Letra nga limbo
KOHA DITORE, 20 KORRIK 2012
Përtej rikonstatimit se rritja ekonomike këtë vit do të jetë vetëm 3.8%,
pra dy herë e gjysmë më pak se objektivi ynë, letra e fundit e FMN-së
paralajmëron edhe kërkesat para nisjes së rrugës së Shkupit. Ndonëse kërkesat
nuk duken të rënda për këtë stil qeverisje, e rëndë më duket ideja se ne edhe për
tre e katër vite të tjera do të bazojmë gjithë zhvillimin ekonomik në asfalt
dhe asgjë tjetër
Nganjëherë kam përshtypjen se mbajtja e
ritmit të shkrimeve me anomalitë kosovare është e pamundur. Është sa
interesante aq edhe fatkeqe që Kosova mbijeton duke kaluar nga një krizë në
tjetrën duke bërë parapraken të duket çuditërisht të butë. Ritmi i përcjelljes
mu humb kur u dha lajmi i hyrjes në fuqi të rritjes së tatimit mbi të ardhurat
personale për të gjitha bizneset nën qarkullim 50 mijë eurosh në veprimtaritë
shërbyese, profesionale, të zanatit dhe të argëtimit. Norma tatimore rritej nga
5% sa ishte deri më tani në 9%, pra një rritje për plot 80%. Lajmi ishte i tmerrshëm
për tri arsye thelbësore. Së pari, rritja kishte kaluar pa shumë zhurmë e pa
shumë diskutim në mes të palëve; një lloj imponimi pa shumë brengë. Së dyti,
reagimet e akterëve politik, shoqëror e madje të vet-goditurve ishin
inekzistent; sikur nuk i bëhej vonë askujt. Dhe së treti, rritja e çfarëdolloj
norme tatimore në kohë krize është mbytje e ambientit tani më të mbytur
biznesor në vend.
Jo se më habitë thënë të drejtën një
hap i tillë. Fillimisht kur kundërshtonim këtë stil të shpenzimit buxhetor në
mendje kishim situata si këto kur duhet bërë shkurtime e duhet rritë tatime.
Tani, dy vite më vonë ne veçse jemi në pasojat e paralajmëruara. Për më tepër,
rritja e tatimeve për këto biznese nuk është e vetmja. Kaluar në plot heshtje
por tanimë konfirmuar nga letra e fundit e FMN-së, rritja e tantiemës (taksës) në
thëngjill ishte po aq e klandistuar e kamufluar sa edhe rritja e tatimit në
fjalë. Duke ju referuar letrës së 17 Korrikut të Fondit, e i habitur se si
lajmet për Kosovën bëhen publike më parë në një letër ndërkombëtare para
opinionit kosovar, rritja e taksës në thëngjill i kishte siguruar buxhetit të
shtetit plot 26 milionë euro për vitin 2012. Një rritje si kjo, bazuar në konstatimin
e Fondit, ishte bërë me qëllim të stabilitetit të buxhetit, pas tharjes së
bilancit bankar në dy vitet e fundit (kryesisht nga shpenzimet e ngjeshura në
autostradë e paga publike) e që për rrjedhojë kishte sjellur dhe masa
restriktive të FMN-së. Masat në fjalë njihen si kritere të perfomancës. Pra, për
ti mbijetuar kolapsit financiar, buxheti i Kosovës ishte dashur ti shkurtonte
plot 70 milionë euro vitin e kaluar, e këtë vit të merrte masa preventive
(krahas shkurtimeve kapitale) edhe në rritjen e taksave. Rritja e parë kishte
filluar me akcizën në duhan, kishte vazhduar me tatimin në pronë, më pas me
rritjen e tantiemës në thëngjill, e kishte përfunduar me tatimin në të ardhura
personale për bizneset e përshkruara më lartë.
Ata që kanë dije bazike ekonomike tashmë
e kanë kuptuar rrjedhën dhe pasojat e kësaj logjike. Kosova e shtyrë nga
hipershpenzimet ishte obliguar të disbalancojë investimet kapitale jo-autostradë,
duke lënë zhvillimin rajonal në prapavijë dhe për më tepër ishte detyruar të
rrisë një sërë tatimesh. Rritja e tatimeve do të thotë marrje më e madhe e
parave nga qytetarët. Për shembull, rritja e taksës në thëngjill që do të
siguronte këto 26 milionë euro për buxhet kishte shkaktuar rritjen e energjisë
elektrike për 9%. Në të njëjtën frymë, rritja e të gjitha taksave do të
shkaktojë rritje të çmimeve finale. E rritja e këtyre çmimeve finale do të thotë
jetë më të shtrenjtë për kosovarët. Në fund të gjithë ciklit ne kemi një situatë
ku qeveria jep me një dorë e merr me tjetrën. Pra rritë pagat me një anë për
disa shërbyes publik, e ju merr të njëjtat në anën tjetër me tatime. Veçse në
gjithë këtë marrje humbësit e vetëm janë ata që nuk kanë pasur rritje të të
ardhurave. E në një situatë të tillë cikli domino vazhdon edhe me inflacion, me
ngurtësim të ambientit biznesor, me më pak vlerë e me më pak vende të reja
pune; i thonë “ekonomi bazike”.
