Friday, 10 August 2012

KUR FJALËT HAHEN


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 10 GUSHT 2012

Në më pak se nëntë muaj, kryeministri i vendit bën ndërrim radikal të qëndrimit në relacion me dialogun politik me Serbinë. Një kërcim kaq joserioz i politikës nacionale s’ka se si të mos i hap dyert për kompromise të reja në Veri. E me politikë diçka si kjo, ne sot dukemi thjeshtë si një lojtar i dobët pokeri që me letra “7 e 2” ka hyrë “all-in”


E habitshme se çfarë mund të gjen njeriu në Google me një kërkim aspak të mundimshëm. Ja që një kërkim i thjeshtë i fjalëve si “dialog politik” kombinuar me emrin e kryeministrit tonë, ju jep sa rezultate kontradiktore aq edhe dëshpëruese. Kontradiktore meqë në vetëm dy faqet e para të rezultateve jepen dy tituj në kundërshti të plotë me njëri tjetrin por të dhëna nga goja e njëjtë. Titulli i parë “Thaçi: Jo dialogut politik me Serbinë” ka të bëjë me refuzimin kategorik të kryeministrit tonë mbi mundësinë e çfarëdo lloj dialogu politik me Serbinë, ndërkaq i dyti, besoni apo jo me pranimin e pasjes së tij; “Thaçi: Të gatshëm për dialog politik me Serbinë”. Përveç substancës e përmbajtjes, dallimi tjetër në mes të dy titujve është se të njëjtit bëhen në nëntë muaj diferencë në kohë. Kaq është jetëgjatësia e një politike kosovare e shprehur nga kryepolitikani i saj. Matjet bëni vet.

Në një intervistë të dhënë për Radio Evropën e Lirë më 4 Tetor 2011, kryeministri jonë në pyetjen se a do të ketë dialog politik me Serbinë përgjigjet: “Diçka e tillë çka ju po pyesni as që është në tavolina të punës së ndokujt as në Prishtinë, as në Bruksel e as në Uashington. Por, në të njëjtën kohë jemi shumë të përgjegjshëm për vazhdimin e dialogut për çështje teknike”. Si duket aq bindës ishte asokohe kryeministri sa që intervistën në fjalë e kishin vendosur në faqen zyrtare të tij; intervista është ende aty. Sa për të rikonfirmuar idenë në fjalë, më 26 Nëntor 2011, në një intervistë tjetër kryeministri kishte thënë se “...propozimi për çfarëdo dialogu shtesë (përtej atij teknik) është i papranueshëm për Kosovën” dhe se çfarëdo tendence për dialog për Veriun (e propozuar asokohe nga ministri i jashtëm suedez Karl Bildt është “ide që i takon të së kaluarës dhe e papranueshme”, klishe kjo e zakonshme tanimë nga ai. Në disa intervista tjera të njëpasnjëshme, kryeministri për të përforcuar qëndrimin shkon aq larg sa që fyen, ironizon e qeshë me çdokënd që asokohe bënte thirrje për mosvazhdim të dialogu teknik pa një plan nacional dhe pa një unitet politik, meqë një ecje si kjo do të na sillte eventualisht në domosdoshmërinë e pasjes së dialogut politik e humbjen e Veriut. Asokohe kryeministri i quante të tjerët injorantë e disfatistë. Thoshte: “Këta zëra që i kam dëgjuar, nuk janë gjë tjetër, pos të injorantëve, disfatistëve dhe atyre që nuk besojnë në asgjë” (27 Janar 2012).

“Fast forward” nëntë muaj më vonë (25 Korrik 2012), në një intervistë të dhënë për Deutche Welle-n, kryeministri ynë për habinë më të madhe jep një qëndrim diametralisht të kundërt, duke thënë se “... natyrisht edhe rritja e kontaktit në nivele politike është në interes të dy shteteve tona që të përshpejtojmë procesin e njohjeve reciproke si vende sovrane, për t'u integruar në NATO dhe Bashkimin Evropian, edhe Kosova edhe Serbia” (pjesa e dytë prapë një klishe e tij) duke vazhduar me “...është në interes të dy vendeve që të ketë nivele politike të bisedimeve”. Po ua lë juve të bëni verditktin në mes të dy qëndrimeve, se në fund të fundit një analizë mbi qëndrime si këto “kallauz nuk do”, por parimisht në nëntë muaj politikë është tmerrësisht dëshpëruese se ideja e pasjes së dialogut politik befas nuk bën një “ide të së kaluarës” dhe se e njëjta pa pritë e pa kujtuar na u paska parashutuar në “tavolinën e punës së Prishtinës” madje në këto nëntë muaj na u paska bërë “interes kombëtar”. A thua kush është tani injorant e disfatist?!

Përtej mospasjes së një mendimi të qëndrueshëm në pak kohë nga një kyepolitikan, përtej mosbrengës për përgjegjësi në politikëbërje nacionale, përtej mosarsyetimit të ndërrimit radikal përballë qytetarëve, një reflektim në një ecje të tillë na prodhon as më shumë e as më pak se një dëshpërim enorm në trendin e politikës sonë; dëshpërim që patjetër do të përcillet me konsekuenca. Politikanët dhe mund ti ndërrojnë mendimet e qëndrimet, të tillë ka plot; politikanët dhe mund të mos kenë fije kredibiliteti siç po dëshmohet në vend jo vetëm me ndërrime radikale qëndrimesh por edhe mos mbajtjes së fjalës në marrëveshje të nënshkruara. Politikanët tanë janë të lirë të bëjnë çfarëdo; ama bash çfarëdo. Megjithatë, çfarë politikanët nuk guxojnë të bëjnë në asnjë rrethanë është të luajnë në zare me fatin e vendit.

Thënë të drejtën një njeri e një vend që nuk respekton as fjalët e veta, s’ka se si të respektohet nga të tjerët e  vendit e nga ndërkombëtarët. Me ndërrime kaq të lehta të qëndrimeve në pak muaj ne ju japim çdo të drejtë palës tjetër negociuese e gjithë atyre ithtarëve të një autonomie e copëtimi për Veriun, të besojnë se çdo “Jo” e jona në pak kohë e durim mund dhe të bëhet “Po”. E ata që nuk ndërrojnë qëndrime, që e kanë kristal të qartë se çfarë duan nga dialogu me Kosovën, që kanë ecur në përpikëri të plotë me strategjinë e tyre nacionale, e që kanë marrë çdo simpati evropiane përkundër gjasave të një topi bore në ferr, janë pala serbe. Qëndrimi i i tyre kategorik për të mos hequr dorë nga Veriu po formësohet në vazhdimësi. Ata sot kundër çdo gjase janë bërë palë negociuese në Veri; janë bërë të pyeten për statusin politik të Kosovës. A ka diçka më dëshpëruese se sa regresi politik i vendit që nga shpallja e pavarësisë e rikonfirmimi i GJND-së? Si i katandisëm punët kaq keq e rëndë?

E vërteta është se me hyrjen në dialog politik dhe me kompromiset eventuale (prandaj dhe dialogu) ne po i ngjisim vetes një tumor, problemin e Veriut, alternativa e së cilit nuk bën assesi zgjidhje por një prolongim të problemit për një kohë. Me një Veri e dy të zot, pra neve e Serbinë, Kosova do të mbetet peng para çfarëdo zhvillimi. Me një Veri pa zgjidhje do të dërgojmë sinjale pasigurie në politikë, ekonomi e mirëqenie. Me problem të ngrirë e jo zgjidhje të përhershme edhe ecja jonë do të jetë e ngrirë. Pse ndodh kështu? Sepse me deficitet e treguara ndaj vendit, me gjithë katrahurat, hajnitë e anomalitë shoqërore që nga pas lufta, e sidomos pas shpalljes së pavarësisë, ne sot jemi thjeshtë një lojtar i dobët pokeri që me letra “7 e 2” ka hyrë “all-in”. Tani ky lojtar e ka të sigurt që do të humbasë jo vetëm dorën por gjithë lojën. Prandaj dhe ndërrimi i qëndrimit të kryeministrit vjen si pasojë e reflektimit të politikës së brendshme përballë interesave ndërkombëtare, që këtë herë, dhe këtë duhet pranuar publikisht, nuk favorizojnë palën tonë. Them kështu meqë real politika ndërkombëtare është duke prodhuar një zgjidhje mesatare për të gjithë, e me kutin tonë të lodhtë kjo mesatare na prekë shumë. Sikur të kishim kërkesa të aritkuluara mirë, qëndrime kategorike, politikë reprezentuese për së miri në vend të hajnisë, kjo mesatare do të kishte fillimin në pikat 1 e 31 dhe jo në urën e Ibrit. E ndërkombëtarët për fatin e keq të gjithë neve, nuk arritën dot të mësojnë nga gabimet e Bosnjës; ata nesër do të prodhojnë një zgjidhje të përkohshme për Veriun, sa për të rehabilituar politikat ballkanase përkohësisht.


E meqë jemi tek pokeri, unë jam “all-in” (me Ace e Jack) se as deklarimet e tanishme të kryeministrit për “mosvazhdimin e dialogut pa zbatimin e plotë të marrëveshjeve teknike” nuk do të ndodhin. Nuk ka as gjasë teorike që ato marrëveshje të implementohen tani pas sa shumë muajve vonesë e sa pak të mbetur para dialogut. Do ti hamë fjalët e dhëna pa fije brenge njëjtë sikur këtë herë e për më tepër do tu tregojmë të tjerëve se nuk kanë pse të na marrin fort serioz. Brengë megjithatë, dhe kjo megjithatë me të mëdha, më mbetet pjesa tjetër e intervistës së kryeministrit të dhënë në Tetor të 2011-ës. Nëse qëndrimi “Jo” i asaj interviste për negociata pas nëntë muajsh është bërë “Po”, atëherë çfarë eventualisht mund të ndodhë me refuzimet tjera në atë intervistë; diçka si për shembull “...Veriu do të mbetet i Kosovës”.




No comments: