Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 KORRIK 2012
Vendi i imponimit presidencial, hipokrizisë ministrore e agresionit ndaj mendimit ndryshe
Njëqind vjet nga sot, kur asnjëri nga ne nuk do të jetë më,
do të glorifikojnë e madhërojnë të njëjtit që sot na bëjnë hipokrizinë. Ata do
të shihen si themeluesit e vendit, baballarët e nënat e shtetit, shembujt e
vlerave të demokracisë e lidershipit, vizionarë e largpamës të pakompromis. Do të
thirren kështu pa kuptuar mirë se themeluesit e njëjtë që mundi apo edhe rasti
i vuri në ballë të përpjekjes kosovare, në ditët tona janë asgjë më pak e asgjë
më shumë se individë me moral politik zero. Dikush edhe mund të argumentojë se
në politikë morali vend nuk ka, se e njëjta bën mu esencën e të paqëndrueshmes,
të paparës e të pakuptueshmes, por ja që makrodallimi mes liderit, emri i të
cilit ekon nëpër vite, dhe një oportunisti që harrohet dy ditë pas pushtetit,
është mu në moralin politik, e do të mbetet gjithnjë. Dhe kjo javë që lamë pas
bën shembullin më tipik të hipokrizisë politike në vend, ku shtyhet me zor,
fyhet bollshëm e kamuflohet udhëheqja, inteligjenca e kosovarëve dhe e drejta.
Kjo javë tregoj edhe për mjerueshmërinë e vendit, kur fjala e mendimi i lirë
sulmohet e kur hipokrizia promovohet.
***
Top listës së jonormalitetit politik i prinë pa dyshim paria
e vendit, Presidentja e shtetit e cila pa fije marre mban postin që nuk i
takon. Imponimi i saj, besoj unë, është edhe diferenca mes Presidentes sonë dhe
një lideri të mirëfilltë që nuk e kemi sot. Ky është dallimi mes një vizionari
shtetndërtues e një fituesi lotarie. Jo se pritet ndryshe thënë të drejtën. Me
gjithë simpatinë për një grua që duket bukur e urtë, që flet në fund të fundit
gjuhë të huaj (kjo bën luks me standardin e politikanëve në vend), e që ani pse
ngadalë dhe mësohet të bëj politikën (përjashto emocionet gjatë leximit), nuk
kam se si të mos shpreh mospajtueshmëri me principet e vlerat e mirëfillta, ato
të cilat një lider i lindur nuk do ti shkelte asnjëherë. Mospajtueshmëria ime
buron nga ideja e imponimit të udhëheqësit në një shtet Evropian. Problemi
është se unë kam vështirësi si qytetar evropian të pranoj një udhëheqës për të
cilën nuk di se çfarë mendon për shtet, komb, familje, taksa, orientim seksual,
orientim politik, vlera, film, sport e fe; kjo më tmerron. Unë thjeshtë kam
problem të pranoj një lider që nuk ka treguar veten para qytetarëve prandaj dhe
nuk ka përkrahjen e tyre. Më tmerron fotografia e një Kosove ku një gjë e tillë
bëhet e mundur. Më tmerron ideja se ne kemi arritur në këtë gjendje. Nuk mund
ta kemi këtë.
Në këtë pikë, nuk kam se si të mos citoj pak rreshta të
supertalentit kinematografik, Matt Damon, një ndër aktorët më të preferuar të
mi, i cili në një paraqitje kishte shprehur opinionin e tij për kandidimin e
Sarah Palin për nënkryetare të SHBA-ve: “Mendoj se ka një gjasë shumë të mirë
që Sarah Palin, mund të bëhet Presidente... ah...e mendoj se kjo është një gjë
e frikshme. E frikshme meqë unë nuk di asgjë për të. Thënë të drejtën, mendoj
se zgjedhja e saj është bërë për qëllime politike, por në terma të qeverisjes
është një katastrofë. Ideja se kemi mbërritur kaq larg dhe kaq afër që ta bëjmë
realitet është çmenduri. Më duhet të kuptojë se a e din Sarah Palin që
dinozaurët kanë qenë këtu 4000 vjet më parë? Kjo është e rëndësishme, meqë dua
të di këtë. Me të vërtetë dua ta di. Ajo do ti ketë kodet nukleare nesër.”
Presidentja e vendit këtë javë deklaroj se ajo obligohet të
ndjekë vendimin e Kushtetueses, thuajse tanimë asaj ju ka dhënë një
obligim për vet ekzistencën e shtetit e që mospërmbushja e tij do të vinte
vendin në kolaps. Së pari, derisa në njërën anë ajo mundohet të tregojë
shembullin e liderit, në anën tjetër thyen një fjalë publike e premtim publik
të dhënë në ditën e parë të saj të punës si Presidente, kur edhe u bë publik
identiteti i saj para kosovarëve (paramendoni në çfarë derexhe jemi ardhur!).
Së dyti, mendoj se Kosova është ngopur me hipokrizi të tilla. Presidentja në fund
të fundit e di mirë natyrën e ardhjes së saj në krye të vendit dhe e di shumë
mirë rolin e dhënë për të. Ajo nuk ka qenë asnjëherë simbol unifikues meqë nuk
ka tagër për atë punë. Ajo ka qenë një anonim me një mik të fuqishëm e një
shtet ku gjithçka është e mundur. Ajo ka qenë thjeshtë një urë për të kaluar
një krizë; urë që tash bëhet mur për zgjidhjen e krizës. E thënë të drejtën
bërja e urës prej një anonimi ka qenë mundësia e vetme e kohës meqë nuk ma do
mendja se ka një personalitet me pak integritet që do të pranonte të mbathte
këpucët që nuk i bëjnë dot. Në fjalë të Kadaresë, sot Presidentja është
Gjeneral i Institucioneve të Vdekura. Ajo është Presidente që nuk e do kush,
përveç fatit një në një milionë. Në një situatë të tillë, akti i vetëm moral do
të ishte dorëheqja dhe dhënia e mundësisë për demokraci e votë të lirë. Me një
vendim të tillë ajo do të respektonte dhe Kushtetuesen dhe marrëveshjen e
pakuptimtë politike që e solli aty. Në të dyja rastet ajo do ti jepte fund
gjithë kësaj aventure patetike e imponuese që nuk i ka hije një vendi evropian.
Në të kundërtën, me qëndrimin e saj deri në 2016, Presidentja godet palët që e
sollën aty, por i shërben në mënyrë absolute qeverisë aktuale, e ardhur me vota
të vjedhura (prandaj dhe kriza, prandaj dhe lotaria, prandaj dhe Presidentja).
Për konsekuencat dhe skenariot eventual të qëndrimit të saj mikja ime Flaka
elaboroj qartë në kolumnen e saj të shkuar.
Pavarësisht kësaj, duke parë përafërsisht pasivitetin e
brendshëm të saj dhe dëshirën e flaktë për të ngrohur kolltukun që nuk i takon,
shpreh bindjen se Presidentja do të qëndroj aty deri në fund të mandatit duke u
bërë e shurdhër ndaj opozitës dhe duke luajtur rolin e Presidentes së Qeverisë
para asaj të qytetarëve. Për këtë ajo duhet të falënderojë pamaturinë e një
pjese të opozitës, e cila kishte pranuar në rast të parë lënien e shtetit në
duar të një anonimi dhe në fund kishte bërë marrëveshje me të njëjtit që nuk
mbajnë fjalën. Madje thënë të drejtën, në esencë fajtori kryesorë për gjithë
anomalitë kosovare nuk gjendet tek një qeveri anomalike, por tek një opozitë që
toleron gjithë këto anomali. E meqenëse janë të tillë, ja pafshin hairin
ftohtit opozitar edhe për disa vjet. Ndoshta deri në 2016 mbledhin mend.
Opozitës nënshkruese i mbetet vetëm shtimi i presionit nëpërmjet bojkotimi të
tërësishëm të institucioneve. Në fund të fundit çfarë është arsyeja e marrjes
pjesë në institucione kur i madh e i vogël i mashtrojnë? Kaq për Presidenten e
imponuar.
***
Listës hipokrite i shtohet edhe arsyetimi i ofruar nga
Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për masat bllokuese të çimentos ndaj
Shqipërisë. Në fillim u tha se po mbrohen produktet vendore, më pas u tha se po
tentohet të zvogëlohet deficiti tregtar; e Zoti e di se ku do të përfundojnë me
arsyetime. Po mendoj, kur arsyeja nuk bënë zgjidhjen, futja kot – jep arsye
çfarëdo. Tashti të gjithë njëzëri rreth ministres thirrin se na paskan bazë
ligjore. Por pasja e bazës ligjore nuk do të thotë se është vendimi i drejtë e
i duhur. Bazë ligjore ka qeveria edhe po deshi të mbyll një biznes të tërë, por
kjo nuk e bën atë të duhur. Bazë ligjore ka edhe nëse qeveria nesër vendos të
na vë taksa 100%, por as kjo nuk e bën vendimin e duhur. Arsyetimet e MTI-së
janë thjeshtë hipokrite. Është një vendim tërësisht i pakuptimtë, ironik, i
dëmshëm dhe jashtëzakonisht i turpshëm për Kosovën. Së pari, është i pakuptimtë
meqë nuk arrijë të kuptojë standardet e dyfishta kur thuhet se ne po mbrojmë
produktet vendore në këtë rast. Mbi 60% e importeve të Kosovës vijnë nga Serbia
e Maqedonia; Shqipëria është një akter minor në këtë drejtim, prandaj po u
kërkua mbrojtja e produkteve vendore e njëjta duhet bërë në relacion me shtetet
që kanë prezencë signifikante në vend dhe për më tepër shkelin rregullat e
CEFT-as në vazhdimësi. Për më tepër ka një sërë produktesh tjera në bujqësi që
kanë nevojë për mbrojtje shumë herë më tepër se sa sektori i çimentos. Së dyti,
është ironike se kur kërkohej reciprociteti me Serbinë, Ministrja Kusari-Lila
na jepte arsye nga më kreative për mos-reciprocitet, duke përfunduar shpeshherë
edhe në deklarime iluzioniste se ne tashmë kemi reciprocitet me Serbinë. Është
poashtu ironike se Sharcem pas masës favorizuese dënohet për evazion fiskal në
tendencë për të mashtruar shtetin e Kosovës ndërkaq Qeveria jonë vazhdon të
favorizojë një evazionistë të dënuar. Së treti, vendimi është i dëmshëm meqë
krijon monopol dhe largon nga tregu mbi 200 firma tjera tregtare e me mijëra të
punësuar në këtë sektor. E vetëm këtë javë monopoli i krijuar nga Kusari-Lila
tashmë ka rritur cmimet për 10 euro më shumë në një ton çimento. Dhe së
katërti, është i turpshëm meqë bëhet ndaj një shteti mik. Për më tepër nuk
kuptoj logjikën e ndërtimit të autostradave miliardëshe në njërën anën, nën
arsyetimin e rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy shteteve, e në anën
tjetër vendosjen e masave bllokuese. Është një politikë thjeshtë e pakuptimtë.
Tmerri më i madh nga gjithë kjo aventurë buron edhe nga
kërcënimet e bëra të ministres Kusari-Lila ndaj Kryetarit të Odës Ekonomike të
Kosovës, Gërxhaliu, i cili nuk kishte bërë as më shumë e as më pak se sa
transmetimin e kërkesës së bizneseve në këtë sektor për të ndërprerë masat në
fjalë. Në një letër që dukej e koordinuar mirë me atë nga ministri Beqaj,
qeveria me dikasteret e saj i bëjnë me dije gjithkujt se kush nuk pajtohet me
të gjithëdijshmit tanë, mbretërit e trashëgimtarët e padiskutueshëm të fatit të
Kosovës, i pret ndërprerja e bashkëpunimit. Çfarë shantazhi është ky? Vetëm pse
dikush nuk pajtohet me ty e kërcënon me ndërprerje të përkrahjes? Ministrat në
fjalë, që kanë katranosur për së keqi ekonominë e Kosovës, duhet të kuptojnë
mirë se bashkëpunimi institucional nuk është trashëgimi e qejfeve të tyre, por
obligim institucional. Për më tepër shantazhet e tilla ndaj bizneseve tregojnë
më së miri vallëzimin solo të Qeverisë e cila nuk mërzitet, ama bash hiç, se
çfarë mendojnë të tjerët. O je me ta o kundër tyre. Sulmi ndaj Odës Ekonomike
është epsh i zaptimit të këtij institucioni nga kjo klasë qeverisëse, zaptim të
cilin nuk mund ta bëjnë asnjëherë me Gërxhaliun aty. Tmerr e dhimbsuni për dy
ministrat që vijnë nga bota e biznesit dhe shoqëria civile, e të cilët si duket
kanë blerë shpejtë rrobat e komfortit të pushtetit duke harruar prejudikimet e
tyre të bëra disa muaj më parë.; shembuj tipik të amoralitetit politik.
Hipokrizi e paparë ishte edhe kthimi i Ministrit të
Drejtësisë, e zëvendëskryeministrit Kuqi. Dorëheqja e tij në fillim, për herë
të parë nëpër vite më dha një fije shprese se ka njerëz në këtë vend madje edhe
brenda kësaj klase politike që mendojnë më drejtë; prandaj dhe rezervova veten
nga komentet nëpër javë. Ashtu siç na del tani, kemi një ministër që fut nenet
diktatoriale në Ligj, i procedon në Kuvend, i aprovohen atje ashtu siç i kishte
urdhëruar vet, jep dorëheqje në kërkim të zhbërjes së asaj që ka bërë vet,
zhbëhen nenet, kthehet aty ku ka qenë prapë. Outputi final i kësaj politike
është kthim në pikën zero, veçse gjatë gjithë rrugës bën një mbledhje goxha të
mirë të simpatisë; për të cilën kjo qeveri them se ka nevojë shumë. Problemi
është, megjithatë, se një sjellje e tillë politike është amorale dhe
jokorrekte. Është një goditje e ultë prej boksieri.
Dhe për fund fare, hetimi i i fundit i një
zëvendëskryeministri dhe një zëvendësministri nuk japin asnjë risi, përveç se
vazhdimit të avazit të vjetër të një politike prapë hipokrite e amorale, ku
politikanët arrestohen në vazhdimësi e askush nuk jep përgjegjësi për caktimin
e tyre në rend të parë; nëse asgjë tjetër ndoshta të paktën një kërkimfalje do
bënte punë. Te ne jo vetëm se nuk bëhet kërkimfalja, por me të dënuarit
festohet e hidhen fishekzjarrë (si rasti i Kaçanikut), sa për të treguar kështu
fuqinë e pushtetit edhe kur drejtësia flet.
No comments:
Post a Comment