Letra e fundit e Fondit ishte
interesante dhe për faktin se jepte një përgjigje për nisjen e rrugës së re për
Shkup. Sipas FMN-së, nisja e rrugës 6, siç edhe njihet zyrtarisht, mund të bëhet
vetëm po u plotësuan disa kushte. Së pari, Fondi nuk do të lejojë që Kosova të
ndërtojë dy superautostrada në të njëjtën kohë. Pa përfundimin e autostradës për
Morinë, kjo për Shkup nuk do të fillojë. Së dyti, Fondi nuk do të lejojë nisjen
e rrugës 6 pa shitjen e PTK-së dhe inkasimin e 300 milionë eurove. Së treti,
Fondi nuk do të lejojë investime në autostradë pa një proces transparent
tenderues. Kërkesat e dhëna kam përshtypjen se në njëfarë forme edhe parapërcaktojnë
rrjedhën e investimeve kapitale në vend. Kjo sepse sipas të gjitha gjasave në
nguti për të shfrytëzuar mandatin e vet qeverisës, kryeministri do të insistojë
fillimin sa më të shpejtë të autostradës për Shkup, me qëllim të përfundimit të
saj në fund të mandatit të tij kur edhe mbahen zgjedhjet. Një, sepse prerja e
shiritit do ti sjellë vota atëherë dhe dy, sepse me një kontratë të mbyllur sërish,
ku çmimet nuk dihen, përfitimet personale janë thjeshtë të zakonshme. Për të
marrë pëlqimin e FMN-së, meqë këtë herë nuk besoj se ka tagër të mashtrojë të
njëjtit sërish, ai mund të ndërpresë autostradën të nisur si Morinë-Merdarë në
Prishtinë. Nga aty do të nisë të renë për në Shkup. Në fund, ne do të
shpenzojmë rreth 700 milionë për autostradën Morinë-Prishtinë dhe po aq në atë
Shkup-Prishtinë.
Nisja e autostradës për Shkup, në
kuptimin ekonomik është shumë më e arsyeshme se ajo për Morinë. Problemi është
se aryseshmëria humbë kur kuptojmë çmimet tri herë më të larta se normalet. Një
element tjetër humbës në nisjen e autostradës së re është edhe arsyetimi për
fuqizim marrëdhëniesh ekonomike me Shqipëri, ani pse me masat bllokuese të
ministres Lila veçse i kemi humbur tani. Në fund të fundit autostrada për Shkup
në terma tregtarë do të zhvlerësojë tërësisht atë kombëtare. Jo se është pritur
ndryshe dhe jo se duhet bërë ndryshe; vetëm për të rikonfirmuar se arsyetimet
ekonomike për Rrugën e Kombit nuk kanë pasur vend asnjëherë.
Përveç gjithë kësaj, arsyeshmëria e
kultit të rrugëve humb kur kuptojmë se ne do të përsërisim gabimet e njëjta të
rrugës patriotike dhe se nuk arrimë të mësojmë dot nga gafat e bëra. Ne nuk
mësuam dot nga Rruga e Kombit se investimi i koncentruar në tri vite (në vend të
pesë apo gjashtë) ka një kosto enorme oportune, si lënia mangut e çdo sektori
tjetër të jetës. Ne nuk mësuam dot se ndërtimi i autostradave nga buxheti i
shtetit është praktikë e paparë në Evropë. Në vend të kësaj me një sjellje pak
më kreative ne do të angazhoheshim për anëtarësim në EBRD e me këtë marrjen e
kredive të buta dhjetravjeçare, të cilat do të jepnin edhe arsyeshmëri
ekonomike po edhe alternativa të shfrytëzimit të buxhetit. Në vend të
shpenzimit të milionave vetëm në rrugë, ne do të zgjidhnim edhe rrugën edhe
shëndetësinë e arsimin e bizneset e zhvillimin rajonal. Me një qasje të tillë
shumëdimensionale ne do të prodhonim dhe numra më të mirë ekonomik gjithsesi.
Në fund të fundit, ne nuk mësuam dot nga katër vjet e shkuara se politikat e
asfaltit dhe asgjë tjetër nuk po na sjellin dot punë e mirëqenie. E tëra çfarë
ato sjellin është një cikël të pakuptimtë ekonomik të rritjes së tatimeve,
ngarkesave e shtrenjtimit të jetës.
E për fund fare, nëse për autostradën e
parë qeveria ka pasur ndonjë hezitim eventual, për këtë tjetrën ka duart e lira
e dyert e hapura. Së pari, me një Parlament inekzistent, pothuajse të shuar e
pa ndonjë fuqi influencuese, vendimet e qeverisë do të bëhen sipas qejfeve të
individëve e jo diskutimeve të brendshme e demokracisë direkte. Së dyti, dhe më
e rëndësishmja, e që në të njëjtën kohë nuk merr vëmendje sa duhet mu tani kur
po vendoset, është faktit se pas përmbylljes së pavarësisë në shtator
kompetencat mbi paratë e privatizimit (mbi 600 milionë) i kalojnë kryeministrit.
Me një çek 600 milionësh fuqia e tij është e pafund. E këtu kosovarët në vend
të heshtjes do të duhej te kishin një problem parimor. Është e pakuptimtë se si
pasuria e gjeneratave të tëra, e transformuar në para kesh, të lihet në mëshirë
të një qeverie; nuk ka ndodhur në asnjë shtet. Për këto mjete së paku do të
duhej një koncenzus parlamentar i dy të tretave dhe një strategji e qartë
investuese. Gjithsesi është lajm shumë i mirë ideja se më në fund paratë e
bllokuara nëpër vite e në mëshirë të inflacionit do ti kthehen Kosovës; sado që
e frikshme bëhet parafytyrimi i fshirjes së tyre siç po e fshijmë paranë
publike në sa e sa vite.
No comments:
Post a Comment