Friday, 13 April 2012

ASGJË PËR MITROVICËN


Letra nga limbo
KOHA DITORE, 13 PRILL 2012 

Nuk ka asnjë argument në zgjedhjen mes paqes dhe forcës, por paqja e marrë nga dorëzimi është po aq e njëjtë sa vet nënshtrimi. Ka diçka të madhe që emri shtet mban në vete, e cila, na pëlqeu ose jo, quhet obligim për mbrojtje

Nuk arrij ende të kapërdijë gjithë atë neglizhencë, komfort e mosreagueshmëri të treguar nga institucionet tona pas aktit të fundit terrorist në Mitrovicë dhe për më tepër pas spastrimit etnik të shqiptarëve për në Jug. Nuk mbaj mend të ketë pasur një paralizë totale të vendit ani pse aktet provokative, kriminale e terroriste vinin njëri pas tjetrit sa për të rënduar dhe më shumë dëshpërimin e mllefin e kosovarëve. Një pasqyrë si kjo tregon më së miri se sa pak brengosen “të mëdhenjtë tanë” për “të vegjlit e vet”, sigurinë e tyre dhe perspektivën e çerek territori të vet. Jam i bindur se po të bëhej fjalë për ndonjë tender pak milionësh secili prej tyre, i madh e i vogël, do të renditeshin për të copëtuar një pjesë ashti nga talli i mishit të korruptuar.

Nuk arrij ende të kuptoj se sa patetikë e të gërditshëm u bëmë nga injoranca e treguar pas vrasjes së një shqiptari në gjumë nga kriminelë, terroristë e vandalë serb; banditë të ndyrë që sillen e pështillen si në bahçe të babës. Mund ti parafytyrojë vrasësit teksa ngrenë dolli rakie për ‘burrërinë” e treguar ndaj fëmijëve e të pambrojtur; qyqarë të mjerë. Edhe më pak arrij të kuptoj reagimin tonë ndaj tyre, tolerancën, durimin e pritjen e dhënë; më mirë të mos reagonin fare. Në ditën e parë të vrasjes së Selverit u bëmë thirrje terroristëve për qetësi, në ditën e dytë varrosëm burrin në hije të plotë, në ditën e tretë heshtëm, e në të katërtën dërguam dy policë e një kioskë; çfarë tmerri e dëshpërimi.

Tmerr e dëshpërim meqë gjuha jonë hiper-toleruese po ju jep zemër dhe më shumë qyqarëve terrorist. Sot terrorizmi serb merr fuqi sepse gjuha jonë politike promovon dorëzimin në vend të mbrojtjes. Kur ata vendosën barrikada ne bëmë thirrje për qetësi, kur ata vranë forcat e rendit ne bëmë thirrje për qetësi, kur ata dogjën kufijtë ne bëmë thirrje për qetësi, kur ata kidnapuan policët kufitar ne bëmë thirrje për qetësi, kur ata ekzekutuan një familjar ne bëmë thirrje për qetësi. Sa herë që ne bëjmë thirrje për qetësi e jo thirrje për mbrojtje, terroristët do të marrin zemër më shumë, vrasin e djegin më shumë. Nuk ka vend në botë që ka zhbërë terrorizmin me thirrje për qetësi por me forcë të rendit dhe forcë të shtetit. Këtë forcë ne nuk po e tregojmë e as që e kem ndërmend ta tregojmë.

Tmerr e dëshpërim meqë trajtuam Selverin e vdekur më zi se kur ishte i gjallë. Paramendoni se  të njëjtit i kishim ndalur kohë më parë asistencën sociale, duke e lënë atë dhe familjen e tij në mëshirë të të pamëshirshmëve. Qeveria jonë mund të thirret si patriotike kur shpenzon 1 miliardë euro në autostradën për Shqipëri, por shumë më patriotike mund të thirrej sikur gjithë ato para ti jepte vetëm për Veri. Nuk ka akt e gjest më patriotik se zotërimi i Veriut; nuk do të ketë asnjëherë për Kosovën. E trajtuam Selverin edhe më zi në vdekje meqë varrimi i tij u bë në heshtjen më të madhe të mundshme, pa ceremoni zyrtare, pa prezencë të përfaqësuesve politik, e pa reagime që do bënin nam. Në vend se Kryeministri i vendit të ndërpriste shëtitjen e tij turistike në universitetet amerikane, ti thoshte botës se ka terroristë në vendin e tij dhe se po kthehej për tu dhënë gjuhën e forcës banditëve qyqar që vënë bomba në shtretërit e fëmijëve, ai zgjodhi heshtjen; as edhe një fjalë. E kur një tjegull e çatisë së një manastiri serb bie rastësisht nga një erë, Serbia dërgon letra e telegrame gjer në OKB.

