Friday, 24 August 2012

DEFEKTET E DIALOGUT


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 24 GUSHT 2012

Kosova gradualisht po futet në një dialog politik të paqartë, pa unitet dhe pa përfitime, rrjedhimisht të panevojshëm. Në rrethana si këto, një qeveri kredibile do të refuzonte çfarëdo kërkese, presion apo lutje të ndërkombëtarëve për bisedime të tilla, e me theks të veçantë për Veriun e vendit. E njëjta do duhej të fillojë paraprakisht rikonsolidimin e brendshëm e riorientim të dialogut për shtetndërtim e jo shtetrrënim


Dy tri javë pas humbjes së kredibilitetit në bërje të dialogut e pas ndërrimit radikal të qëndrimit karshi relacioneve me Serbinë, Kosova po ecën me avazin e njëjtë të vitit të kaluar e që në esencë nuk sjell as për së afërmi beneficionet esenciale të një shteti në bërje. Thënë të drejtën e tëra çfarë Kosova merr nga një ecje e tillë janë goditjet e njëpasnjëshme ndaj sovranitetit ashtu kështu të brishtë. Kujtoj se Kosova gradualisht po futet në një dialog politik të paqartë, pa unitet dhe pa përfitime, rrjedhimisht të panevojshëm.

Së pari, them i paqartë meqë vendi nuk e ka ende të ndërtuar një strategji mirë të definuar rreth sjelljes në relacione kaq të rrezikshme, nuk din se çfarë do të ofrojë e çfarë rrezikon të humbasë. Në një paqartësi të tillë Kosova nuk e di se si hynë e si do të dalë nga një dialog i padefinuar. Së dyti, them pa unitet meqë si asnjëherë më parë, Kosova mbanë në vete qëndrime tërësisht polarizuese e të tensionuara në relacion me Serbinë. Kujtoj se edhe në periudhën parapavarësuese vendi bënte kompromise shumëherë më të dhimbshme (për kohën) e të cilat në vazhdimësi bënin gdhendjen e asaj çfarë kosovarët kishin paramenduar si shtet të tyre, për të përfunduar në Pakon e Ahtisaarit. Megjithatë, pavarësisht kësaj, në relacion me Serbinë vendi mbante një qëndrim jashtëzakonisht unik. Uniteti politik e nacional në vend jo vetëm që sjellë më shumë mendje, më shumë alternativa e më shumë qëndrueshmëri në refuzimin e çfarëdo propozimi në kundërshti me sovranitetin tonë, por se heq një barrë të madhe për politikëbërësit tanë sidomos në relacion me ndërkombëtarët. Të paktën të bashkuar e me një zë, presionet ndërkombëtare do të ishin të durueshme. E vazhdimi solo i dialogut me Serbinë na prodhon diçka si kryenegociatorja e shkuar e cila nuk ka haber se çfarë bën apo çfarë duhet të bëjë.

Së treti, them pa përfitime meqë Kosovës në asnjë rrethanë nuk i garantohet asnjë ecje drejt Bashkimit Evropian pavarësisht kompromiseve. BE në asnjë rrethanë nuk i garanton vendit ndërrimin e qëndrimit nga pesë vendet që nuk njohin Kosovën ende, as ndërrim të paradigmës agresive politike të Serbisë përmes Kushtetutës së e saj apo influencës ndërkombëtare, e nuk garanton as ndërrimin e qasjes neutrale nga BE drejt Kosovës. Pra thënë shkurt Kosova nga një dialog nuk është se përfiton diçka.

Beogradi në anën tjetër i ka të tria; pra në dialog ka qartësi, ka unitet e ka përfitime. Them se ka qartësi meqë platforma politike e Serbisë vazhdon të jetë plani katër pikësh i ish-presidentit Tadiq e i mbështetur fuqishëm nga OKB dhe tani i riprezentuar nga qeveria e re serbe. Them se ka unitet meqë pavarësisht ndërrimeve politike atje kur bëhet fjalë për Kosovën qëndrimet janë një, dhe them me përfitime meqë Serbisë me dialogun ndaj Kosovës dhe ngrirjen (kujdes, jo zgjidhjen) e problemit të Veriut i jepet vizë për ecjen evropiane. Thënë këtë, dialogu politik i paralajmëruar për vjeshtë është dialog që trason rrugën e Serbisë në BE, e jo një dialog që funkcionalizon shtetësinë e brishtë të Kosovës.

Në rrethana si këto, një qeveri kredibile do të ndërpriste qysh në fillim çfarëdo kërkese, presion apo lutje të ndërkombëtarëve për bisedime politike, e me theks të veçantë për Veriun e vendit. Një qeveri kredibile do të duhej të bënte mu të kundërtën, pra të ndiqte e ndërtonte procese që ndërtojnë shtetësinë tonë e jo interesat e një vendi tjetër. E shtetësia e Kosovës nuk ndërtohet dot nga bisedimet për autonomi të Veriut, as për faktorizim të Serbisë në Kosovë; shtetësia ndërtohet duke e ngritur çështjet me interes për ne, si ndërprerja e agresionit politik serb nëpërmjet Kushtetutës serbe, apo kthimi i të zhdukurve, kërkimfalja, kthimi i fondeve të plaçkitura, kompensimi i dëmeve dhe më e rëndësishmja shuarja e çfarëdo përkrahje për institucionet paralele në Veri, ashtu siç kishte kërkuar muaj më parë kancelaria Merkel.

Për dikë kërkesa si këto dhe mund të jenë të parealizueshme, por gjithsesi ato në çdo nuancë e dioptri politike mbesin të drejta. E nëse janë të drejta ato dhe duhet të bëjnë bazën e politikëbërjes sonë dhe esencën e përgjigjes ndaj presionit ndërkombëtar. Në asnjë rrethanë Kosova nuk duhet të heqë dorë nga qëndrimet e saja parimore e të drejta vetëm pse Serbia tregon kokëfortësi apo se strukturat kriminale në Veri kërcënojnë me terrorizëm. Kokëfortësia e kërcënimi për terror nuk duhet të minojnë mundin dhe parimet e drejta në asnjë vend normal Evropian. E me kërkesa parimore, me një përgjigje të unifikuar përballë bashkësisë ndërkombëtare, me një qëndrim thjeshtë të pakompormis e të ngrirë, ne eventualisht duhet të devijojmë presionin ndërkombëtar nga qafa jonë tek nacionalistët e radikalët në qeverinë serbe. Herë do kur do, bashkësia ndërkombëtare do të kuptojë mos tolerancën tonë për të provuar më pas presionin e njohjes apo mospengesës nga Serbia. Herë do kurdo, qëndrimet e paluhatshme, siç edhe ishte këmbëngulësia jonë për pavarësi, do të sjellin rezultate. Në fund të fundit, nëse përfitimet tona nuk janë aq në dukje atëherë ne nuk kemi çfarë të humbim; koha thjeshtë mund të jetë në anën tonë. Natyrisht se për të ngritur çështje e parime si këto, vendi e ka të domosdoshme rikonsolidimin e radhëve të brendshme. E rikonsolidimi i radhëve të brendshme për interesin jetik të Kosovës do të duhej të ishte në çdo rrethanë normale punë e lehtë. Por ja që në një vend jonormal me parti anormale edhe në relacion me Serbinë ne bëhemi pikë e pesë.

Futja në dialog në anën tjetër do të nënkuptojë kompromis; në të kundërtën pse dialogu po nuk pat nevojë për kompromis?! E kompromisi për çështje të brendshme të Kosovës do të thotë reduktim i sovranitetit territorial të vendit në Veri, interes ky persistent i palës tjetër i shprehur nëpër vite. Ky reduktim në formën se si po na servohet nga ndërkombëtarët do të thotë status i veçantë i serbëve atje dhe autoritete të trefishta politike në Veri, një nga Kosova, dy nga serbët veriorë dhe tre nga Serbia. Thënë këtë është e qartë se politika ndërkombëtare, dhe këtë duhet pranuar publikisht, e sponsorizuar nga BE e me theks të veçantë nga OKB, në çështjen e Veriut nuk favorizon Kosovën. Kjo politikë është në kërkim jo të zgjidhjes por të një ngurtësimi të çështjes për disa vite.

Ky ngurtësim, nëse asgjë tjetër, është rreziku më i rëndë i mundshëm për vendin. Një, sepse problemi i ngurtësuar i Veriut daton që nga 1999 dhe pas gjithë këtyre viteve nuk prodhon zgjidhje në favor tonin por bazë për një kompromis tjetër dhe më të dhimbshëm; dhe dy, sepse me një çështje të pazgjidhur e kaq jetike për vendin, ecja jonë do të jetë e çaluar përjetësisht. Me një Veri të ngrirë e sovranitet të trefishtë, Kosova do të ketë problem jo vetëm integrimin politik por edhe stabilitetin ekonomik e besa dhe interetnik. Ne fund të fundit integrimi i serbëve jugor ka treguar më së miri se në afatgjatë mosngrirja bën megjithatë zgjidhje dhe zbutë diferencat në mes etnive.

Fatkeqësisht për ne, kur shija e karriges së pushtetit ëmbëlson më shumë se gjithçka tjetër, rrezik potencial mbetet ecja solo e qeverisë sonë në relacione me Serbinë e rrjedhimisht kompromise të dëmshme për vendin. Në një rast alternativ, nëse zënë vend paralajmërimet e AAK-së për bashkëpjesëmarrje në relacione me Serbinë edhe pa partitë tjera opozitare, atëherë ne do tu japim çdo arsye ndërkombëtarëve të vendosin barrën e kompromiseve tek krahu i luftës. Ky krah, së paku para syve të ndërkombëtarëve, shihet si më legjitimi në kompromiset eventuale, gjithnjë nën arsyetimin se ata që i dhanë Kosovës diçka mund dhe ti marrin.

Nuk dua të bëj verdiktin e ecjes potenciale të AAK-së në koalicion dialogues me PDK-në pa prezencën e partive tjera opozitare; besoj se në AAK ka mjaft koka të mençura për të hesapuar benefitet dhe kostot potenciale të pushtetit me fatin e vendit, e besa dhe ardhmërinë e partisë. Dua vetëm të shprehi befasinë time se si lirimi i z.Ramush Haradinaj mund ti shërbej forcimit të pozitës, përkundër pritjeve për forcim të opozitës (së përçarë e sakatuar). Pavarësisht kësaj, AAK dhe partitë tjera opozitare duhet ta kenë të qartë se dialogu politik është një skenar tashmë i shkruar por që kërkon aktorë për ta performuar, e i cili në vete do të bartë një kosto enorme për vendin. Po mos të ishte ashtu, partia në pushtet nuk do të ndante asnjëherë tortën e suksesit me një partner tjetër; është dhimbja dhe efektet elektorale që PDK kërkon ti ndajë. E PDK në anën tjetër, duhet të kuptojë se për një komfort politik më të lehtë edhe për të, e ka të udhës arritjen e koncenzusit të brendshëm para kompromisit në emër të luftës. E nëse nuk arrin të ndërtojë një koncenzus të brendshëm le të dërgojë vendin në zgjedhje të parakohshme. Të paktën ashtu mund të prezantojnë partitë politike qëndrimet ndaj dialogut e Veriut e rrjedhimisht secili të merr tagrin e votuesve. Në këtë formë çdo ecje më tutje do të kishte të paktën legjitimitet.


No comments: