Letra nga limbo
KOHA DITORE, 6 KORRIK 2012
Me përfundimin gjysmak të mbikëqyrjes, Kosova dhe mund të çlirohet një herë
e mirë nga fenomeni unmikistan si dhe nga reagimet absurde por të shpeshta të
zyrtarëve ndërkombëtar, siç ishte dhe rasti i ambasadorit të OSBE-së për
marshimin radikal serb në zemër të Kosovës. Megjithatë, ne prapë nuk do të kemi
fuqinë për të rivendosur rend në Veri e prapë do të kemi dualitet në vend të
partneritetit. Kosova megjithatë është në pritje të një pavarësie siç e do
rendi e zakoni. Bac, ende su kry!
2 Korriku i ri dhe mund të mbahet në
mend. Do të kujtojmë eventualisht përfundimin gjysmak të pavarësisë së Kosovës,
e që në vete mban dy minitregime. I pari, kosovarët do të marrin më shumë fuqi
në duart e tyre; dhe i dyti, me këtë datë kosovarët shënojnë e ilustrojnë edhe
njëherë natyrën se si i përfundojnë punët, e që në esencë është lënie në
gjysmë. Nga mënyra e plasimit të lajmit, nga mënyra e reagimit mbi lajmin, nga
përbërja e vet lajmit, kam përshtypjen se dialogu i pushtetit me të tjerët
është solo. Në njëfarë forme të njëjtit mundohen të prodhojnë atë çfarë duan të
shohin në relacion të kundërt me atë çfarë realisht është. Nuk ma do mendja se ka
njeri që beson përrallën e një përfundimi të mbikëqyrjes. Kosova do të vazhdojë
të jetë e varur meqë mbikëqyrësit i kontrollojnë një Veri të tërë, Kosova do të
vazhdojë të jetë e varur meqë nuk do mund të krijojë një ushtri pa një miratim
të mbikëqyrësve, e Kosova do të jetë e varur meqë nuk do mund asnjëherë të
marrin një vendim pa pyetur një të huaj. Lajmet se deputetët nuk do mund të
shkojnë në tualet pa pëlqimin e një ndërkombëtari (kjo nuk është barsoletë e as
thënie e popullit, por një fakt i muajve më parë) do të vazhdojnë për një kohë
të gjatë.
Kjo ndoshta dhe ka pak rëndësi. Thënë
të drejtën përderisa ne vëmë në maje të shtetit çiftët e llullanave, rrahësve
parlamentar, të çmendurve të verifikuar me letër zvicerane e të liderëve të
dënuar për shantazh e zhvatje asistenca ndërkombëtare është më se e nevojshme.
Ne ende nuk jemi pjekur mjaftë sa pwr tw mbajtur veten vet. Për më tepër, sikur
të kishim një EULEX të hajrit, që prodhon gjykime adekuate e nuk luan rolin e gëlltitësve
të taksave Evropiane, ndoshta dhe prezenca në gjygjësor do të ishte e
mirëseardhur. Nuk ma do mendja se për disa vite të mira Kosova do të arrijë të
krijoj një sistem hetues që ka guxim të futet në terren të politikës. A nuk
kishte ndalur hetimin për rrahje një deputet si në kohë të Ali Bungut?
Me përfundimin gjysmak të mbikëqyrjes
kosovarët do të kenë në dorë dhe fatin e parave të privatizimit. Lajmi i mirë është
se më në fund nuk do të ketë institucion e besa as edhe një arsye pse këto para
të mbahen të bllokuara e nën mëshirën e inflacionit. Lajmi i keq është se të
njëjtat do të jenë në dispozicion të po të njëjtës qeveri që paguan kontrata me
çmim tre fish më të lartë, e që shet asete dhjetëfish më lirë. E në mungesë të
dëshirës për koncenzus në shfrytëzimin e këtyre parave, ato do të përdoren për
mbulimin e deficitit buxhetor, e që në esencë krijohet edhe nga gëlltitjet e
zyrtarëve publik, si rasti i atij këshilltari të një ministrie që kishte
shpenzuar nga një rezervuar nafte në ditë.
Me përfundimin gjysmak të mbikëqyrjes
Kosova dhe mund të çlirohet një herë e mirë nga fenomeni unmikistan, si dhe nga
reagimet absurde por të shpeshta të zyrtarëve ndërkombëtar në vend. Në të njëjtën
frymë këtë javë ishte edhe deklarata e shefit të OSBE-së, ambasadorit Werner
Almhofer, i cili për habinë time më të madhe po dënonte “forcën e tepruar të
policisë” dhe “sjellën e keqe” të tyre përballë, besoni ose jo, një grup
radikalësh provokues që bartnin fotografitë e Millosheviq e brohorisnin “duam
armë të vrasim shqiptarë”. Fillimisht ishte ironike se si 15 vjet pasi OSBE i
dha Kosovës një ambasador si William Walker, i cili botëroi e zhveshi
gjenocidin e fundit Evropian, sot i japin vendit tim një tjetër që mbron përkrahësit
ultra-nacionalistë të po të njëjtit gjenocid si dhe një grup tifozësh që kishin
thyer e sulmuar pikën tonë kufitare; një gjest agresioni tipik ndaj shtetit të
Kosovës. Rreth 30 policët e lënduar dhe të tjerët që i kishin shpëtuar këtij
agresioni nuk kishin bërë as më shumë e as më pak se sa mbrojtje të
integritetit, prandaj në mbrojtje të këtij integriteti nuk ka fort diskutim. Në
fakt, është e habitshme dhe e turpshme se si ambasadori e konsideron dhunë
mbrojtjen e pikave kufitare. Nuk ma do mendja se kolegët e tij diplomat në
vendlindje do të ndjenin komfort sikur banda e rrugaçë ti silleshin nëpër
kufijtë shtetërorë si në bahçe të babës. Madje, herën e fundit që mbaj mend
kalimin nëpër vendin e tij, na duhej pritje disa javore për të marrë fillimisht
leje kalimi; i thoni vizë.
Sikur ambasadori të kishte pak interes
për natyrën e vizitorëve në Gazimestan, jam i bindur se do ti thirrte mendjes
për të bërë mu të kundërtën, reagimin për moslejimin e mbajtjes së një
parakalimi kaq radikal e kaq të tmerrshëm, kaq të dhimbshëm e kaq jonjerëzor
për mijëra familje të viktimave kosovare e më gjerë. Nuk ma do mendja që ka
vend që lejon një provokim të tillë, madje as ai i ambasadorit, Austria. Për
hir të thjeshtësisë e argumentimit më lejoni të ju kthej prapa në vendlindjen e
ambasadorit të OSBE-së, më 8 Maj 2002, kur në Vjene – tek Sheshi i Heronjëve
(Heldenplatz) paralajmërohej një
parakalim nazistësh në nder të 57 vjetorit të vdekjes së liderit të tyre Adolf
Hitler. Majori i kryeqytetit austriak asokohe, Michael Haeupl, kishte deklaruar
me plot ngulm se “do të ishte skandaloz, i turpshëm e i padurueshëm lejimi i
një parakalimi të tillë”. Kancelari i qeverisë asokohe, Wolfgang Schuessel, në
përkrahje të majorit kishte dedikuar plot 2000 policë për të parandaluar këtë
tubim. Ishte forca policore austriake që kishte kthyer prapa neo-nacistët
austriak asokohe; e ambasadori e di mirë se ky kthim nuk ishte bërë asnjëherë
me zhveshje të rrobave siç dhe ishte “përorimi i tepruar i forcës” kosovare,
por me forcë të mirëfilltë policore të cilën e përshëndetën e gjithë bota
demokratike. Ambasadori po ashtu e di mirë se fqinji i tij Gjermania, sot e
kësaj dite e ka të ndaluar parakalimin e grupeve provokuese e naziste. Për më
tepër, ambasadori duhet të dijë mirë se ndalim tubimet e grupeve radikale e
provokuese u bënë edhe në Angli në vitin 2004, edhe në Republikën Çeke në vitin
2008, edhe në Skoci në vitin 2009, e në gjithë Evropën. Madje vetëm këtë javë
qeveria e Letonisë ndaloj me dekret shtetëror çfarëdo parakalimi me përmbajtje
provokative nacionale me arsyetimin se i njëjti paraqet “rrezik për sigurinë
publike” dhe se “në rast të mbajtjes eventuale të takimit do të përdoret forcë
e pakursyer”.
Nëse për zotin ambasador thirrjet për
armë, për Milosheviq, Karaxhiq e Mladiq nuk bëjnë provokim, atëherë dhe mund të
kuptoj reagimin e tij për “sjellje të keqe policore” dhe “forcë të tepruar”.
Kështu së paku ai vihet në një vijë me Ivica Daciq, dikur bashkëpunëtor i të
shpallurit fajtor për gjenocid në Ballkan, sot kryeministër në bërje i Serbisë,
në një vijë me Oliver Ivanoviq, një ish bandit i rrugëve e plaçkitës ordiner në
Veri, tani zyrtar në qeverinë serbe. Në fakt ishte vetëm zoti ambasador, Daciq,
Ivanoviq e ‘Delijet” e Beogradit që dënuan sjelljen e policisë sonë. A nuk e
bën kjo atë krenarë? A nuk e bën krenarë mbështetja e thyerjes së kufirit nga
grupe rrugaçësh e mafiozësh dhe mbështetja e përkrahësve të kriminelëve më të
fundit evropianë?
Pavarësisht kësaj, reagimi në fjalë
dorën në zemër, ka pak rëndësi. Ai dhe mund të injorohet, siç dhe u injorua
bukur nga Ministri Rexhepi që i tregoi ambasadorit në fjalë vendin e tij.
Reagimi në fund të fundit vetëm se zgjon një ndjenjë neverie për mbështetje për
anti-humanizëm, e një ndjenjë keqardhje për familjet e të zhdukurve, të vrarëve
e të dhunuarve të cilët në pakuptimësinë më të madhe, ende pa rehatuar trupat e
të afërmve e dhimbjet e luftës, duhet të durojnë edhe një herë kacabu
nacionalistësh serb që ju valëvisin para hundëve kujtimet e errëta. Këtë durim
duhet ta bëjnë në zemër të vendit të tyre. Thënë këtë problemi kthehet prapë në
thelb, se sa ka e sa do të ketë Kosova fuqi pas përfundimit të mbikëqyrjes të vë
rendin në kufijtë e vet e brenda tyre pa pasur nevojë për ndërhyrje ndërkombëtare.
A do të sillemi si zot të shtëpisë pas Shtatorit?
Unë shpreh dyshimin tim. Ndryshimi në
fjalë është vetëm një ndërrim kozmetik i ecjes së Kosovës, por që në esencës
përpos natyrës deklarative nuk do të ketë edhe ndonjë efekt real në politikën tonë.
Përveç se do të shuajmë një ICO e një Pieter Faith, që thënë të drejtën në të
shumtën e kohës dhe ishin “të shuar” e pasiv, ne prapë nuk do të kemi fuqinë
për të rivendosur rend në Veri e prapë do të kemi dualitet me institucione
ndërkombëtare që kanë marrë zemër më shumë se që ju takon. Kosova megjithatë është
në pritje të një pavarësie siç e do rendi e zakoni. Bac, ende su kry!
No comments:
Post a Comment