Tmerr e dëshpërim meqë për ti dhënë zgjidhje dhunës e terrorizmit në Veri ne dërguam, paramendoni ose jo, dy policë në një kioskë. Nuk arrij të kuptoj logjikën e sensin e dikujt prapa një ideje të tillë, nuk arrij të kuptoj se a e bënë se aq dinë apo se nuk duan. Nëse dinë aq, mjerë për ne; do të duhet të paditurit ti bindim se nuk dinë e më pas ti bëjmë që të bëjnë. Nëse nuk duan më shumë, turp për ta e marre për ne në kë jemi mbështet. Sa për të legjitimuar paaftësinë totale tonën, kryetari i Mitrovicës një ditë pas vrasjes i bënte thirrje qytetarëve “të mbrojnë pragun vet”. Një thirrje kaq joinstitucionale nga një njeri institucional tregon se në çfarë gjendje të gjorë Kosova është sot. Po ne taksa e tatime nuk paguajmë që të vetë-mbrohemi, shtet nuk shpallëm që të vetë-mbrohemi, institucione nuk zgjodhëm që të vetë-mbrohemi, por që me punën tonë, paratë e shtetit e institucionet e zgjedhura të krijojmë forcë që i del zot vendit, qytetarëve të sodit e fëmijëve të nesërmes. Edhe më e rëndë e shumë më provokative dukej vizita e radikalit serb Nikoliq i cili mu para hundëve tona, një ditë pas vrasjes, mbante miting partiak. Po të kishim një gram dinjitet të njëjtit do ta arrestonim për hyrje ilegale në Kosovë dhe për nxitje të dhunës e mbështetje të terrorizmit. E nëse nuk kemi kapacitete të arrestojmë le të shpjegojë dikush gjithë këtë marifet shtetndërtues.

Tmerr e dëshpërim edhe për reagimin ndërkombëtar. Shumica heshtën, e ata që folën shkretuan. Bënë thirrje që ngjarja të mos politizohet se Selveri kishte vdekur si njëri i zakonshëm dhe zgjidhja duhet të ishte e zakonshme. Zotërinjtë diplomatë, në vend se të kërkonin nga shtetet e tyre nota proteste për terrorizmin serb, në vend se të reagonin njëjtë siç reagojnë kur terrorizmi prek bashkëqytetarët e tyre, e trajtojnë vendosjen e një bombe tek një familje si diçka të zakonshme. Ata nuk dinë apo nuk duan të dinë se Selveri nuk vdiq si një njeri i zakonshëm por vdiq pse ishte shqiptar; vdiq pse vrasësit e tij ishin po të njëjtit që i dhanë Evropës gjenocidin e fundit trembëdhjetë vjet më parë, e sot po të kishin pak forcë do ribënin të njëjtin gjë. Madje, janë po të njëjtit njerëz që këtë javë detyruan shqiptarët që më në fund të largohen nga shtëpitë e tyre; pastrim modern etnik ky. Jo se pritet ndryshe nga diplomatë që objektiv kanë një karrierë të qetë në një vend me plot mundësi për karrierë. Sikur të njëjtit të instistonin në forcat e tyre paqeruajtëse për zgjidhje njëjtë sikur insistojnë në korridoret e  Parlamentit, Mitrovica do harrohej kaherë. Pavarësisht kësaj,  gjuha e toleranca ndërkombëtare duhet ti shërbej Kosovës e institucioneve tona si kambanë zgjimi se zgjidhja e Veriut nuk do vijë asnjëherë nga të huajt, ashtu siç na u ishte premtuar e thënë vit pas viti që nga 99-ta. Zgjidhja do të vjen vetëm nga ne. Në fund të fundit, po nuk arritëm të mbromë Selverin, ne mund ti mbrojmë të tjerët në Mitrovicë.

Kosova sot duhet të bëj zgjedhje mes mbrojtjes dhe dorëzimit. Paaftësia jonë për të reaguar si shtet, mungesa e vullnetit për të treguar dhëmbë, gjuha e butë dhe zmbrapsja pas çdo kërcënimi serb kam përshtypjen se deri më tani kanë sjellë hiç më shumë se një dorëzim dhe pranim të humbjes. Të dhënë pas pasurimeve individuale nga pushteti, të uritur nga potencialet e plaçkitjes së gjithçkaje publike, politika kosovare nuk ka gjetur asnjëherë rrugën e drejtë shtetndërtuese. E sa herë është vënë në situata sfiduese për Veriun, e njëjta ka zgjedhë rrugën më të lehtë: thirrjen për qetësi, komfortin dhe harresën. Kur Tadiqat e Daciqat u flasin njerëzve të tyre mbi kthimin e Serbisë në Kosovë, e bëjnë këtë ngaqë nga ne dëgjojnë zëra që duan paqe me çdo kusht, duan dialog e negociata para mbrojtjes, duan rahati para mundit; apo si një komentator i kafeve të Qeverisë e kishte thënë “mos pritni nga ne të dërgojmë policinë atje”. E kur Qeveria jonë pranon mungesën e mjeteve për të vënë rend ajo pranon rritjen e guximit të terroristëve, ajo i inkurajon ata për të bërë më shumë. Kur ne pranuam barrikadat pardje, djegien dje, vrasjen sot, ne pranojmë humbjen e Veriut nesër. Nuk ka asnjë argument në zgjedhjen mes paqes dhe forcës, por paqja e marrë nga dorëzimi është po aq e njëjtë sa vet nënshtrimi. Ka diçka të madhe që emri shtet mban në vete, e cila, na pëlqeu ose jo, quhet obligim për mbrojtje. Në fjalë të Alexander Hamilton “Një komb që pëlqen turpin ndaj rrezikut është i gatuar për padron, dhe e meriton një”. Selveri mund të jetë vetëm një njeri i lënë në harresë, por Veriu i Kosovës është me plot të tillë. Heronj modern të harruar nga gëlltitësit e mëditjeve, vozitësit e xhipave, e sheikët e politikës kosovare, presin sot e nesër mbrojtjen e shtetit të tyre; jo thirrjen për qetësi, jo dy policë, jo një kioskë e jo solidaritet në fjalë, por mbrojtje. Është koha e fundit për vendosjen e shtetit në Veri.


(Autori është kolumnist i rregullt i ‘Kohës Ditore’)

No comments: