Letra nga limbo
KOHA DITORE, 31 GUSHT 2012
Në këtë shkrim dhe të ardhmin do të provoj të argumentojë se pse prona
private është po aq (dhe shumë më shumë) e përbashkët se ajo publikja dhe se
pse e njëjta duhet të shihet po aq e Kosovës. Do të provoj të argumentojë se
pse duhet ndërprerë çdo tendencë privatizuese të paradigmës së tanishme të
hajnisë, faljes e monopoleve, jo për të ndërprerë vet idenë e privatizimit, por
për të rinisur një të re e të shëndoshë ekonomikisht
Ka kohë që debati ekonomik mbi procesin
e privatizimit të ndërmarrjeve publike bën qendrën e vëmendjes kosovare. Fatkeqësisht
për ne, ky debat është më tepër solo e me dy anë që flasin vet. Në njërën anë
një paradigmë e çuditshme ekonomike e sponsorizuar nga qeveria kosovare që
privatizimin e sheh si qëllim e jo si mjet për të arritur një qëllim, e në anën
tjetër kundërshtuesit e shumtë që privatizimin e shohin si një demon që hanë
disi pasurinë tonë. Thënë të drejtën në gjithë këtë mesele që ka ngatërruar gjërat
keq, me i ngatërruari e më i gjori më duket vet koncepti i privatizimit i cili vazhdon
goditet nga të dyja anët pa të drejtë. Në pak fjalë, privatizimi në Kosovë është
një religjion pa besimtarë, është thjeshtë një proces i keqkuptuar diku, e diku
i përdorur për të kamufluar hajninë. Thënë shkurtë, kosovarët as për së afërmi
nuk kanë parë e përjetuar ndonjë efekt të privatizimit me gjithë kuptimin e
tij. Çfarë ata kanë përjetuar është hajnia e çmenduria menaxhuese, prandaj dhe iritimin
e krijuar e hedhin padrejtësisht tek koncepti i privatizimit. E kam thënë
shpesh, të fajësosh konceptin e mirëfilltë të privatizimit në vend të fajësimit
të anomalisë është njëjtë si të bësh operacion me çekan e kazme, e të thuash se
operacioni është proces i keq e i dëmshëm. Jo, absolutisht jo. I keq e i
dëmshëm është operacioni me çekan e kazme, por operacioni i bërë si e do rendi
është shpëtim i Zotit.
Jam ithtarë i flaktë i pronës private. Rrjedhimisht,
kam tendencë të lehtë të pranoj investimin privat edhe në pasurinë publike; pra
transferimin e një pjese të pasurisë nga prona publike në atë private. E shoh
zgjidhjen e problemeve ekonomike jo nga paratë e shpenzuara nga qeveria por nga
paratë e krijuara, investuara e shpenzuara nga biznesi privat. Për mendimin
tim, biznesi privat dhe interesi i tij për profit janë dhe interesat e një
vendi, meqë i njëjti është motivi kryesor për të krijuar punë e vlerë, elemente
këto thelbësore për zhvillim e rindërtim ekonomik. Natyrisht se nevoja për
biznes privat nuk do të thotë mos-pasje e institucioneve publike; përkundrazi, do
të thotë ulje e intensitetit të tyre në ekonomi, por rritje në ligj,
rregullatorë e forcë.
Por, siç dhe thash në fillim,
kundërshtoj në plotni procesin e privatizimit alla-kosovarçe, meqë i njëjti është
bërë qëllim në vete. Pra për institucionet tona privatizimi nuk është një mjet
që na del si element integral i le të themi një strategjie zhvillimore, mjet i
cili do ti kontribuonte një qëllimi më madhor (zhvillimit ekonomik), por na del
si qëllim i izoluar që duhet bërë domosdo. Institucionet tona duke pasur
privatizimin si qëllim në veti, duan të transferojnë pronën pavarësisht kur, si
dhe kujt. E kur privatizon pavarësisht kur, si dhe kujt, atëherë në vend të
transferim të pronës nga publikja në private, ti ke bërë atë operacionin me
çekan e kazmë. Atëherë ti ke bërë zhvlerësimin, faljen e degradimin ekonomik.
Nëse shet pa hesapuar kohën e duhur atëherë ti del i humbur (elementi ‘kur’),
nëse shet me hajni shet dhe më lirë e jep falë (elementi ‘si’), dhe nëse i shet
tyxharëve që qëllim kanë rrjepjen tënde (elementi ‘kujt’), atëherë nuk ke bërë
pazar të mirë, ke vjedhur shtëpinë.
Kundërshtoj dhe kundërshtarët e zjarrtë
të konceptit të privatizimit, të cilët vazhdojnë të gozhdojnë transferimin e
pronës ani pse e drejtë do të ishte kundërshtimi i një procesi alla-kosovarçe
të hajnisë pa prekur idenë fillestare të privatizimit e pa hyrë lakrave me
teori “anti-liberale” (përkthyer: anti-lirisë, pra pro dirigjimit e kontrollit)
që njeriu nuk i dëgjon as në vendet më centraliste; është mirë “ti jepet
Cezarit atë çfarë i takon”. Nga ajo çfarë kam dëgjuar, motivet thelbësore
kundër privatizimit të shfaqura nga parti politike, sindikata e madje dhe
lëvizje studentore, janë se me kalimin e pronës nga diçka publike në diçka
private ne do të mbarojmë; ne thjeshtë do të humbim “të përbashkëtën tonë”. Ne
do të humbim punë, do të humbim vlerë, do të humbim pasuri, e do të mbesim në
mëshirën e mëkatarëve privat. Thënë të drejtën po u liruam nga zinxhirët
filozofikë ngufatës anti-treg kuptojmë se as edhe një gram vërtetësie në
thirrje si këto nuk ka.
Në këtë shkrim, dhe atë të ardhmin, do
të provoj të argumentojë se pse prona private është po aq (dhe shumë më shumë)
e përbashkët se ajo publikja, se pse e njëjta duhet të shihet e Kosovës. Do të
provoj të argumentojë se pse duhet ndërprerë çdo tendencë privatizuese të
paradigmës së tanishme të hajnisë e monopoleve, jo për të ndërprerë vet
privatizimin, por për të rinisur një të ri e të shëndoshë ekonomikisht. Do të
provoj të argumentojë se pse duhet privatizuar Telekomin e jo Postën e pse
duhet ndërtuar një sektor të fuqishëm të telekomit me shumë konkurrentë në vend
të një duopoli ngurtësues. Do të provoj të argumentojë se pse duhet privatizuar
gjenerimin e energjisë elektrike, por jo minierat e pse duhet ruajtur pronësinë
shumicë në monopole natyrore. Por para se të bëj një gjë të tillë, do të provoj
të argumentojë se pse prona private është e Kosovës aq sa është edhe prona
publike.
E “përbashkëta” dhe e përbashkëta
Është e pandershme dhe jo e drejtë tu
thuhet kosovarëve se me privatizim po humbka pasuria e përbashkët. Së pari meqë
supozimi “i përbashkët” i vënë në këtë kontekst është tejet i ngushtë për tu
marrë serioz, e rrjedhimisht tejet joserioz për të dhënë kuptim ekonomik. Po
supozoj se kundërshtuesit e transferimit të pronësisë, si “të përbashkët” e
shohin dobinë që shoqëria merr nga ndërmarrjet publike. Kjo dobi, në kontekstin
më të thjeshtë, është një profit i realizuar nga këto ndërmarrje për tu shpërndarë
si dividendë në buxhet të shtetit (i cili prapë supozohet të jetë i përbashkët –
e vendet tranzitore na dëshmojnë se nuk është). Pra ne kemi dobi si shoqëri nga
ndërmarrjet publike meqë ato po na epkan ca profit çdo vit; krijojnë kontribut
si një lloj takse ta themi troç. Por nëse dikush konceptin dobi të përbashkët e
ka të ngushtuar vetëm rreth derdhjes së parave në buxhet atëherë kemi problem
me kuptimin e koncepteve bazike ekonomike. Atëherë themi se filozofia e tillë
ekonomike sheh zgjidhje vetëm nëpërmjet shpenzimit të parasë nga buxheti, se
çdo para tjetër që nuk kalon nëpër buxhet, çdo vlerë e krijuar, çdo mund e
punë, qenka e humbur. Kjo në të vërtetë as që është filozofi, është ngushti e
mendësisë që s’ka se si të funksionojë.
Le ta themi më ndryshe, ta bëjmë një
xhiro me teorinë ekonomike. Arsyeja e ekzistimit të buxhetit në rend të parë
është për të bërë rishpërndarjen e të ardhurave në një vend. Pra paraja
mblidhet nga disa për tu rishpërndarë tek ta e tek të tjerët. Ne i marrim një
biznesi një euro për të blerë një gjilpërë e pe për të sëmurët. I marrim një
punëtori një euro tjetër për të blerë librat e filloristëve. Ne marrim euro nga
biznesi e punëtori për të dhënë të mira publike. Paratë e tyre, thënë shkurt, bëjnë
“të përbashkëtën” e Kosovës, buxhetin. Por ja që edhe biznesi e edhe punëtori bëjnë
shumë më shumë të përbashkëta (pa thonjëza) se sa nga një euro e “përbashkët” për
vendin. Biznesi nuk jep vetëm një euro në buxhet, por edhe nëntë të tjera tek
punëtori në formë page apo tek biznesi tjetër në formë kontrate. Pra biznesi
jep punë për punëtorin e vet dhe për punëtorët e bizneseve tjera. Këta punëtorë
janë të Kosovës. E dhënia e punës tek punëtorët e Kosovës është dobia e vërtetë
e përbashkët. Biznesi, punëtori, vlera, çmimi e kualiteti e bashkë me gjithë
ndërmjetësuesit, blerësit, furnitorët e akterët tjerë bëjnë një cikël që mbajnë
gjallë njëri tjetrin. Ata bëjnë zhvillimin ekonomik.
Në Kosovë, si në çdo vend tjetër, 90% e
parasë së buxhetit buron nga sektori privat. I njëjti pra i kontribuon të mirës
së përbashkët jo vetëm me krijimin e punës dhe vlerës (kualiteti dhe
përballueshmëria) por dhe me taksa. Prandaj e përbashkët për Kosovën e
qytetarët e saj është edhe biznesi privat. Rrjedhimisht i njëjti meriton më
shumë respekt e më shumë besim. Madje po bëmë ekzorcizmin e larguam demonët që
i kemi vënë pa të drejtë rreth biznesit privat, po kuptuam rëndësinë e tij në
gjithë funksionimin ekonomik, kuptojmë dhe pranojmë me të drejtë e më lehtë dhe
prezencën e tyre në ndërmarrjet publike. Në fund të fundit, të paktën çfarë
mund të kuptojmë është se transferi i pronës nga një ndërmarrje publike në
private nuk është humbje e pasurisë së vendit. Është thjesht kalim i detyrës
nga një punëtor tek tjetri; ne ende mbesim të zot e pasurisë.
Kam dëgjuar shpesh të thuhet se ndërmarrësi
privat nuk është i dobishëm për vendin sepse na paska për qëllim profitin;
sikur ky të ishte një mëkat i tyre. Por ja që profiti në esencë është motivi
thelbësor që shtynë dikë diku të bëjë një inovacion, të punojë, të krijojë e të
ofrojë. Për profit (në formë page) janë dhe punëtorët e ndërmarrjeve publike;
se mos po punuakan ata për motive humaniste, bamirësie e ku ta di unë? Pa
profit për biznesin dhe individin sot ne do të silleshim në shpella me një
gjeth poshtë e një shtizë në dorë. Profitin duhet parë si një derivat që
lubrifikon gjithë ekonominë. Është mu profiti motivi thelbësor i ecjes sonë.
Madje, do të ishte mëkat e trishtuese po të kishim biznese që nuk ndjekin
profitin. Atëherë unë do të brengosesha vërtetë.
Nëse pranojmë se interesi i biznesit për
profit është shtytës për punë e vlerë, e se kjo punë e vlerë bën mu qëllimin
tonë final si individë e shoqëri, atëherë ne pranojmë se biznesi privat është
po aq i të gjithëve sa edhe një ndërmarrje publike. Në fund të fundit a nuk
duhet të shihet si e shtetit gjithçka që krijon e vepron në Kosovë pavarësisht se
a është një i punësua në qeveri apo një i vetëpunësuar në fermë? Pse duhet të
jetë diçka më shumë e shtetit vetëm pse është nën menaxhimin e qeverisë (kujdes
jo shtetit, qeverisë)? Po çfarë na qenka qeveria? Çfarë janë njerëzit që bëjnë
qeverinë? Jashtëtokësorë?!
Janë të njëjtit, si unë e ti. Qeveria
nuk është superfuqi, nuk është perëndi, e gjithsesi nuk është e shenjtë e më e
shenjtë, morale e më e moralshme, e drejtë e më e drejtë se sa një biznes e një
individ. Qeveria është një emërues i përbashkët i interesave tona, por jo
domosdo më i miri dhe për këtë jo domosdo duhet të menaxhojë gjithçka. Një
qeveri e mirë është ajo që krijon mundësi të barabarta për qytetarët e saj, u
jep liri vrulleve ndërmarrëse (liberalizëm), ndërhynë kur liritë shkelin njëra
tjetrën (rregullator), e u jep motiv individëve për profit e rrjedhimisht për
ecje. Me këtë liri për të bërë e pasur, pra me liberalizëm ekonomik, ajo ndërton
të mirën e vetme të përbashkët: zhvillimin. Këtë të mirë ne duhet ta ndërtojmë
rreth ndërmarrjeve publike që kanë potencial për zhvillim. Ky potencial mund të
vijë vetëm nga investimet private dhe konkurrenca, por jo nga paratë e
taksapaguesve. Në fund të fundit qeverinë duhet ta kemi për mbrojtje, biznesin
e bën vet biznesi.
-
Javën tjetër: Domosdoshmëria për ndërprerjen e paradigmës së tanishme quasi-privatizuese
dhe nevoja për nisjen e një të reje pa hajni, pa falje e pa monopole.