pagesës së taksave, pagesës së faturave, bindjes ndaj
ligjit, sjelljes normale, dashurisë ndaj shtetit, sfidimit të qeverisë, luftës
ndaj hajnave, krenarisë patriotike, mbijetesës – nëpërmjet vet lirisë! Sot
është dita e shqiptarit të mirë; kaq mjafton për të larë veten ndaj obligimit
patriotik që secili bartim në vete që nga dita e parë kur hapim sytë e shohim
nënën, e deri në natën e fundit kur i mbyllim ato e të vetëm takojmë Zotin.
***
Nuk
ma do mendja që ka shumë popuj që kanë ndjerë pasojat e zareve politike sikurse
shqiptarët e aq më pak popuj që i kanë mbijetuar ato. Mbijetesa e popujve të
vegjël përballë forcave të mëdha është virtyt e vlerë e pashoq. Këtë mbijetesë të
trashëguar tek ne duhet ta ruajmë në përjetësi si kujtesë mbi sakrificën e
gjithë atyre që nuk janë më që të jemi ne. Sot ne duhet të kujtojmë mundin e
mësuesve, ushtarëve, mjekëve, shkrimtarëve, punëtorëve, udhëheqësve,
hoxhallarëve, priftërinjve, gazetarëve, burrave, grave, bijve e bijave që patën
një kauzë të përbashkët shqiptare. Sot ne duhet të kujtojmë udhën e nisur të
baballarëve të shtetit që flet shqip. Ecja e tyre nuk duhet të na shërbejë si
satisfakcion e ngopje për kauzën e përbashkët; kush jemi ne të ndalemi këtu?
Ajo duhet të na shërbejë si bazë për të ekstrapoluar më tutje ecjen drejt një
qëllimit të përbashkët final, më madhor, më të drejtë. Duhet bërë këtë meqë
ecja e jonë sado që është triumfale është dhe e papërfunduar, e gjërat e
papërfunduara, siç dhe i kemi ndjerë shpeshherë më parë, na kthehen mbrapshtë
herë do kurdo.
Së
pari, ecja jonë është triumfale meqë pozicioni i shqiptarëve në relacion me të
tjerët krahasuar me 100 vite më parë (jo në relacion me veten meqë
progresiviteti nominal do të ndodhte edhe pa angazhimin tonë) është më i
konsoliduar. Sidomos dekada e fundit i dha shqiptarëve një copë force për të
ngritur dorë e rrahur tavolinë kur ata janë të ulur aty. Së dyti, ecja jonë
është e papërfunduar meqë ne jemi larg prej potencës sonë politike, ekonomike e
ushtarake dhe se ne jemi larg prej të drejtave e mirëqenies solide të
shqiptarëve brenda e përtej kufijve Kosovë e Shqipëri. Me Veriun e mbytur,
Maqedoninë në hall e Luginën në harresë festa jonë ka një dozë shije të festës
pas mortit.
Jemi
larg prej potencës sonë meqë stadet tona të zhvillimit janë ngufatëse. Kujtoj
se shqiptarët sot, kudo që janë në Ballkan, shënojnë rekordet më të ulëta
ekonomike e të mirëqenies. Ata sot kanë normën më të lartë të papunësisë e
varfërisë, pagat mesatare më të ulëta, deficitin më të lartë tregtar, bruto
produktin vendor më të vogël, kujdesin shëndetësor më joadekuat, shkollimin më
joprofesional, rrugët e hekurudhat më të dobëta, furnizimin me energji e ujë më
të paqëndrueshëm, dhe më e rëndësishmja, prodhimin më të pakët; të gjitha në
krahasim me çdo shtet tjetër Evropian. Pas shqiptarëve vijnë boshnjakët,
moldavët, serbët, malazezët, kroatët e të tjerët nga Evropa.
Të
rinjtë tanë që janë të bollshëm në numër, në vend të bërjes së një force
eko-gjeneruese që se ka kush në Evropë, sot bëjnë një forcë mërgimtarësh në
rastin më të mirë apo një forcë badihavxhinjësh në rastin më real. Tokat tona
me pjellshmëri të lartë, në vend të bërjes së rendimenteve që ushqejnë barkun e
shqiptarëve, sot bëjnë djerrinat që rrinë të thara e pa të zot; madje njeriu
dallon lehtësisht pronësinë etnike të tokave me një shëtitje të thjeshtë nëpër
Ballkan. Bizneset tona në vend të bërjes së vendeve të punës, inovacionit e
kualitetit të produkteve, sot bëjnë vetëm ndërmjetësuesin mes shitësve të huaj e
konsumuesve shqiptarë. E sa për të mos mjaftuar këto, qeveritë tona në vend të
udhëheqjes, mbrojtjes, kujdesit e pasjes së vizionit zhvillimor, sot bëjnë
turpin e botës me rangimet e larta të korrupsionit, mostransparencës, burokracisë
e hajnisë. Fuqia jonë punëtore, toka jonë, bizneset e qeveritë tona, në vend se
të bëjnë lehtësuesin e njëri-tjetrit, sot bëjnë një cikël disfunkcional ku
secili mbanë peng tjetrin.
Për
ti dhënë udhë problemeve jetike shqiptare ne sot kemi nevojë për unifikim, për
bashkim, meqë vetëm nëpërmjet bashkimit të potencialeve tona ne mund të
faktorizojmë veten. Si të vegjël që jemi do të shërbejmë gjithmonë si vagon e
asnjëherë si lokomotivë e trendëve rajonale. Ndonëse bashkimi kombëtar i
shqiptarëve në një shtet është proces i refuzuar ndërkombëtarisht (tani për
tani), i refuzuar nuk është e nuk do të jetë asnjëherë kujdesi i bashkuar për
një mirëqenie shqiptare. Kjo mirëqenie shqiptare nuk mund të sigurohet asnjëherë
pa një zë unifikues politik dhe pa një mbështetje të fuqishme ushtarake. Ne sot
nuk e kemi asnjërën dhe për më tepër nuk do ta kemi asnjëherë pa një
rikonsolidim të brendshëm ekonomik. Pra pa një fuqi ekonomike qëllimet e ecjes
sonë njëqindvjeçare do të jenë të paarritshme, e zëri ynë politik e ushtarak do
të jetë zë puberteti. Kjo fuqi ekonomike nuk do të na vijë asnjëherë nga forca
të jashtme, madje edhe nëse vjen do të jetë e vonuar dhe e formësuar qoftë si
ndihmë apo si mëshirë. Fuqia jonë ekonomike do të burojë vetëm nga një ndërvarësi e koordinuar
e jona dhe e mbështetur në parimet e përparësive komperative në relacion me të huajt
dhe përparësive komplementare në relacion me shqiptarët.
Sot
shqiptarët nuk gjejnë dot, ose gjejnë shumë pak, arsye, motive e forca që bëjnë
plotësimin e njëri-tjetrit. Politikat e tanishme kombëtare kanë qenë larg prej
impresives. Përtej përurimit të Abetares së përbashkët, që ndoshta dhe
simbolizon në vete nivelin e bashkëpunimit ndërshqiptar, rrjedhat tjera politike
kanë qenë disi jo vetëm të çakorduara por dhe të rastit pa ndonjë përfundim
domethënës. Në qëndrimet politike, divergjencat partiake të kryeqendrave kanë
shkaktuar ndasi të pakuptimtë tek shqiptarët tjerë, përfshirë edhe individët e
grupet me influencë shoqërore, duke minuar kështu çfarëdo progresi të
koordinuar mbi çështjet më bazike të një kombi, siç janë sigurimi territorial, edukimi
i të rinjve (sidomos femrave), kujdesi shëndetësor, zbutja e varfërisë, rritja
e konkurrueshmërisë, parandalimi i qëndrimeve ekstremiste fetare e lufta ndaj
kriminalitetit. Të dhënë mbas problemeve partiake, të hendikepuar nga mungesa e
elitave akademike vizionare, nën mëshirën e nën-zhvillimit, problemet
ekzistenciale si këto të thëna më lartë kanë marrë vëmendjet tona vetëm pasi që
ato janë konsoliduar bukur mirë dhe kështu kanë rrezikuar seriozisht jo vetëm
bashkimin tonë por edhe identitetin tonë kombëtar.
Në
qëndrimet ekonomike, superstradat e ndërtuara viteve të fundit nuk kanë qenë
asnjëherë të përcjella me politika stimuluese ndër-tregtare. Kështu ato kanë
shërbyer më tepër për të dërguar shqiptarët e Kosovës nëpër plazhe të
Shqipërisë, e fare pak për të tregtuar mallrat mes vendeve. Madje në vend të
lehtësimeve tregtare ne vazhdimisht shohim dhe garë politike të bllokadave si
rasti i rrushit, verës, patateve, miellit e çimentos, në mes të shumë të mirave
të tjera. Vetëm në vende si tonat njeriu sheh investime multimiliardëshe në
rrugë të përcjella me politika bllokuese tregtare. E si konsekuencë e një
çakordimi të tillë, shqiptarët vazhdojnë të sillen si blerës të gjithkujt
përveç të njëri tjetri duke eksportuar kështu miliarda para çdo vit jashtë
tregjeve të tyre (saktësisht 7 miliardë). Në të njëjtin stad është edhe tregu
energjetik, ai i telekomunikimit, i lëndëve të para e i fuqisë punëtore.
***
Pavarësisht
gjithë kësaj, është vonë për tu ankuar; tepër vonë. E qartë se është rëndë e
mbrapshtë e keq; por çfarë dobie japim po u bëmë ankues melankolikë të
padurueshëm? I dimë të gjitha. Çfarë megjithatë nuk dimë është se në hyrje të
100 vjetarit të dytë si duhet ti përgjigjemi pyetjes së M.Frashërit: “Ç’duhet
të kemi?”. A kemi si komb një vizion të qartë se ku po ecim, si po ecim e sa
shpejtë po ecim?
