Friday, 6 April 2012

EVAZIONI FISKAL: NË PRITJE TË TAKSËS SË SHESHTË (3)

LETRA NGA LIMBO
KOHA DITORE, 6 PRILL 2011

Vendi ynë, që për herë të fundit ka ridizajnuar sistemin fiskal në vitin 1999 dhe njëkohësisht ka kaluar pothuajse një dekadë të tërë në përpjekje për ta komplikuar edhe më tej, mund të vijë shumë shpejtë në pikën kur ndërrimi radikal i këtyre politikave nuk është zgjedhje por nevojë emergjente
Në dy shkrimet e fundit provova të argumentojë se niveli alarmant i evazionit fiskal buron (përtej mungesës substanciale në mekanizma mbledhës) nga relacionet shtet-qytetar dhe nga niveli i ulët i moralit fiskal (apo gatishmërisë vullnetare për të paguar tatime). Në këtë shkrim të tretë dhe të fundit do të argumentojë mbi komplikueshmërinë e sistemit fiskal dhe nevojës që Kosova, sikurse gjitha vendet e rajonit, të aplikojë taksen e sheshtë.
Dy javë më parë, revista e famshme Forbes kishte lavdëruar në qiell Shqipërinë për aplikimin e taksës së sheshtë, madje themeluesi i saj bënte thirrje që edhe vendi i tij, pra Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të ndiqnin përvojën e Shqipërisë; një rast ky mjaft i rrallë kur shqiptarët bëjnë shembull për së miri. Praktikat e një suksesi të tillë them se duhet ti përqafojë dhe Kosova, e cila në fund të fundit nuk do të ishte e vetme në këtë vijë. Ishte Hong Kongu nga vendet e para që qysh në vitin 1947 vendosi sistemin e tatimeve proporcionale prej 16%. Vendet Baltike si Estonia, Lituania dhe Letonia kanë pasur tatime proporcionale prej 24%, 23% dhe 25% që nga mesi i viteve të 90-ta, të pasuara nga Rusia dhe Ukraina me 15% respektivisht 13% në fillim të shekullit 21. Sllovakia është një ndër vendet e rralla që ka aplikuar sistemin proporcional në të gjitha tatimet (në tatime në të ardhura, korporata dhe TVSH) prej 19%. Vendet si Rumania, Sllovenia, Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, Polonia, Hungaria, Bullgaria dhe Shqipëria (10% nga viti 2008) janë shtetet e fundit që aplikojnë sistemin proporcional, ndërkaq Çekia dhe Greqia janë vendet e radhës që pritet të adoptojnë një sistem të tillë. Mësimet e nxjerra nga këto vende ishin se tatimet u bënë më të lehta dhe më lehtë u administruan, kishte më pak motiv për subjektet për evazion, dhe në fund pati stimulim impresiv të zhvillimit ekonomik. Tatimet proporcionale u treguan aq të suksesshme sa që debate të shumta sot e kësaj dite vazhdojnë të zhvillohen në SHBA dhe Britani. Numëruesi i përbashkët i gjithë reformave artikulohej në tre fusha kryesore: thjeshtësimi i tatimeve, efikasiteti i politikave fiskale dhe drejtësia që sigurohet nga implementimi i këtyre politikave.
Dallimi i sistemit të rrafshët nga ai çfarë tani kemi, në princip është se të gjitha subjektet qofshin ata individë, biznese individuale, korporata, të gjitha grupet e njerëzve të ndarë sipas të ardhurave, të pasur apo të varfër, do ti nënshtroheshin një norme të njëjtë (në përqindje) tatimi për të gjitha llojet e tatimeve qofshin në konsum, të ardhura apo fitim. Ky strukturim, unë argumentojë, do të sjellë thjeshtësi, efiçencë e drejtësi.
***
Sa më i komplikuar të jetë sistemi fiskal në vend aq më tepër i jepet motiv qeverisë për komplikime të tjera, deri në masën kur komplikimet arrijnë limitin e arsyeshmërisë dhe reformat fiskale në drejtim të thjeshtëzimit të tyre janë të domosdoshme. Kosova, që për herë të fundit ka ridizajnuar sistemin fiskal në vitin 1999 dhe njëkohësisht ka kaluar mbi një dekadë të tërë në përpjekje për ta komplikuar edhe më tej, mund të vijë shumë shpejtë në pikën kur ndërrimi radikal i këtyre politikave nuk është zgjedhje por nevojë. Nëse i hedhim një vështrim të lehtë sistemit ekzistues fiskal atëherë fotografia e bërë do të përmbajë procedura të shumta, ligje dhe dokumentacione që rrallëherë mund të kuptohen, administratë tatimore plotësisht injorante ndaj evazionit fiskal, transaksione në kesh e kurrë të regjistruara, frymë rezistuese e pothuajse çdo qytetari ndaj mekanizmave fiskale, për të mos filluar fare me anën distributive të sistemit meqë do të bënte mbledhjen e tatimeve të dukej mjaftë mirë. Megjithatë, ajo për çfarë qytetarët, bizneset, administratorët tatimorë madje edhe vet politikbërësit pajtohen është se sistemi fiskal në Kosovë është thellë i komplikuar. Kosovarët thonë se nuk kanë fare ide se subjekt të të cilit tatim janë për të mos përmendur fare format e pagesës dhe si duhet bërë ato, bizneset kosovare ankohen në mënyrën e pagesave të tatimeve specifike e me theks të veçantë në tatimet mbi konsum, administratorët tatimorë arsyetohen se nuk kanë kapacitete të mjaftueshme humane, monetare dhe fizike për të monitoruar transaksionet e një sistemi aq të komplikuar dhe në fund institucionet qeveritare vazhdimisht përsëritin faktin se nuk kanë administratorë tatimor të aftë për këtë sistem fiskal të komplikuar. Në këtë sferë të ideve që në pah nxjerr komplikueshmërinë e sistemit lind pyetja se pse vazhdohet me një sistem të tillë?
Sistemi proporcional që eventualisht do të zëvendësonte sistemin e tanishëm fiskal në Kosovë, të tre llojeve të normave tatimore, qindra zbritjeve, beneficioneve, përjashtimeve, ligjeve, urdhëresave, formularëve, etj, do të sillte me vete thjeshtësinë. Thjeshtësia nuk përfshinë vetëm konceptimin e sistemit por gjithashtu edhe shpenzimet e implementimit të tij. Sistemi fiskal i Kosovës jo që konceptualisht është i pakuptueshëm, madje edhe për profesionistët e tatimeve, por sjell me vete edhe shpenzime të mëdha për implementim si në kohë, mund e para. Ndonjëherë këto shpenzime të implementimit janë aq të mëdha sa që implementimi nuk ndodh fare.
Sistemi i tanishëm parimisht është dhe i padrejtë. Në mesin e mendimeve të cilat nuk e vënë në dyshim obligimin qytetar për të paguar tatime, mbizotërojnë dy këndvështrime mbi kuptimin e drejtësisë së tatimeve. Drejtësia nën tatimet proporcionale (flat tax) nënvizon barazinë si: çdonjëri duhet të jetë subjekt i rregullave të njëjta prandaj çdo subjekt duhet të paguaj tatime me norma të njëjta; në anën tjetër, drejtësia nën tatimet progresive e sheh barazinë si: të gjithë subjektet duhet të paguajnë tatime bazuar në aftësinë e tyre për të bërë një gjë të tillë, prandaj sistemi fiskal duhet ti përjashtojë të varfrit dhe të aplikojë tatime të ndryshme për grupe të ndryshme dhe në këtë mënyrë të shpërndajë barrën e tatimeve varësisht prej të ardhurave që subjektet gjenerojnë. Në këtë definim, unë argumentoj se përkrahësit e idesë progresive asnjëherë nuk kanë arritur të provojnë se një euro shtesë vlen më tepër për një të varfër se një të pasur apo anasjelltas. Për më tepër, lënia e parasë më shumë në zotërim të iniciativës private do të thotë më shumë vende të reja pune e më pak nevojë për politika sociale. Krijimi i punës para politikës sociale bën krijimin e efiçencës në shfrytëzimin e parasë, e që në rastin tonë mungesa e efiçencës bën hendikepin e ciklit tatimpagues. Mos të harrojmë se edhe nën sistemin e rrafshët të pasurit paguajnë më shumë se të tjerët. Me fjalë të tjera 10% i një subjekti që gjeneroj fitime 1 milionëshë është shumë më i madh se 10% i dikujt që gjeneron fitime tre shifrore. Me çfarë logjike të drejtësisë duhet një subjekt produktiv trajtuar me norma më të larta tatimore se një subjekt tërësisht më pak produktiv?
Them se për të nxitur zhvillimin ekonomik në Kosovë, për të krijuar vende të reja pune, për të arritur thjeshtësinë e tatimeve, për të ndjekur drejtësinë, prosperitetin ekonomik, për të ruajtur trajtimin e barabartë të të gjithë taksapaguesve dhe përfundimisht për të rritur vjeljen e tatimeve Kosova mund dhe duhet të fillojë reformat fiskale me fokus në tatimet e sheshta. Për kosovarët, adoptimi i sistemit proporcional do të thoshte se më në fund të gjithë do ti kuptonim tatimet, se formularëve të gjatë e të pafund, pagesave që marrin kohë e rimbursimeve që nuk bëhen kurë me kohë do t’iu vjen fundi, se për biznese pavarësisht qarkullimit, fitimit, kursimit a investimit përjashtime dhe rrjedhimisht komplikime të panevojshme nuk do të ketë, për administratorët tatimorë më në fund implementimi i politikave do të ishte i thjeshtë dhe në fund për institucionet qeverisëse kënaqësia do të vinte nga ideja se politikat e tyre nuk pengojnë tregun, se mbledhja e tatimeve është rritur dhe përfundimisht se ata i trajtojnë të gjithë qytetarët e tyre njëjtë.

No comments: