Letra nga limbo
KOHA DITORE, 27 KORRIK 2012
Një vështrim amator mbi defektin e rinimit politik nga
prezenca e politikanëve në bërje kullerë, oportunistë e imitues pa gjasë
Na është thënë shpesh se shpresa e një rimëkëmbje shoqërore në vend do të
burojë vetëm nga lindja e gjeneratave të reja politike të cilat nëse asgjë
tjetër do të sjellin një frymë moderne në politikëbërje. Në këto pak vite
eksperiencë si shtet që kemi por shumë si shoqëri, skam se si të gjej një copë
shpresë në rrjedhën e neo-politizmit kosovarë. Të rinjtë e politikës
pavarësisht historikut akademik, kulturor e familjar, bëhen të njëjtë me
seniorët destruktiv. Pra në vend të reformimit ata bëjnë zëvendësimin. Madje
tragjedia e ecjes së tyre buron mu në idenë e nevojës për të imituar këta
seniorë. Në një moment imitimi i tyre bëhet aq i përsosur sa që njeriu nuk
dallon kush është kush. Më pas po të njëjtit bëhen thithës të të rinjve tjerë
që për model kanë neo-politikanët e transferuar në seniorë.
E vërteta e hidhur është se pa një demokraci partiake, pa një pastrim
partiak të vlerave, pa një grumbullim të njerëzve që besojnë në udhëtim e jo në
dostni, rimëkëmbja politike e Kosovës do të jetë e pamundur. E pamundësia e
rimëkëmbjes derivon mu nga brumi i politikanëve të rinj që ushqejnë qëndrimin e
traditës anomalike në vend të kreativitetit, korrektësisë e politikës
vizionare. Jo për të bërë ndonjë psiko-analizë amatoreske, por thjeshtë nga një
observim personal, kam përshtypjen se brumi i politikanëve të rinj sot ushqehet
nga tri grupeve neo-politikanësh: atij “cool”, “oportunist” dhe grupit “pa
gjasë”.
Neo-politikanët “cool”
Flasin bukur e shkruajnë bindshëm. Madje flasin edhe ndonjë gjuhë të huaj e
që vënë në peshore me kamikazët tjerë partiak bën një hop të madh; në fund të
fundit ata mund ti kuptojnë urdhrat nga të huajt për shkuarje apo jo në tualet.
I quajnë “politikanë kullera” jo sepse janë të tillë (përkundrazi nuk kanë
lidhje me të qenit “cool”; janë tërësisht “anit-cool”), por se në sytë e
kushërinjve, miqve, akrabave e dostave të udhëheqësve partiak ata kanë
frekuentuar kafenetë e shehrit vite më herët se ta; të paktën këta dinë në
cilën dorë të mbajnë thikën e pirunin. Meqë nuk janë azgën me gjoks, për shkak
të ligësisë në sy e mungesës së mrrolave në ballë, ata bëjnë një rend më të
holluar se sa kolegët e tyre partiak para ndërkombëtarëve. Kjo i bën më të
dalluar në shkallën e servilitetit e rrjedhimisht më të veçuar në haremin e përbashkët
të kryepolitikanëve e ndërkombëtarëve turistë. Të tjerët nga haremi, ani pse
kanë gjoks e mrrola, ndjejnë një dozë inferioriteti sa herë që përpjekën me ta.
Kanë një histori të lezetshme të karrierës. Disa të shkolluar jashtë
vendit, të tjerë trashëgimtarë nga shoqëria civile e media, të tjerë
badihavëxhi dinak, kanë parë e mësuar prej filmave, muzikës, historisë e
kulturës urbane nja dy a tri tregime për politikën e jetën politike. Si
“Michael Douglas - wannabes” pushteti u duket i këndshëm e fuqishëm. Seç ka
diçka magjepse e tërheqëse në të, seç ka diçka magjike që ngjall një shkëndijë
narcisoizmi sa herë vënë veten para pasqyrës. Seç ju kthen burrërinë disi një
fuqi e tillë, për tua marrë prapë sa herë që pjekën me ata lartë. Pavarësisht
kësaj, politika u jep atë shkëlqimin e ecjes së tyre, respektin që se kishin
kurrë më parë (as në shtëpi), vëmendjen e të tjerëve e mundësinë për tu çlodhë.
Puna jashtë politikës megjithatë për ta ishte e lodhshme. Tani një veturë, një
shofer, një udhëtimi e një shoqërim me kryepolitikanët bëjnë përmbushjen e
epshit të tyre politik.
Angazhimi i tyre megjithatë ka një defekt. Ky defekt nuk buron nga ideja e politizimit të tyre, meqë nuk a asgjë të keqe me të, por buron nga paqëndrueshmëria e parimeve e principeve të tyre para dhe pas kyçjes. Së pari, vet kalimi nga apolitizmi në politizëm bën një shkëputje radikale në mendime e shprehje. Mendimet e dhëna pas politizimit janë tmerrësisht të ndryshme prej atyre para-politike. Së dyti, politizimi i tyre i kontrabanduar kryesisht me vota të vjedhura apo me pozita të falura nga pamundësia e vjedhjes së aq shumë votave që nevojiteshin për ta, është më tepër një aktivitet nga çiraku, i një paskrupulltësie servile ndaj gjithçkaje e çdogjëje. Serviliteti i tyre ndaj sponsorizuesve senior brenda haremit politik, është aq masiv e aq i pakursyer sa që shndërrohet në një brutalitet publik politik i mbështetur në pispillosje e përdhunim të karakterit bazik human. Me këtë servilitet humbet çdo integritet i unit, nëse kanë pasur një të tillë.
Angazhimi i tyre megjithatë ka një defekt. Ky defekt nuk buron nga ideja e politizimit të tyre, meqë nuk a asgjë të keqe me të, por buron nga paqëndrueshmëria e parimeve e principeve të tyre para dhe pas kyçjes. Së pari, vet kalimi nga apolitizmi në politizëm bën një shkëputje radikale në mendime e shprehje. Mendimet e dhëna pas politizimit janë tmerrësisht të ndryshme prej atyre para-politike. Së dyti, politizimi i tyre i kontrabanduar kryesisht me vota të vjedhura apo me pozita të falura nga pamundësia e vjedhjes së aq shumë votave që nevojiteshin për ta, është më tepër një aktivitet nga çiraku, i një paskrupulltësie servile ndaj gjithçkaje e çdogjëje. Serviliteti i tyre ndaj sponsorizuesve senior brenda haremit politik, është aq masiv e aq i pakursyer sa që shndërrohet në një brutalitet publik politik i mbështetur në pispillosje e përdhunim të karakterit bazik human. Me këtë servilitet humbet çdo integritet i unit, nëse kanë pasur një të tillë.
Sot në politikë ata bëjnë rendin e parë të ushtarëve mediatik. Janë
të parët që dalin pas çmendurive politike që kolegët inferiorë ju bëjnë; janë
të vetmit që pranojnë sakrificën e talljes me ta. Jo sepse nuk dinë ndryshe por
se kush bën zhurmë më shumë, kush bie në sy më shumë, kush mundohet më shumë, merr
pikë serviliteti më shumë. Si ushtarë të parë, futen ku duhet e ku s’duhet. Jo
të bëjnë argumente, as të japin një shembull logjik me fjalën e tyre, por vetëm
të bëjnë zhurmë. Pra vërsulja prej servili nuk bëhet duke kundër-argumentuar
shëndoshë, duke dhënë numra, fakte, mendime e ide alternative, por duke
bastardizuar idenë fillestare që kishte ngacmuar shefat lartë.
Argumentet nuk i zënë vend meqë nuk kanë se si ti dinë, logjikën nuk e
përqafojnë meqë dalin të humbur; zhurma është e tëra çfarë kanë. Me këtë
zhurmë, si ushtarë të rendit të parë, ata duhet të reagojnë ndaj çdo shkrimi,
ndaj çdo figure, ndaj çdo lajmi e ndaj çdo ideje që në një formë apo tjetrën,
me të drejtë apo jo, ka prekur ndonjërin prej kryepolitikanëve të tyre e miqve
përreth qe megjithatë nga ahmakizmi i madh ju prodhojnë probleme. Nuk ka lidhje
se si reagojnë, pse reagojnë, e kur reagojnë, me rëndësi për ta është heqja e
vëmendjes nga objektivi që ata mbrojnë. Si ushtarë të rendit të parë ata bëjnë
rolin e një ndihmësi të matadorit, i cili bartë një pelerinë të verdhë sa për
të shpërqendruar demin që ndjekë të kuqen e matadorit.
E meqë janë xhokerë politikë, pra fusin hundët edhe aty ku tagër s’kanë,
flasin pa shumë sens e fyejnë me plot vrer, personaliteti politik i tyre bëhet
i padurueshëm, pa stil e i neveritshëm. Janë pa simpati në publik prandaj dhe
pa vota në zgjedhje e pa miq apolitik. Kjo për ta nuk ka fort rëndësi; shefi si
shpërblesë kur nuk kanë vota ju jep monedhën e servilizmit: çlodhjen,
udhëtimet, fuqinë politike e injorancën ndaj publikut. E për shefin dhe
inferiorët e tjerë, reagimet e tyre janë par ekselencë. Për ta, fjalët e
përdorura në shkrime e paraqitje publike janë të padëgjueshme, shembujt nga
filmat, dokumentarët, historitë antike, stripat e librat modern janë të
padëgjueshëm, të paparë, mbresëlënës e magjik. Inferiorët s’kan se si të mos
impresionohen; libri i fundit që ata kanë lexuar është Dituri Natyrore e klasës
së shtatë.
Neo-politikanët “oportunist”
Janë pakurrizorë politik. Nuk besojnë në asgjë, janë thjeshtë amorfë. Nuk kanë
filozofi politike, nuk kanë qëllim e nuk kanë ide për rrugën që duhet ndjekur.
Janë thjeshtë notues të mirë që dinë tu përshtaten mjeshtërisht anomalive të
tranzicionit shoqëror. Ende pa mbushur një copë përvoje publike modeste, kanë
eksperiencë në pothuajse të gjitha partitë politike. Kalojnë nga njëra në
tjetra, për të përfunduar në fund mirë. Se si përfundojnë mirë nuk e kanë idenë
as vet. E gjitha për çfarë kanë ide është se si të notojnë tutje.
Zakonisht janë pa përvojë pune; madje puna e parë që kanë bërë ndonjëherë
është mu politika. Nuk flasin gjuhë të huaj meqë gjatë studimeve nuk ishin edhe
aq studioz, por bënin pjesë në ato grupet e studentëve të përhershëm që
angazhimin në unione e organizata studentore e kishin si paraligë politike.
Secili prej tyre ka një eksperiencë bukur të mirë institucionale, madje edhe si
ministra, e pas të njëjtës eksperiencë janë në gjendje të mbajnë ligjërata me
orë për shtet-ndërtim e institucionalizim. Veçse, problemi i amorfitetit të
tyre politik qëndron në faktin se sa ishin pjesë e institucioneve të njëjtit
bënin thelbin e dallavereve, hajnisë e turpit. Kjo ka pak rëndësi për ta; si
pakurrizorë politik fjalët e thëna sot mbysin të djeshmet dhe janë të destinuara
për tu mbytur nesër.
Ata nuk synojnë lartë. Duan një mes të rehatshëm, një qetësi, por shumë
mundësi në këtë mes e qetësi për të rehatuar gjithë familjen, miqtë e të tjerë
nga mahalla. Të gjendur në këtë mes shpeshherë përfundojnë në librat e hetuesisë
meqë sado të aftë që janë për të notuar, janë “naiv” duke vjedhur ashiqare e
rënë në sy. E bëjnë këtë meqë duan të marrin sa më shumë që munden për kohën e
shkurtë të zhvatjes që kanë. Ata që i shpëtojnë hetuesisë (pavarësisht
tregimeve për shtëpi super-luksoze me ngrohje për borë, vetura zero-zero - për
ta dhe familjet e tyre, tokave të shumta e vilave në Brezovicë) herë pas here
bëjnë paraqitje publike me fjalime alamet. Në këto paraqitje, ata që janë ende
pjesë e sistemit dalin me një stil të qetë e tendencë filozofike (ani pse në
thelb fjalimi i tyre është i thatë) për të mbështetur çfarëdo lloj akti të
pushtetit. Ata që nuk bëjnë pjesë në sistem, pra që janë lënë jashtë e të
harruar, i japin dhe më shumë zor, më shumë mund e më shumë vrull në tendencë
për të mbrojtur shpeshherë edhe idetë që vet sistemi i sheh të humbura. Duke
rënë në sy kështu, ata përfundojnë diku si anëtarë të bordeve, profesorë në
Universitet Publik, apo dhe zëvendësministra në atë listën e pafund të
zëvendësministrave. E me një ecje të tillë ata përfundojnë të ricikluar.
Neo-politikanët “imitues pa gjasë”
Janë imituesit më perfid të seniorëve më jokreativë. Janë mizërie e
ardhmërisë politike të vendit. Në të vërtetë janë aq mizërie sa aq sbëjnë
asnjëlloj ardhmërie. Janë të dëgjueshëm ndaj mësimdhënësve universitarë në
pafundësi; ju shkojnë pas edhe në tualet. Organizohen në grupe studentore jo
për të ngritë zërin e tyre, por për të imituar politikanët që shohin në
televizion. Adhurimin e masave e kanë në gjak, madje aq naivë që janë sa që në
thirrjet e tyre publike nuk kërkojnë mbështetje për ndonjë kauzë, por
decidivisht adhurim. Të gjithë duhet të kenë një dozë nacionalizmi, të luftës,
flamurit kuq e zi e recitimeve nacionaliste, pa kuptuar mirë se nacionalizmi
universitar i 1981-ës e 1998-ës është i përfunduar; filmi si duket u është
këputur në protestat e paraluftës. Por meqenëse lëvizjet e fundit studentore i
kanë parë vetëm në këto vite dhe meqenëse imitimi është e vetmja gjë që mund të
bëjnë, s’kan se si dalin ndryshe e më kreativ. Vishen me kostume kurtuazie edhe
kur është e diele duke mos ditur as kur duhet ndalë imitimi, e mbajnë fjalime
të lexuara nga një letër me shumë gabime drejtshkrimore në çdo rast kulturor me
pak vëmendje; diçka absurde për studentë të dalluar që duhej të ishin.
Bëjnë zgjedhje studentore si politikanë, vishen e flasin si politikanë,
madje edhe festojnë si të tillë, me valle e këngë diku në ndonjë ambient pak më
të hapur se mendjet e tyre të mbyllura. Pas këtyre zgjedhjeve bëhen të humbur.
I kthehen studimeve të stërzgjatura e i kthehen udhëtimeve prapë nacionaliste
në Shqipëri nën moton “ti njohim trojet tona”.
Nuk janë studentë, janë pretendues të politikës së ardhshme. Problemi
qëndron në idenë se filmi i tyre i këputur vite më parë nuk prodhon as fijen më
të vogël të atraktivitetit as te politikanët seniorë e inferiorë. Për këtë dhe
nuk merren seriozisht; për këtë dhe nuk kanë gjasa për top-politikë. Thënë të
drejtën më e mira me çka mund të përfundojnë është si militant partiak në një
zonë lokale zgjedhore.