Letra nga limbo
KOHA DITORE, 30 NENTOR 2012
Përtej laramanisë e hiper-folklorizmit festiv, shqiptarët kanë shumë arsye
për tu mburrë. Kjo mburrje megjithatë nuk guxon të shërbejë si siguresë
komforti. Euforia e gëzimet e tilla dhe mund të kenë kuptim në ditë festive,
ato dhe mund të pranohen për pak kohë. Çfarë nuk mund e nuk guxon të pranohet është
indiferenca jonë ndaj problemeve ekzistenciale që i kemi sot e që na u shfaqën trishtueshëm
në ditë feste
Nuk kishte se si të fillonte më mirë
shekulli i dytë i shtetësisë shqiptare se sa me vendimin e Tribunalit të Hagës
për lirimin e menjëhershëm të luftëtarëve kosovarë të grupit Haradinaj. Nuk ka
triumf më të madh për Kosovën se sa certifikimi pozitiv i luftës sonë e
përpjekjeve tona për liri. Ky certifikim bëhet vetëm po u konsideruan
institucionet tona të luftës dhe luftëtarët tanë si të drejtë e të pafajshëm
për veprimtaritë e tyre. Përpjekjet për të vënë agresorin në nivel të njëjtë
trajtues me mbrojtësit e lirisë, qoftë edhe për një qëllim stabilizues rajonal
a ku ta di unë, janë më të dëmshme se vet akti i agresorit. Si të tilla ato
duhet të zhbëhen në relacion e vijë të njëjtë me vendimin e fundit dhe me të
tjerët që duhet të ndodhin. Nëse asgjë tjetër shqiptarët meritojnë pranim, si
ky i Hagës, se përpjekjet e tyre për liri janë thjeshtë të drejta dhe
legjitime. Kaq na duhet!
Dekorimi i festës me një legjitimim si
ky domosdoshmërish na zgjatë pak pushimin prej ngarkesave të përditshme
politike që i prodhojnë shtetet e shqiptarëve në vazhdimësi. Por tani që festa
kaloj, them të kalojmë nga mbidoza patriotike aq e nevojshme për një vend që dhe
kishte harruar aty këtu rrugën e vet, në dozë reale vlerësuese. E vlerësimi
real i shqiptarëve nuk ka se si të mos vërehet e burojë edhe nga vet festa e
100 vjetorit; një festim sa hiper-folklorik aq edhe modern me një diagnozë
laramane që ngërthen në vete diçka brilante si Rita Ora e Inva Mula, e deri tek
diçka bizare si përçarjet politike në kohë feste apo dhe zombizmet ndaj tortes.
Së pari, them hiper-folklorik meqë
thirrjet për bashkim kombëtar nuk ishin asnjëherë serioze sa jepeshin nga goja
e politikanëve tanë. Madje të tillat kishin edhe një lloj abdikimi fusnotesk
sikurse kanë mesazhet promocionale që me shkronja të vogla fshehin diku në fund
domethënien e vërtetë të mesazhit. Ky i të tanëve bëhej nëpërmjet përmendjes së
BE-së, e që në esencë nuk bën asnjëherë e as për së afërmi parafytyrimin e
konceptit të bashkimit kombëtar nga një shqiptar me inteligjencë mesatare. Unë
them se kur nuk e mendon mos u tall me milet; mos e thuaj fare. Por ja që kemi
një grumbull politikanësh (pa dallim) që i zë euforia e masave (dhe patjetër
nevoja e votave) e kështu përfundojnë në brohoritje si këto, e të cilat për më
tepër nuk bëhen tek shqiptarët e lënë anash (si ata të Mitrovicës apo të
Luginës) por tek ata që vijnë ta përurojnë për të katërtën herë autostradën e
njëjtë. Pallavra si këto shqiptarët kanë pasur e dëgjuar me bollëk për plot 100
vjet. Sidoqoftë, ato po shiten, e derisa të shiten dhe do të thuhen.
Së dyti, them diagnozë laramane meqë festa
e 100 vjetorit kishte dy anë; njëra që bënte një mrekulli e mburrje dhe tjetra
që bënte një marri e dëshpërim. Për shembull, ne kishim në njërën anë iniciativën
joinstitucionale të “mustaqeve” që për të mirë bëri lajmin edhe në Euronews, sa
për tu zhbërë në anën tjetër nga nisja institucionale e “thertores masive të
qengjave” që kishte bërë anti-lajmin në The Guardian. Ndonëse kjo e fundit nuk
kishte ndodhur fare (mesiguri për shkak të presionit të madh publik) kishte
mjaftuar një shprehje deklarative e Qeverisë së Shqipërisë sa për të na
portretizuar si therës e kërdi-bërës masiv pa pikë nevoje.
Laramania vazhdonte kur ne në njërën
anë kishim hiper-performancat e Rita Orës e Inva Mulës, që dhanë dorën në zemër
mesazhin më të mirë që shqiptarët mund ti jepnin vetes dhe botës, e në anën
tjetër kishim vërsuljet e çoroditura ndaj tortës që dëshmonin mentalitetin
hekanak të shqiptarëve. Ishte një qytet i vetëm që në pak metra katrorë barte mesazhe
që bëjnë lakminë e të tjerëve për ne dhe mesazhe që bëjnë talljen e të tjerëve
ndaj nesh . Më duhet të them se pamjet e tortës nuk janë të reja për
shqiptarët; jo më larg se pesë vite më parë kur shpallej pavarësia e Kosovës
ishin po shqiptarët që me pëllëmbën e njërës dorë mbanin një copë të shthurur
torteje e me gishtat e dorës tjetër e gërryenin atë. Nuk i pranoj arsyetimet se
vërsulja e pakontrolluar ndaj tortës bëhej nga uria; nuk janë këto pamje
kampesh refugjatësh me të cilat shqiptarët janë familjar sa të duash, e as torta
nuk është përmbushës i urisë së tyre. Zombizmi ndaj tortës fatkeqësisht jep
pasqyrën e vërtetë të mjerimit kulturesk të një pjese bukur të mirë të
shqiptarëve që kanë mbetur të harruar nga politikanë që janë të zënë me eko-izimin
folklorik. Pamje si këto domosdo tregojnë dhe anën e zymtë të shqiptarëve që
duhet të zhbëhet në njëqindëshin e dytë sa më parë të jetë e mundur.
Laramane ishte dhe bashkimi politik në
vete. Derisa ishte për lakmi prezenca e përfaqësuesve institucional kosovar në çdo
ngjarje shënuese, për të kulmuar me një paradë ushtarake të FSK-së, dëshpëruese
ishte ndasia politike në këto tubime kryesisht të filtruara në bazë të
preferencave partiake në Shqipëri e të ndjekura nga përfaqësuesit kosovarë. Nuk
ma do mendja që ka një vend në botë që zgjedh hidhërimin në ditë të rralla
gëzimi. Madje burrështetasit e mëdhenj zgjedhin mu ditë si këto për të përbirë
çfarëdo që kanë të mbetur në fyt; për hir të një ideali më të madh, për hir të
një shenjëzimi më të rëndë. Ishin të dhimbshme e trishtuese organizimet e
dyfishta të motivuara nga partitë; kur të parët në Tiranë, të dytët në Vlorë, e
kur të parët në Vlorë të dytët në Tiranë. Madje ishin të padurueshme fjalimet e
ngjyrosura me hipokrizi që në njërën anë thirrnin për bashkim e në anën tjetër përfundonin
me fyerje për njëri-tjetrin. Këta politikanë që hedhin kripë në mjaltë besoni
ose jo janë shpresa jonë e mbetur për një rimëkëmbje shqiptare. Paramendoni
tash potencialin tonë kur nuk jemi në gjendje ti shohim liderët tanë politik,
pa kurrfarë dallimi partiak, së paku për pesë minuta bashkë.
Laramane ishte dhe respekti ndaj vet
festës në Kosovë. Derisa iniciativa qytetare për të respektuar flamurin kuq e
zi kishte kulmuar aq shumë sa që kompleksonte çdo pretendim të supremacisë së
yjeve multietnike, i rëndë dukej organizimi anarkik e provincial në Kosovë. Për
të parën nuk besoj se ka pasur ndonjë dyshim për preferencat e kosovarëve rreth
flamurit, por një ndjenjë e tillë ndaj ngjyrave kuq e zi duhet të shërbejë si
këmbanë këndjellëse se të paktën flamuri kosovar duhet të reflektojë ndjenjat e
kosovarëve. Imponimi i tij kam frikë se do të ngjallë inferioritet që degradon
në përbuzje. Për të dytën, nuk mbaj mend të kem parë Prishtinën ma të
paorganizuar e ma me pa shije në ndonjë ditë tjetër festive se kjo e 100
vjetorit. Kryeqyteti i dy milionë shqiptarëve dukej as më pas e as më shumë se
sa një provincë e harruar. E tëra çfarë Prishtina e qytetet tjera rend pas saj
kishin bërë është tanimë standardja e festimeve, diçka që mund të organizohet
pa lodhur më shumë se dy kokrra mend: një koncert. Madje kam përshtypjen se po
të ndalonim me dekret mbajtjen e koncerteve patetike mishmashe për shënim të
ditëve nuk do të dinim të festonim fare. Një skenë, një mikrofon, disa këngëtarë,
e aty këtu flamuj të vënë si për tu terur, ishte gjithçka që institucionet e
Kosovës, qendrore e komunale, kishin bërë për ti shpërblyer kosovarët. Kaq pak
them se nuk meritonim.
Sidoqoftë, përtej laramanisë e
hiper-folklorizmit festiv, shqiptarët kanë shumë arsye për tu mburrë. Kjo
mburrje megjithatë nuk guxon të shërbejë si siguresë komforti. Euforia e
gëzimet e tilla dhe mund të kenë kuptim në ditë festive, ato dhe mund të
pranohen për pak kohë. Çfarë nuk mund e nuk guxon të pranohet është indiferenca
jonë ndaj problemeve ekzistenciale që i kemi sot e që na u shfaqën trishtueshëm
në ditë feste.