Letra nga limbo
KOHA DITORE, 17 GUSHT 2012
Nën supozimet e një skenari tejet optimist, Kosova me
fuqi punëtore prej 830.000 banorëve, ka rreth 250.000 të punësuar formal, rreth
222.000 të tjerë informal dhe mbi 350.000 të papunë; pa përfshirë 70.000 studentë
e plot 200 mijë të tjerë që nuk kërkojnë punë aktivisht. Në numra si këto
Kosova në rastin më të mirë mund të ketë një normë papunësie prej 42%.
Gjersa po diskutoja në Twitter me miq
mbi normën e papunësisë e participimin e sektorit privat në punësim, vendosa të
marr mundin e të bëj një digresion nga numrat që dimë, nga sensi logjik si dhe
nga evidencat tjera të regjistruara në Kosovë për të gjetur kështu ndoshta për
së afërmi se sa të punësuar ka Kosova. Natyrisht se do të ishte i marrë pretendimi
se një nga problemet më kronike të Kosovës si humbja në numra e në veçanti në
numrat e papunësisë të zgjidhet me pak rreshta, por të paktën dëm nga një
llogaritje nuk ka. Nëse asgjë tjetër hesapimi i numrave duhet të jetë
domosdoshmërish më kredibil se sa intuita e neo-politikanëve fallxhorë.
Parimisht llogaritja e çfarëdo numri të
të papunëve duhet të fillojë nga numri i gjithmbarshëm i kosovarëve. Sipas
regjistrimit të fundit nga 2011-ta, Kosova ka diku rreth 1,733,872 banorë,
ndonëse për shumë kë, ky numër është më i ulët se sa numri i banorëve real në
Kosovë. Të shpeshta ishin rastet e mosevidentimit nga regjistruesit.
Pavarësisht kësaj, për nevojën e referimit në numra zyrtar le ta marrim si të
qenë e le të jemi pak “gjenerozë”. Ky “gjenerozitet” do të na bëhet ves gjatë
gjithë shkrimit.
Për hir të elaborimit më të thjeshtë
edhe për ata që nuk kanë njohuri ekonomike, norma e papunësisë paraqet raportin
në mes të numrit të të papunëve me fuqinë punëtore. Në fuqi punëtore jo të
gjithë bëjnë pjesë. Kushti i parë për të qenë pjesë e fuqisë punëtore është të
kërkosh aktivisht punë së paku në pesë javët e fundit. Në këtë kategorizim nuk
hynë të gjithë studentët dhe nxënësit e të cilët për shkak të angazhimit
akademik përjashtohen nga forca punëtore. Të përjashtuar normalisht janë edhe
të pensionuarit dhe personat me aftësi të kufizuar. Në fuqi punëtore nuk hynë
as ata që nuk duan të punojnë fare, pra nuk janë të interesuar për të pasur një
punë.
Kushti i dytë ka të bëjë me moshën. Në
Kosovë, njëjtë sikurse në shumicën e vendeve të Bashkimit Evropian, mosha
minimale për të drejtë pune, e rregulluar me ligj është 15 vjeç; ajo maksimale
është 65 . Them njëjtë me vendet e BE-së meqë të gjitha shtetet kanë një vit
minimal që sillet nga mosha 14 deri në atë 16 vjeçare. Për shembull, Austria
lejon punën që nga mosha 14 vjeçare, Belgjika, Kroacia, Çekia, Greqia,
Danimarka, Estonia, Italia, Letonia, Polonia, Rumania, Sllovakia, Sllovenia e
Zvicra që nga mosha 15 vjeçare, ndërkaq Bullgaria, Finlanda, Gjermania,
Hungaria, Irlanda, Holanda, Portugalia, Spanja e Anglia nga mosha 16 vjeçare.
Natyrisht se ka diferencime në mes vendeve sa i përket orarit të punës nga këto
grupmosha apo dhe pëlqimin prindëror, por të shumta janë dhe shtetet që
trajtojnë ligjërisht njëjtë këto grupmosha me të tjerat, pra nuk kanë
restrikcione për orar apo pëlqim prindëror.
Do ta kishim shumë më të lehtë
identifikimin në numër të kosovarëve nga mosha 15 deri në atë 65 vjeçare sikur
të dhënat e regjistrimit të fundit të ishin tashmë publike, megjithatë,
pavarësisht kësaj, Agjencia e Statistikave të Kosovës jep dy kategori të
dhënash që bëjnë një lehtësim në llogaritjen tonë. Kategoria e parë ka të bëjë
më numrin e lindjeve në dhjetë vitet e fundit, e që sillet nga 36.136 lindje në
vitin 2002, 32.437 në vitin 2006 e deri në 34.262 lindje në vitin 2011. Thënë
këtë, mesatarja e lindjeve në këto dhjetë vite në Kosovë, bazuar gjithmonë në
shënimet shumë të sakta të Agjencisë Statistikore, është rreth 34.000 foshnje
apo shtruar ndryshe Kosova të paktën për 15 vitet e fundit në çdo vit të moshës
ka nga 34 mijë banorë. Rrjedhimisht, Kosova ka rreth 510.000 banorë në
grupmoshën 0-14 vjet (po supozuam se asnjëri prej të lindurve nuk u largua nga
Kosova), e rreth 100.000 të tjerë në grupmoshën 15-17 vjet. Kategoria e dytë e
të dhënave nga Agjencia Statistikore, ka të bëjë me numrin e kosovarëve mbi
moshën 65 vjeçare e që është rreth 120.000 (apo rreth 7% e popullsisë së
gjithmbarshme).
Thënë këtë, marrë parasysh a) numrin e
gjithmbarshëm të kosovarëve sipas regjistrimit të fundit, b) numrin e atyre nën
moshën 15 vjeçare, si dhe c) numrin e atyre mbi moshën 65 vjeçare, themi se në
Kosovë jetojnë rreth 1.100.000 njerëz me moshë nga 15 deri në 65 vjet, e që në
esencë përbëjnë fuqinë bruto punëtore. Themi bruto meqë nga ky numër duhet
larguar nxënësit e studentët e të gjithë kosovarët që nuk kërkojnë aktivisht
punë.
Edhe pse e përcaktuar me ligj se kur
fillon mosha e punës, le të supozojmë se të gjithë të rinjtë e moshës 15-17
vjeçare, pra këta 100.000, janë në sistem edukativ e rrjedhimisht mbesin jashtë
forcës punëtore (“gjeneroziteti” i dytë). Për më tepër, sipas të dhënave të
Agjencisë Kosovare të Akreditimit, në vend janë 48.000 studentë në dy
universitete publike dhe 22.000 të tjerë në universitete private, duke bërë
kështu një total prej rreth 70.000 studentëve kosovarë. Kjo në vete paraqet një
problem afatmesëm meqë konservimi i fuqisë punëtore si studentë nuk është
zgjidhje e problemit të papunësisë por prolongim i tij. Në një kohë, të gjithë
ata do të përfundojnë statutit e të qenit jashtë fuqisë punëtore. Thënë të
drejtën arsyeja pse ata mbesin kaq gjatë jashtë fuqisë është mu në tolerancën e
sistemit edukativ kosovar që u mundëson individëve studim të përjetshëm,
shpeshherë për të mos rënduar numrat e papunësisë. Pavarësisht kësaj, është një
armatë e tërë që herë do kurdo do të derdhet në treg të punës. Për hir të
argumentimit më të lehtë, le të supozojmë se asnjë student nuk punon; në të
kundërtën fuqia punëtore aktive do të ishte më e lartë proporcionalisht (një
mini-gjenerozitet ky).
Nëse Kosova ka 1.100.000 bruto fuqi
punëtore, 70.000 studentë, 100.000 nxënës (15-17 vjeç), le të bëhemi gjeneroz e
të themi se ka edhe 100.000 të tjerë (një në çdo tre familje) që janë në
grup-moshën 18-65 vjeçare por që thjeshtë nuk janë të interesuar për punë, pra
nuk kërkojnë punë aktivisht (amviset në mes tjerash). Një “gjenerozitet” i
tillë, i treti, le të bëhet së pari për të pasur hipoteza më të gjëra dhe së
dyti për të pasur një tolerancë në gabimet eventuale. Megjithatë, kjo nuk do të
thotë se këta 270.000 duhet fshirë nga çdo llogaritje; ata megjithatë mbesin të
papunë, por jashtë kalkulimeve për normë të papunësisë. Në një situatë si kjo,
në llogaritje si këto, i bie se Kosova ka një fuqi neto punëtore prej rreth 830.000
banorëve (1.1 milion pa 270 mijë). Ky numër na konfirmohet edhe me rekordet e
CIA Factbook.
Sado i rëndë të duket hesapimi i fuqisë
punëtore, për një vend kryesisht informal si Kosova edhe më i rëndë bëhet
llogaritja e të punësuarve. Thënë të drejtën Kosova ka vite të tëra që ka
humbur rekordet e atyre që bëjnë punë. Pavarësisht kësaj, janë dy burime
esenciale që na japin një pasqyrë shumë të saktë të punësuarve formal e nga
këtu një bazë për projeksione të atyre në informalitet. Së pari, dhe më
kredibili, është Trusti Pensional i cili në raportin e vitit të shkuar kishte
paraqitur rreth 251.000 kontribuues apo pagues të pensioneve. Natyrisht se jo
të gjithë ishin kontribuues të rregullt, disa madje kishin kontribuar në vetëm
një çerek të vitit, por për hir të llogaritjes sonë ky 251 mijë na shërben si
tregues i mjaftueshëm i të punësuarve formal në Kosovë. Këtu bëjmë
“gjenerozitetin” e katërt, meqë në regjistrat e Trustit njeriu regjistrohet
edhe po të ketë punuar një javë në vit. Se sa mund të llogaritet i punësuar një
i tillë është jashtë çdo evidentimi standard. Pavarësisht kësaj, sa për të
forcuar argumentin edhe ATK në vitin paraprak kishte deklaruar se të punësuar
formal në Kosovë janë rreth 213.000.
Për hir të informimit dhe elaborimit të
mëtutjeshëm, nga këta 251.000 të punësuar në Kosovë, 81.000 ishin në sektorin
publik, 11.000 në OJQ, 11.000 në ndërmarrje publike, shoqërore e të tjera
(kategori e organizatave të huaja) dhe 148.000 në sektorin privat (nga ku
30.000 të vetëpunësuar). Së pari këta numra na japin një pasqyrë të saktë të
pjesëmarrjes në punësimin formal në mes të sektorit publik e atij privat, në
një relacion 35-75% për këtë të fundit. Së dyti, 251.000 si numër formal i të
punësuarve na jep edhe një pasqyrë fillestare të të papunëve. Vënë në relacion
me fuqinë punëtore prej 830.000, një numër si ky tregon se Kosova ka një
papunësi prej 69%. Por, dhe kjo me një POR të madhe, Kosova nuk është vend me
një informalitet prej 0%.
Supozimi i nivelit të informalitetit
është esencial në përcaktimin e normës finale të papunësisë. Meqë informaliteti
(apo tërësia e atyre që punojnë por nuk janë të regjistruar) është
karakteristikë e sektorit privat e jo e atij publik (nga vet definicioni dhe
natyra e evidentimit), atëherë numri prej 148.000 të punësuarve në sektorin
privat na shërben si bazë për projeksione eventuale të informalitetit. Nëse
themi se Kosova ka një informalitet 150% (numër rekord për cilindo vend në
tranzicion), pra nëse në këtë sektor janë të punësuar por jo të evidentuar edhe
222.000 të tjerë përveç këtyre aktual, atëherë i bie se vendi në sektorin
privat ka plot 370.000 të punësuar dhe rreth 100.000 të tjerë në sektorin
joprivat. Thënë ndryshe Kosova ka gjithsejtë rreth 470.000 të punësuar formal e
informal. Zbritur nga numri total i fuqisë aktive punëtore prej 830.000 i bie
se ne kemi rreth 350 mijë të tjerë të papunë. Një relacion si ky na jep një
normë të papunësisë prej 42%.
Dhe mu 42%, pas një “gjeneroziteti” në
numrin e gjithmbarshëm të popullsisë, pas një tjetri në 270.000 jo aktivë, pas
një tjetri në 222.000 të punësuar informal e pas një tjetri në numrin e fryrë
të të punësuarve sipas Trustit, them se bën një pasqyrë mjaft optimiste, pra
një minimum të minimumit, nën të cilin nuk ka se si të dilet ndryshe. Çfarëdo
shkurtimi e rëndimi në “gjenerozitetin” e kalkulimeve rëndon dhe më tutje
rezultatin final të normës së papunësisë. Thënë të drejtën unë kam problem më
së shumti të pranojë edhe këtë supozim timin absurd mbi një informalitet prej
150%, së pari sepse nuk ka pasur asnjë vend të tranzicionit me kaq nivel enorm
të informalitetit në fuqinë punëtore dhe së dyti, se informaliteti i Kosovës
është më tepër informalitet i pagës së punëtorëve se sa i numrit të tyre. Pra
ne kemi nën-deklarim të pagës reale të një punëtori për shpëtim nga obligimet
tatimore në vend të regjistrimit të tij. Por nëse dikush pretendon se ka
papunësi nën 40%, atëherë duhet të shpjegojë logjikën e pasjes së një informaliteti
200-250%; një numër hiper-absurd ky më pas.
Pavarësisht gjithë kësaj, për të
përfunduar, nën supozimet e një skenari tejet optimist, Kosova ka rreth 250.000
të punësuar formal, rreth 222.000 të tjerë informal dhe diku rreth 350.000 të
papunë; pa përfshirë 70.000 studentë e plot 200 mijë të tjerë jo aktivë. Në
numra si këto Kosova në rastin më të mirë mund të ketë një normë papunësie prej
42%, numër ky i shfaqur vazhdimisht nga matjet vendore e ndërkombëtare.
No comments:
Post a Comment