Në
një situatë pozitivisht konkurrenciale mes popujsh, shqiptarët thjeshtë nuk e
kanë luksin e konkurrencës në mes veti. Kanë gjuhë të njëjtë, kulturë të
njëjtë, traditë të njëjtë dhe për më tepër kanë një territor kontinuel;
parakushte këto për një unifikim të lehtë. Çfarë shqiptarët megjithatë nuk kanë
është një vizion të njëjtë. Shqiptarët sot kanë nevojë për një moment që
bashkon mendjet politike, akademike, fetare e ushtarake në një vend. Jo në
prerje të shiritave, as në tryeza pesëminutëshe, por në një proces që do të
definojë ecjen tonë në shekullin e ri. “Armiqtë” partiakë sot duhen të bëhen
miq për hir të nevojave komb-zhvilluese. Në këtë moment bashkues ata duhet të
mobilizojnë çdo forcë të brendshme, çdo potencial të diasporës, çdo grup lobues
e çdo lidhje miqësore me shtetet tjera për të vënë në lëvizje makinerinë që
realizon një qëllim më madhor shqiptar të mirëqenies sonë.
Në
këtë moment bashkues ata duhet të përcaktojnë zërin e këmbëngulësisë ndaj
sigurisë territoriale të shqiptarëve, zë ky që u bën me dije pretenduesve të
sëmurë anti-shqiptarë se ka një çmim që ne nuk e paguajmë kurrë e ka një vijë
që ata nuk guxojnë ta kalojnë asnjëherë. Përballë pretendimeve shfarosëse ne
thjeshtë nuk guxojmë të zgjedhim komfortin; ne duhet kërkuar paqen nëpërmjet
forcës. Në këtë moment bashkues shqiptarët duhet të përcaktojnë dhe pragun e
edukimit në trevat më të paedukuara shqiptare, shëndetin në vendet më të
sëmura, varfërinë në fshatrat më të harruara, rrugët në kanalet më të
nevojshme, hekurudhat nëpër qytetet më potenciale, ç’rrënjosjen e ekstremizmit
fetar në vendet më të mbyllura, politikat biznesore për vendorët me më shumë
nevojë e gjetjen e fuqive krahasuese e komplementare në rajonet që i kanë ato.
Në këtë moment bashkues ata duhet të mendojnë mbi mobilizimin e kapitalit
financiar, fondeve pensionale, fondeve privatizuese, kursimeve vendore e atyre
të diasporës për të fuqizuar e ngritur bizneset tona në relacion me rajonin. Në
këtë moment bashkues ata duhet të përcaktojnë dhe forcën ushtarake si mjet
garantues i paqes e mirëqenies sonë, forcën diplomatike si mjet përfaqësues i
interesave tona, forcën religjioze si mjet identifikues i traditës sonë dhe
forcën akademike si burim i ideve të reja për qindvjeçarin e dytë. Në këtë
moment bashkues ata duhet të vendosin edhe për varësinë tonë ekonomiko-politke
nga rrymat e caktuara, duhet të vendosin se kush bën e kush s’bën të influencojë
shqiptarët. Ata duhet të përcaktojnë aleancat e ardhshme dhe kërcënimet
imediate që i ndajnë shqiptarët jo vetëm në mes vete por dhe nga vlerat e
preferencat perëndimore.
Përmbi
gjithë kësaj, në momente të tilla shqiptarët duhet të vendosin kalimin nga të
trajtuar si për mëshirë në të trajtuar si faktorë. Mbijetesa e shqiptarëve më
nuk duhet të na shërbejë si një qëllim që na sjell kush e di çfarë satisfakcioni;
është diçka e qindvjeçarit të parë. Në trendet e tanishme perëndimore qëllimet
e kualitetit të jetës, fuqisë blerëse, ndikimit politik, kulturor e sportiv
janë ato që numërohen dhe ato duhet të përcaktojnë pragun e matjes së
suksesshmërisë sonë si komb. E me kandar si ky ne duhet dhe të bëjmë
reflektimin tonë.
Liderët
e dijetarët shqiptarët nuk duhet të kenë frikë nga momente të tilla.
Përkundrazi, ata kanë obligim moral që ti prijnë popullit në momente si këto.
Ata duhet të tregojnë veti që përmbysin kohën e hapësirën rreth tyre e që
tregojnë siç kanë treguar edhe burrat e gratë para tyre, se njerëzit vijnë e
shkojnë por kombi e shteti mbeten gjithnjë aty; nga të tjerët për ne, nga ne
tek të tjerët. Në fund të fundit ka diçka që shkon përtej kohës e shënimeve të
ditëve si këto e që deshëm apo s’deshëm ne shqiptohet si obligim patriotik për
të mbrojtur e ngritur vendin. Shqiptarët kanë bërë mrekulli në 100 vitet e
shkuara, por 100 të rejat duhet domosdo të jenë të tyre.
No comments:
Post a Comment